Ibrahim Repishti është një personalitet i shquar i jetës qytetare, politike, shoqërore e fetare në Shkodër.
Nga një vështrim përgjithësues i jetës dhe i veprimtarisë së Hafiz Ibrahim Repishtit dallohen qartë dhe prerazi dy periudha:
Njëra është e ngjeshur me përpjekjet të shumta atdhetare, ushtarake, politike e shoqërore, gjatë së cilës Hafiz Ibrahim Repishti luan një rol tepër aktiv në luftë për mbrojtjen e atdheut kundër sulmeve sllave, në luftë për interesat kombëtare, në përpjekjet për themelimet e shtetit të ri shqiptar dhe të institucioneve të tij demokratike. Në këtë etapë të jetës ai është demokratë konsekuent, ku idetë e tij filozofike e fetare i shkrin në një me interesat kombëtare dhe demokratizimin e shoqërisë shqiptare.
Tjetra, periudha e dytë e veprimtarisë së tij mbas një vrulli djaloshar e burrëror për t’u tërhequr në një shteg jete më të shtruar, ndoshta më kuptimplotë, që lidhej drejtpërsëdrejti me idealet e përgatitjen e tij në udhën e edukimit të njerëzve me moralin e lartë islam, me fjalën e madhërueshme të Kur’anit famëlartë e të traditës profetike. E gjithë përgatitja e tij, dituria e tij, përvoja e tij e pasur tashmë drejtohet në këtë objektiv, në përhapjen e besimit islam në banorët e lagjes së vet. E në këtë fushë veprimtarie gjeti prehjen e kënaqësinë e tij shpirtërore, aq sa u bë shembull i rrallë devotshmërie dhe edukate për të gjithë.
Hafiz Ibrahim Repishti ka lindur në Shkodër në vitin 1882.
Familja e tij merrej me tregti dhe gëzonte një nderim të veçantë mes gjithë atyre familjeve të asaj lagjeje të nderuar. Kur çetat vullnetare niseshin për luftë për mbrojtjen e Plavës, Gucisë, Hotit e Grudës, Haxhi Jusuf Repishti, babai i Hafiz Ibrahimit, do të luante një rol me rëndësi në këtë periudhë heroike të lëvizjes popullore.
Ai do të nënshkruante memorandumin e 13 qershorit 1878, dërguar Kongresit të Berlinit për mbrojtjen e tokave shqiptare e jo vetëm kaq, por Haxhi Jusuf Repishti ishte zgjedhur Kryetar i Komisionit për financimin e forcave të Lidhjes për Shkodrën.
Duke ndjekur traditën e familjes, të babait të vet, Ibrahim Repishti që në fëmijëri merr një edukatë të shëndoshtë fetare, ndjek mejtepin e njohur të lagjes dhe pastaj vazhdon studimet në Medresenë e Pazarit.
Në vitin 1907 me shpenzimet e veta shkon në Stamboll për të ndjekur studimet e larta teologjike, duke u kualifikuar për të drejtën kanonike islame, shkencën e Sheriatit. U kthye në Shkodër në verën e vitit 1912.
Hafiz Ibrahim Repishti fillon të marrë pjesë gjallërisht në jetën politike të Shkodrës. Janë kohë të vështira për Atdheun dhe ai, duke ndjekur traditën e të parëve, është i lidhur me problemet që shqetësojnë vendin dhe çështjet e Atdheut i vë në një peshë me ato të fesë.
Gjatë Luftës Ballkanike Shkodra bëhet përsëri pre e sulmeve të shteteve fqinje, edhe në Luftën e Parë Botërore bëhet qendër e Komandës së Lartë të trupave pushtuese austriake.
Pushtuesi austriak filloi të marrë masa ekonomike shtrënguese ndaj popullsisë vendase e në raste të veçanta edhe përndjekje politike e ndëshkime të rrepta ndaj kundërshtarëve të vet. Mes shumë masave, më tepër bëri përshtypje rekrutimi ushtarak e stërvitja e djemve shqiptarë për t’i dërguar në luftë për mbrojtjen e kufijve të shtetit austro-hungarez.
Popullsia myslimane e Shkodrës nuk pranoi t’i bindej atij urdhri që të derdhesh gjaku i bijve të vet për në frontin e Austrisë. Paria myslimane e qytetit duke mos përfillë urdhrat ushtarake që në kohë lufte ndalojnë çdo mbledhje me karakter politik, pa leje me datën 15 prill 1916 mblidhet në Xhaminë Plakë për të formulue nji peticion , që të ndalonte masat arbitrare.
Me mbarimin e luftës Hafiz Ibrahim Repishti angazhohet në veprimtarinë arsimore. Drejtoria e Arsimit të Shkodrës me shkresën nr. 570/II e njofton Përlimtaren e qytetit të Shkodrës me datën 26 shtator 1919 se Këshilli Arsimor me shkresën e datës 18 shtator ka vendosur për kryetar të tij Hafiz Ibrahim Repishtin. Shkresa është firmosur nga Drejtori i Arsimit të Shkodrës, Gaspër Beltoja.
Si Kryetar i këshillit arsimor ai do të luaj një rol me rëndësi për arsimimin e bijve të qytetit tonë, sidomos në lagjet e banuara me popullsi të besimit mysliman. Një rëndësi e veçantë i kushton edhe mësimit të besimit në shkollat e shtetit. Në arkivin e Muzeut Historik të Shkodrës ka një dokumentacion të pasur lidhur me këtë problem. Sidoqoftë duhet theksuar se ndërtesa e re e mejtepit, sot kopshti i Dudasit, është vepër e ngritur me kujdesin direkt të Hafiz Ibrahim Repishtit.
Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore dhe krijimin e Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës ai përkrahë dhe solidarizohet me kërkesat e udhëheqësve kosovarë. Disa nga mbledhjet e Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës janë mbajtur në shtëpinë e tij.
Hafiz Ibrahim Repishti trashëgoi bibliotekën nga i ati, duke e bërë një nga më të mirat në qytet. Aty ka pasur libra të rrallë, me shumë vlerë. Qindra e qindra libra teologjikë e të diturive të tjera radhiteshin hijshëm. Aty vinin të gjitha botimet që dilnin në gjuhën shqipe.
Në luftën politike të viteve 1920- 1924 Hafiz Ibrahim Repishti zë një vend nderi. Ai u radhit me vendosmëri në opozitën demokratike, duke qenë një nga figurat kryesore të luftës politiket kohës e një nga përkrahësit e flaktë të mendimit e të veprimit demokratik më të përparuar. Në votimet e dhjetorit 1923 Hafiz Ibrahim Repishti zgjidhet përfaqësues i qytetit të Shkodrës.
Gjatë qëndrimit të tij në Parlament ka kryer funksionet e Nënkryetarit të Komisionit Parlamentar për jurisprudencën dhe të Komisionit Parlamentar për arsimin. Me ardhjen e Zogut, 24 dhjetor 1924, e tërë familja e Hafiz Ibrahimit u detyrua të largohej nga qyteti, për t’iu shmangur përndjekjeve. Vetë Hafizi u detyrua të hidhej në ilegalitet për 9 muaj dhe në vend të tij u arrestua i vëllai, Jonuz Repishti, që kishte dhënë kontribut të madh në jetën politike në Shkodër, si në Luftën e Koplikut, ashtu edhe në organizimin e mbarëvajtjes së Bashkisë së Shkodrës, anëtar i së cilës kishte qenë për shumë kohë. Mbas amnistisë së përgjithshme u kthye pranë familjes dhe u largua definitivisht nga jeta politike. Megjithatë, gjatë vitit 1928 ai u internua në qytetin e Kavajës si armik i regjimit monarkist, ku qëndroi për 8 muaj.
Prej vitit 1925 deri në vitin 1943 ka shërbyer si imam i xhamisë së Dudasit. Gjatë kësaj periudhe u shqua si një teolog dhe hoxhë i nderuar prej të gjithëve. Tashmë ai i përkushtohet një fushe tjetër, asaj të fesë islame, edukimit të banorëve të lagjes me besimin në Zotin e Madhërueshëm, me moralin e lartë islam. Në shtëpinë e vet studion e thellon kulturën fetare e shkencore në sajë të bibliotekës së ngritur me aq kujdes që vitet e studimeve universitare. Fliste mirë turqishten dhe arabishten dhe lexonte mirë persishten dhe frëngjishten. Që në kohën e studimeve në Stamboll i ishte vënë studimit të shqipes nga kolegët shqiptarë të kryeqytetit turk.
Hafiz Ibrahim Repishti më në fund ra viktimë e terrorit fashist italian. Mbas kësaj goditjeje Hafiz Ibrahim Repishti vdiq mbas dy javësh, me 29 shtator 1943.
Varrimi i tij qe një funeral madhështor, qindra hoxhallarë miq e shokë të tij i falën xhenazen. Në varrezat e lagjes “Dudas” pushonte trupi i tij. Këta varre u shkatërruan plotësisht gjatë regjimit komunist. E me këtë rast humbën varret e sa burrave të nderuar të Shkodrës.
Islam Dizdari