Murabaha është një produkt financiar, i cili përdoret shumë nga bankat islame në kohën tonë.
Gjuhësisht, fjala ‘Murabahah’ rrjedh prej fjalës ‘Ribh’, që do të thotë Profit a Fitim. Si një term teknik ‘Murabaha’ (Cost-plus-Profit) përshkruan shitjen e produktit me çmimin e blerë duke i shtuar një fitim që është i ditur për shitësin dhe për blerësin. Me fjalë të tjera, murabaha është një shitje me çmimin e blerë duke i shtuar edhe fitimin që shitësi ia bën të ditur blerësit. Shitja në Murabaha, në origjinë sipas konotacionit islamik të hershëm, është një shitje e thjeshtë.
E vetmja veçori që e dallon atë nga shitjet e tjera, është se shitësi duhet të tregojë sa ka kushtuar çmimi e sa është fitimi nga ajo shitje dhe se produkti nuk gjendet në pronësinë e shitësit në kohën kur bëhet kërkesa nga blerësi(1).
Elementet dhe kushtet në ‘Murabaha’
Para se të diskutohet për kushtet e Murabahas, është shumë esenciale të dihen cilat janë elementet që përfshihen në transaksionet e kontratës së ‘Murabahas’. Janë tri elemente kryesore të kësaj kontrate:(2)
A. Përmbajtja e kontratës – përfshin produktin dhe çmimin e shitjes. Produkti si objekt i shitjes është i definuar qartë: lloji, sasia dhe përshkrimet e tjera të mundshme. Çmimi i shitjes në Murabaha përmban çmimin bazë dhe profitin që duhet të jenë të ditur për blerësin. Akti i fshehjes së çmimit të blerjes dhe çmimit të shitjes nga blerësi i produktit në fjalë, e bënë këtë kontratë të pavlefshme.
B. Palët kontraktuese – janë shitësi si financues dhe blerësi si klient. Shitësi është përgjegjës për furnizimin me produktin e porositur nga blerësi dhe blerësi është i obliguar të paguajë çmimin e tërë për produktin e blerë sipas marrëveshjes së shkruar në kontratë. Kohës, shumës dhe mënyrës së pagesës duhet t’i përmbahen të dyja palët sipas planit të amortizimit të bashkangjitur në kontratën e shitjes/blerjes.
C. Oferta dhe pranimi – kjo kontratë përbëhet gjithashtu edhe nga oferta nga njëra palë dhe pranimi nga pala tjetër. Gjithashtu oferta përmban dy elemente kryesore: ofertën e çmimit të produktit, në të cilën figuron përqindja e fitimit. P.sh. “Unë ta shes këtë produkt, çmimi i të cilit është X, me këtë X margjinë fitimi apo edhe duke përmendur fitimin në formë të përqindjes në financimin e tërësishëm”. Kushtet e kontratës në Murabaha Në mënyrë që Murabaha të jetë e ligjshme, dijetarët kanë vendosur disa kushte që duhen plotësuar:(3)
I. Të diturit e çmimit fillestar nga blerësi.
Blerësi duhet të dijë çmimin me të cilin e ka blerë shitësi produktin për shitje, sepse njohja e çmimit është kusht bazë për ligjshmërinë e shitjes sipas kontratës në Murabaha pasi produkti nuk ka qenë pronë e shitësit në momentin e kërkesës nga klienti për ta financuar. Ky kusht është shumë i rëndësishëm, sepse vlefshmëria e kontratës varet nga njohja e çmimit fillestar dhe marxhës së fitimit. Në këtë aspekt, shitja konsiderohet e mangët nëse çmimi fillestar nuk është i ditur gjatë hartimit të kontratës.
II. Çmimi origjinal duhet të jetë i matshëm.
Çmimi me të cilin i ka blerë shitësi produktet, duhet të jetë i matshëm me peshë, sasi osenumër të prodhimeve homogjene. Ky është kusht për Murabaha, pa marrë parasysh nëse tregtia është përmbyllur me shitësin fillestar apo me ndonjë palë tjetër. Prandaj, nëse çmimi fillestar nuk është i prekshëm, objekti i shitjes nuk mund të shitet me mënyrën e kontraktimit sipas konceptit Murabaha. Kjo është për arsye se shitja e dytë në Murabaha bëhet me marxhë të fitimit të ditur për të gjitha palët e përfshira në këtë transaksion.(4)
Karakteristikat e shitjes me ‘Murabaha’ Një nga veçoritë e rëndësishme të kontratës ‘Murabahah’ është se kjo kontratë nuk është Kredi-Borxh i dhënë në përqindje, por është një shitje e një produkti për një pagesë të shtyrë, çmimi i të cilit përmban edhe fitimin e ditur për të dyja palët.
Me që ‘Murabahah’ është shitje dhe jo një kreditim me normë interesi, duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet e një shitjeje të ligjshme. Nuk mund të përdoret si model financimi, përveç nëse klienti ka nevojë për fonde për të blerë produkte. P.sh., nëse klienti ka nevojë për lëndë të parë ose për pajisje pune për fabrikën e tij atëherë banka i shet atij lëndën e parë me ‘Murabahah’.
Mirëpo, nëse fondet duhen për diçka tjetër, p.sh. për të paguar lëndën e parë që tashmë e ka blerë ose për pagesën e faturave, pagat e stafit, etj., ‘Murabahah’ nuk mund të bëhet në këtë rast, sepse kërkon shitje reale e jo vetëm dhënie të kredisë. Në realitet, produkti i financuar sipas Murabahas duhet të kaloj në posedim të financuesit para se t’i shitet klientit. Kjo bëhet në mënyrë që produkti të jetë në rrezik të shitësit, edhe nëse kjo është për një periudhë të shkurtër kohe.
Metoda më e rekomanduar në transaksionin e ‘Murabahas’ është që financuesi ta blejë produktin dhe ta mbajë atë në posedim, ose ta blej produktin përmes personit të tretë të caktuar si agjent të tij, para se të nënshkruhet kontrata e shitjes me klientin, sepse askush nuk ka të drejtë të shesë diçka që nuk ka në pronësi. Mirëpo, nëse blerja direkte nga furnizuesi nuk është praktike për ndonjë arsye, atëherë klienti mund të caktohet nga banka si agjent i bankës, për të zgjedhur produktin me karakteristikat e veta e
pastaj banka vazhdon procedurat e blerjes dhe transferimit të pronësisë tek banka dhe më pastaj i shitet klientit.
Hapat praktikë të financimit në ‘Murabahah’
Hapi i parë: Klienti dhe banka nënshkruajnë një marrëveshje, ku klienti premton të blejë produktin e kërkuar me një çmim, kur dihet çmimi i blerjes dhe marxha e fitimit për bankën. Kontrata është unilaterale (e njëanshme) me një gjuhë ku bëhet premtimi për blerje nga ana e klientit, por nuk është kontratë e blerjes, e cila hyn në fuqi pa u bërë blerja e produktit në fjalë nga banka.
Hapi i dytë: Banka blen produktin nga furnizuesi a prodhuesi e bëhet pronar i produktit dhe e informon klientin se produkti është në pronësi të bankës.
Hapi i tretë: Oferta për blerje bëhet nga klienti me kushtet dhe afatet e pagesës, për të cilat janë pajtuar më herët dhe përfundohet shitblerja nga të dyja palët e bëhet transferimi i pronësisë nga banka te klienti.
Elementi kryesor i kësaj kontrate është se rreziku mbetet mbi bankën deri në fazën e fundit, kur transferohet pronësia. Nëse klienti refuzon të blejë produktin, pasi ta ketë blerë banka duke u bazuar në premtimin për të blerë në hapin e parë, klienti obligohet të paguajë shpenzimet që janë bërë për blerjen e atij produkti.
Ky është elementi që e dallon atë nga kredia kamatare, sepse borxhi është një obligim që del nga shitja e një prone a produkti, dhe nuk është një borxh që del nga një kredi kamatare e bazuar në përqindje dhe kohëzgjatje të pagesës.
Diskutime rreth ligjshmërisë dhe implementimit të ‘Murabahas’
Edhe pse Murabaha si një koncept financiar, është e lejuar, ekzistojnë gjëra rreth aplikimit të saj nga bankat islame, për të cilat është diskutuar nga juristët në lidhje me ligjshmërinë e tyre. Disa çështje janë vetëm për të mos shkaktuar ndonjë dyshim të mundshëm duke bërë krahasime me bankimin e rëndomtë. Pasi bëhet fjalë për një produkt banker, me të cilin financohet blerja e aseteve dhe në momentin kur klienti bën kërkesën nuk gjendet në pronësinë e bankës, janë diskutuar çështje në vijim, për të mos bërë ndonjë gabim të mundshëm gjatë implementimit të kësaj kontrate.(5)
Kamata si ‘Benchmark’ (Krahasim)
A lejohet përdorimi i kamatës si ‘benchmark’ në financimin ‘Murabahas’?
Në disa vende, për financimin me Murabaha përdoret përqindja për të treguar marxhën e fitimit nga banka për financim të asetit caktuar. Gjatë gjithë kohës duhet të jetë shumë e qartë se borxhi i dalë nga Murabaha është një borxh i dalë nga shitja e produkteve/aseteve me një çmim të pandryshuar dhe pa ngarkesë të ndonjë pagese të paparaparë në fillim të kontraktimit, se nuk është një huazim parash me një përqindje interesi, të cilit nuk mund t’i dihet saktësisht çmimi, por mund të ndryshojë në varësi nga kohëzgjatja dhe vonesat e mundshme gjatë kohës së implementimit, që pasojnë me dënime për shkak të vonesës.
Premtimi për të blerë
A është premtimi për të blerë i obligueshëm për blerjen e produktit?
Akademia Islame e Fikhut ka shpjeguar se premtimet në transaksionet komerciale janë të obligueshme me kushtet si vijojnë:
a. Duhet të jetë premtim i njëanshëm
b. Premtimi duhet të ketë shkaktuar shpenzime
c. Nëse premtimi është për të blerë diçka, shitja duhet të bëhet në kohën e duhur-caktuar. Vetëm premtimi nuk është shitje e përfunduar.
d. Nëse premtuesi tërhiqet nga premtimi, duhet të paguajë të paktën shpenzimet e shkaktuara pa llogaritur çmimin e oportunitetit (mundësisë së fitimit).
Sigurimi i pagesës së borxhit të dalë nga shitja me ‘Murabaha’
Shitësi – financuesi duhet të sigurojë që pagesa të bëhet në kohën e caktuar sipas kontratës, a lejohet marrja e pengut për sigurim të pagesës?
Lejohet që banka të ndërmarrë masat e sigurisë për inkasimin e borxhit dhe, në të njëjtën kohë, lejohet që produkti i shitur të jetë peng nëse është produkt që ka vlerë në vetvete, si për shembull veturë a diçka e ngjashme, por, nëse është produkt që transformohet, si p.sh. lënda e parë për prodhim, nuk lejohet të merret peng.
Garantimi në ‘Murabaha’
A lejohet që shitësi të kërkojë nga blerësi të sigurojë edhe garantues për shkaqe sigurie, i cili të ngarkohet për të paguar borxhin, në raste të dështimit nga blerësi?
Lejohet që banka a shitësi të kërkojë nga blerësi të sjellë garantues për shkaqe sigurie; në raste të dështimit garantuesi bart barrën e pagesës së borxhit, kjo ka mbështetje edhe në vetë praktikën e Pejgamberit alejhi selam.
Rabati-ulja e pagesës kur shlyhet para kohës së maturimit të borxhit
Nëse borxhliu dëshiron të paguajë më herët, a lejohet t’i jepet ulje?
Akademia Islame e Fikhut: “Në transaksionin ‘Murabaha’ të Bankave Islame apo të institucioneve financiare, nuk mund të përcaktohet asnjë ulje në kontratë, që, në rast se klienti e bën pagesën para kohe, të kërkojë ulje, as klienti nuk mund ta kërkojë këtë si të drejtë të tij. Mirëpo, nëse banka i jep ulje në mënyrë vullnetare, nuk ka kundërshtim”.
Ristrukturimi i borxhit në ‘Murabahah’
A lejohet të bëhet ristrukturim i borxhit, që do të thotë t’i jepet kohë më e gjatë klientit për pagesën e borxhit?
Ristrukturimi a kohëzgjatja e pagesës lejohet, por nëse ristrukturimi i pagesës ndodh për ndonjë shkak, nuk lejohet të ndryshojë çmimi, sepse këtu bëhet pagesa e një malli që tashmë është në pronësi të dikujt tjetër. Bankat konvencionale, kur bëjnë ristrukturimin e borxhit, e llogarisin si një kredi të re dhe i llogarisin përqindje tjetër nga ajo e para, duke i shtuar edhe taksën administrative; kjo në këtë formë nuk lejohet në sistemin e bankimit islam.
Elementet e ndaluara në ‘Murabaha’
Murabaha është një kontratë e cila përdoret shumë nga bankat islame për qëllim financimi të shitjes dhe blerjes së aseteve dhe shërbimeve të ndryshme. Në lidhje me lejueshmërinë e kësaj kontrate, nuk ka ndonjë dyshim, sepse ka argumente të mjaftueshme për lejueshmërinë e saj, por ekzistojnë mospajtime rreth disa praktikave dhe implementimit të saj. Dijetarët kanë bërë disa vërejtje, të cilat duhen mbajtur parasysh kur kemi të bëjmë me Murabaha dhe kanë listuar disa veprime të ndaluara, si për shembull:
Supozimi se ‘Murabaha’ është një instrument universal që mund të përdoret për të gjitha llojet e financimeve, është një gabim që mund të ndodhë. Pagesa e shpenzimeve, pagat e stafit, faturat elektrike, shërbimet komunale etj., nuk mund të financohen nga kjo formë e financimit. Nënshkrimi i dokumenteve sipas kontratës në ‘Murabaha’, për arsye të marrjes së fondeve për qëllim tjetër dhe si produkt i tregtimit, bëhet një produkti i imagjinuar.
Nënshkrimi i të gjitha dokumenteve në një vend, pa marrë parasysh fazat – periudhat. Kontratat e ndryshme duhet të vihen në funksion në periudha të ndryshme, nëse kjo nuk merret parasysh, atëherë transaksioni komplet llogaritet si një kredi kamatare. P.sh., nëse në fazën e parë, kur klienti shpreh interesim dhe bën premtimin për të blerë produktin e kërkuar, nënshkruhet edhe kontrata përfundimtare e shitjes së produktit, kur banka nuk e ka ende në pronësinë e vet produktin, atëherë kjo nuk i plotëson kriteret e kërkuara për këtë kontratë.
Futja në kontratën ‘Murabaha’ e produkteve që klienti i ka blerë tashmë
Dhe, si përfundim, mund të themi se Murabaha është një kontratë e cila përdoret shumë nga bankat islame; lejueshmëria e saj nuk është e kontestueshme, por duhet të kuptohet drejt nga të dyja palët dhe të respektohen procedurat e implementimit të saj.
_________________
(1) Saiful Azhar Rosly, ‘Iwad as a Requirement of Lawful Sale: A Critical Analysis, IIUM Journal of Economics and Management 9, No. 2. 2001, f. 10.
(2) Razali Hj. Nawawi, (1999), Islamic Law on Commercial Transactions, (Kuala Lumpur: CT Publications, 1999),f. 35.
(3) Abdullah ‘Alwi Haji Hassan, Sales and Contract in Early Islamic Commercial Law, (New Delhi. Kitabbhawan, 1991) f. 123.
(4) Saiful Azhar Rosly, Critical Issues on Islamic Banking and Financial Markets, (Kuala Lumpur: Dinamas, 2005). f. 93.
(5) INCEIF, Shariah Rules in Financial Transactions (Kuala Lumpur: INCEIF, 2009), f. 50-55.