Zoti ynë thotë në Kuranin fisnik: “Dhe Zoti do t`i lartësojë ata që kanë besuar prej jush në gradë të larta dhe do t`i vlerësojë edhe ata, të cilëve u është dhënë dituria”. (Muxhadele: 11).

Kur Zoti krijoi njeriun në formën më të bukur, njoftoi melekët se ka krijuar mëkëmbësin e Tij në tokë. Allahu thotë në Kuran: “(Përkujto Muhammed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës!” Ata thanë: “A do të vësh në të atë që bën çrregullime dhe që derdh gjaqet e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini”. (Bekare: 30).

Njeriu nuk ishte më i fuqishëm sesa melekët, as më i devotshëm sesa ata, por ishte më i ditur sesa melekët. Me këtë dituri ai u bë mëkëmbësi i Zotit në tokë. Me këtë dituri atij iu dha amaneti, që nuk e mbajtën qiejt dhe toka, amaneti për ta çuar në vend misionin e Allahut, për ta njohur Atë dhe për të mos i vënë shok Atij. Prandaj të gjithë profetët kanë qenë mësues, të cilët i mësuan njerëzimit sesi duhet të jetojë njeriu sipas udhëzimeve të Zotit, ishin ata që udhëzuan për mirë dhe ndaluan nga e keqja.

Prandaj Zoti i gjithësisë e nisi Kuranin fisnik me urdhrin e shenjtë: “LEXO”. Lexo ti o Muhamed, pasuesit e tu dhe gjithë bota mbarë, se besimi ju afron tek Allahu (xh.sh). Zoti e mbushi këtë libër me qindra ajete, që flasin për dijen, për diturinë dhe për dijetarët. Allahu thotë: “A janë njëlloj ata që dinë me ata që nuk dinë, po këtë e kuptojnë vetëm të mençurit” (Zumer: 9), dhe “Thuaj (o Muhamed): “Sillni argumentin tuaj, nëse jeni me të vërtetën” (Bekare: 111), apo “Ata që i frikësohen më shumë Allahut janë dijetarët”. (Fatir: 28).

Prandaj profeti (a.s) në shumë hadithe ftoi për dituri. Ai (a.s) thoshte, se i dituri është më afër Allahut. Mos mendoni se feja e Zotit do të bjerë ndesh me diturinë, por përkundrazi ato (feja dhe dituria) ftojnë tek njëra – tjetra. Profeti (a.s) thotë: “Kërkimi i diturisë është obligim për çdo musliman”. Çdo mysliman e ka për detyrë ta kërkojë diturinë. Ka një lloj diturie që e ke obligim ta mësosh, ashtu siç ka edhe dituri që nuk mund ta arrish, por ajo është dituri që e kërkojnë dijetarët”. Profeti (a.s) thotë në hadithin tjetër: “Vlera e dijetarit ndaj njeriut që nuk ka dituri, është si vlera ime ndaj shokut tim më të fundit”. Krahasoje vlerën e profetit (a.s) me vlerën e sahabiut më të ri, që ka më pak dituri në fe.

Profeti (a.s) thotë gjithashtu: “Kush i hyn një rrugë për të fituar dituri, i ka hyrë rrugës për në xhenet”, si dhe “Dijeni o njerëz, se Allahu (xh.sh) me madhështinë e Tij, melekët e tij, banorët e qiejve dhe të tokës, milingona në folenë e saj dhe peshku në thellësinë e detit luten për mësuesin, që u mëson njerëzve hajrin dhe mirësinë”. Këto ajete dhe hadithe e dhanë shumë shpejt efektin e tyre dhe gjithçka ndryshoi në mesin e muslimanëve. Xhamitë u bënë shkollat e para, në të cilat muslimanët e rinj dhe të vjetër mblidheshin kokë më kokë me njëri – tjetrin dhe mësonin ajetet e Zotit, mësonin shkencën, edhe pse asnjëherë nuk kishin ditur shkrim dhe lexim.

Muslimanët e ndryshuan tregtinë nga tregti mallrash në tregti të diturisë. Nuk është habi, që ata bënë me mijëra milje udhëtim, për të mësuar pak dituri. Muslimanët jo vetëm që i dhanë dritë vendit të tyre, por i dhanë dritë botës mbarë dhe bota e pa, se këta ishin njerëz të urtë dhe të ditur. Muslimanët i dhanë dritë Europës, e cila po kalonte vitet më të vështira të historisë së saj, duke e çuar 200 vjet përpara këtë kontinent, në të cilin jetojmë sot. Shkollat e muslimanëve ishin shkollat më të mira dhe dhurata më e madhe, që një musliman mund t`i bënte një prijësi jomusliman, ishte t`ia merrte fëmijën e ta dërgonte për studim në shkollat e muslimanëve. Muslimanët treguan, se dinë ta zbatojnë ajetin e Zotit dhe hadithin e profetit (a.s), madje edhe historia dëshmon për këtë. Ata ishin të parët e botës për gati 8 shekuj.

Fatkeqësisht sot situata është komplet ndryshe. Injoranca është e përhapur në vendet e muslimanëve dhe dituria vlerësohet shumë pak në vendet e muslimanëve. Prandaj e lusim Zotin, që me ndihmën e Tij të na bëjë, që ta ndryshojmë situatën e ta kthejmë siç ka qenë më përpara.

Salavatet dhe përshëndetjet më të mira ia dërgojmë mësuesit më të madh, profetit Muhamed (a.s), i cili tha: “Jam dërguar mësues për ju”. Ai (a.s) u bë shkak, që njerëzit të dalin nga errësira në dritë, të mësojnë ç`është e mira dhe ç`është e keqja, ç`është dynjaja dhe ahireti.
Përshëndetjet më të mira ia dërgojmë profetit Muhamed (a.s) mësuesit të gjithë botës, jo vetëm të muslimanëve por edhe të jomuslimanëve. Përshëndetjet më të mira shkojnë për dijetarët tanë, ata që pasuan profetin (a.s), ata që natën e bënë ditë, ata që shpenzuan gjithçka për të përmirësuar sadopak jetën e njerëzve, qofshin këta muslimanë apo jomuslimanë.
Përshëndetjet më të mira shkojnë për mësuesit e popullit tonë, për ata që në kushtet më të vështira kanë dhënë dhe po japin kontributin e tyre, për ta nxjerrë këtë popull nga deti i injorancës drejt hapësirave pafund të dijes. Sot ne qëndrojmë me respekt përpara gjithë dijetarëve dhe mësuesve, të cilët i mësojnë njerëzve të besojnë Zotin, të përgatiten për këtë botë dhe për botën tjetër.

E lus Allahun (xh.sh) që mësuesit e sotëm ta vlerësojnë punën e tyre e të mos e shikojnë atë thjesht si mjet jetese, se mësuesit asnjëherë nuk i është dhënë haku. Megjithatë le ta shikojnë punën e tyre si kontributin më të mirë që mund të japin për shoqërinë dhe si një rrugë për xhenet. Allahu nuk i harron të mirat e njeriut. Një nga punët, që nuk humbet edhe pas vdekjes së njeriut, është kontributi në dituri. Profeti (a.s) ka thënë: “Një nga punët që vazhdon ta çojë sevapin tek robi edhe pasi ai ka vdekur, është dituria që ka lënë ai, nga e cila përfitojnë njerëzit”.

E lus Allahun (xh.sh) të na mësojë atë, që është më e mira dhe të na japë dobi prej diturisë që kemi mësuar.



Autori është kryetar i Forumit Rinor Islam


Artikulli i kaluar
Përgojimi dhe pasojat e tij
Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi