Islami nuk prodhon frikë, por krenari!

Në këtë tekst bëhet fjalë rreth një të vërtete të madhe që, megjithëse është e pamohueshme, shumë kush e mohoi, nuk e deshi, e përbuzi, e luftoi. Anashkalimi dhe lobimi drejt tëhuajësimit të saj nuk i zbuti momentet dhe çastet e jetës njerëzore, por vetëm se i shtoi edhe më shumë divergjencat, përçarjet, vrasjet dhe luftërat…

Qetësia dhe paqja njerëzore nuk mund të kuptohen dhe të manifestohen ndryshe, përpos pranimit dhe respektimit të kësaj të vërtete. E ajo është: Islami. Ka një kohë të gjatë që ai është duke u sulmuar nga të gjitha anët me të gjitha mjetet, duke mos kursyer edhe mundin më të pavlerë. Habitesh kur i sheh sesa shumë janë të ndarë njerëzit, kombet, shtetet kur janë në pyetje interesat bilaterale, ndërsa nga ana tjetër sesa janë të bashkuar dhe të ndihmuar kur është në pyetje islami. Islami, kundër tij, i bashkoi edhe armiqtë më të mëdhenj që kanë mundur të ekzistojnë ndonjëherë. Armiqtë e islamit me të madhe punuan kundër çështjes së tij, dhe atë, me të vetmin qëllim që të reduktojnë ndikimin e forcës dhe zgjerimin e tij. Mirëpo, sa herë që atë e dëshiruan dhe e bënë, atyre u doli për mbrapsht (lexo: për mirë), sepse panë atë që nuk e parashikuan, dëgjuan atë që mendja s’u kishte shkuar, mësuan atë që gabim e kishin mësuar dhe kuptuan kotësinë e dislokimit të arsenalit të tyre kundrejt tij.. Islami është i tillë, atë sa më shumë ta shtypësh, aq më tepër merr forcë për tu ngritur. Sa më shumë të punosh për të, aq më shpejt reflektohet ndikimi i mesazhit të tij hyjnor në zemrat e njerëzve. Kjo është kështu, për arsye se islami me vete bartë vlera dhe aksioma të nevojshme për njeriun dhe për të gjitha botët që ekzistojnë. Ekzistimi dhe mosekzistimi i tij nuk varet nga njerëzit. Ai ishte edhe në kohën kur s’pati muslimanë, siç qe koha pas Isait a.s., deri te sa erdhi Muhammedi, a.s.

Atë e mbron Zoti i të gjitha botëve dhe kohëve. Zoti ka marr përsipër garantimin e ekzistimit të tij deri në ditën e gjykimit dhe këtë nuk mund ta shuaj askush. A nuk shihni se ai u nis prej një njeriu dhe numri i masës së tij është rritur deri mbi një miliard e gjysmë dhe se për asnjë moment gjatë historisë së pesëmbëdhjetë shekujve nuk është ndalur rritmi i shtimit të numrit të pjesëtarëve të tij. Po ashtu, është edhe një fakt tjetër shumë vendimtar i ekzistimit të islamit pas gjithë atyre kundërvajtjeve të armiqve, e ai është: “marrja me të mirë dhe frymëzimi që u bën pjesëtarëve të tij për ta ruajtur atë edhe tek damarët e qafave të tyre”. Kjo nuk mund të kuptohet si imponim, por vetëm si e vërtetë dhe amanet që ia vlen me çdo kusht të ruhet. Gjithashtu, kjo nuk duhet të interpretohet si paradoks, e assesi si e pavërtetë.

Vërtetë sot, islami dhe pjesëtarët e tij janë duke përjetuar çaste dhe momente të hidhura, por kjo ndodh për shkak të teprimit të dhunës dhe luftimit të tyre pa kompromis. Gjendja momentale e një sendi nuk krahasohet me realitetin dhe vitalitetin e tij parësor apo parimor. Ajo mund të ndryshoj, varësisht nga momenti dhe koha, por në esencë mund të ngel i pandryshuar. Imazhi dhe ekzistimi i islami dhe pjesëtarëve të tij është sikurse ai sendi që ka ndryshuar në kohë, por “databaza” e të gjitha aspekteve mbetet të njëjtë, e pa ndryshueshme dhe gjithmonë funksionale.

Çka është islami?

Deri para se të ndodh rasti historik i shembjes së dy ndërtesave binjake në Amerikë, më 11 shtator 2001, për islamin dhe muslimanët, në botën perëndimore, është folur dhe mësuar në forma dhe mënyra të margjinalizuara dhe me një frymë skeptike. Mirëpo pas 11 shtatorit vëmendja e opinionit publik perëndimor ndaj islamit dhe muslimanëve sikur u rrit në një shkallë më të lartë të interesimit. Rrymat e ndryshme ideologjike e politike filluan islamin ta interpretojnë si formë demode e jetesës, si religjion që nxit për urrejtje, terror dhe moskoekzistencë. Kështu që, në vijë të kësaj u zgjua interesimi për islamin dhe ai kryesisht u interpretua nëpërmjet dy rrafsheve: atij që mblidhte urrejtje dhe mllef ndaj islamit dhe atij që shpjegonte dhe punonte për të shfaqur islamin dhe botëkuptimet e vërteta të tij ashtu siç në të vërtetë janë, duke tentuar që t’i thyejë keqinterpretimet dhe paragjykimet ndaj islamit dhe muslimanëve. Gjithashtu, nga ky rrafsh i fundit, islami në disa aspekte u interpretua në forma dhe mënyra të ndryshme, duke u promovuar vlerat e tij konform metodologjisë së interesave të disa grupeve, të cilat më shumë promovuan traditën e një komuniteti sesa fenë e pastër islamin. Mirëpo, gjithmonë ajo fryma mesatare e islamit ka qenë triumfaliste dhe determinuese, e cila e ka interpretuar islamin si e vetmja zgjidhje për të jetuar në paqe dhe dashuri të ndërsjella ndërnjerëzore.

Për ta kuptuar esencën e temës apo të vërtetës së islamit, duhet patjetër, si për fillim, të njihemi me të, të mësojmë rreth tij dhe konditave që ai i përfaqëson. Shtrohet pyetja: çka në të vërtetë paraqet islami; a është ai kërcënues për botën apo shpëtimtar i saj? Çfarë modaliteti ofron ai për jetesën dhe koekzistencën njerëzore; pse frika nga islami, dhe shumë pyetje të tjera, për cilat doemos duhet gjetur përgjigje konstruktive, të paanshme, transparente, në qoftë se dëshirojmë që paragjykimet indiferente t’i shndërrojmë në paragjykime admiruese ndaj islamit.

Përgjithësisht, islam do të thotë paqe, siguri, vendosje e paqes dhe afërsisë ndërmjet njerëzve. Po ashtu fjala islam nënkupton edhe nënshtrimin e plotë ndaj Zotit. Ky nënshtrim nuk mund të kuptohet dhe manifestohet ndryshe përpos aplikimit dhe zbatimit të plotë të urdhëresave dhe mësimeve të islamit.

Feja islame është fe qiellore e zbritur nga Allahut, dhe e vetmja e pranuar te Ai. Është fe që me të u identifikuan edhe të dërguarit dhe popujt e mëparshëm. Me të u demonstrua besimi dhe sistemi i vetëm monist gjatë gjithë historisë së funksionimit të njerëzimit. Që nga njeriu i parë e deri tek ai i fundit, i cili e ka fatin, qoftë i mirë apo i keq, ta shohë tmerrin e asaj dite misterioze gjerë më tani, islami do të mbetet dalluesi i pazëvendësueshëm i së vërtetës dhe të pavërtetës. Ai është kështu ngase të gjithë të dërguarit dhe popujt e mëparshëm e deri te Muhammedi, a.s., dhe ummeti i tij, u dalluan dhe u identifikuan me vlerat dhe përmasat monolite që ai i posedon. Njerëzit u ngritën kur i përfillën udhëzimet dhe parimet e islami dhe kur e kuptuan drejtë mesazhin e tij, ndërsa u poshtëruan dhe u shkatërruan, pikërisht, kur i shpërfillën ato. Islami nuk është fe obskurantiste e as obstruksioniste që me xhelozi të hakmerret ndaj të tjerëve dhe të zhvleftësoj çdo segment, koncept, arritje, botëkuptim, qoftë sakral apo profan, të cilat i përfaqësojnë fetë, ideologjitë dhe qarqet e ndryshme jashtë rrethit të tij. Ai, përkundrazi, me krah të hapur ka ofruar dhe ofron koekzistencë dhe mirëqenie ndërnjerëzore, ndërfetare dhe ndërkonvencionale. I pashtershëm, në hapësirë dhe kohë, është mesazhi i tij: “NUK KA DHUNË NË FE.” Nuk ka dhunë në besim, familje, shoqëri, administratë, shtet e gjetiu dhe ku do që të jetë njeriu dhe me çka do që të merret ai, islami për të është dorrështrirë për paqe dhe mirëkuptim. Islami ka konceptin dhe kapacitetin e tij superior për të ecur në vijën e konvergjencave dhe të mbarësive, nëse ai pranohet ashtu siç është, ndërsa nëse mëtohet të zhvishet nga kjo dhe të defaktorizohet në mesin e faktorëve të tjerë, padyshim që do të shfaqen divergjencat e thella. Dikush mund të akuzoj se kjo logjikë nuk është normale dhe reale. Është shumë e vërtetë kjo, pasi ka shumë prej atyre, madje edhe shqiptarë, të cilët e akuzojnë islamin dhe muslimanët se nuk janë për bashkëjetesë, se islami artikulon ndjenjën dhe mendësinë etnocentrike, se ai i aftëson pjesëtarët e tij me paragjykime egocentrike, se islami pjesëtarëve të tij ua imponon dëshirën për udhëheqje permanentet, etj.etj. Të gjitha këto dyshime janë paraqitur si pasojë e mosnjohjes së mirëfilltë dhe keqinterpretimit të islamit në vend dhe ndërkombëtarisht. E posaçërisht mosnjohja e një fakti shumë të rëndësishëm, i cili akoma është i papranueshëm ose me qëllim i injorueshëm tek disa qarqe. Është shumë e vërtetë se islami e vetëshpall vetveten si më autoritar për tu ndjekur dhe zbatuar në këtë botë. Pasi këtë e ka shpallë vetë Zoti. Ai thotë që “e vetmja fe e pranuar te Ai është islami”. Mirëpo, në asnjë vend islami nuk e mohon të drejtën në besim dhe vetëqeverisje tek të tjerët (Lekum diinukum ve lije din). Hipotetikisht, me gjuhën e islamit, mund të shprehemi kështu: “Unë jam më i mirë dhe i vetmi për t’më ndjekur, ndërsa nuk ta imponoj rrugën time.” Ky është islami, e pranuam kështu siç është ose jo, kjo nuk e dëmton që ai vetëm se të përparoj dhe numri i pjesëtarëve të tij vetëm se të shtohet në mënyrë shumë rapide. Kjo logjikë është e arsyeshme nëse, këtë që e thamë, e kuptojmë si aksiomë reale e cila përcaktohet në saje të meritës së islamit për të qenë gjithmonë i ndjekur, e jo se ai ua imponon të tjerëve me dhunë rrugën e tij.

Pse të frikësohemi nga islami?!!

Atëherë, nëse islami qenka kaq i përparueshëm, koekzistent dhe alternativ për çdo kohë, pyesim veten: pse kaq shumë po frikësohemi nga ai? Pse të tregohet kaq indiferencë ndaj tij dhe pjesëtarëve të tij…
Më ndodhi të punoja në një fabrikë të prodhimit të kauçukut në një qytet të Zvicrës dhe aty të takoja një shqiptar musliman i cili u turpërua, kur në një takim me shefin e firmës në pyetjen: “Imer, bist du ein muslim?”[1], ai vari kokën dhe për çudinë time dhe të shefit tha: “Ich bin ein liberaler muslim, ich bin kein radikaler muslim!”[2] Çfarë logjike e prapambetur dhe indiferente. U turpërua ta thotë haptazi se është një musliman i cili në mënyrë të pakontestueshme e zbaton islamin dhe iu përmbahet striktazi parimeve të tij. E prezantoi islamin si të dyshimtë, pasi që, sipas ti, ai u praktikuaka nëpërmjet dy rrugësh. Ky është devitalizim i pavetëdijshëm i islamit që bëhet prej vetë pjesëtarëve të tij. Ky është një aspekt, prezantimi i pavetëdijshëm i islamit nga vetë pjesëtarët e tij duke ndjerë indiferencë të theksuar dhe frikë që të mos identifikohen si muslimanë, kurse aspekti tjetër, propaganda pasive dhe aktive e elitës intelektuale antiislame për t’i prezantuar dhe promovuar të vërtetat e islamit si të frikshme, jashtëkohore dhe të pashfrytëzuara, ka shkaktuar skepticizëm dhe frikë në mbarë opinionin, gjë që, të dy aspektet, kanë ndikuar në krijimin e një botëkuptimi të gabueshëm drejt perceptimit të islamit si fe demode dhe shantazhiste. Ky është çrregullim i llojit të vetë më kulminanti.

Vallë pse të frikësohemi nga islami? Pse të frikësohemi nga vetë natyra jonë? Islami është natyra jonë e pastër. Me të jemi lindur dhe me të duhet të vdesim! Pse kaq pluhur është duke u ngritur kundër tij dhe pjesëtarëve të tij? A thua vallë një ditë do të përfundojnë projektet, projektuesit dhe transportuesit e fateve ogurzeze kundër islamit dhe muslimanëve? O dashamirë, islami nuk është bota që duhet pështyrë në të, por bota e mirësive, që duhet sakrifikuar për kthimin e vitalitetit të tij në kohë dhe vend, nëse dëshirojmë ta kemi jetën e lumtur, pa brenga dhe me drejtësi të pakontestueshme. Nuk ka nevojë të kihet frikë, e as shqetësim nga përcaktimi ynë, që ne të jemi ambasadorë të islamit në këto anë të Evropës. Ne na ka dashur Zoti që na ka dhuruar gjithë këtë privilegj të madh për të qenë pjesëtar i islami dhe hapës të rrugëve të mira për mbarë Evropën dhe njerëzimin. Ne jemi të Evropës, kurse Evropa është e islamit, siç mund të jetë edhe e të tjerëve.

_____________
[1] Imer, a je ti musliman?
[2] Unë jam një musliman liberal, unë nuk jam radikal.



breziiri.com