Islami u shpall atëherë kur sundonte tirania, robëria, dhuna, varfëria, gjegjësisht mosrespektimi i njeriut ishte në kulm, me një fjalë njerëzimi ishte zhytur thellë në errësirë të madhe.
Kurse Kur’ani Fisnik i zbriti të Dërguarit udhërrëfyes, Muhammedit të birit të Abdullahut (a.s.) për të zbërthyer me sukses situatën e tillë të humbur të njerëzve, me qëllim që t’ia rikthejë njeriut dinjitetin, respektin, nderin, si dhe të ndalojë derdhjen e gjakut të tij, keqpërdorimin e pasurisë dhe integritetin e tij.
Të drejtat e njeriut në Islam fillojnë prej monoteizmit të Zotit të Madhëruar, i Cili i krijoi njerëzit dhe i respektoi e i nderoi mbi të gjitha krijesat e Tij, ua caktoi metodën e rrugës për realizimin e mesazhit të tyre në këtë jetë, si dhe kërkoi prej tyre që t’i nënshtrohen Zotit, të Dërguarit të Tij dhe përgjegjësve të tyre brenda dispozitave që ua cakton Islami.
Sheriati islam konsiderohet se ka bërë një revolucion në sferën e të drejtave të njeriut, për shkak se është ligj fetar e shpirtëror dhe metodë e sistematizuar të sferave të jetës së njeriut në bazë të respektimit të njeriut dhe lartësimit të autoritetit të tij. Këto parime ishin besim dhe frymëzues i të gjitha filozofive, ligjeve dhe rregullave që u formuan për parimet e të drejtave të njeriut.
Islami garanton të drejtat dhe liritë e përgjithshme për të gjithë pa dallim kombi, ngjyre, besimi, pozite shoqërore apo ekonomike. Të drejtat e njeriut që promovon Islami janë parime të përhershme, të domosdoshme, sepse janë të dhëna hyjnore.
Sheriati islam bën harmonizimin në mes individuales dhe kolektives pa kurrfarë të mete në mes tyre, sepse nuk i jep rëndësi më të madhe individualizmit ndaj kolektivizmit e as që e bën të kundërtën.
Sheriati islam konfirmon të drejtën e njeriut në jetë, i jep të drejta esenciale si dhe dënon ashpër atë që vret njeriun, dhe në këtë kontekst, Zoti i Madhëruar thotë: “Prandaj Ne i urdhëruam bijtë e Izraelit se kush vret ndokënd që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit...”(El-Maide, 32); “...mos ia merrni tjetrit jetën, të cilën Allahu e ka shenjtëruar, përveçse kur e kërkon drejtësia (e ligji)...” (El-En’amë, 151)
Në këtë të drejtë të gjithë njerëzit janë të barabartë në jetë pa pasur kurrfarë dallimi në mes të ndershmit apo të pandershmit, në mes dijetarit apo injorantit, në mes të mençurit apo të marrit, në mes të madhit apo të voglit dhe në mes mashkullit apo femrës. Jeta është dhunti nga Zoti, ndërsa shpirti është amanet i poseduesit të tij dhe për këtë shkak nuk duhet të sulmohet, madje ai që bën vetëvrasje dënohet, në këtë kontekst, Imam Shafiur.a. transmeton se Profeti a.s. ka thënë: “Kush e vret veten në këtë dynja, do të dënohet në Ditën e Kijametit.”
Ndalohet vrasja, sepse Zoti është Ai që i ngjallë dhe i vdesë njerëzit, e nëse dikush jep leje për të vrarë, këtu juristët myslimanë kanë mendime të ndryshme rreth vrasësit! Sipas hanefitëve, dënohet, por jo me mbytje, ndërsa sipas malikitëve, leja është çështje e dyshuar dhe e pavend dhe për këtë shkak nuk lejohet një vepër e tillë, dhe kështu vrasësi konsiderohet vrasës dhe duhet të vritet.
Islami po ashtu urdhëron që në shtetin islam të praktikohen ligjet e Sheriatit dhe parimi i konsultimit të përbashkët (shura) të zërë vendin kryesor. Sheriati islam, po ashtu, thërret në parimin e lirisë së besimit. Islami është shpallur për të gjithë njerëzit dhe i thërret të gjithë në parimet e tij, dhe në këtë kontekst, Zoti i Madhëruar thotë: “Ne nuk të dërguam ty ndryshe vetëm se për të gjithë njerëzit, myzhde-dhënës dhe tërheqës i vërejtjes, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Sebe’ë, 28)
Në të njëjtën kohë Islami ofron lirinë e besimit për të gjithë njerëzit dhe askujt nuk i bën presion që të pranojë Islamin, sepse ftesa në Islam është diçka tjetër, ndërsa dhuna është krejtësisht diçka tjetër, në këtë kontekst, Zoti i Madhëruar thotë: “Në të nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota.” (Bekare, 256). Në disa ajete konfirmohet barazia në mes njerëzve, e dallimi mes tyre bëhet vetëm në bazë të devotshmërisë, në këtë kontekst, Zoti i Madhëruar thotë: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s'ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e Allahu është shumë i Dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (Huxhurat, 13)
Sheriati islam po ashtu garanton të drejtën dhe mbrojtjen e porosisë, në këtë kontekst, Kur’ani Fisnik ndaloi ngrënien e ushqimit pa të drejtë, siç thotë Zoti i Madhëruar: “Dhe mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, e as mos u paraqitni me te (me ryshfet) te gjykatësit për të grabitur në mënyrë të padrejtë një pjesë të pasurisë së njerëzve, kur ju e dini (se pa të drejtë po e hani atë).” (El-Bekare, 188). Kjo çështje theksohet edhe në sunnetin e Profetit a.s., i cili thotë: “Nëse ndokush e shkelë të drejtën e njeriut mysliman me betimin e tij, Zoti ia garanton zjarrin dhe ia ndalon Xhennetin.” Në këtë rast, një njeri e pyeti: “O i Dërguari i Allahut, a edhe nëse është diç e vogël?”; Ai iu përgjigj: “Po, qoftë edhe një degë e vogël”.
Islami po ashtu thekson të drejtën e sigurisë shoqërore dhe kjo vërehet qartë në ajetinkur’anor: “A e ke parë ti (a e sheh) atë, që përgënjeshtron përgjegjësinë dhe llogarinë në botën tjetër? Poai është që e përzë në mënyrë të vrazhdë bonjakun dhe që nuk nxit për ta ushqyer të varfrin” (Maunë, 1-3)
Profeti a.s. thotë: “Nuk është besimtar (i vërtetë) ai që fle i ngopur duke e ditur se fqinji i tij i afërt është i uritur.”
Islami po ashtu konfirmon mbrojtjen e posaçme të disa njerëzve dhe shoqërive, gjegjësisht gruan dhe jomyslimanët në territorin islam.
Sheriati islam i jep të drejta të barabarta gruas me burrin (në mes mashkullit dhe femrës) përpos dallimeve natyrore që ekzistojnë në mes tyre në dobi të shoqërisë dhe familjes apo në dobi të vetë femrës.
Parimi i Sheriatit është që gruaja ka të drejta dhe liri të cilat i gëzon mashkulli, në këtë kontekst, në ajetin 195 të sures AliImran thuhet: “Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëri nga tjetri por ata që u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe emigruan, u munduan vetëm pse ishin në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, atyre patjetër do t'ua shlyej mëkatet e tyre dhe do t'i vejë në xhennete në të cilët burojnë lumenj. Ai është shpërblim nga ana e Allahut, se më i miri i shpërblimeve është tek Allahu.”
Profeti a.s. për të drejtat e tilla thotë: “Gratë janë motrat e burrave (të barabartë) në parime.”
Ekziston një numër i madh i fakteve të cilët konfirmojnë tolerancën e Islamit ndaj jomyslimanëve në përgjithësi, gjegjësisht lirinë fetare të jomyslimanëve që jetojnë brenda territorit të shtetit islam, në lidhje me këtë, kemi ajetinkur’anor: “Në fê nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota. E kush nuk i beson të pavërtetat e i beson Allahut, ai është kapur për lidhjen më të fortë, e cila nuk ka këputje. Allahu është dëgjues i dijshëm.” (El-Bekare, 256)
Gjithashtu edhe bashkëshortja (çifute ose krishtere) ka të drejtë të shkojë në tempullin e saj për t’u lutur dhe burri i saj mysliman nuk ka të drejtë ta pengojë.
Autori i këtij shkrimi është Imam ne xhamine shqiptare në Melburn të Australise
dhe studiues i të drejtave të njeriut në Islam