Hafiz Sherif Langu (1877-1956)

Sherif Langu lindi në qytetin e Dibrës së Madhe më 1877. Mësimet e para i mori në medresenë e këtij qyteti.

Më 1894 djaloshi 17 vjeçar ishte në lidhje të ngushta me atdhetarët Said Najdeni, Kadri Fishta dhe Shaqir Daci. Mes tyre, me kurajë e guxim iu përvesh punës për propagandimin e shkollës shqipe. Petku fetar dhe detyra e imamit që po kryente në një lagje të qytetit, nuk e penguan në aksionin e shpërndarjes së abetareve.

Duke jetuar zhvillimet që kalonte Dibra në fund të shek. XIX, Sherifi së bashku me patriotët e tjerë është i pranishëm në tërë ngjarjet. Ai merr pjesë në Kuvendin e madh të Dibrës të 27 shkurtit 1899. Prindërit, veçanërisht gjyshi Selim Bej Rusi, duke pare te ai një të ri inteligjent, të zgjuar e me të ardhme, e ndihmuan që të vazhdonte studimet në Manastir e më pas për teologji në Stamboll. Këtu pati mundësi t’i zgjeronte njohuritë fetare e shkencore duke u njohur njëkohësisht me atdhetarë dhe rilindas të shquar. Mes rilindasve si Ibrahim Temo, Dervish Hima e të tjerë, Sherifi u afirmua më tej me idealin kombëtar dhe përkushtimin për t’i shërbyer Atdheut. Ai gjatë vitit 1907 lëviz me mision sa në Dibër në Manastir. I njohur me aktivistë të klubit të Manastirit, bën një punë të madhe duke formuar në dhjetor 1908 klubin “Bashkimi” të Dibrës. Si kryetar i këshillit administrativ të klubi, së bashku me aktivistë të tjerë si Kadri Fishta, Riza Rusi, Eqerem Cami, Ibrahim Xhidri, Abdullah Tërshana dhe Ibrahim Jegeni zhvillon një aktivitet të dendur në dobi të çështjes kombëtare. Krahas përpjekjeve të vazhdueshme për shkollë shqipe, së bashku me aktivistë të tjerë luan një rol të rëndësishëm në organizimin e Kongresit të Dibrës të 23 korrikut 1909. Në fund të qershorit 1910 Turgut Pasha, pasi kishte shtypur qëndresën në qytetin e Dibrës, u fut në zyrat e klubit “Bashkimi” dhe sekuestroi tërë dokumentet e klubit.

Pas kësaj, bashkë me patriotë të tjerë dibranë, bëhet insipiruesi i disa mitingjeve e peticioneve me anë të të cilëve këmbëngulej në dhënien e lejes për shkollë shqipe. Dibranët duke parë tek Hafiz Sherifi një atdhetar të flaktë, me dhënien e lejes për shkollë shqipe, e zgjodhën unanimisht mësues. Hafiz Sherif Langu e shikonte nga afër fundin e perandorisë, ndaj iu vë punës për organizimin e kryengritjes. Në fund të qershorit të vitit 1912, së bashku me Eqerem Camin, Ismail Strazimirin, Tajar Tetovën, Ramadan Camin, Sulejman Shehun e Zerqanit e të tjerë, merr pjesë në kryengritje. Kjo kryengritje çoi në çlirimin e Dibrës.

Ai tani, me personalitetin e tij fetar, patriotik dhe si luftëtar e udhëheqës popullor ishte bërë figura më e dashur në mbarë Dibrën. Është kjo arsyeja që së bashku me Haxhi Vehbi Agollin (Dibrën) u zgjodhën përfaqësues të saj për në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Me okupimin serb të viseve të Dibrës dhe Elbasanit niset nga Vlora me mision në këto anë për të organizuar qëndresë. Autoritetet serbe e arrestojnë, por përballë presionit të popullit, pas disa kohësh detyrohen ta lirojnë përsëri.

Në Elbasan u fut në lidhje me Aqif Pashë Elbasanin, me të cilin pati një bashkëpunim të vazhdueshëm në dobi të çështjes kombëtare. Duke ruajtur lidhjet me Qeverinë të Përkohshme të Vlorës, iu përvesh punës për të lidhur fiset e Dibrës me administratën e Vlorës. Me ndihmën e Aqif Pashës, në krye të një komisioni të përbërë nga Tajar Tetova, Haki Ismail Peqini, Ahmet Dakli nga Elbasani, ndërmerr disa herë misione në viset e Dibrës, duke kontribuar në ngritjen e pushtetit lokal. Në këtë mision ai bashkëpunoi me Ramadan Camin, Hoxhë Muglicën, Hoxhë Kurt Ballën e shumë atdhetarë të tjerë. Nga fundi i vitit 1913 deri më 1917 kryen detyrën e kadiut (gjyqtarit) në viset e Dibrës që mbetën me Shqipërinë. Malli për vendlindjen e hodhi në qytetin e Dibrës ku nga viti 1920 gjer në vitin 1938 kreu detyrën e imamit dhe në disa raste në kadiut. Këtu pati mundësi të vihet në lidhje me miq e shokë të vjetër. Tashmë eminenca e tij përbënte rrezik për shtetin jugosllav, i cili e mbante atë nën vërejtje. Nga viti 1938 gjer në prill të vitit 1941 kryen detyrën e kryetarit të këshillit të ulemave në Shkup. Këtu, duke parë se veprimtaria e tij e mëtejshme ishte në rrezik, largohet për në Tiranë ku u ngarkua me detyrën e kryetarit të Komunitetit Mysliman shqiptar. Nga ky post i lartë predikoi prosperitet e tolerancë mes besimeve fetare, dashuri, bashkim vëllazëror fetar e kombëtar. Si nacionalist i vendosur aspiroi e punoi për Shqipërinë etnike.

Pas çlirimit, ndonëse në moshën 70-vjeçare, nën akuzën për agjitacion e propagandë dënohet me dhjetë vjet burgim. Qëndrimi i tij në burg dëshmon për karakterin e fuqishëm. Lirohet në vitin 1950 dhe vdes më 9 mars 1956 duke u lënë brezave mesazhin e besimit e atdhedashurisë.[1]



Më poshtë po japim një telegram dërguar Kryqit të Kuq Ndërkombëtar ku nën petkun zyrtar të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë shpreh dhimbjen e thellë për krimet e luftës në të gjitha trevat shqiptare nga pushtues të ndryshëm, qofshin ato fqinjë, apo aleatë.




Telegrami i dërguem nga Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Kryqit Kuq Ndërkombëtar rreth bombardimit të Pejës



Zotnisë së Tij

Presidentit Kryqit Kuq Ndërkombëtar

BERNË


Ngjarjet e luftës së tashmë dhe pasojat e saj tragjike mbi popullin Shqiptar, më kanë shtyrë t’i drejtohem, me cilësinë t’eme si Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipnis, Institutit të lartë humanitar të kryesuem prej Zotnisë s’Uaj, me lutje që të keni mirësinë t’ua njoftoni përmbajtjen e këtij telegrami autoriteteve kompetente aleate, Qendrave të Gjysmë-Hënës së Kuqe Turke, Egjyptase, Persiane, Irakjane dhe Indiane si dhe Komitetit Panarab.

Dy ngjarje tragjike e kanë goditur në kohët e fundit vendin t’em:

1) Bombardimi tragjik i Pejës shkaktoi më 13 gusht ‘944 një numër të madh viktimash, të cilat, simbas vërtetimeve më të fundit, arrijnë trimijë të vrarë dhe disa mijëra të plagosur, midis popullsis muslimane shqiptare, e cila ka qenë ajo vetëm e goditur, mbasi ajrorët aleatë kanë synuarë vetëm lagjet Muslimane.

2) Masakra janë kryem në Çamëri prej çetave të armatosura Greke të Zervës të cilat e kanë grirë në kohët e fundit popullsin civile shqiptare të Paramithis dhe të krahinave fqinje. Disa qindra Shqiptarë muslimanë, ndër të cilët Myftiu i Paramithis dhe shumë nga parija, janë masakruar pa mëshirë në këtë rast. Shumë katunde e xhamia janë plaçkitur e djegur dhe popullsia civile, e tmeruar nga rreziku i çetave të armatosura të Zervës, ka lënë krejt vendin. Afro njëzetmijë refugjatë kanë kaluar kështu lumin Kalama dhe kanë ardhur përkëndej për të kërkuar mbrojtje duke vuajtur tash nga mungesa e ushqimeve e të tjerave sende të nevojës së parë.

Nxitoj t’Ju shpreh me këtë rast falënderimet dhe ndjenjat e mirënjohjes së Komunitetit Mysliman të Shqipnis dhe të mijat personale për ndihmat e para që Kryqi Kuq Ndërkombëtar pati mirësinë t’i japë kësaj popullsije fatkeqe.

....Edhe gjatë kësaj lufte lista e vuajtjeve të hidhta përmban shumë viktima, që kanë rënë ndër ngjarje tragjike. Nga më të dallueshmit, përmendim masakrimin e afro 5.000 muslimanëve i ndodhun në muejin Jenar 1943 në krahinën e Bihorit midis Malit të Zi dhe Shqipnis dhe i shkaktuar prej sulmeve agresive të çetave çetnike serbo-malazeze. Herë mbas here sulme të reja ndodhin kundër krahinave Shqiptare të Kosovës – Metohis-qoft nga ajri prej ajrorëve aleatë, qoftë nga toka prej çetave serbo-malazeze të ç’do tendence.

Do t’ish mirë që zhvillimet e rënda të luftës të mos shtrihen mbi një popullsi të pambrojtun dhe mbi qytete që nuk përbëjnë asnji objektif ushtarak dhe kemi arsye të besojmë se aktet terroriste ajrore kundër popullsis s’onë myslimane janë kryer vetëm mbi shtytjen e fqinjëve t’anë armiq shekullorë të racës t’onë, të cilët nuk kërkojnë tjatër veçse çfarosjen e saj.

Po i drejtohemi ndjenjave njerëzore të Kombeve të Bashkueme dhe opinionit të tyre me qëllim që të bëjnë pranë Komandave të tyre përkatëse ndërhyrjet e nevojshme me qëllim që akte terroriste të këtij lloji të mos përdoren kundër popullit Shqiptar kaq shumë të goditur gjer më tash nga kjo luftë botore.[2]


Kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar
H. SHERIF LANGU



[1] Lidhja e historianëve shqiptarë dibranë, “Dibra dhe etnokultura e saj”, vëllimi i dytë, Dibër, 1995.

[2] Origjinali është dërguar në frëngjisht dhe është botuar tre numra më pas (revista Kultura Islame, gusht 1944, nr. 12, fq. 347-348).


Artikulli i kaluar
Mulla Idriz Gjilani
Artikulli radhës
Mulla Jusuf Baftjari 1883-1948