Zoti i Gjithëdijshëm krijoi gjithçka në shërbim të njeriut dhe njeriun e veçoi duke i dhuruar mendje e duke ia mësuar rrugën e drejtë përmes Shpalljes-mësimit hyjnor.
Edhe pikënisja dhe qëllimi i krijimit të njeriut, është misioni i mëkëmbësit të Zotit në tokë, mision ky i cili është pa dyshim ngarkesë dhe përgjegjësi për njeriun, prandaj edhe nuk mund ta merrnin as Toka e qiejt. Ky mision, aq sa ka peshën e tij, ka edhe mënyrën e të kontribuarit për shoqërinë njerëzore në rend të parë, për gjallesat e tjera në përgjithësi dhe ndryshimin e Tokës për të mirë, duke ruajtur dhe lehtësuar jetën në të. Për ta realizuar këtë qëllim, individi duhet t’u bashkohet individëve të tjerë, t’u përshtatet e t’i tejkalojë mos akceptimet e tij, por me forcat e bashkuara të shikojnë ardhmërinë. Duke kuptuar njëri-tjetrin, duke bashkuar idetë dhe duke i argumentuar ato që janë të vërteta, të dobishme dhe funksionale, shoqëria ecën me hapa të sigurt drejt përsosmërisë dhe integrimit. Zoti ka krijuar gjuhët, racat dhe llojet e ndryshme të popujve e individëve, kështu që asnjë njeri nuk është i ngjashëm tërësisht dhe as i pavarur, veçse prej tyre kërkohet bashkëveprimi duke iu shmangur dobësive dhe duke kërkuar dobitë dhe kontributet e çdonjërit.
Njeriu s’është i përsosur
Pa dyshim që njeriu nuk është i përsosur absolutisht, prandaj edhe ekziston mundësia e gabimeve pran të jetuarit, por edhe përmirësimi, pendimi dhe rikthimi në jetën normale – është domosdoshmëri. Gjithashtu edhe nxitimi njerëzor shfaqet shpesh në reagimet e pakontrolluara. Ndalimi për ta kujtuar mirë çështjen, do ta zgjidhë atë më lehtë.
Në popullin tonë thuhet “Bluaje tri herë dhe pastaj nxirre (fjalën)”. Pra mendimi në vetvete, konsultimi si dhe studimi se çfarë mund të sjellë një mendim, - kërkojnë qasje serioze pa asnjë dyshim. Ngase nga ngutia mund të gjykojmë gabimisht, madje me ndonjë gabim që nuk përmirësohet më. Sidomos kur bëhet fjalë për jetën e njeriut, krijesës më të çmuar dhe më të vlefshme që ka krijuar i Madhi Zot. Çdo gjë është e krijuar me qëllim të caktuar, ashtu si edhe çdo individ ka rolin, fushëveprimin dhe mundësinë e veprimeve për të ofruar vlera. Ibrahimit a.s. i tha Zoti: “Mos m’u lut t’i gjykoj njerëzit me mbytje, se ndoshta mund të pendohen ose të kenë pasardhës të dobishëm”. Muhamedi a.s. kishte mundësinë t’i dënonte kurejshitët, kur ata e ndiqnin dhe e mundonin, por lutej: ”O Zot, fali, sepse ata nuk dinë”!
Jo si individ po si grup
Thirrjet hyjnore i janë drejtuar njeriut sidomos në shumës: “O ju njerëz”; “O ju që keni besuar”; “O popull”etj.. Edhe kur Zoti i drejtohet njeriut si individ, ka edhe kuptimin e gjithëpërfshirjes. Për t’i dhënë kuptim të plotë qenies njeri, kërkohet grupi i përbërë prej disa njerëzve dhe kurrsesi që një individ të jetë i plotë, pa pasur nevojë për të tjerë dhe i pavarur tërësisht. Kjo cilësi i takon vetëm Zotit-Një të Vetmit, i Cili nuk ka nevojë për askënd. Ashtu sikurse hidrogjeni nuk mund të funksionojë vetë dhe duhet oksigjeni për të formuar elementin Ujë, i cili është pikë fillestare e domosdoshme dhe nga i cili fillohet dhe varet jeta. Ujin e formuan elementet hidrogjen (dy pjesë) dhe oksigjen (një) -H2O, po ashtu edhe Qelizën e formojnë pjesët më të vogla si dhe atomin gjithashtu. Edhe njeriu ka të njëjtin rol si individ, ngase i Dërguari apo i zgjedhuri i Zotit nuk mund ta kishte rol po të mos kishte kujt t’ia mësonte mësimet e shenjta hyjnore. Imami s’mund të dalë imam po nuk pati xhemat persona që falen. Kështu të dërguarit e Zotit,si edhe Muhamedi a.s., kishin nevojë për individë të tjerë, për të themeluar shoqërinë e besimtarëve,në mënyrë që t’ua transmetonin edhe të tjerëve mësimet e Zotit. E si mund të bëjmë diçka ne të vetëm, me kokën tonë me mendimet tona dhe individualisht? Ademi a.s. ishte në Xhenet dhe aty kishte të gjitha që i nevojiteshin, por plotësimi i tij iu bë kur i erdhi Hava, bashkëshortja e tij, pastaj plotësimi i tij u bë edhe kur i lindën pasardhësit, e vazhdimi i jetës së tij u bë kur kaloi në jetën e varrezave e do të vazhdojë edhe në Ditën e ringjalljes për t’u realizuar qëllimi i krijimit dhe fjala e Krijuesit, vetëm atëherë kur do të vendoset në Xhenet me të gjithë ata nga pasardhësit e tij që e kanë merituar, për ta bërë jetën e amshuar, jetën e pafund.
Të vetmuar nuk mund të lëvizim gjë
Bashkimi i ideve, dobive dhe kontributeve të njerëzve krijon shoqëri të nevojshme të domosdoshme, por asnjëherë ideale të papërsëritshme. Por ky grupim e bashkim duhet të ketë gjithashtu qëllimin, pikësynimin e vet e, mbi të gjitha, idenë për t’i kontribuar shoqërisë njerëzore për realizimin e fjalës së Krijuesit, e përmes kësaj i sjell dobi edhe vetvetes si individ. Prandaj thirrjes nga Krijuesi: “Kapuni të gjithë për litarin e Allahut e mos u përçani”, duhet t’i përgjigjen dhe i përgjigjen ata që e kuptojnë përgjegjësinë e tyre. Dhe jo vetëm kaq, por edhe e kuptojnë se të vetmuar nuk mund të lëvizin gjë. Muhamedi a.s. bëri një krahasim të tillë me të dërguarit e tjerë sikurse një tullë në ndërtesën e madhe. Kjo mungonte dhe ai a.s. e plotësoi ngritjen e kullës së quajtur plotësim i mësimeve fetare. Ndarja në popuj e fise, në ngjyra e gjuhë, është bërë për t’u njohur ata në mes tyre dhe jo për t’u përlarë, për të kundërshtuar e luftuar njëri-tjetrin. Kështu është mësimi i shpallur nga Zoti i Gjithëdijshëm. Pra, njerëzit janë të krijuar për njëri- tjetrin, janë të varur nga njëri-tjetri dhe nuk janë shoqëri nëse nuk pranojnë njëri-tjetrin, ashtu siç është.“Nuk është mysliman ai që fle me barkun plot, e fqinji i tij nuk ka ç’të hajë” – vijnë fjalët e Muhamedit a.s.. Andaj besimtar i vërtetë është ai që rri me shoqërinë, bashkohet e ballafaqohet me shoqërinë, dhe jo ai që preferon vetëm vetminë. Edhe
gurë- gurë bëhet mur; edhe pika-pika mbushet pusi; por edhe nga njëri e tjetri bëhet shoqëria. Në fikun islam, si edhe në të drejtën gjithënjerëzore, interesi i përgjithshëm është më i rëndësishëm sesa ai personal. Po kështu qëndron fakti edhe në mendime, gjykime e në shkencë. Pra, grupi i dijetarëve mund të sjellë fetvanë, dhe jo individi.
Gabimi për lirim dhe dënim për gabim
Gjykimi i takon vetëm Zotit, Ai është më i Merituari, si për adhurim, kërkim mbrojtjeje, mbështetje etj., ashtu edhe për gjykim. Sepse Ai është i Gjithëdijshëm, i informuar absolutisht më së miri dhe Ai gjykon më së drejti. Është përgjegjësi dhe vështirësi të gjykosh për gjëra, sado të vogla që të duken ato. Mund të ndodhë shpesh që i padrejti të ankohet i pari dhe të kamuflojë për ta mbuluar gabimin e tij, siç ishte rasti i vëllezërve të Jusufit a.s., që shkuan tek babai i tyre me këmishën e përgjakur dhe duke qarë gjoja se e kishte ngrënë ujku...
Ngutia dhe mosstudimi i qetë argumentues shkakton gabimin shumë të rëndë në rast gjykimi. Edhe po të bëhet argumentimi, edhe po të pranojë gabimtari, prapë kërkohet kujdes, ngase ekzekutimi apo dënimi, siç e cekëm më lart, i takon më së shumti Atij që e ka krijuar, i ka dhuruar njeriut mundësinë jo vetëm të rrugës së
drejtë, po edhe të gabuar. Më mirë është që të gjykojmë gabimisht dhe ta falim çdonjërin prej nesh, sesa të gjykojmë drejt dhe të ekzistojë mundësia të dënojmë ndonjë të pafajshëm. Shpesh rastis që dikush i gjykon njerëzit se do të shkojnë në Xhenet apo në Xhehenem, ndonëse këtë mundësi e njohuri nuk e ka asnjëri prej njerëzve. Ose i etiketon të tjerët si pabesimtarë (qafirë) apo grup të shpëtuar, e të tjerët të dënuar vetëm sepse nuk mendojnë sikurse ai. Kjo gjë kërkon kujdes e përgjegjësi. Nga historia e Omerit r.a. kemi rastin e reagimit të tij të drejtë, kur u ankua një qytetar meqë i kishte rënë me shkop udhëheqësi i atij vendi. Kurse nga jeta e Muhamedit a.s. kemi shumë shembuj të tillë, qoftë edhe ndërhyrje nga Zoti: “Ti (Muhamed) je vetëm udhëzues e jo dominues”.Apo edhe kur i erdhi njeriu (Maiz Eslemi) që kishte bërë mëkatin dhe kërkonte ekzekutimin e tij, Muhamedi a.s. donte ta shmangte atë që të mos bëhej ekzekutimi i tij me mbytje. U përpoq ta largonte nga dëshmimi i tij, në mënyrë që të mos bëhej gjykimi i merituar me mbytje. Nga kjo rrjedh edhe fjala e resulullahut: “Nëse gjeni rrugëdalje, lirojeni të
akuzuarin, sepse për gjykatësin është më mirë të gabojë në falje sesa të gabojë në dënim”.Në anën tjetër, të gjithë jemi mëkatarë dhe e drejta për të dënuar dikë i takon atij që nuk bën mëkate, siç e kemi shembullin nga jeta e Isait a.s., kur kundërshtarët e tij ia sollën mëkatarin i cili, sipas ligjit, duhej të ekzekutohej, të mbytej. E Isai a.s., me ndjenjat e tij të buta inteligjente, pa dyshim me mësime nga Zoti, pranoi gjykimin, por, kur erdhi momenti i ekzekutimit, kishte thënë: ”Kush është prej jush pa gabime, le të hedhë gurë mbi të”!Zoti, me mëshirën e Tij, na faltë gjithë, dhe kjo është shpresa jonë e madhe.
Refik Gerbeshi