“O ju të cilët besuat, mos e hani kamatën që po e shumëfishoni dhe kini frikë (dënimin e) All-llahut ashtu që të gjeni shpëtim.” (Kur’an, 3:130)
Sheriati islam e konsideron kamatën nga krimet më të mëdha shoqërore dhe fetare dhe, për këtë arsye, i shpall luftë nga e cila nuk ka zmbrapsje. Kur’ani premton se ata që punojnë me kamatë do të kenë dënim të dhimbshëm si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. Mjafton që të dimë atë se Kur’ani në mënyrë madhështore dhe të shkëlqyeshme e përshkruan këtë krim dhe gjendjen e kamataxhinjëve dhe atë në mënyrën më rrëqethëse.
Pamja e kamataxhinjëve në Ditën e kiametit do të i përngjanë pamjes së një njeriut që e ka prekur exhinja dhe në atë gjendje do të sillet vërdallë duke mos e kontrolluar vetveten,sikurse një i çmendur, i cili është i sëmur psiqikisht.
“Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngrihen ndryshe vetëm se si ngrihet ai çmenduri nga të prekurit e djallit. (Bëjnë) kështu ngase thanë: "Edhe shitblerja nuk është tjetër, por njësoj sikurse edhe kamata"! E All-llahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën.” (Kur’an, 2:275)
Nuk ka pasur çështje më të urrejtur në maksimum nga ata të injorancës që islami deshi t’i zhdukë siç është çështja e kamatës, e as që ka luftuar kundër ndonjë të keqeje në masë të madhe ashtu siç e ka luftuar kamatën dhe ata të cilët merren me kamatë. Nga pikëvështrimi Islam kamata konsiderohet krimi më makabër, bazë e të këqijave, fundamenti i dëmeve dhe mëkateve.
Kamata është antipodi më i kundërshtueshëm i sadakasë, i mirësisë dhe i bamirësisë.
Sadakaja është formë e dhënies falas, zemërgjerësisë, pastrim, rritje, ndihmesë, dhënie me sinqeritet dhe përkryerje, nga e cila përfitojmë si nga aspekti material ashtu edhe nga ai shpirtëror, fitim i dyfishtë.
Kurse kamata është zemërngushtësi, fëlliqësirë, ndyrësirë, ngurtësi, egocentrizëm dhe egoizëm.
Sadakaja konsiston në të dhënurit e ndonjë të mire materiale pa kompensim dhe pa kthim, ndërkaq kamata është kërkesë që nga borxhi i dhënë ndokujt, jo vetëm që të kthehet ajo shumë e borxhit, por edhe më tepër se ajo që i merret me pa të drejtë, me çka borxhmarrësi atë tepricë e shpaguan me mundin dhe aktivitetin e tij.
Prandaj, nuk është për t’u habitur pse islami e llogarit nga mëkatet dhe krimet më të mëdha shoqërore dhe fetare,dhe se shpall luftë kundër atyre të cilët japin pare me kamat,Ja si e përshkruan All-llahu xh.sh. dhënien e pareve me kamat në Kur’anin fisnik.
“E në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk heqni dorë nga kamata), atëherë binduni se jeni në konflikt me All-llahun dhe të dërguarin e Tij. E nëse jeni penduar, atëherë juve ju takon kryet e mallit tuaj - askë nuk dëmtoni, e as vetë nuk dëmtoheni.” (Kur’an, 2:279)
Për arsye se nga ajo rreshtohen dëme dhe të këqija marramendëse. Në këtë rast do të bëjë një përmbledhje të disave nga ata dëme që mund të shkaktohen nga ky fenomen.
1. Dëmi i kamatës për nga dimensioni shpirtëror
2. Dëmi i kamatës për nga dimensioni shoqëror
3. Dëmi i kamatës për nga dimensioni ekonomik
1. Dëmi I kamatës për nga dimensioni shpirtëror - konsiston në atë se kamata lind tek njeriu dashurinë për egocentrizëm dhe për egoizëm,me ç’ka verbohet, dhe nuk njeh tjetër kënd pos vetes, nuk i intereson pos mirëqenia dhe interesi i tij vetjak, elemente këto që e thyen shpirtin flijues dhe vetëmohues. Pastaj, gjithashtu, ato elemente e thyen kuptimin e dashurisë ndaj së mirës,ndaj individit apo shoqërisë, ku në vend të tyre vjen shprehje dashuria ndaj unit të vet që të jetë egocentrik dhe egoist. Ngatërrohet lidhja vëllazërore mes njeri tjetrit. Njeriu kamatxhi shndërrohet në një bishë të egër që nuk i intereson në jetë pos të mbledhë pasuri, të thithë gjakun e njerëzve, të gllabëroj atë që gjendet në duart e njerëzve, shndërrohet në një ujk , ,DARIEN’ i urtë në fizionominë e njeriut pa virtyte.
Kështu zhduket kuptimi i së mirës e mirësisë në zemrat e njerëzve, e në vend të tyre vjen në shprehje shpirtngurtësia dhe mosngopja.
2. Dëmi i kamatës për nga dimensioni shoqëror - konsiston në lindjen e armiqësisë dhe urrejtjes mes anëtarëve të shoqërisë, që çon drejt prishjes së lidhjeve njerëzore dhe shoqërore mes klasave shoqërore. Me të mbaron çdo lloj forme e mirësisë, e butësisë, e ndihmesës, e bamirësisë në shpirtrat e njerëzve,saqë në zemrat e tyre mbillet zilia e urrejtja dhe zhduken tërësisht rregullat e dashurisë dhe vëllazërisë.
Ajo që është e pakontestueshme është dhe ajo se personi tek i cili në zemër nuk ka butësi dhe mëshirë, nuk kupton vëllazërinë njerëzore, e kjo shkakton prishjen e respektit apo butësisë së anëtarëve të shoqërisë së vet.
3. Dëmi i kamatës për nga dimensioni ekonomik - konsiston në atë se kamata është një dukuri që, me paraqitjen e saj, i ndan njerëzit në dy kategori:
• Kategori e shfrenuar, e cila jeton në mirësi dhe begati, shfrytëzon djersën e të tjerëve, dhe
• Kategoria e njerëzve të thyer, e cila jeton në greminën e vuajtjeve dhe të nevojave, në vështirësi dhe zymtësi, e nga këtu fillon përplasja mes këtyre dy kategorive.
Kamata është një ndër faktorët kryesor të kohës së sodit, ku shumica e njerëzve për shkak të saj jetojnë me strese dhe depresione, duke mos pasur fuqi që t’u përballojnë depresioneve dhe shtypjeve psiqike që u vijnë nga kamataxhinjtë, një numër i madh i individëve të cilët janë të përfshirë në marrjen e parave me kamatë, në të shumtën e rasteve i japin fund jetës së tyre, duke kryer vetëvrasje.