Humanizmi është ndjenjë e lartë dhe dashuri e thellë ndaj njerëzve, kujdes për mirëqenien e njerëzve, qëndrim njerëzor.
Personaliteti dhe misioni i Pejgamberit s.a.v.s. ka qenë mishërim i humanizmit të vërtetë dhe reflektim i ndjenjave të thella njerëzore, përpjekje për mirëqenien e njeriut dhe qëndrim i thellë njerëzor ndaj të gjithëve. Misioni i tij qe shpëtim i njeriut nga ankthi i idhujtarisë dhe besëtytnive të kota, që në fakt, flet se ka kalitur dashuri të lartë ndaj njeriut, sepse sikur të mos ishte i këtillë, nuk do të vepronte në drejtim të kthimit të dinjitetit të njeriut, të nëpërkëmbur nga besimet pagane.
Pejgamberi s.a.v.s. vuri raporte të reja në marrëdhëniet ndërnjerëzore në të gjitha segmentet jetësore, gjegjësisht:në atë shoqëror, ekonomik, politik, etj. Ai i luftoi të gjitha format e veprimit dhe sjelljes, të cilat e prishin baraspeshën shoqërore, dhe nuk ofrojnë kushte për mirëqenie njerëzore, si:racizmi, shkelja e të drejtave të njeriut, dhuna, burokracia, politika pa moral, ekonomia dhe biznesi pa norma morale, ose thënë ndryshe pa besim-Zot, korrupsioni, tradhtia, dukuritë devijante etj.
Transmetohet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: ”Njeriu është vepër madhështore e Allahut, i mallkuar është ai që e rrënon atë”.
Njeriu në koncepcionin islam shihet si qenia më e dalluar e Zotit, dhe si i tillë, e ka vendin e vet meritor. Islami njeriun e nderon si njeri, pa marrë parasysh se cilës race, komb, vend etj, i takon.
Allahu i Madhërishëm thotë:”O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur, e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë ” [Kaptina El-Huxhurat, 13].
Transmetohet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: ”Njerëzit janë të barabartë, si dhëmbët e krehrit”.
”Nuk është ma i vlefshëm arabi ndaj jo arabit, as i bardhi ndaj të ziut, përpos se me devotshmëri”.
Në një hadith tjetër thotë: ”Njëmend, Allahu nuk e shikon pamjet dhe pasurinë tuaj, por jua shikon zemrat dhe veprat tuaja”. (Transmeton Muslimi).
Muhammedi a.s, u bën thirrje njerëzve që të ndihmohen mes veti, të solidarizohen dhe të mos ia kthejnë shpinën njëri tjetrit. Me këtë, vë në spikamë faktin se ata kanë përgjegjësi ndaj njëri-tjetrit, edhe nëse nuk i lidh farefisnia. Kjo ndjenjë e përgjegjësisë shoqërore e humanizon njeriun dhe e bën më të ndjeshëm ndaj nevojave të tjerëve.
Muhamedi a.s. ka folur në drejtim të ndihmës dhe solidaritetit, si në mes pjesëtarëve të së njëjtës fe, poashtu edhe atyre të feve tjera.
Allahu xh.sh. thotë: “Urrejtja ndaj një populli, që iu pat penguar nga xhamia e shenjtë, të mos ju shtyjë të silleni në mënyrë të padrejtë kundër tyre. Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e në armiqësi. Kini frikë dënimit të Allahut, se me të vërtetë Allahu është ndëshkues i fortë “. [Kaptina El-Maide, 2].
Muhamedi a.s. ka thënë:” Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi dhe nuk e dorëzon. Kush është në ndihmë të vëllait të tij, Allahu do të jetë në ndihmë të tij. Kush ia largon muslimanit një brengë, Allahu do t’ia largojë atij një brengë nga brengat e botës tjetër, e kush e mbulon një musliman, Allahu do ta mbulojë atë në ditën e gjykimit” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi).
” Mos e kini zili njëri tjetrin, mos i ngritni çmimet e gjërave pa pasur për qëllim t’i bleni, mos e urreni njëri tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos të blejë dikush diçka që e ka bërë pazar tjetri për ta blerë, por, jini robër të Allahut vëllezër. Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi, nuk e len në baltë dhe nuk e nënçmon…”(Transmeton Muslimi).
Pejgamberi s.a.v.s. ndërtoi raporte humane të njeriut me njeriun, të mirat materiale dhe kafshët. D.m.th. i përfshiu të gjitha llojet e krijesave. Ky dimension i tij njerëzor, të cilin e karakterizon emotiviteti, ndjenjat e pastra të barabarësisë dhe të spontanitetit, është veçanërisht ajo që e çudit dhe e mahnit njeriun…”(Halid Muhammed Halid, Humaniteti i Muhamedit a.s., f.8-9).
Lutja jonë e fundit është: I tërë falënderimi i sinqertë i takon vetëm Allahut, Zot i botëve.