Toleranca fetare dhe bashkëpunimi ndërfetar

Toleranca dhe dialogu mes popujve dhe shoqërive me diversitete të ndryshme kulturore dhe fetare është në të vërtetë synim dhe sfidë për të gjitha shoqëritë e rajonit të Ballkanit, por edhe më gjerë. Trajtimi i temave me përmbajtje të tilla orienton dhe ndihmon në avancimin dhe kultivimin e vlerave tolerante, paqësore dhe të dialogut në shoqërinë tonë multikonfensionale në Kosovë.

Angazhimi i bashkësive fetare, angazhimi i institucioneve të larta akademike-shkencore, angazhimi i prijësve fetarë, si dhe angazhimi i studentëve, nxënësve dhe i të rinjve fetarë në zhvillimin e proceseve të dialogut ndërfetar, politik, integrues dhe paqendërtues, mund të themi se është një vlerë më shumë për emancipimin e shoqërisë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajonin e Ballkanit dhe Evropës në përgjithësi.

Nuk ka dyshim se besimet fetare kërkojnë respektimin e të drejtave të njeriut dhe predikojnë barazi midis qenieve njerëzore. Ato hedhin poshtë çdo formë të diskriminimit racor, kulturor dhe fetar, duke bërë thirrje për lirinë e të gjithëve, pa imponim në fe dhe ndërhyrje në lirinë individuale të njerëzve.
Besimi islam. Se fe e shumicës së popullatës në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e këtij besimi, në vazhdimësi bëjnë thirrje për tolerancë, njohje, dialog dhe bashkëpunim reciprok ndërmjet komuniteteve fetare, për të rritur stabilitetin dhe për të garantuar paqen në Kosovë dhe rajon. Është e vërtetë se njerëzit janë krijuar të ndryshëm e për t'u njohur në mes vete, e jo për të treguar e shprehur urrejtje ndaj njëri-tjetrit. Këtë e thekson edhe Kurani, që në fillim të shpalljes së tij, kur thotë: "O njerëz, Ne ju kemi krijuar prej një mashkulli e një femre, dhe ju bëmë popuj dhe fise, që ta njihni njëri- tjetrin. Më fisniku tek Allahu është ai që më shumë e ka frikë Atë. Allahu me të vërtetë është shumë i Ditur dhe i informuar mirë.”
Nëse i analizojmë dhe i zbërthejmë mirë burimet kryesore të fesë islame, Kuranin dhe traditën profetike, do të shohim se që ty dy burimet, me format dhe rregullat e tyre, në mënyrë reale trajtojnë çështjen e dialogut ndërfetar, tolerancën, barazinë dhe bashkëjetesën ndërmjet besímtarëve me përkatësi të ndryshme fetare dhe kombëtare.

Kurani dhe liria e besimit

Në vazhdim do t'i citojmë disa ajete kuranore, ku theksohet qartë liria e besimit: "Në fe nuk ka dhunë" (El Bekare, 256). Ndërsa, në ajetin tjetër theksohet se zgjidhja përfundimtare e besimit është çështje personale: ”Thuaj: e vërteta është nga Zoti juaj, prandaj kush do le të besojë, e kush do le të mos besojë." (El Kehf, 29).
Koncepti paqësor ndaj besimeve tjera vërehet edhe në ajetin tjetër, në të cilin thuhet: "Ti këshillo, ti je vetëm këshillues. Ti ndaj tyre nuk je detyrues." (El Gashije, 21-22).
Muhamedi a.s., në shtetin islam, me ligje e kishte garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e pjesëtarëve të feve qiellore. Në një hadith të Pejgamberit a.s. thuhet: "Aí që mundon një hebre ose një të krishterë, në Ditën e Gjykimit mua do të më gjejë si paditës.” Kjo frymë e paqes dhe e tolerancës do të vazhdojë gjatë gjithë historisë së zhvillimit të kulturës dhe civilizimit islam. Islami gjatë historisë së tij, në gjirin e vet asnjëherë nuk ka pasur grupe inkuizicioni, dhe asnjëherë nuk ka pasur për qëllim ndërrimin me forcë të fesë së ndonjë populli. Edhe shoqëria jonë, nacionalitetet tona, pavarësisht bindjeve fetare dhe nacionale, duhet të kuptojnë njëherë e përgjithmonë se realiteti dhe fati, jo vetëm yni por i gjithë botës, është larmi bindjesh e besimesh. Ky është vullneti i Krijuesit të gjithësisë, dhe kush mund të marrë guximin të ngrihet kundër vullnetit të Tij!

Islami ofron vizionin e një jete tolerante dhe paqësore

Islami nga besimtarët e vet jo vetëm që kërkon dialog, bashkëpunim, mirëkuptim me pjesëtarët e feve tjera, por ai shkon edhe më larg, dhe nga bashkëpunimi reciprok kalon në shkallën e njohjes, që është shkalla më e lartë e tolerancës, dhe garanci për të drejta të barabarta mbarënjerëzore si vlera universale për bashkëjetesë.
Nëse fetë qiellore dhe besimin e vërtetë në Krijuesin e gjithësisë e trajtojmë në këtë dritë dhe e shikojmë në këtë prizëm, atëherë edhe pikët e përbashkëta ndërmjet hebraizmit, krishterimit dhe Islamit do të ishin më të mëdha. Në këtë rast do të nxirrej përfundimi se keqkuptimi dhe konfliktet kanë ardhur nga interpretimet e shtrembëruara, nga devijimet që u janë bërë shpalljeve dhe që po u bëhen edhe sot, e jo nga shpalljet burimore dhe nga pejgamberët e tyre. Mendojmë se bota sot, por edhe shoqëria jonë, ka nevojë që t'i shfrytëzojë energjitë pozitive fetare në zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve në rrugë paqësore nëpër shoqëri të ndryshme të botës, e veçmas në zgjidhjen e problemeve morale e shpirtërore të tyre.
Këtë e vërteton edhe fakti i pakontestuar se, sot bota posedon pasuri dhe të mira materiale më shumë se kurrnjëherë më parë, por aq sa të shtohen begatitë dhe të mirat materiale aq më shumë shtohet pasiguria dhe rrezikimi i paqes. Pra, gjykohet kështu ngase besimi i pastër dhe i sinqertë në Krijuesin e gjithësisë është i vetmi burim që te individi dhe shoqëria prodhon paqe, dhe atë pa ndërprerje, por edhe qetësi dhe stabilitet.
Lidhur me këtë, një citat kuranor thotë: "Ata që besuan, dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë, atyre u takon të jenë të sigurt, dhe ata janë në rrugë të drejtë". (El En'amë, 82).
Mbështetur në këtë premisë, Islami ofron vizionin e një jete tolerante dhe paqësore, ku duhet të mbretërojë ligji, drejtësia, rendi, paqja dhe harmonia në jetën shoqërore. Islami pra synon të rregullojë marrëdhëniet njeri-njeri, njeri-shoqëri, njeri-natyrë dhe njeri-Krijues.

Toleranca ndërfetare në Kosovë

Sa i përket tolerancës ndërfetare në Kosovë, këtu vlen të përmendim se, edhe pse populli shqiptar numerikisht është i vogël dhe i ndarë në tri konfesione e disa rite, historia nuk mban në mend të ketë ndodhur ndonjëherë konflikt fetar. Aq më tepër, ai gjatë historisë tregoi një tolerancë dhe respekt të paparë edhe ndaj religjioneve dhe objekteve sakrale të fqinjëve të tij, duke i ruajtur ato brez pas brezi.
Shqiptarët për shekuj me radhë i kanë ruajtur kishat ortodokse në Kosovë, si dhe familjet serbe kur ato kishin nevojë. Mjerisht, objektet fetare islame në Serbi, si dhe popullata myslimane atje, nuk patën të njëjtin fat. Beogradi në kohën e Perandorisë Osmane kishte afër 85 xhami, mesxhide, mejtepe e medrese, e sot ka vetëm një xhami.
Të njëjtën fatkeqësi objektet fetare islame e pësuan edhe gjatë agresionit të fundit serb në Kosovë. Vlen të përmendim se gjatë periudhës 28 shkurt 1998 - 20 qershor 1999, nga soldateska serbe u dogjën, u granatuan dhe u shkatërruan 218 xhami, nga 560 sa i kishte Kosova, disa prej të cilave me vlera të mëdha arkitektonike.
Edhe pse ne jemi të mendimit se konflikti serbo-shqiptar në Kosovë nuk kishte karakter fetar, pala serbe është përpjekur që simbolet fetare t'i përdorë për mobilizimin e forcave serbe, për pastrimin e territoreve ku jetonin shqiptarët, si dhe për zhdukjen e monumenteve kulturore të tyre, siç janë: xhamitë, minaret, mejtepet etj.
Me gjithë ato që kanë ndodhur në Kosovë, qoftë në të kaluarën e largët apo të afërt, shqiptarët si popull shumicë në Kosovë i janë kthyer ardhmërisë, dhe qetësisht janë të interesuar për stabilizimin e gjendjes në të.
Duke pasur parasysh rëndësinë që ka toleranca, dialogu dhe ndërtimi i paqes në Kosovë, si dhe rolin që mund ta kenë institucionet fetare në ndërtimin e paqes, Bashkësia Islame e Kosovës, institucionet e saja edukativo-arsimore dhe imamët anë e këndë vendit në vazhdimësi janë duke u angazhuar që me mësimet dhe predikimet e tyre të përçojnë mesazhet hyjnore që thërrasin për paqe, tolerancë, dashuri, respektim të tjetrit, e para së gjithash për falje e mirëkuptim.
Në vend të përfundimit dua të konkludoj se: "Për të qenë toleranca fetare e aplikueshme në shoqëritë multikonfesionale, dhe dialogu i arritshëm, duhet që të dy palët ta njohin më mirë njëra-tjetrën, si dhe t'i ndryshojnë gjykimet e mbetura nga e shkuara. Vetëm në këto kushte palët mund të kuptohen më mirë me njëra-tjetrën.
Për t'u krijuar mirëbesimi i thellë, dhe për t'u zhdukur çdo lloj dyshimi në mes palëve në dialog, duhet bërë një punë shumë më e madhe dhe një aktivitet shumë më i gjallë nga secila palë.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi