Recension për librin “Komentimi i sures Jasin” të Sabri Bajgorës

"Komentimi i sures Jasin” është një libër i veçantë, si për nga struktura e vet, ashtu edhe për nga qasja. Pena e dëshmuar prej vitesh e prof.Sabri Bajgorës këtë herë vjen edhe më e fuqishme, duke prezantuar gjetje të reja të trajtimit të njërës prej kaptinave më të njohura të Kuranit famëlartë. Nëse jo vetëm për këto arsye, ky libër ia vlen të lexohet edhe për faktin se është libri më i plotë i bërë gjer tani për kaptinën Jasin në gjuhën shqipe.

Jo të gjithë që shkruajnë dinë të shkruajnë. Të shkruajnë dinë vetëm ata që kanë zemër dhe guxim, sepse fjala lind vetëm nga zemra, ndërsa zemra e paguxim shuhet shpejt. Ja pse ata që shkruajnë jetojnë më gjatë se çdo njeri tjetër: politikan apo pushtetar. (Edhe ne i mbajmë mend shumë dijetarë e shkrimtarë që kanë vdekur para shumë dekadash e shekujsh, por jo edhe politikanët e sundimtarët e kohës së tyre). Ndërsa shkrimit si proces, para guximit, i paraprin leximi. Një lexim i ngadaltë dhe i kujdesshëm e didaktik. Vetëm ata që lexojnë në këtë mënyrë kanë guximin të shkruajnë. Ndërsa ajo që e shkruajnë jo gjithmonë është shumë, por gjithmonë peshon shumë. Apo thënë ndryshe (duke cituar - Plinin): "Duhet të thuash shumë, e jo të flasësh shumë. Fjalët nuk duhet numëruar, por duhet peshuar."
E nisëm kësisoj për të përmbledhur personalitetin e autorit të librit “Komentimi i sures Jasin”, Sabri Bajgorës që është dëshmuar si hulumtues dhe penë e fuqishme dhe e arrirë, sidomos në dijen e komentimit të librit të shenjtë, Kuranit, pra në Tefsir.
Jo vetëm nga ky libër, por edhe nga shkrimet e mëparshme të autorit të lartcekur, mund ta kuptojmë se fjalët e shkruara kanë dalë vetëm pas shumë leximeve dhe meditimeve. Vetëm pas shumë leximeve të kujdesshme dhe meditimeve të gjata, që deomos kanë provokuar shpirtin e këtij autori, pra ka lindur shkrimi i tij për gjithë atë që e ka preokupuar nga ai lexim dhe meditim. Ndërsa, kur është fjala për suren Jasin, që për universalizmin e saj rri para shumë sureve tjera të Kuranit famëlartë, leximi dhe meditimi për porositë e kësaj sureje nuk ka të numëruar. Në parathënien e librit në fjalë edhe vetë autori e thotë se: ndër suret të cilat më së shumti i është lidhur zemra përgjatë këtyre viteve ka qenë pikërisht sureja Jasin. Ndërsa studimin e saj dhe shkrimin për të, në formë më të shkurtër, e ka bërë para 7-8 viteve, në faqet e revistës "Dituria Islame".
Libri "Komentimi i sures Jasin" është strukturuar në tetë kapituj themelorë: 1. Karakteristikat e sures jasin; 2. Të vërtetat e besimit karshi armiqësisë së kufrit (ajetet 1-12); 3. Tregimi i banorëve të vendit që u ndëshkuan (ajetet 13-32); 4. Disa argumente të manifestimít të fuqisë së Allahut (ajetet 33-44); 5. Verbëria e jobesimtarëve dhe mohimi i ringjalljes (ajetet 45-54); 6. Shpërblimi i të devotshmëve dhe ndëshkimi i kriminelëve (ajetet 55-68);
7. Argumentet e pejgamberisë dhe njëshmëria e Allahut (ajetet 69-83) dhe; 8. Argumenti i pakontestueshëm për ringjalljen (ajetet 77-83). Kjo është struktura formale e librit, ndërsa struktura tematike e tij është e ndarë në dy pjesë: pjesa e parë përfshin komentimin e sures, ndërsa pjesa e dytë përfshin informacionet shtesë të sures Jasin, siç janë: karakteristikat, emërtimi i sures, vlera, lidhshmëria e saj me suren paraprake, shkaqet e zbritjes së citateve etj.
Vetë ndarja e shtatë pjesëve të komentimit dhe një pjesë tjetër të informacionit mbi suren, përkatësisht ajetet, si dhe e tematizimit të secilës pjesë me tituj përshkrues e tematikë, përgjithësisht nënkupton origjinalitetin e këtij libri.
Pra, ky libër, përveçse na vjen si libër shpjegues për suren Jasin, njëkohësisht na vjen edhe si një hartë orientuese për jetën: kapitulli i parë (Të vërtetat e besimit karshi armiqësisë së kufrit), i zbërthyer na del si mesazh se besimi është i vërtetë, ndërsa kufri është armiku ynë.
E, si zakonisht që kërkohet shembulli, autori vazhdon komentimin e vazhdimit të sures Jasin, dhe, edhe në libër, menjëherë pas pikës së lartcekur paraqet shembullin (Tregimin e banorëve të vendit që u ndëshkuan). Kapitulli vijues, "Disa argumente të manifestimit të fuqisë së Allahut", si kur na tregon se ndëshkimi i banorëve të popullit që pësoi ndëshkimin është nga fuqia e Allahut, dhe se çdo ikje nga kjo vijë e drejtë do të pasojë me ndëshkim, prandaj edhe janë përmendur argumentet e manifestimit të fuqisë së Allahut. Mirëpo, pavarësisht paraqitjes së argumenteve, prapë ka njerëz që nuk besojnë: kanë sy por nuk shohin. Për këtë arsye autori Sabri Bajgora kapitullin vijues e titullon "Verbëria e jobesimtarëve dhe mohimi i ringjalljes”. Ndërsa, se çfarë do të ngjajë më pas, me jobesimtarët dhe besimtarët, e tregon titulli i kapitullit vijues: "Shpërblimi i të devotshmëve dhe ndëshkimi i kriminelëve". Për të na orientuar në jetën tonë, Allahu ka dërguar pejgamberë të shumtë, mirëpo atyre prapë nuk u besuan shumë prej njerëzve. Paraqitjen e shumë argumenteve të pejgamberisë dhe njëshmërisë së Allahut autori Sabri Bajrgora e veçon në një kapitull të veçantë, ndërsa “Argumenti i pakontestueshëm për ringjalljen” është kapitulli përmbyllës i këtij libri, që njëherit edhe shënon pikëndalesën apo destinacionin që orienton kjo sure, përkatësisht harta/ libri i Sabri Bajgorës.
Kjo është edhe metoda që autori Sabri Bajgora ka përzgjedhur. Madje, ai edhe vetë e thotë se metoda e ndjekur për komentimin e librit Kuranit, gjatë komentimit të kësaj sureje të bekuar është ajo të cilën e preferojnë dhe e përdorin shumica e mufesirëve bashkëkohorë.
E veçantë tjetër e këtij libri është se për çdo pjesë autori ka përmbledhur porosinë e ajeteve që ka komentuar, duke ia lehtësuar secilit lexues të kuptuarit e librit, por edhe të vetë sures Jasin.
"Gjatë komentimit të një grupi ajetesh, së pari i jam qasur lidhshmërisë së atyre ajeteve me ato paraprake, për të vazhduar me shkaqet e zbritjes së tyre, në rast se ka shkak të zbritjes, dhe pastaj e kam filluar komentimin, i cili mund të konsiderohet si një gërshetim i komentimit tradicional dhe atij racional, të pranuar", thotë vetë autori Sabri Bajgora.
Në 233 faqet e këtij libri, jo vetëm prezantues të sures Jasin, lexuesi nuk do të gjejë vetëm komentimin e ajeteve të sures me ajete kuranore, por edhe me hadithe e fjalë të sahabëve, gjë që komentimin do ta bëjë edhe më të plotë, ndërsa gjithsesi se do ta nxjerrë në pah edhe dijen e thellë të autorit për Kuranin dhe suren Jasin.
Veçanërisht, një vlerë të madhe këtij libri ia shton edhe nënkapitull "Vlera e sures Jasin", në të cilin autori ka përmbledhur një varg hadithesh që tregojnë vlerën e madhe që ka sureja Jasin.
Ndoshta arsyetimi i autorit se ndër suret me të cilat më së shumti i është lidhur zemra përgjatë viteve ka qenë pikërisht sureja Jasin, ka një logjikë profetike, pasi edhe në hadithe të Muhamedit a.s. transmetohet se Jasini ka një logjikë zemre. Enesi r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Çdo gjë ka zemër, e zemra e Kuranit është Jasini."
Sidoqoftë, pena e kryeimamit të Kosovës, Sabri ef. Bajgorës, veçse është e njohur në letrat shqipe, qoftë si përkthyes; së fundmi me përkthimin e disa pjesëve nga libri “Fragmente nga jeta e sahabëve", pastaj me përkthimin e plotë të librit “Të dërguarit e Allahut" të Ahmed Bexhet etj., qoftë si autor, me shkrimet e vazhdueshme në revistën e përmuajshme "Dituria Islame".
Në fund, duke rikujtuar se Jasini është sureja që, nëse lexohet me bindje dhe vullnet të arritjes së kënaqësisë së Allahut, pra na e mundëson arritjen e sukseseve dhe faljen e mëkateve, rikujtojmë dhe porosisim që libri "Komentimi i sures Jasin” është një libër i veçantë, si për nga struktura e vet, ashtu edhe për nga qasja. E nëse jo vetëm për këto arsye, ky libër ia vlen të lexohet edhe për faktin se është libri më i plotë i bërë gjer tani për kaptinën Jasin në gjuhën shqipe, ndërsa botimi i këtij libri nga shtëpia botuese "Dituria Islame" po që e begatoi bibliotekën e saj dhe të çdo lexuesi dhe studiuesi të shkencave islame dhe jo vetëm.
Në Fund të fundit, ky recension për këtë libër le të mbetet si një (rikujtesë për ta shfletuar këtë libër dhe suren Jasin, për secilin që i rastis ta shohë, pasi vërtet dituria nuk është tjetër gjë pos (ri)kujtesë, siç ka thënë Platoni.


______________________
1. Sabri Bajgora, Komentimi i sures Jasin. Dituria Islame, Prishtinë, 2014, f. 8.
2. Po aty, f. 8.
3. Po aty, f. 8.
4. Po at f. 8.
5. Transmeton Tirmidhiu (Hadithi 2812); Shih: Suneni i Darimiut, Rijad 2000, vëll. IV. f. 2149 -Fedailu-l Kur'an, Kapitulli 21 - "Rreth vlerës së Jasinit. hadithi nr. (3459;Shih: Tefsir lbn Kethir, Kuvajt, 1998, vëll. III, f. 737,
6. Ekrem Muretzai, Leksikon i sentencave, citateve, sintagmave dhe proverbave latine, ASHAK, 2008, Prishtinë, f. 386.


Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi