Xhamia e fshatit Zabel i Ultë, Komuna e Drenasit, është bërë cak i hajnave.
Xhemati i xhamisë të martën kur kanë shkuar që ta falin namazin e sabahut kanë vërejtur se mungon një pajisje elektrike, zmadhues i zërit në vlerë prej 600 euro, transmeton lajmi.net.
Rasti nga personat përgjegjës të kësaj xhamie është paraqitur edhe në Policinë e Kosovës.
E këta të fundit kanë konfirmuar rastin e vjedhjes në këtë xhami.
Flora Ahmeti zëdhënëse e Policisë së Kosovës, për rajonin e Prishtinës, ka konfirmuar vjedhjen në xhami.
“Sot rreth orës 7:15 kemi marr informatën për një vjedhje në një xhami në fshatin Zabel i Ultë, komuna e Drenasit. Njësit kanë dalë në vendin e ngjarjes, janë duke u marr me rastin, i cili është cilësuar si vjedhje e rëndë. Rasti është në hetime”, ka thënë ajo.
Ky nuk është rasti i vetëm i vjedhjes në këtë xhami. Siç tregojnë xhematlinjtë e kësaj xhamie, në 3- 4 vitet e fundit në këtë xhami kanë ndodhur mbi dhjetëra raste të vjedhjes, ku janë vjedhur pajisje elektronike dhe para të grumbulluara për mirëmbajtën xhamisë. Vlera e dëmeve llogaritet të jetë afër 2.000 euro.
Por, edhe pse sipas udhëheqësve të xhamisë, rastet e vjedhjeve janë paraqitur në Polici, ata që po kryejnë këto veprime nuk janë gjetur e as pajisjet e vjedhura. Sipas tyre vetëm në një rast një person ka dalë para gjykatës, i cili është liruar me arsyetimin se ka qenë i mitur.