Hafiz Ymer Shemsedini

Hafiz Ymer Shemsedini – mësues i gjuhës shqipe, i Islamit dhe i atdhetarizmit në Kosovë e më gjerë

Abstrakt

Hafiz Ymeri i Kosovës është një nga ata personalitete të shquara shqiptare që shkriu në një mbrojtjen e fesë islame, mbrojtjen e gjuhës shqipe, luftën për liri, luftën kundër denacionalizimit të Kosovës, dhe propagandën e veprimtarinë kundër shpërnguljes së shqiptarëve. Ai ishte imam, por ishte edhe mësues i mirëfilltë i shqipes, sepse hapi shkollë shqipe të drejtpërdrejtë në fshatin Sazli, për të cilën, pas tri javësh provoi edhe zinxhirët e burgut bullgar, por, mbeti mësues i shqipes, i fesë islame dhe i atdhetarizmit në drejtimet e tjera që do t’i parashtrojmë më poshtë.
Jeta e Hafiz Ymerit përveç detyrës së tij në xhaminë e emëruar të Talinocit si imam, së cilës iu përkushtua aty dhe kudo ku shërbeu me xhematin e tij e më gjerë, është e ngarkuar me veprimtari arsimore me të vegjël e të mëdhenj, duke shfrytëzuar hapësirat e mundshme si mësues i gjuhës shqipe, në mënyrë të organizuar, si poet me ndjenja të theksuara atdhetarie, si veprimtar i paepur i çështjes kombëtare.
Formimi i tij si atdhetar vjen e rritet nga shqetësimi për copëtimin e keqtrajtimin e bashkatdhetarëve të shpërndarë, sa me serbët, sa me bullgarët, sa një krah e në një tjetër. Situata denigruese nga pushtuesit e mjedisit ku jetoi Hafiz Ymer Shemsedini, u përballua me dinjitet prej tij, me mbështetjen që pati dhe me ndikimin e drejtpërdrejtë jo vetëm nga daja, Haxhi Pllana, personalitet i nderuar në Prishtinë e më gjerë, por edhe nga kontakti i vazhdueshëm me Haxhi Mulla Ahmet Markoçin e Prishtinës, atdhetar, pedagog i shquar i Medresesë. Shemsedini karakterizohej nga një vullnet titanik për studime, kryesisht si autodidakt me objektiva të qarta personale, për të arritur në nivelin e hafizit, deri sa arriti të mbrojë këtë titull të nderuar publikisht, çka përbën një ballafaqim të hapur të nivelit të tij me kërkesat e arritjes së standardit për këtë titull. Ne mbrojtjen që bëri publikisht për t’u bere hafiz, në Xhaminë e Boshnjakëve, ishte në komision edhe Shaban Sheqeri -Vata, që më vonë do të shpallet profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Veprimtaria pedagogjike e Hafiz Ymerit, ashtu edhe ajo e fushës së krijimtarisë letrare, është studiuar nga Dr. Muhamet Pirraku, duke na dhënë një pamje të mirë të portretit të tij atdhetar e pedagogjik në dobi të Kombit Shqiptar, e cila meriton një studim edhe më të plotë. Edhe Prof. dr. Hajrullah Koliqi, në veprën e tij madhore “Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar”, Prishtinë 2013, botim i dytë, i kushton një vend të veçantë këtij personaliteti, duke nënvizuar mes të tjerash se Hafiz Shemsedini bashkëpunoi me Mulla Rexhep Krasniqin, me mësuesin shëtitës Vesel Pagarusha, me Mulla Rexhep Shalën etj, në disa drejtime të dobishme atdhetare, por ne po nënvizojmë me shkas në këto përvjetorë të lindjes dhe të ndërrimit të jetës disa drejtime me karakteristike:

Si mësues i mirëfilltë i gjuhës dhe i shkollës shqipe

Dihet që në periudhën e pushtimit austro-hungarez, për arsye të njohura të strategjisë së pushtuesit, si kundërvënie e synimeve sllave, italiane e greke, por edhe për të forcuar më tej edhe ndikimet e veta, atdhetaret tanë e shfrytëzuan me mjeshtëri këtë konjukturë të favorshme për përhapjen e zhvillimin e shkollave shqipe në hapësirën shqiptare,duke qenë edhe atëherë e sot, mirënjohës Austrisë, për ndihmën që dhanë jo vetëm në lejimin e shkollave shqipe, por në shumë raste edhe në mbështetjen e tyre financiare, etj. Veprimtaria aktive e Luigj Gurakuqit, Mati Logorecit, Sotir Peçit, e mësuesve të tjerë atdhetarë, u ndje me rrezatim të dukshëm në disa zona të pushtimit austro-hungarez, ku u hapën disa dhjetëra shkolla në gjuhën shqipe. U këmbëngul që të zbatohej një tolerancë e plotë fetare, duke lejuar zhvillimin e fesë si lëndë më vete e me mësues të veçantë. U respektuan e u shpallën ditë pushimi të gjitha festat fetare, pavarësisht nga besimet. U bënë përpjekje për vëllazërimin e shqiptarëve me besime të ndryshme. Përpjekja për njësimin e gjuhës shqipe nga Komisia Letrare, me një veprimtari të gjerë në botime tekstesh shkollore, në përpjekje për pastrimin e gjuhës shqipe nga fjalët e huaja e të panevojshme dhe në pasurimin e saj me fjalë e frazeologji të re shqipe e materiale të tjera në gjuhën amtare, ndonëse në një terren të kufizuar, të pushtimit austro-hungarez, pati ndikim edhe frymëzim, gjithashtu, edhe pse në rrethana të tjera, për zhvillimin e kësaj përvoje edhe në hapësirat shqiptare, sidomos në Kosovë.[1] Kjo situatë ndikoi edhe si nxitje nga morën frymëzim edhe të tjerë mësues e teologë atdhetarë përtej kufijve të copëtuar. Kjo erë e mirë për arsimin u ndje shpejt nga Hafiz Ymeri, dhe tek mësues e teologë të tjerë shqiptarë në Kosovë, i cili shpejtoi ta përqafojë duke hapur shkollën shqipe në Sazli, por, i ndodhur jashtë territorit të zyrtarizuar për hapjen e shkollave shqipe, ndeshi në dhunën bullgare, sllave dhe vuajti në prangat e burgut të tyre. Ishte ndërhyrja e Haxhi Pllanës, që Hafiz Ymeri të mos qëndronte gjatë në burgun e Ferizajt.
Në fund të viteve ‘20 u emërua imam nëxhaminë e Talinocit, ku vinin besimtarë nga Sazlia, Biba, Pojatishta, Softoviqi, Papazi, etj, tek të cilët u ngjall edhe më tepër vlerësimi e interesimi për mësimin e rinisë në gjuhën shqipe. Xhemati i tij ishte shumë aktiv në veprimtarinë politike e kulturore, duke i kushtuar rëndësi edhe arsimit të rinisë në gjuhën shqipe ilegalisht, nën ombrellën e mejtepit zyrtar, që funksiononte legalisht. Në vitin 1934 xhemati i Sazlisë dhe i fshatrave të tjerë përreth, i ngritën një dhomë për mejtep që të mësonin fëmijët djem e vajza, i cili do ta vazhdojë funksionimin e vet deri në vitin 1941, kur do të shpartallohej Jugosllavia versajase. Ndonëse ishte shkolle “turke-muslimane zyrtare”, mejtepi i Sazlisë përgatiti kuadro për veprimtari kulturore e kombëtare të gjithanshme. Atje, krahas shkrim leximit arabo-osman, pjesës më të madhe të nxënësve të vullnetshëm, Hafizi ua mësoi edhe shkrim leximin në gjuhën shqipe, kurse krahas mësimeve fetare, zhvilloi edhe njohuri mësimore nga dijenitë e shkencave natyrore e historike. Mejtepi i Hafiz Ymerit i dha produktet e veta të rëndësishme, sepse përgatiti kuadër të aftë për administrator dhe vazhdues të punës në shkolla shqipe, të cilët vlejtën aq shumë për periudhën eLuftës së Dytë Botërore[2], kur në disa vise të hapësirës shqiptare, u hapën kurse dhe shkolla shqipe, si dhe administratë shqiptare.
Në vitin 1937 ishte një ndër bashkëpunëtorët e shoqatës “Drita”, me Mulla Rexhep Krasniqin, me mësuesin shëtitës Vesel Pagarusha dhe Mulla Arif Shalën.
Nëpërmjet lidhjeve që kishte me shqiptarët në Shkup, ai siguronte libra shqip për shkollat në gjuhën shqipe, si dhe për lëndë të tjera, libra letrarë, historikë, etj.
Ai ishte mësues edhe me veprën e tij letrare e kombëtare. Punoi me nxënësit e tij dhe me të rriturit për mësimin e shkrim leximin në gjuhën shqipe me alfabetin latin të vendosur në Kongresin e Manastirit.
Edhe pse në disa zona ishte koha e ndalimit të gjuhës e letërsisë shqipe, Hafizi nuk u frikësua. Mësimet kuranore i shkroi në gjuhën e popullit, të kuptueshme e të qartë. U mbajtën ligjërata në bazë të shkrimeve të përdorura si doracakë shkollor.
Pushteti jugosllav nuk kishte besim në myftinjtë e imamët shqiptarë, të cilët kishin një shtrirje të gjerë me 50 myfti e 600 imamë shqiptarë në Kosovën e vitit 1923, edhe pse shumica e tyre nuk e zotëronin gjuhën serbe i trajtonte me idenë se “të gjithë janë të edukuar në frymën armiqësore ndaj shtetit tonë”[3]. Prandaj më vonë i mbyllën të gjitha mejtepet, duke lejuar një medrese, ndërsa në shkolla vendosi të zhvillohej lënda e mësimit të besimit.
Hafizi ishte i njohur njëkohësishtedhe si një ndër rapsodët e instrumentistët më të shquar të Kosovës së viteve 20-30 të shekullit XX. Në festa e ngjarje të shënuara, Hafiz Ymeri me çiftelinë e tij këndonte këngë atdhetarie, historike të krahinës e mbarë viseve shqiptare. I këndoi akteve të trimërisë, plagës së mërgimit, duke vënë në melodi edhe vargje të poezive dhe të poemës së tij “ Nazim Gafurri”, duke krijuar emocione te dëgjuesit e shumtë, të cilat ndikonin dukshëm në ndjenjat e tyre atdhedashëse, në zgjimin e konsolidimin e tyre.
Vepra e tij, poema “Nazim Gafurri”, është nga më të njohurat krijime letraro -historiografike në Kosovën e mes dy luftërave botërore. Studiuesi i njohur Muhamet Pirraku e ka quajtur këtë personazh, në një artikull të botuar në “Dituria Islame” në Prishtinë, pikërisht në vitet 1990, vit tronditjesh të forta politike, “Shëmbëlltyrë e ndritshme e historisë kombëtare shqiptare”.
Së dyti, motivet atdhetare ishin frymëzimi parësor i Hafiz Ymerit. Të mbrosh fenë islame, për kohën e poetit, ishte luftë për Kombin Shqiptar[4], ta mbrosh gjuhën shqipe ishte heroizëm kombëtar, të përpiqesh për lirinë, ta ndihmosh rezistencën shqiptare kundër denacionalizimit të Kosovës, kundër shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e veta, siç synonin serbët, luftë atdhedashëse, ishte sakrificë dhe heroizëm kombëtar. Në krijimtarinë e tij letrare,që zuri vend edhe në brendinë e shkollave të kohës, bashkëpunoi shumë ngushtë me Rizah Strelin.
Rapsodi Rizah Streli, krijues i talentuar i shkollës së Hafiz Ymerit dhe Mulla Vejsel Xhelaudin Gutës, e shoqëroi shumë herë. Ai shkroi vargje kushtuar Hafiz Ymerit:
“T’falem nderës Hafiz i jonë,
Gjith rinis i ke ndihmue,
Gjith kur folshim për guhë tonë,
fjaltë e tona i ke forcue…”
Në mejtepet ku jepte mësim Hafiz Ymeri në mes të dy luftërave botërore, përkraheshin dy sistemet e shkrimit për shqipen, shkrimi arab për lëndët mësimore fetare dhe shkrimi latin për lëndët shoqërore, gjithnjë kjo e dyta zhvillohej ilegalisht, nën ombrellën e shkollës fetare.
Hafiz Ymeri vazhdonte të punonte me përkushtim për Shqipërinë e plotë dhe nuk u josh asnjëherë ndaj synimeve ideologjike sllave e të tjera, aq shumë të interesuara për copëtimin dhe shkombëtarizimin shqiptar. Ai kishte për ideal Shqipërinë etnike dhe nuk u pajtua asnjëherë me lëshimet as koncensionet ideologjike. Vdiq në moshën 50 vjeçare, në vitin 1945.[5]
Hafiz Shemsedini ka hyrë me dinjitet në radhët e teologëve më të shquar shqiptar në Historinë e Arsimit e të Shkollës Shqipe, që, krahas detyrës fetare, ka kryer me përkushtim të veçantë edhe detyrën atdhetare të ushtrimit e të mësuarit në brezat e rij, në kushte terrori të egër e gjenocidi barbar të gjuhës e leximit shqip, si themele të etnisë, identitetit tonë për brezat e rinj, duke përdorur me mjeshtëri edhe artin muzikor kombëtar, që ndikoi aq shumë në emocionet e nxënësve dhe të rriturve, në krijimin e konsolidimin e ndjesive, bindjeve atdhetare te bashkatdhetarët e vet.
Shënime për jetën
Hafiz Ymeri ka lindur në Prishtinë më 1895 në një familje hoxhallarësh. Babai, Shemsedini ishte imam në një xhami të Prishtinës, i cili shquhej për ligjëratat që mbante para nxënësve në mejtep, derisa vdiq në vitin 1903. I mbetur jetim, Ymeri u rrit dhe u edukua nga daja Haxhi Pllana, hoxhë me një autoritet të madh në popull dhe në organet shtetërore. Daja u bë mësuesi kryesor i nipit, duke e bërë të interesuar për njohuri të thelluara filozofike e islame, dhe e formoi me ndjenja e edukatë humane dhe atdhetare. Hafiz Ymeri mësoi mirë shkrim e lexim shqip me alfabetin e Manastirit dhe u njoh mirë me letërsinë e Rilindjes sonë Kombëtare. Ishte autodidakt. Studiues serioz icili doli para komisioneve si imam. Në jetën familjare përjetoi vuajtje të pandërprera, i vdiqën fëmijët, etj. Vdiq 70 vjet më parë, në maj 1945, i ndjekur nga reaksioni serb, i dashur dhe i respektuar nga populli.


__________________________
[1]. Prof. as. dr. Ilir Kanini: “Arsimi në Shqipëri në vitet e Luftës I-rë Botërore, f. 28.
[2] . Dr. Liman Rushiti: Informacione të mbledhura në Sasli, Mejtepi i Hafiz Ymerit, Sasli, 24-3-1978.
[3]. Prof. dr. Hajrullah Koliqi: “Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar”, Prishtinë, 2013, f. 401.
[4]. Mbështetur në studimin e dr. Muhamet Pirrakut, botuar në Drita Islame, Prishtinë, 1992.
[5]. Musa Kraja, “Mësuesit Për Kombin Shqiptar”, Toena, 1993, f. 369- 371, dhe 456.



Prof. dr. Musa Kraja


Artikulli radhës
Imam Raif Shaban Latifi

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?