Mulla Sylë Tërpeza (1881 1927)

Sa të jem gjallë do të përpiqem për dituri, për atdhe, për bardhësinë e vendit tonë.

Rruga që çon në fshatin Tërpezë gjendet në veri të komunës së Vitisë, me një lartësi mbidetare 550 m, ndërsa ka pozitë të mirë gjeostrategjike. Këtu, nga prindërit Salihu dhe nënë Sala, lindi Sylejman Salihu, i cili në popull njihet si Mulla Sylë Tërpeza, dhe që në fëmijërinë e hershme u edukua në frymën fetare dhe kombëtare.
Mulla Sylë Tërpeza vjen nga një familje e madhe, punëtore, mikpritëse dhe atdhetare, e dalluar në territorin e Anamoravës.
Babai i tij shquhej në këtë anë për njeri punëtor e i fjalës, veprës dhe guximit. Oda e tij ishte shkollë, kuvend burrash, vend pajtim për shumë familje. Në këtë familje nuk kishte vend shpifja, mendjemadhësia, përtacia. Në odën e burrave, siç njihej aty, këndoheshin trimat e kombit, thureshin vargje e tregime me mesazhe të qarta. Aty bëhej gara në këndim-lexim kuranor, etj.
Këto virtyte të larta ndikuan që Mulla Syla të ketë një karakter të fortë, stabil, që në punë, sjellje e vepra te kultivojë veçoritë e mira të traditës. Sipas nënës Sala, djali i saj Sylejmani si fëmijë që dallohej në çdo pikëpamje, në karakter, qëndrim, ambicie, lexonte shumë, aq shumë sa edhe për të kursyer vajgurin lexonte nën dritën e hënës. Nëna e tij, që në fëmijërinë e hershme, e kishte mësuar të lexojë Kuran. Prandaj, duke parë këto cilësi që kishte Sylejmani, prindërit vendosin ta shkollojnë së pari duke e dërguar në Gjilan, në "Mektebin Iptidaije”. Më pas ai vazhdoi medresenë "Ruzhdija Gjimnaz”, që ishte shkollë fetare, ndërsa në atë periudhë kishte vetëm 36 nxënës.
Si i ri, duke qenë se mallëngjehej për familjen, Sylejmani udhëtonte në këmbë për çdo javë, nga Tërpeza në Gjilan, në borë, shi apo në temperatura të larta. Ishte nxënës i shkëlqyer në mësime. Të parët e Mulla Sylës ishin të përmendur dhe të dalluar për traditë, të ndershëm e familjarë, për punë, për sjellje për besnikëri e mikpritje të ndritshme dhe veprimtari patriotike e kombëtare. Gjithmonë ruheshin me fanatizëm traditat dhe virtytet e larta. Oda e kësaj familje ishte vendtakim për shumë miq e veprimtarë, si: Hasan Prishtina, Idriz Seferi, Bajram Curri, Emin Beu, Ramë Abdyli etj. Ishte aktiv duke dhënë kontribut të çmuar si mësues i dalluar i shkollës shqipe, si hoxhë e nëpunës. Ishte anëtar në Këshillin e Pajtimit të Gjaqeve, pastaj mori pjesë edhe në Kuvendin e Ferizajt, në korrik të Vitit 1908. "Lapsi-dituria është më e fortë se pushka, lapsi do ta sundojë botën”, thoshte Mulla Sylë Tërpeza.

Mulla Syla, hoxhë, mësues e pedagog

Pas miratohet “ligji mbi reformën e arsimit”, në vitin 1869, brenda kufijve të Perandorisë Osmane për gjithë filloi të rregullohet sistemi i shkollave shtetërore dhe publike. Dhe, në vilajetet shqiptare, si: të Shkodrës, Manastirit, Kosovës dhe Janinës, filloi një zhvillim i shpejtë i arsimimit dhe shkollimit në përgjithësi. Në vitet e '90-ta të shekullit të XIX-të u hapën edhe në qendrat e vilajeteve shqiptare, në Shkup, Manastir, Shkodër, dhe si rrjedhojë në shkollën normale në Shkup “Durul-Mualimin" u përgatiten shumë mësues të shquar shqiptarë, të cilët punuan në viset shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri. Në mesin e mësuesve të parë u diplomua edhe Mulla Sylejman (Syla) Salihu nga Tërpeza, më 24 gusht të vitit 1907, i cili njëkohësisht ishte edh mësuesi i parë në shkollën e Pozharanit, në vitin 1909.


Ndërtesa e shkollës së parë në Pozharan

Ishte mësimdhënës i denjët në shkollën e parë fillore-Sibian Mektebe Iptidaie, shkollë katër-klasëshe që nisi në shumë fshatra si: Gërmovë, Pozharan, Tërpezë, Sllatinë, Budrikë etj.
Në revista të kohës në gjuhën turke, si ajo "Jeni Mekteb” (Shkolla e re) etj., publikonte edhe pikëpamjet e tij politike në analiza politike të zhvillimit dhe proceseve.

Zoti vetë i ka krijuar të gjithë popujt, të gjitha gjuhët, dhe Ai i kupton të gjitha

Kontributi dhe puna e tij bëri që të kishte respektin shumë të madh. Shkrime në revista të ndryshme ngitnin lartë qasjen dhe seriozitetin e tij, si: "Shqipja e Shypnisë”, ”Liria”- e cila botohej në Selanik në vitin 1909 etj. Ishte njohës i gjuhës turke, bullgare, frënge dhe arabe.
Hapja zyrtare e shkollës u bë në tetor të vitit 1909, ku filloi të japë mësim në lëndën Besimi Islam. Nga kujtimet e nxënësve të Mulla Sylës, tregohet se sa me gëzim kishin marrë abetaren falas, të cilët ua kishte dhuruar Hasan Prishtina. Shtypi i kohës, shkollën e Pozharanit e konsideronte si ndër shkollat më të forta, ndërsa aty mësoheshin shkronjat latine, pastaj kishte libra me "harita”- sot gjeografi, si dhe histori matematikë, bukurshkrim, këndim etj. Ai thoshte "Zoti vetë i ka krijuar të gjithë popujt, të gjitha gjuhët, dhe se Ai i kupton të gjitha, ato janë begati të krijuara nga Ai.” Porositë e tij janë që të bëhen vepra dhe punë te mira për këtë botë, e që ka benificione edhe pas vdekjes. Ai gjithnjë thoshte: "Sa të jem gjallë do të përpiqem për dituri, për atdhe, për bardhësinë e vendit tonë.”
Gjithmonë insistonte në çdo ligjëratë, në çdo mbledhim burrash në oda etj. të ngriste lart arsimin ndër breza, duke thënë: "Arsimi është direku i diturisë, i përparimit dhe i besimit në Zotin". Si mësues dhe hoxhë kishte studiuar shumë mirë literaturën e së drejtës dhe traditës kombëtare shqiptare. Ishte po ashtu njohës i mirë i normave dhe rregullave fetare islame, kuranore dhe të sheriatit, e këto njohuri i zbatoi me përkushtim, precizitet e ndershmëri.

Aktiviteti i tij në kohë

Dorëshkrimet e gjetura te familjarët argumentojnë se ai kishte marrëdhënie dhe bashkëpunim me shumë personalitete të njohura të shoqërisë dhe kulturës shqiptare te kohës, si në Shkup, Manastir, Sofje, Selanik Stamboll, Budapest, Bukuresht, Aleksandri etj. Sa herë që vizitonte këto vende ai sillte literaturë nga atje. ”...pa pirë ujë nuk shuhet etja", përsëriste Mulla Syla në ligjërimet dhe këshillat që jepte.
Ai ishte ndër mbështetësit e fuqishëm të kryengritjes së madhe shqiptare më 1912, pastaj mori pjesë në tubimin e Ferizajt, në gusht 1912. Kishte kontakte dhe shkëmbente ide edhe me anëtarët e shoqërive shqiptare, "Bashkimi i Kombit” të Manastirit, etj.
Ishte propagandues i fortë dhe mbrojtës i vendimeve të Kongresit të Manastirit.
Mulla Syla mbante lidhje letërkëmbimi me klubet dhe shoqëritë shqiptare në Vilajetin e Kosovës, Manastirit, të Shkodrës e Janinës dhe të Damaskut. Në Kongresin e Manastirit, më 14-22 nëntor të vitit 1908, ai ishte në mesin e 400 mysafirëve.
Nga viti 1908 edhe në Gjilan, si në tërë Kosovën, filluan të vijnë ekzemplarët e parë të Abetares në gjuhën shqipe, të shtypura nga shoqëritë patriotike . Duke u shfrytëzuar këto Abetare, në vitin 1909, në Pozharan të Vitisë filloi edhe klasa e pare, ndërsa Mulla Syla kishte 30 nxënës që vijonin nga rrethinat: Pozhoran, Tërpezë, Sllatinë, Ramjan, Budrikë, Zhiti, Radivojc etj.


Dëftesa e shkollës Iptidaye –fillore

Kishte dëshirë të flaktë të ndërtonte një xhami në vendlindjen e tij. Organizoi banorët e fshatit dhe udhëhoqi punimet e ndërtimit të xhamisë, e cila filloi në vitin 1924 dhe përfundoi me sukses në vitin 1926, pikërisht me ditën e xhuma, në fillim të muajit Ramazan.
Ishte në ballë të çdo iniciative, pajtoi shumë familje që ngatërroheshin për çështje pronësore, gëzonte shumë respekt në popull, jo vetën në Anamoravë por dhe më gjerë. Duke qenë organizator i forcave vullnetare shqiptare kundër pushtuesit serbosllave me mençurinë, durimin dhe telepatinë e tij arriti të krijojë besueshmëri të pakontestueshme në rrethin ku jetonte.
Gjatë viteve të pushtuesit serbosllav-malazez e grek, këtë dhunë e përjetoi edhe ai dhe familja e tij. Ushtria serbe plaçkiti tërë pasurinë, duke rrëmbyer të gjitha shënimet, librat, faktet dhe shënime shumë të rëndësishme ia dogjën në mes të oborrit.
Ai mbajti kontakte dhe siguroi tekste shkollore, personalisht përmes korrespodencave me personalitete të njohura të kulturës dhe Lëvizjes Kombëtare. Puna dhe vullneti i tij reflektoi në Anamoravë. Vështruar nga ky kënd, dalin në pah vlerat e larta të një misionari të kombit dhe atdheut. Në Kongresin e Dibrës, në prill të vitit 1909, ishte nga më të zëshmit që mbronin me fakte dhe me këmbëngulje përdorimin e alfabetit të Manastirit për shkollat në gjuhën Shqipe.
Kujtesa historike tregon se u fol gjithandej nëpër oda për guximin e tij, por ka ende shumë që të shkruhet dhe të zbardhet veprimtaria e tij patriotike prej një pishtari të diturisë e një rilindësi me përmasa të gjera.
Me veprimtarinë e tij u mor Prof. Sadulla Brestovci, Mr. Adem Murati, Hysen Terziu, e shumë të tjerë. Për të u kënduan këngë e u thurën poezi, tregime e vepra.

Si e vlerësojnë Historianët veprën dhe figurën e mulla Sylës

Të flitet dhe të shkruhet për historinë kombëtare 1904-1912, e sidomos në periudhat 1908 -1912, për vitet e Rilindjes Kombëtare, e të mos përmendet emri dhe veprimtaria e bashkëveprimtarëve, bashkëkohësve dhe pasardhësve të Mulla Sylës, do të ishte jo e drejtë, pasi që Mulla Sylë Tërpeza ishte i pranishëm në të gjitha rrjedhat dhe proceset e kohës, kur më së shumti i duhej atdheut. Kështu do ta portretizonte historiani Mr. Adem Murati, në librin e tij: "Lëvizja Kombëtare Shqiptare për arsimin shqip-Mulla Syla mësues dhe veprimtar i dalluar”. Se Mulla Syla meriton të shkruhet me germa të mëdha në faqet më të ndritshme të Historisë Kombëtare Shqiptare në përgjithësi e asaj arsimore, politike. Ai me veprimtarinë kombëtare vetes i ka ngritur një monument të përhershëm historik, për shkak të vlerave dhe meritave që posedonte. Gjithashtu, një nga legjendat e gjalla të historisë, Hysen Tërpeza thoshte: ”Ai ishte vërtet njeri i dijes, i besës, i punës, bashkimit, drejtësisë, luftëtarë i lirisë dhe i përparimit të krejt popullit. Nga mendja dhe goja e tij gjithnjë dilnin porosi; ishte edhe mësues, edhe hoxhë, edhe pleqnar edhe patriot i vërtetë për popullin dhe Shqipërinë. Në odën e tij vinin e dilnin shumë mysafirë, burra pleqnar e patriotë si: Hasan Prishtina, Idriz Seferi, Bajram Curri, Emin Beu etj., ku me të drejtë burrat e kohës e cilësonin odën e tij si shkollë, kuvend dhe institucion të drejtësisë”, thoshte Hysen Tërpeza.
Personalitet i tij prej ideologu, e veprimtaria e tij krijuese, karakteri dhe mirësjellja e tij në tërë veprimtarinë e tij të gjatë të jetës, që ia kushtoi vendit dhe fesë së tij duke i dhënë studime dhe shënime për arsimin, kulturën dhe historinë, janë disa nga çështjet që shkenca duhet të hulumtojë arkivat e Stambollit, Shkupit, Selanikut, dhe vende tjera, që të plotësohet e gjithë veprimtaria e tërësishme arsimore, kulturore, fetare e kombëtare e rilindësit, iluministit dhe atdhetarit Mulla Sylë Tërpeza.

Trashëgimia e Mulla Sylës

Mulla Syla ishte i martuar dhe kishte tre djem: Ademin, Shefkiun e Azemin, dhe dy vajza: Sadijen dhe Rukien. Vdekja ia ndau në moshën 47 vjeçare, për të shkuar në botën e amshueshme, por duke lënë pas vetes një bagazh të madh të veprave të tij: dorëshkrime, shkresa, poezi, dhe shumë libra me vlerë, nga mund të përfitonin jo vetëm familja e rrethi i tij, por edhe gjithë shoqëria dhe brezat që do të vinin pas. Vdiq në Vitin 1927, duke porositur fëmijët e tij që mos t'i ndahen mësimeve fetare, dhe që gjithherë të jenë në shërbim të fesë dhe atdheut. Djali i tij, Ademi, i frymëzuar nga babi kreu medresenë në Gjilan, por e ndërpreu për çështje ekonomike, ndërsa më vonë përfundoi provimet në Medresenë e Prishtinës, në viti1957.
Punoi si imam në fshatin Tërpezë deri në vdekje, në vitin 1973. Edhe djali tij, Mulla Ademi, qe arrestuar dhe keqtrajtuar nga organet e UDB-së, në maj të vitit 1953, me akuzën se nuk po respektonte organet dhe ligjet e pushtetit. Ai u keqtrajtuar dhe iu bastis shtëpia dhe iu mor e gjithë literatura që kishte arritur të ruante nga babai, madje edhe abetarja që e kishte dhuratë nga Hasan Prishtina.
Këtë rrugë e pasoi edhe nipi i tij Fehmiu (djali i Ademit), i cili po ashtu për tri dekada ishte imam në fshatra të ndryshëm të komunës së Vitisë. Në vendlindjen e tij, sot rruga që ndërlidh dy fshatrat: Terpezë dhe Pozharan, të cilën hoxha për vite me radhë e kishte ecur këmbë, e mban me krenari emrin e tij, për çka krenar duhet të jenë edhe banorët e këtyre vendeve. Institucionet tona kanë dështuar që veprën e tij ta radhisin sipas meritës, ngase një vlerë si kjo është padyshim e pakontestueshme. Vepra dhe emri i tij është gdhendur në gur, për t'i rezistuar stoikisht turbullirave të kohës dhe pluhurit të harresës.



Adem Sylejmani


Artikulli i kaluar
H. Zyber Hallulli (1842-1927)
Artikulli radhës
Imam Raif Shaban Latifi

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?