Libri "Të tjerët për Islamin", i autorit Ajni Sinani vjen si një përmbledhje faktesh e deklaratash të mendjeve më të shquara të njerëzimit për Islamin, Kuranin dhe Muhamedin a.s. Kur merret parasysh koha, ky libër i dalë tani shumëfishon vlerën e tij; në këtë kohë paragjykimi dhe keqinterpretimi i Islamit, Kuranit dhe Muhamedit a.s. është rritur shumë, prandaj përmbledhja e thënieve/dëshmive vlerësimdrejta të të urtëve gjatë gjithë historisë për Islamin, Kuranin dhe Muhamedin a.s. patjetër se përbën një punë që meriton respekt dhe përkushtim.
Nga të gjitha fetë, qofshin me bazë qiellore ose tokësore, Islami është më i përfoluri nga ata që s'janë pjesë e tij. Përderisa nuk ekziston ndonjë filozofi/ department i veçantë studimi për kulturën perëndimore, aksidentin, e kundërta, orientalizmi është mjaft i zhvilluar dhe i përkrahur nga thuajse çdo qark që vjen nga aksidenti dhe jo vetëm. Pra, paradoksalisht, përmbledhja e studimeve/gjykimeve për Islamin, Kuranin dhe jetën e Muhamedit a.s. nga perëndimorët dhe jo vetëm është kufizuar në një term që si i tillë përmbledh edhe kulturën hebreje dhe atë të krishtere, por që në fakt këto të dyja i përjashton përgjithësisht nga studimi gjykimi, dhe kështu si Orient e konsideron vetëm Islamin dhe kulturën arabe.
Pavarësisht shpjegimeve alegorike që kanë dhënë librat e shenjtë për qytetin e Jerusalemit, si pikëtakim gjenetik i tri feve, "shkenca" ka vlerësuar se studimet orientalistike përfshijnë vetëm atë që buron nga njëra fe, përkatësisht Islami. Ja pse sot kemi orientalizëm dhe jo oksidentalizëm; orientalist dhe jo oksidentalist ...
Megjithatë, që nga kontaktet e para që të tjerët patën me Islamin, Kuranin dhe historinë e jetës së pejgamberit Muhamed a.s., nuk munguan edhe opinionet dhe deklarimet publike. Të tre këta faktorë shtynë edhe mendjet më të shquara të thellohen mprehtësisht në esencën e këtyre tre faktorëve, për të reflektuar më në fund me një deklarim të hapur e respektues. E kundërta, mosthellimi në esencën e secilit element të sipërtheksuar ka reflektuar paragjykim dhe konstatim të gabuar. Prandaj, siç thekson edhe autori i librit me titull "Të tjerët për Islamin", përkatësisht edhe për Kur' anin dhe Muhamedin a.s." Ajni Sinani, në krejt literaturën e shumtë që është shkruar në Evropë rreth Muhamedit a.s., s'ka asnjë vepër ku është kritikuar dhe dëbuar fyerja dhe shpifja që është përhapur nga armiqtë e Islamit kundër personalitetit dhe mësimeve të Muhamedit a.s., fakt ky që edhe sot vërehet te jo pak persona dhe qarqe të caktuara që vazhdojnë me propagandë antiislame. Epo kush do ta përmblidhte të keqen e bërë? Vetë mungesa e një vepreje të tillë dëshmon për paragjykimet e shumta që të tjerët patën/kanë për Islamin dhe gjithë atë që lidhet me të.
Sidoqoftë, në raport krahasues me paragjykimet dhe vlerësimet e gabuara, mendjet e shquara dhe që qenë më objektive në gjykimet e tyre prijnë shumë më përpara, si nga aspekti kuantitativ ashtu edhe nga ai kualtiativ.
Qëndrimi admirues ndaj Islamit, Kuranit dhe Muhamedit a.s. i një numri të madh njerëzisht që qenë jo-myslimanë vetëm sa i ka nderuar emrat e tyre. Ndërsa përmbledhja dhe ndarja në shtatë kapituj e deklaratave të tyre përbën një punë shumë të rëndësishme për kulturën e letrave islamoshqipe.
Duke shfrytëzuar një shumësi burimesh me vlerë të çmuar, prononcimet admiruese të jomyslimanëve Ajni Sinani i ka ndarë në deklarata:
- Për Islamin;
- Për Kur'anin;
- Për Muhammedin a.s.;
- Për civilizimin islam;
- Për tolerancën islame;
- Për çështjen e gruas, dhe;
- Për arsyen e pranimit të fesë islame (Pse pranova Islamin?).
Kjo ndarje, e bërë kryesisht mbi parimin tematik, njëherit është edhe struktura e këtij libri, e që si e tillë lehtëson shumë kërkimin për përgatitjen ideo-tematike të ndonjë studimi.
Ndërsa sa për lexuesit, ky libër është për çdo moshë dhe për secilin nivel të lexuesve. Për letrarët mjafton përmendja e emrave si: Johan Volfgang von Goethe, Leon Nikolajeviq Tolstoj, Aleksandër S. Pushkin, Volter, Lamartini, Bernard Shou etj.; sikur që për studiuesit e shkencave ekzakte do të mjaftonte përmendja e emrave si: John Naish, Montogomery Watt etj., e që përfundimisht do të bënte që ky libër të mos largohej asnjëherë nga tavolina e punës; qoftë për të shfrytëzuar ndonjë citim në punimet e ndryshme me të cilat paraqitemi nëpër konferenca, apo thjesht për të triumfuar në diskutime me shembuj të marrë nga ky libër i tipit katalog.
Pavarësisht se de fakto Ajni Sinani nuk është autor esencial i thënieve që janë brenda librit, de jura ai është autor i renditjes dhe klasifikimit, respektivisht autor i ndërtimit të strukturës së librit. Zgjuarsia e treguar në ndërtimin e strukturës së librit bën që Ajni Sinani vërtet të njihet si një studiues i kujdesshëm dhe përmbajtësor. Jo rastësisht, pas gjashtë kapituj ve të deklaratave admiruese të filozofëve dhe mendjeve më të shquara Ajni Sinani rendit triumfatorët: ata që edhe e pranuan Islamin. Ndërsa këtë pjesë e titullon me një lajtmotiv: "Pse e pranova Islamin", si për të trumbetuar triumfuesit dhe vetë idealin islam.
Përveç tjerash, libri "Të tjerët për Islamin" i autorit Ajni Sinani vjen si një përmbledhje faktesh e deklaratash të mendjeve më të shquara të njerëzimit për Islamin, Kuranin dhe Muhamedin a.s. Kur merret parasysh koha, ky libër i dalë tani shumëfishon vlerën e tij; në këtë kohë paragjykimi dhe keqinterpretimi i Islamit, Kuranit dhe Muhamedit a.s. është rritur shumë, prandaj përmbledhja e thënieve/dëshmive vlerësim drejta të të urtëve gjatë gjithë historisë së njerëzimit për Islamin, Kuranin dhe Muhamedin a.s. patjetër se përbën një punë që meriton respekt dhe përkushtim.