Skepticizmi i intelektualëve perëndimor ndaj botës përtej lëndore

All-llahu i Madhërishëm e veçoi njeriun nga krijesat tjera duke i dhënë mendjen dhe i dhuroi edhe shqisat për të njohur botën. Kështu, nëpërmjet mendjes njeriu merr perceptimet, kupton dhe mediton, nxjerr konkluzione.

Por, krahas kësaj Krijuesi i Gjithëfuqishëm nëpërmjet pejgamberëve njeriut i dërgoi shpallje (vahj) duke e pajisur atë me dije rreth botës metafizike dhe duke i treguar për qëllimin e jetës, vlerat dhe kualitetet etike si dhe rrugën e vërtetë që ai duhet ta pasoj.
Zoti e pajisi njeriun me pesë shqisat: të shikimit, dëgjimit, nuhatjes, shijimit dhe prekjes. Këto njeriu i ka si pesë dritare që i janë hapur për të parë botën lëndore, përmes së cilave ai merr ndijimet. Por, njeriu përdor edhe teknika të tjera shkencore për ta njohur më shumë botën lëndore. Nëpërmjet shkencës njeriu e kupton më mirë natyrën, e studion dhe e njeh më shumë ndërtimin dhe funksionimin e ligjeve në të.
Por, përkufizimi i njohjes vetëm në atë që është materiale, duke e privuar nga pranimi i ekzistencës të botës së shpirtit, shpalljes dhe të parit përtej botës fizike, është një përkufizim i gjymtë dhe i jo i drejtë. Si rrjedhim, pretendimi se s’mund të njihet diçka, veçse nëse mund të kapet përmes shqisave është i pavërtetë.
Sipas Islamit bota mund të kuptohet në sajë të përputhshmërisë së burimeve shumëdimensionale. Prandaj, dituria nuk mund të reduktohet në një burim të vetëm. Mendja, pesë shqisat dhe vrojtimi në Islam janë burime të dijes që nuk konfrontohen me shpalljen hyjnore.
Dijetarët muslimanë konstatojnë se njeriu mund të di dhe të arrijë njohje përmes burimeve të ndryshme sikurse janë të njohurit apriori, fitra-natyra e tij e pastër, pastaj mendja dhe të menduarit e të logjikuarit, fuqia e brendshme shpirtërore si dhe inspirimi dhe shpallja hyjnore.
Përkrahësit e shkollës ‘pragmatiste’ janë racionalë, kur pohojnë pafuqinë e mendjes për të kuptuar të vërtetën, prandaj ata e reduktojnë fuqinë e mendjes vetëm në njohjen e mjeteve për të arritur qëllimet. Ndërkaq, aftësia e mendjes së njeriut ndonëse është më shumë se kaq, megjithatë ajo është e limituar dhe nuk mund të kuptojë të vërtetën rreth botës metafizike. Prandaj, nëpërmjet Shpalljes, duke përdorur mendjen, mund të arrijmë të mësojë të vërtetën për Krijuesin e gjithësisë.
Edhe pse përvoja tregon se është e pamundur, që zbulimet empirike t’i bien ndesh sadopak Kur’anit Famëlartë, duhet nënvizuar se nuk është shkenca matëse e tij, por ai është kriter për të. Çështjet teologjike dhe metafizike, ndonëse nuk varen nga shkenca dhe as që presin konfirmimin apo mohimin e tyre, ato kurrë s’mundet të përplasen mes tyre. Me metodat shkencore, nuk mund të fiksohet as ekzistenca, e as mosekzistenca e Zotit.
Në Islam ndërmjet shkencës dhe fesë, midis racios dhe besimit, nuk ekziston fërkim ose konflikt, por përkundrazi, mund të bëhet fjalë vetëm për bashkëpunim. Mu për këtë gjatë gjithë historisë islame shkencëtarët dhe mendimtarët më të mëdhenj muslimanë janë edhe besimtarë shumë të devotshëm.
Shkenca, për tema studimi merr vetëm fenomenet e observueshme, ndërsa subjektet, që s’mund të vrojtohen, i lë jashtë fokusit të hulumtimit. Themeli i sistemeve mendimore, që nuk bazohen në shkencë, por në scientizëm, si: darvinizmi, bihejviorizmi, psikoanaliza frojdiane, materializmi dhe pozitivizmi etj., të cilat e kanë dhënë kontributin e vet në formimin e modernizimit evropian, është refuzimi i fesë me burim nga shpallja hyjnore dhe i urdhëresave dhe ndalesave të Zotit.
Prandaj, dialogu tolerant, ndërmjet shkencës dhe religjionit, duhet bërë pa tjetër, pra, të zërë fill në supozimin themelor: edhe shkenca, edhe religjioni, duhet të vihen në pozitë të barabartë dhe asnjërës, paraprakisht, nuk guxon t’i mohohet racionaliteti dhe funksionaliteti. Shkenca si zëvendësim i religjionit, dhe arsyeja si zëvendësim i fesë, gjithnjë janë shkatërruar.’
Fakti që ligjet natyrore zbulohen e njihen nuk duhet interpretuar aspak sikur këtej e tutje del e panevojshme të besosh në ekzistencën e një Krijuesi dhe Projektuesi të natyrës. Forca, e cila e ka prodhuar me miliarda galaktika dhe fenomene të tjera të mrekullueshme prej materies, është në vetvete një argument për ekzistencën e një udhëheqjeje kompetente, të mençur e të vetëdijshme, e cila ka sjellë në ekzistencë një botë të tillë, kaq të përsosur e të mirëllogaritur.
Është e çuditshme se një pjesë e konsiderueshme e shkencëtarëve perëndimorë tregohen mospërfillës dhe skeptikë ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me botën përtej botës lëndore. E gjithë ajo që nuk mund të studiohet nëpërmjet shkencës bashkëkohore, sipas tyre, është inekzistente dhe ekzistenca e saj mohohet në mënyrë ‘objektive’.
Kjo do të ishte, sikur një audiencë e njerëzve të shurdhër në një koncert të vërtetojnë se ata nuk kanë dëgjuar kurrfarë muzike, kurse unanimitetin e opinionit të tyre të marrin si mohim objektiv të ekzistimit të saj.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi