Hyrje

Nuk ekziston pothuajse as edhe një bashkësi e vetme njerëzore në botë që nuk është e lidhur për disa ideale të larta, qëllime dhe aspirata. Në rrugën e realizimit të atyre qëllimeve, ajo kalon nëpër faza te ndryshme, disa prej të cilave lënë gjurmë të thella në qenien emocionale të anëtarëve të saj. Ato janë momente gëzimi dhe trishtimi, shpëtimi të lumtur nga disa situata të pakëndshme e të vështira dhe pësimesh të mbizotëruara. Ato mund të jenë suksese të arritura pas krizave shpirtërore, intelektuale dhe materiale vështirë të kapërcyeshme. Çdo gjë është në lidhje me data, vende dhe njerëz. Disa prej këtyre festave, me kohen, bëhen universale dhe i pranojnë edhe gjeneratat dhe bashkësitë tjera, larg nga vendi dhe koha e paraqitjes së tyre. Ato janë festa që përmbajnë në vete një substancë të përgjithshme njerëzore dhe elemente universale. A do ta ketë një ngjarje apo datë një karakteristikë të tillë, kjo varet më shumë nga idealët mbi të cilat bazohet dhe për të cilat ajo thërret.
Festat janë ndër karakteristikat e identitetit të njeriut: fetar, nacional, familjar, personal. Por njëkohësisht ato janë edhe karakteristika të identitetit të njerëzve tjerë. Kështu që duke respektuar identitetin tënd, respekton identitetin e atij tjetrit. Duke respektuar festat tua, presupozon edhe respektimin e festave të tjerëve.
Njeriu sipas natyrës së tij, përveç tjerash, është edhe homo adorans, qenie që gëzohet dhe feston. Në të gjitha epokat dhe kulturat njeriu ka rënkuar dhe rënkon për pavdekshmërinë dhe kohën e përjetshme. Gjatë festave çdo gjë „përmbyset“ dhe vendosen rregulla të reja të jetës, të cilat nuk vlejnë në përditshmërinë e mundimshme. Deri në kohët moderne, festat kanë qenë festime me plotë kuptimin e fjalës. Dikur festat kanë qenë të rralla dhe të shenjta, ose të paktën burimin e kanë pasur tek gjërat e shenjta. Dikur ndjehej ndryshe dhe përjetohej ndryshe gëzimi dhe kënaqësia e festave. Kur vinte koha e ndonjë feste njerëzit e përjetonin atë në të gjitha komponentët e saj. Kur vinte koha e festave, sidomos Bajrameve, e mbajmë mend të gjithë edhe si fëmijë, na dukej se me fillimin e festes së Bajramit po fillon një kohë tjetër, ndryshe nga kjo e Dynjasë, e përjetonim festën sikur po jetonim në një botë tjetër, në një kohë tjetër. Dukej sikur po fillonte një kohë e përjetshme, e mbushur me gëzim, entuziazëm, ngazëllim e gjallërim. Dikur festat në vete kishin sikur edhe njeriu shpirt. Sot, si janë ato...?
Sot ato kanë mbetur të zbrazëta, kanë mbetur pa shpirt. Përshkrimin më të mirë të festave të sotme e përshkruan termi i serbo-kroatishtes “Praznik-Praznovanje”.
Qytetërimi bashkëkohor ka krijuar „industrinë e festave“. I ka shndërruar ato në „ditë të zbrazëta“, „ditë pushimi e mospune“, “në ditë ngeje e ahengu“, „ditë zbavitjesh“, „relaksimesh“, „sorollatjesh“, „dëfrimesh“, „stërngopje“, „prostitucion komercial“, „kënaqësi të programuara“ dhe konsume të pakufishme. Shumë njerëz përdorin „tableta“ për ta vrarë „atë kohë të zbrazët festive“. Shumica e njerëzve nuk dinë çfarë të bëjnë me veten e tyre në „ditët e pushimit“, prandaj përpiqen të ikin „diku larg“.
Në kulturat e lashta koha ndahej në „e shenjtë„ dhe „profane“. Festat atëbotë ishin burim i kohës „së shenjtë“. Koha „profane“ është historike, shoqërore, e mundimshme dhe e zakonshme. Koha e „shenjtë“ është metahistorike, e përjetshme, e gëzueshme, e pavdekshme, e ngazëllyer. Përmes festave koha „profane“ përjetonte katarzën e vet dhe shndërrohej në atë sakrale. Deri në kohët moderne ndjehej harmonia midis festave dhe ritmit të gjithëmbarshëm kozmik. Shekullarizimi i përgjithshëm sot ka shekullarizuar edhe festat.
Festa është pjesë e jetës, ashtu si edhe dhimbja. Festë dhe gëzim është ajo që të largon stresin dhe hallin, qoftë edhe për pak kohë.
Festat janë një rast i mirë për t’u gëzuar, por ai gëzim nuk mund të jetë i plotë po nuk buroi nga shpirti. Sa herë kemi thënë se në festat islame gëzohet edhe trupi edhe shpirti, por nuk ka gëzim për trupin nëse shpirti është i shqetësuar. Nuk mund të jetë trupi i qetë nëse shpirti i njeriut është i kapur nga mëkati. Por ta dini se edhe shpirti nuk është i qetë kur trupi ka probleme, sepse ata janë të lidhur ngushtë me njëri tjetrin dhe të pandashëm. Më së miri këtë e vërteton ky ajet kur’anor nëtë cilin All-llahu (xh. sh.) thotë:
”Përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë.” ( el-Kasas: 77).
Me këtë ajet dijetarët nënkuptojnë se përveç që duhet të kënaqemi me mekanizmat që na i ka dhënë All-llahu për ta fituar Ahiretin, po ashtu nuk duhet t’i harrojmë as mjetet dhe të mirat e Dynjasë. Gëzimi dhe festimi, pra është një e mirë e kësaj dynjaje. Prandaj edhe Pejgamberi (s) i tha Ebu Bekrit, lidhur me ato vajzat që këndonin në shtëpinë e Pejgamberit (s) në ditën e Bajramit, “lëri o Ebu Bekr le të gëzohen se sot e kanë festë.”
Festat, sidomos ato fetare, duhet të jenë, para se gjithash, ditë të ripërtëritjes së frymës së bashkimit, bashkësisë dhe ditë gëzimi. Festat dhe shënimi i tyre janë mënyra e dhënies kuptim dhe rëndësi ekzistencës vetanake. Ato duhet të transformojnë punën e përditshme të mundimshme në ndjenja gëzimi të jetës. Vështruar nga aspekti sociologjik, gjatë festave ndodh takimi i miqve dhe të afërmeve, solidariteti dhe ndihma e shtuar, këmbimi i urimeve, thirrjet telefonike, mesazhe SMS dhe e-maile. Njerëzit atëherë përsëri e gjejnë njëri tjetrin, bisedojnë, afrohen. Mërgimtarët kthehen në vendlindje etj.
Gjatë festave reduktohen tensionet sociale, madje pezullohen edhe veprimet luftarake. Por, festat kanë edhe një bazë më të thellë. Ato janë shprehje e nevojës së njeriut për tjetrin – për Zotin, lëvizje në drejtim të Tij, takim me Të. Ato janë ditët kur njeriu bën një hap përpara dhe çlirohet nga rregulli natyror i gjërave, nga rutina, ditë kur e pret një jetë dhe botë të re ( jo vetëm më të mirë).
Devocioni (takvallëku në kuptimin më të gjerë të fjalës) është qëllimi dhe esenca e çdo feste dhe kremtimi.
Përmes festimit të këtillë shfaqet gëzimi qiellor, shenjtërohet koha, njerëzit dhe të gjitha krijesat, i tërë kozmosi, hiqen kufijtë mes njerëzve, kufijtë mes kohës dhe përjetshmërisë. Në këtë kontekst, festat nuk janë vetëm „përkujtime“ të personaliteteve dhe ngjarjeve nga e kaluara, por eksperiencë e asaj që duhet të ndodh. Ky është vizioni i „qiellit të ri dhe tokës së re“. Atëherë festat bëhen ditët e jetës dhe gëzimit të pastër, ngjarje, të cilat riorientojnë drejtimin e lëvizjes jetësore, duke vendosur vizionin e gëzimit dhe perspektivën e jetës.

Mënyra e të festuarit në islam

Çdo popull ka ngjarjet e veta historike të cilat i mban mend, i feston dhe i transmeton nga brezi në brez. Ato janë ditët e tubimeve masive përkushtuar manifestimit të ndjenjave të tij kombëtare, shoqërore - politike apo fetare me të cilat ngre dhe përforcon ndërgjegjen ideologjike të shoqërisë së vet.
Të kremtuarit e festave tek shumë popuj të Botës është shndërruar në formalitet, duke mospërfillur qëllimin e tyre moral dhe ngjalljen e ndjenjave humanitare. Në traditat e tyre edukative të festës u infiltruan edhe shumë tradita të këqija, të cilat spostuan të mirat dhe kështu festave u humbi qëllimi fisnik i kremtimit. Tekat e pakufishme në ushqim dhe në veshje luksoze u sollën njerëzve më shumë dëm se dobi.
Edhe bashkësitë fetare kanë festat e tyre javore apo vjetore, të cilat sadopak i ringjallin besimtarët, u japin vrull e forcë të re për jetën e tyre fetare më të fortë.
Ne myslimanët, si një ndër bashkësitë më të mëdha në botë, kemi festat tona, të cilat na përkujtojnë ngjarjet më të rëndësishme nga historia islame. Mirëpo tek ne festat nuk janë ditë të rrëmujës apo të dehjeve, nuk janë momente të vetëharresës. Ato nuk janë çaste shfrenimi të shoqëruara me muzikë degjeneruese, as nuk janë shfaqje televizive me humor e skena të zhveshura nga morali. Qëllimi dhe domethënia e festave islame nuk është kjo. Ditët e festave islame nuk janë çaste në të cilat këndellen instinktet dhe emocionet e festuesve të tyre, veç janë çaste të ushtrimeve maksimale shpirtërore për një luftë më të vendosur kundër të metave dhe poshtërsive të shoqërisë. Domethënia e festave islame është logjike, kurse qëllimi i shumëfishtë. Me programe edukativo-morale, ato zgjojnë forcat pozitive të muslimanëve në ndërtimin e ardhmërisë më të mirë e më të lumtur të kësaj dhe asaj bote. Islami është fe e shpirtit dhe e trupit dhe të gjitha veprat tona duhen harmonizuar sipas nevojave të tyre.
Jeta festive islame i aktivizon besimtarët në meditime më të thella mbi Zotin, i cili, me gjithë përpjekjet e tyre, iu dha të mira materiale dhe shumë begati përmes të cilave u mundësoi një jetë më të mirë e më të këndshme në botë. Njeriu i mençur, këtë e kupton dhe çdo ditë, duke falënderuar në namaz, i lutet dhe i falet duke e vënë ballin në tokë (duke bërë sexhde).
Komponenti dhe ngjyrosja shpirtërore është karakteristika e parë e festave islame. Mirëpo shpirti i festës islame nuk është memec e i padëgjueshëm; ai thërret e është plot muzikalitet. Dëgjoje këtë himn i cili shtrihet nëpër rrugë nga goja e atyre që shkojnë të falin namazin e Bajramit, dëgjoje në xhami në gojën e musal-live, dëgjoje nëpër shtëpi në ditët e “tekbiri - teshrikut”, dëgjoje në Mine nga goja haxhinjve gjatë kohës së hedhjes së guralecëve në xhemre. Ky është zë që del nga shpirti, për të shprehur kënaqësinë dhe gëzimin e përfundimit të rrugës së suksesshme, të rrugës së agjërimit, a të haxhillëkut. Ky është simbol i fitores për sprovat e ardhshme: “All-llahu ekber ve lil-lahil hamd!”
Kështu pra në festat islame takohet komponenti shpirtëror i vrullshëm, i lartë dhe ai material i bukur, i pastër dhe i padjallëzuar. Mirëpo Islami nuk kënaqet vetëm me këto dy elemente të festës, ai e forcon atë edhe me elementin e tretë, më të fuqishmin dhe për Islamin më të dashurin. Kjo është ana sociale-humanitare, e cila nëpërmjet inkuadrimit të institucionit të zekatit në Bajramin e Ramazanit dhe sakrificës së Kurbanit në Bajramin e Kurbanit nga populli formon një unitet: “Andaj ti falu dhe preje kurbanin...” (El-Kevther, 2).

Festat, përbëjnë mjetin më kryesor të krijimit të vlerave të reja sociale dhe kulturore për një shoqëri. Festat në vetvete ngërthejnë çaste dhe momente hareje, gëzimi, lumturie, kënaqësie, afrimi mes njerëzve e kështu me radhë. Si parim islami nuk është kundër festave dhe manifestimeve të cilat nuk i tejkalojnë dhe nuk shkelin normat e ligjshmërisë islame dhe janë në përputhje me moralin islam.
Ngase ndër misionet më kryesore të festave janë edhe perceptimi i tyre si mundësi që njeriu të kuptoi identitetin që ka si dhe kthimin në vetvete d.m.th. në kulturën dhe civilizimin që i përket.
Prandaj nuk duhet marrë islamin si një koncept shumë i mbyllur dhe konservativ, që disa përpiqen t’ia veshin atij pa të drejtë. Feja islame në përgjithësi merret dhe rreh problematika të ndryshme pa marrë parasysh fushën që i përkasin ato. Dhe në këtë drejtim përkrah manifestimet dhe festat të cilat ngjallin kureshtjen dhe kërshërinë mes njerëzve, për vepra bamirësie ndaj të varfërve, skamnorëve, bonjakëve dhe farefisit në përgjithësi.

Festat në islam gjithmonë vijnë pas kryerjes së ndonjë obligimi të rëndësishëm dhe atë si kurorëzim dhe shpërblim i suksesit të arritur.
Përveç aspektit fetar, gëzimit dhe haresë, festat islame përmbajnë, siç thamë, edhe anën sociale duke ua shtrirë dorën e ndihmës atyre që kanë nevojë, me qëllim që ta ndajnë bashkërisht gëzimin e festës. Nuk ka lumturi personale pa lumturinë e kolektive. Pejgamberi (a. s.) lidhur me këtë thotë: “Bëni ata që mos ta ndiejnë skamjen në këtë ditë!”
Kjo nuk është vetëm teori, por edhe praktikë e gjallë që funksionon edhe sot e kësaj dite. Islami ka ndërtuar një sistem të tërë obligimesh që kanë të bëjnë me ndihmën dhe financimin për njerëzit në nevojë. E tillë është festa e Fitër Bajramit, festa e Kurban Bajramit, zekati, sadakaja, bamirësia, humaniteti dhe solidariteti etj.
Në festat islame në çdo aspekt mbizotëron arsyshmëria dhe maturia, modestia dhe reflektimi. Aty nuk shfaqen shenja të teprimit, dalldisë, shkapërderdhjes së ushqimit. Gëzimi në festat islame mbetet gjithmonë në kufijtë e normales dhe nuk i tejkalon ata asnjëherë. Gëzimi në festa islame nuk është një rast për t’i hidhëruar dhe shqetësuar të tjerët. Gëzimi në festat islame nuk shpërfytyrohet, nuk deformohet, mbetet gëzim jo pasion, mbetet në natyrshmërinë e tij dhe nuk del prej saj. Edhe në gëzimet më të mëdhja myslimani mbetet mysliman – rob i All-llahut dhe nuk i dorëzohet askujt tjetër, madje as epshit të vet. Kështu thotë All-llahu i madhërishëm.
“Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica njerëzve nuk e dinë”. ( Er-rum:30).
Gjatë festave islame kultivohen dhe forcohen lidhjet familjare, duke filluar me dashurinë ndaj prindërve, forcimin e lidhjeve me të afërmit, farefisin e gjerë, fqinjët, miqët dhe shokët. Nëse do të realizohej kjo filozofi, atëherë nuk do të kishte vend as për smirë, as urrejtje as armiqësi të ndërsjellë.
Në fesat islame ripërtërihen lidhjet ndërnjerëzore, ngjallët entuziazmi dhe rigjallërohen virtytet morale, sjellja e mirë dhe filantropia.
Festat janë një rast i mirë për reflektim. Janë edhe një mundësi për ta analizuar jetën e kaluar. Sidomos këto festat e fundvitit janë edhe një shans për ta analizuar, vlerësuar jetën dhe punën tonë gjatë një vitit, e jo, për ta shkatërruar brenda një nate çdo gjë të mirë që kemi arritur brenda një viti, sikurse shpesh ndodh me festën e vitit të ri gregorian.

Vazhdim: Qëndrimi i islamit ndaj festave dhe festimit në përgjithësi


Artikulli i kaluar
Pesë të fshehtat hyjnore
Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi