Trysnia e ditëve të fundit ndaj Islamit dhe myslimanëve, e dëshmuar pas ngjarjes së rëndë të Parisit, të cilën, natyrshëm e kemi dënuar, duke dënuar njëkohësisht mosrespektimin e jetës dhe mosvlerësimin e të drejtës së shfrytëzimit të saj për të krijuar e për të shprehur, qoftë edhe në mënyrë të gabuar mendimin dhe idenë, na ka shtyrë edhe më shumë të mendojmë e të reflektojmë rreth vlerave të lirisë, fesë dhe harmonisë së besimit dhe të dijes.
Gjatë këtyre ditëve, ne si myslimanë jemi lënduar nga etiketimet e pavërteta në hak të fesë sonë dhe personalitetit të myslimanit në tërësi. Ky lëndim nuk ka të bëjë me vetë etiketimet sa qesharake, aq edhe cinike, sesa për faktin se, ndonëse kemi hyrë në vitin 2015 të erës së re, ende njeriu i kohës sonë vazhdon të mos kapërcejë disa pengesa, që e detyrojnë të bashkëjetojë me frikën, paragjykimin dhe tendencën e ofendimit të tjetrit, ndërkohë që soji ynë duhet ta kishte fituar sigurinë para vëllasë së tij njeri, duke respektuar njëkohësisht edhe fetarizmin (a edhe afetarizmin, si përzgjedhje e lirë dhe e argumentuar), besimin, drejtimin dhe orientimin e tij të udhëzuar në jetë.
Terma të tillë si: “terrorizmi islamik”, “Islami opium për popujt”, “o myslimanë: shkoni andej nga keni ardhur”, “nuk ju duam në Europë” etj., shoqëruar me djegien e disa xhamive dhe lëndimin fizik të disa myslimanëve të pafajshëm në Evropë (pa përmendur vrasjen, torturimin, vjedhjen dhe grabitjen e tyre në vende të Afrikës, në Lindje të Mesme a në Azinë e largët), na kanë befasuar dhe tronditur jashtë mase.
Të gjithë jemi lënduar, kur qarqe të ndryshme afetare dhe islamofobe rinxorën në dritë të ashtuquajturat “karikatura”, karikaturat perverse, disa vite pas botimit të tyre në një gazetë të pazë e thuajse lokale, që nuk mund të kishte as të ketë asnjë lidhje, as me fenë, as me qytetërimin e vërtetë që prodhon vlera universale, as me lirinë e fjalës e të shtypit; atë liri, që të gjithë e duam, por që nuk mund të jetë e tillë pa u kontururar me disa caqe logjike dhe të pranuar!
Fillimisht, unë mendoj se kjo që ka ndodhur në Perëndim me fenë dhe simbolikat fetare (pikërisht fenë dhe simbolikat e Perëndimit, në shumëllojshmërinë e tyre), të ngjall neveri dhe keqardhje, për faktin e vetëm të zhveshjes reale nga fryma e shenjtë e vetë fesë.
Njëkohësisht, histeria e padijes në përgjithësi, mllefi historik dhe dekadenca morale e shpirtërore e disa perëndimorëve ka arritur deri aty sa të tallet e të satirizohet vetë shenjtëria e fesë! Këta, në fakt, nuk kanë fé, sepse feja prodhon moral! Një popull që nuk ka shenjtëri, sado të pretendojë liri dhe demokraci, në vetvete është një popull meskin, i sëmurë, që meriton mëshirë dhe lutje të mira për udhëzim! Kjo është më e pakta e obligimit që kemi si njerëz, për njëri-tjetrin, si vëllezër të një race e një origjine! (Mua si mysliman shqiptar dhe europian (aq sa jemi europianë ne shqiptarët), nuk më shijon dhe më rëndon moralisht teksa shoh në karikaturë simbolikat e shenjta të krishterimit!? Normal që nuk dua t’i pranoj, sepse feja është e shenjtë dhe me shenjtëritë nuk duhet abuzuar!)
Po lexoja dje në faqen zyrtare të gazetës italiane: “Corriere della sera”, ku ndodhet një video e Papës aktual, i cili po mban një bisedë në aeroplan, gjatë fluturimit të djeshëm. Thotë: “Është e vërtetë se nuk mund të ketë reagime të dhunshme, por nëse dr. Gaspari, një mik i madh, më thotë ndonjë fjalë fyese kundër nënës sime, e pret një grusht, dhe kjo është normale. Është normale. Nuk mund të provokohet, nuk mund të fyhet feja e tjetrit! Nuk mund të tallet feja!”
Befasimi i madh ishte, kur lexova (edhe ju mund ta verifikoni këtë fare lehtë), reagimet e shumë katolikëve italianë (në pamje të parë), të cilët nuk lanë fyerje e sharje, ofendim e shfaqje zhgënjimi kundër Papës së tyre, se tha këto fjalë të vërteta e krejt normale?! Po ku shkoi shenjtëria e pretenduar prej tyre për Atin shpirtëror? Ku shkoi respektimi dhe vlerësimi i udhëzimit a këshillës së tij? (Paralelisht, dëshirova që edhe drejtuesit e Kishës Katolike në Shkodër, ta kishin përvetësuar këtë udhëzim papnor dhe këtë thirrje logjike, sidomos para provokimit të 26 dhjetorit 2014, kur u zhvillua mesha në xhaminë shekullore të Sulltan Fatihut në kalanë e Shkodrës, provokim që meritonte “grushtin e Papës”, sepse simbolet fetare janë nanë e babë! Por, ky veprim i dënueshëm prej nesh, nuk do të na ndalë gjithsesi të vazhdojmë të promovojmë tolerancën dhe bashkëjetesën ndërfetare në vendin tonë, mirësitë e së cilës i shijojmë dhe i jetojmë ditë pas dite. Por, njëkohësisht do të na nxisë të vëmë theksin me tepër vëmendje te respektimi dhe vlerësimi i patolerueshëm i kulteve të ndërsjellta, institucioneve, simbolikave të shenjta!)
E përmenda faktin e mësipërm, atë të fjalës së Atit të Shenjtë të botës katolike, (si një pikë e fortë referimi e një pjese të Europës) dhe komentet ofenduese që e pasuan, sepse feja, në perceptimin dhe këndvështrimin tonë islam, është rregullator i jetës, ekuilibrues i mendimit, mbrojtës i dinjitetit njerëzor, respektues i simboleve fetare të tjetrit!
Tek ne myslimanët, feja nuk është objekt talljeje, as nishan qitjeje për ata që shenjestrojnë me padijen a mendësitë e tyre (për ne, të sëmura), Zotin, profetët, kultet, Librat e shenjtë!? Në Kur’anin Famëlartë, Zoti urdhëron: “Ju mos ua shani atyre zotat që lusin, pos All-llahut, e (si hakmarrje) të fyejnë All-llahun nga armiqësia, duke mos ditur (për madhërinë e Tij).”
Normalisht, realitetet e kohëve tona, po na tërheqin vëmendjen përherë e më shumë për një reflektim më të thellë drejt vlerësimit të tjetrit, respektimit të kufirit të tij, dijes dhe shenjtërive, sepse në këtë mënyrë, diversiteti me të cilin karakterizohemi, do të ishte më kuptimplotë në prezantimin e një mozaiku vlerash, në një shoqëri, që përherë e më tepër po kërkon të dijë e të tejkalojë veten, të shkuarën, historinë.
Ndërsa ne, si myslimanë (por, besoj se ky konkluzion vlen edhe për të gjithë besimtarët dhe njerëzit që duan të mirën në shoqërinë shqiptare), e kemi për detyrë të kthehemi përherë e më shumë nga feja dhe mesazhet e saj qytetëruese, duke kuptuar se nuk mund të kemi të sotme paqësore, as të ardhme të dritshme, as ne dhe as fëmijët tanë, vetëm se me Islamin tonë (dikush tjetër do të thoshte fenë e tij), nëpërmjet të cilit jemi edukuar dhe mësuar të jemi këta që jemi, promovues të vlerave të respektimit të fesë dhe besimit të tjetrit, ndërtues dhe mbrojtës të urave të harmonisë ndërfetare, edhe si vlerë kombëtare.
Myfti i Zonës Shkodër