Hyrje
Se leximi i Kuranit nga imami në namazet kolektive konsiderohet lexim edhe për ata që falen pas tij është një çështje e diskutueshme mes dijetarëve myslimanë, dhe për këtë çështje, siç do ta shohim në vijim, ka mendime dhe opinione të ndryshme. Se a duhet të lexojë edhe ai që falet pas imamit apo i mjafton atij leximi i imamit mbetet të shihet në këtë punim, që do ta zhvillojmë me argumente të mjaftueshme.
Opinionet e njohura rreth leximit apo mosleximit nga xhemati
Janë tri opinione kryesore sa i përket leximit apo mosleximit të Kuranit nga xhemati në namazet që falen me imam:
Opinioni i parë: "Leximi i Kuranit, gjegjësisht Fatihasë, të bëhet nga secili që falet pas imamit, pas secilit namaz, qoftë në namazet me zë apo pa zë." Të këtij mendimi janë: Shafiu, Ahmedi sipas njërit version, Evzaiu sipas njërit version, Abdullah bin Mubareku, Ishaku, Ebu Thevri dhe Davudi.(1) Vetëm Shafiu dhe Davudi janë të mendimit se leximi i Fatihasë është i obligueshëm.(2)
Opinioni i dytë: "Leximi i Kuranit të mos bëhet nga ai që falet pas imamit, pa marrë parasysh namazin, pra se a falet pa zë apo me zë." Të këtij mendimi janë: Thevriu, Evzaiu sipas versionit tjetër, Ebu Hanife, Ebu Jusufi, Muhamedi, Ahmedi sipas njërit version, Abdullah bin Vehbi dhe Eshhebi, nga malikinjtë, si dhe shumë të tjerë.(3)
Opinioni i tretë: "Leximi i Kuranit nga ai që falet pas imamit në ato namaze kur imami lexon pa zë."(4) Të këtij mendimi janë Maliku dhe shumica e malikinjve, të cilët mendojnë se është i lejuar (apo i preferuar) leximi, por jo obligativ, si preventivë nga të menduarit dhe vesveset (pëshpëritjet).(5) Madje, sipas malikinjve leximi në kohën kur imami lexon (në namazet me zë) është veprim i qortuar.(6) Të mendimit se leximi preferohet të bëhet nga ai që falet pas imamit në namaze pa zë është edhe Ahmedi, sipas versionit tjetër, që është më i saktë se ai i mëparshmi,(7) Ibën Musejebi, një pjesë e tabiinjve, juristë nga Hixhazi, dhe Shami, një pjesë e shafiinjve, si dhe Shafiu në opinionin e tij të vjetër.
Madje, edhe brenda shkollës hanefite ka mendim se është mirë, madje e preferuar, që të lexohet Fatihaja në namazet kolektive që janë pa zë, e kjo transmetohet në njërin prej mendimeve të Muhamed Hasen Shejbanit.(8) Këtë mendim e ka përkrahur edhe autori i "Hidajes”(9) dhe disa tjerë, por si mendim zyrtar është ai që pranohet në masë të madhe nga hanefinjtë, pra se leximi i imamit mjafton për ata që falen pas tij.
Leximi i imamit vlen për xhemati n
Sipas hanefinjve, leximi i imamit mjafton edhe për ata që falen pas tij, pa marrë parasysh nëse namazi është me zë apo pa zë.(10) Shpeshherë është sulmuar opinioni i hanefinjve nga kundërshtarët e tyre, me pretekstin se nuk ka namaz pa leximin e Fatihasë. Megjithatë, nuk është kuptuar sa duhet analiza e thellë e hanefinjve bërë teksteve të ardhura në këtë kontekst. Disa, në pamundësi për të kuptuar filozofinë argumentuese të hanefinjve, hodhën akuza duke u mbështetur sipërfaqësisht në ndonjë hadith, pa kuptuar mirë mesazhin dhe kuptimet që bartte ai hadith. Shpeshherë polemikat vijnë nga qasja, argumentimi dhe mënyra e të kuptuarit të teksteve. Tekstualistët, që bazohen vetëm në kuptimin më të ngushtë apo sipërfaqësor të fjalës së ardhur në tekst, shpeshherë e ngushtojnë të kuptuarit e fjalës dhe mund ta orientojnë qëllimin në diçka që teksti në vetvete nuk e përmban, ndërsa intentionalistët gjurmojnë rreth qëllimeve që realisht mund të bartë teksti, e jo vetëm te sipërfaqësore e të kuptuarit të tekstit.
Madje, çuditërisht është akuzuar Ebu Hanife se ka kundërshtuar Sunetin, sepse - sipas tyre - nuk ka ndjekur "argumentet" rreth leximit të Kuranit të atij që falet pas imamit. Mirëpo, para se të lëshohem në sjelljen e argumenteve dhe analizën e tyre, dua të përmend se opinioni i Ebu Hanifes nuk është risi, dhe se ai mendim është mendim i sahabëve të njohur dhe tabiinjve, sepse mendim si të Ebu Hanifes, si në këtë rast, kishte edhe Aliu, Thën Abasi, Abdullah bin Mesudi, Ebu Seid El Hudriu, Zejd bin Thabiti, Ukbeh bin Amir, Xhabir bin Abdullah, bin Omeri dhe Hudhejfeh bin El Jeman. Nga gjenerata e tabiinjve mendim të njëjtë kishin edhe Thevriu, Ibën Ujejne, Zuhriu, Esvedi, Ibrahim Nehaiu dhe Seid bin Xhubejri. E, Ibën Sirini qartë shprehej: "Nuk di diç nga Suneti që të lexohet (Kuran) pas imamit."(11) Që të gjithë këta ishin dijetarët më të shquar nga gjenerata e dytë, e që i përkisnin vendeve të ndryshme. Prandaj, është e pandershme të akuzohen personalitetet pa i studiuar edhe opinionet e tyre se nga erdhën dhe ku u mbështetën. E, Ebu Hanife është në po të njëjtën vijë me sahabët e ndershëm dhe me tabiinjtë e mirënjohur.
Leximi pas imamit është veprim i papëlqyer
Dihet qëndrimi i shumicës së hanefinjve për personin që fal namaz prapa imamit (namaz me xhemat), se leximi i imamit konsiderohet lexim për të, dhe se ai nuk ka nevojë të lexojë. Madje, sipas hanefinjve dhe disa të tjerëve, leximi i atyre që falen pas imamit konsiderohet veprim i qortuar, që është shumë pranë haramit, duke u bazuar në transmetimet e ashpra nga sahabët, - transmetime që i ka përmendur Muhamed Hasen Shejbani
në "Muvetta" dhe Tahaviu në "Sherh Meani-l Athar"(12)
Fekihu i madh nga gjenerata e tabiinjve, Ibrahim Nehaiu, është i mendimit se leximi pas imamit është një risi që e futën njerëzit në praktikë në kohën e Omerit. Ai nuk e pëlqente leximin pas imamit, andaj edhe thoshte: "Të mjafton leximi i imamit." Kështu thoshin edhe dy poliglotët e hadithit, Ibën Ujejne dhe Sufjan Thevriu.(13)
Argumentet e hanefinjve
Argumentet ku mbështetën hanefinjtë dhe të tjerët që mendojnë se leximi i imamit mjafton edhe për ata që falen pas tij janë të shumta dhe të bollshme, si nga Kurani, ashtu edhe nga Suneti, që na transmetohen nga sahabët si: Xhabiri, Ibën Omeri, Ebu Seid El Hudriu, Ebu Hurejre, Ibën Abasi, si dhe shumë të tjerë. Gjithashtu në këtë çështje kemi edhe shumë ethere që na transmetohen nga sahabët dhe tabiinjtë.
Argumenti i parë është ajeti kuranor në kaptinën El-Arafë: "Kur lexohet Kurani, ju dëgjojeni atë (me vëmendje) dhe heshtni ..."(14)
Ky ajet ka zbritur në lidhje me namazin, ndonëse ka edhe mendime se ka zbritur edhe në lidhje me dëgjimin e hytbes, mirëpo ajo që është më e saktë është mendimi se zbritja e tij erdhi në lidhje me namazin. Ahmedi ka thënë: "Është konsensus se ky ajet ka të bëjë me namazin. "(15)
Ebu Hurejre tregon se shokët e Pejgamberit a.s. ngrinin zërat e tyre gjatë namazit, ndonëse faleshin pas të Dërguarit të Allahut: Na ka treguar Abdullah bin Sulejman bin El Eshath dhe Ebu Bekër En Nisaburij, të cilët kanë thënë: "Na ka treguar Abbas bin El Velid bin Mezjed, më ka treguar babai im, na ka treguar Evzaiu, na ka treguar Abdullah bin Amir, më ka treguar Zejd bin Eslem, nga babai i tij, e ky nga Ebu Hurejre, i cili për ajetin: ""Kur lexohet Kurani, ju dëgjojeni atë (me vëmendje) dhe heshtni ... "(16), thotë: "Ka zbritur në lidhje me ngritjen e zërave përderisa ata faleshin pas të Dërguarit të Allahut."(17)
Ajeti në fjalë nënkupton obligueshmërinë e dëgjimit dhe heshtjes ndaj leximit, e kjo, siç shprehet Thën Humami në kryeveprën e tij "Fet'hu-l Kadir", nënkupton se ajeti koncepton dy gjëra: "Dëgjimin dhe heshtjen. Sipas tij "dëgjimi" është i veçantë për namazet me zë, ndërsa "heshtja" për namazet pa zë."(18) Kjo sipas Lekneviut nënkupton: "Nëse lexohet Kurani me zë, atëherë ju dëgjojeni atë, e heshtni apo pushoni nëse leximi i tij bëhet pa Zë."(19)
Sa i përket argumenteve nga Suneti, janë shumë hadithe që flasin për këtë tematikë, dhe para se t' i sjellim disa prej tyre duhet të përmendim vetëm një fakt rreth hadithit të transmetuar nga Ebu Hurejre dhe Aisheja, ku tekstualisht nënvizohet se nuk ka namaz pa lexuar kaptinën Fatiha:
Na ka treguar El Kanebij nga Maliku, ky nga Ala bin Abdurrahmani, i cili e kishte dëgjuar Ebu-s Saibin të ketë thënë: "E kam dëgjuar Ebu Hurejren të ketë thënë: "Ka thënë i Dërguari i Allahut: "Kush fal ndonjë namaz dhe nuk lexon Fatihanë, namazi është jo i plotë, jo i plotë, jo i plotë."(20)
Përveçqë namazi është jo i plotë pa leximin e Fatihasë, sipas hanefinjve hadithi nuk saktëson se për qëllim është namazi me imam, prandaj është edhe e arsyeshme që ky hadith dhe të tjerët të kësaj natyre ta kenë për qëllim namazin individual, pa imam. Ngase, hadithi tjetër që do ta sjellim në vijim e saktëson se leximi i imamit mjafton për atë që falet pas tij, dhe ky është treguesi më i mirë se ky hadith bën fjalë për namazin me imam.(21)
Argument nga Suneti është hadithi i transmetuar nga Xhabiri, i cili ka shumë rrugë transmetimi, dhe disa prej tyre janë të dobëta e disa të tjera janë të pranuara.(22)
Na ka treguar Ali bin Muhamedi, i cili thotë: "Na ka treguar Ubejdullah bin Musa, nga Hasen bin Salih, ky nga Xhabiri, ky nga Ebu Zubejri, e ky nga Xhabiri, i cili ka thënë: "Ka thënë i Dërguari i Allahut: "Ai që e pason imamin (në namaz), leximi i imamit llogaritet lexim për të."(23)
I njëjti hadith, por me rrugë tjetër transmetimi, - që mungon transmetuesi problematik Xhabir El Xhufij, është edhe ky: "Na ka treguar Ahmed bin Abdurrahman, i cili ka thënë: "Na ka treguar Abdullah bin Vehb, dhe thotë: "Më informoi Lejthi, nga Jakubi, ky nga Numani, ky nga Musa bin Ebi Aisheh, ky nga Abdullah bin Sheddadi, e ky nga Xhabir bin Abdullahi, se i Dërguari i Allahut kishte thënë: " Ai që e pason imamin (në namaz), leximi i imamit llogaritet lexim edhe për të."(24)
Darekutniu, pasi e transmeton këtë hadith, mundohet të gjejë diskrepancë në rrugën e transmetimit te transmetuesi Musa bin Ebi Aisheh, dhe fajin për këtë ia lë dy transmetuesve të vargut zinxhiror: Ebu Hanifes dhe El Hasen bin Amareh, dhe që të dy i cilëson me epitetin se janë të dobët.(25)
E në lidhje me këtë hadithologu i mirënjohur, Ajniu, i kundërpërgjigjet ashpër Darekutniut, duke thënë: "Mund ta kuptoni anshmërinë paragjykuese të Darekutniut ndaj Ebu Hanifes, dhe fanatizmin e tij të prishur. Si mundet ai dhe soji i tij ta shpallin të dobët imamin që dija e tij arriti deri atje ku arriti edhe vetë Islami, dhe shkolla e tij u përhap deri në horizonte. Gjeneratat e hershme dhe të mëvonshme dëshmuan për asketizmin, devotshmërinë dhe fuqinë e tij argumentuese në fe. Ai la pas vetes shkollën e tij, dhe atë e vlerësuan ata që ishin më të mëdhenj se ai (Darekutniu) dhe soji i tij, te Allahu i Lartësuar dhe te njerëzit si Sufjan Thevriu, Abdullah bin Mubareku, Vekiu, Lejth bin Sadi, Jahja El Kattani dhe njerëz e kalibrit të tyre. Atë e pranuan si të besueshëm ata që ishin më të njohur në këtë çështje, që ishin më memorizues, më të përpiktë dhe sqarues, si Jahja bin Meini, Thën Ujejne, Shubeh, Abdurrezaki, Shafiu, Maliku, Ahmedi dhe të tjerët prej imamëve të ndritur e të dëshmuar, të jashtëzakonshëm e të besueshëm, mirëpo të vërtetën e tha poeti kur deklaroi:
"Ia patën zili djaloshit,
ngase nuk arritën atë që ai arriti
E njerëzit për të u bënë
armiq e kundërshtarë."(26)
Ibën Ebi Shejbeh, në Musanefin e tij transmeton hadithin e përcjellë nga Xhabiri, me sened sahih (autentik): "Na ka treguar Malik bin Ismail, nga Hasen bin Salih, ky nga Ebu-z Zubejr, e ky nga Xhabiri, i cili përcjell se i Dërguari i Allahut tha: "Secili që ka imam (në namaz), leximi i tij (imamit) konsiderohet lexim edhe për të."(27)
Hadithi i radhës është ai që transmetohet nga Abdullah bin Omeri, që është në koleksionin e Darekutniut: "Na ka treguar Ibën Mahledi, na ka treguar Muhamed bin Hisham bin El Buhterij, na ka treguar Sulejman bin El Fadl, na ka treguar Muhamed bin El Fadl bin Atijeh, nga babai i tij, ky nga Salim bin Abdullah, e ky nga babai i tij (Thën Omeri), e ky nga i Dërguari i Allahut, i cili ka thënë: "Ai që e pason imamin (në namaz), leximi i tij llogaritet lexim për të."(28)
Në të njëjtin koleksion Darekutni përcjell transmetimin e Ibën Omerit, sipas një rruge tjetër, ku vlen të përmendet se në këtë rrugë transmetimi nuk figuron Muhamed bin El Fadl: "Na ka treguar Muhamed bin Mahledi, na ka treguar Abdullah bin Ahmed bin Hanbeli, nga babai i tij, na ka treguar Ismail bin Ulejjeh, na ka treguar Ejubi, nga Nafiu dhe Enes bin Sirini, se që të dy kishin dëgjuar nga Thën Omeri të ketë thënë për leximin pas imamit: "Të mjafton leximi i imamit!"(29)
Kështu, diçka ngjashëm transmetohet edhe në Muvetta, në transmetimin që i bën Shejbani: "Ka thënë Muhamedi: "Na ka treguar Abdurrahman bin Abdullah El Mesudij, më ka treguar Enes bin Sirini, nga Ibën Omeri, i cili e pyeti atë për leximin pas imamit, e ai tha: "Të mjafton leximi i imamit!"(30)
(Vijon)
________________
(1) Bedrudin El-Ajni, Nuhabu-l Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ahbar, v. V, f. 368.
(2) Abdurrahman el-Makdisij, esh-Sherhu-l kebir ala metni-l mukni', daru-l kutub el-arebij li-n neshri ve-t tevzi', v. IT, f. 11.
(3) Po aty, v. V, f. 370.
(4) Thën Tejmije, Mexhmu' fetawa, 1416-1995, v. XXllI, f. 265.
(5) EI-Haxheh Kevkeb Ubejd, Fikhu-l Ibadat ale-l medhhebi-I maIikij, bot.l-rë, Matbeatu-l Insha, Damask-Siri, 1406-1986, v. I, f. 162; El-Kajrevani, en-Nevadir ve-z zijadat ala ma fi-l Mudevveneti min gajriha mine-l ummehat, bot.lrë, Daru-l garb el-Islami], Bejrut-Liban, 1999, v. I, f. 178;
(6) Ebu Muhamed Abdulvehab bin Ali bin Nasr El Bagdadij el-malikij, el-Ishrafu ala nuket mesaili-l hilaf, bot.l-rë, dar Thën Hazm, 1420- 1999, v. I, f. 241.
(7) Ebu Davud es-Sixhistani, Mesaili-l imam Ahmed rivajetu Ebi Davud es-Sixhistanij, bot.l-rë, mektebetu Thën Tejmije, Egjipt, 1420-1999, v. I, f. 48; Ebu-l Berekat Mexhidudin, el-Muharrer fi-l fikhi ala medhhebi-l imam Ahmed bin Hanbel, bot.Il-të, mektebetu-l mearif, Rijad-Arabi Saudite, 1404-1984,v. I, f. 60.
(8) Leknevij, Umdetu-rr Rriajeh ala sherhi-l vikajeh, v. IT, f. 122.
(9) Merginani, El-Hidajeh-Sherh Bidajeti-l Mubtedi',v. I, f. 95.
(10) Merginani, El-Hidajeh-Sherh Bidajeti-I Mubtedi',v. I, f. 94; Bedrudin el-Ajni, Nuhabu-l Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ahbar, v. V, f. 370; 312. Leknevij, Umdetu-rr Rriajeh ala sherhi-l vikajeh, v. II, f. 122; Zejlei, Nasbu-rr Rrajeh, v. II, f. 14.
(11) Abdurrahman el-Makdisij, esh-Sherhu-l kebir ala metni-l mukni', daru-l kutub el-arebij li-n neshri ve-t tevzi', v. II, f. 11.
(12) Leknevij, Umdetu-rr Rriajeh ala sherhi-I vikajeh, v. IT, f. 122.
(13) Abdurrahman el-Makdisij, esh-Sherhu-l kebir ala metni-l mukni', v. II, f. 12.
(14) Kurani, el-A'rafë: 204.
(15) Burhanudin bin Muflih, el-Mubdi' fi sherhi-I mukni', bot.l-rë, daru-I kutub el-ilmijeh, Bejrut-Liban, 1418-1997, v. II, f. 60; Thën Kasim Hashijetu-rr Rrevdi-l-murbi' sherh zadi-l mustakni', bot.l-rë, 1397, v. II, f. 278.
(16) Kurani, el-A'rafë: 204.
(17) Darekutni në Sunen, nr.1239; Bejhekiu në Ma'rifetu-s Sunen ve-l Athar, nr.3742. Ka mendime se Abdullah bin Amir është i dobët, ndërsa për të tjerët janë të pranueshëm dhe të besueshëm.
(18) Thën Humam, Fet'hu-l Kadir, Daru-l Fikr, Bejrut-Liban, pa vit botimi, v. I, f. 342.
(19) Leknevij, Umdetu-rr Rriajeh ala sherhi-l vikajeh, v. II, f. 123.
(20) EbuDavudi n ëSunen, nr.821; Tirmidhiu në Sunen, nr.2953. Hadithi me përmbajtje të njëjtë përcillet edhe nga Aisheja e cila kishte thënë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të ketë thënë: "Çdo namaz që nuk lexohet në të Fatihaja është jo i plotë." Thën Maxheh në Sunen, nr.840. Albani thotë se hadithi është autentik.
(21) Bedrudin elAjni, Nuhabu-l Efkar fi Tenkihi Mebani-I Ahbar, v. V, f. 371.
(22) Ky hadith ka pesë rrugë të ndryshme transmetimi dhe nuk ka dyshim se disa prej tyre janë të dobëta, mirëpo prej tyre ka që rrugët e transmetimit janë autentike. Shih: Bedrudin el-Ajni, Nuhabu-l Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ahbar, v. V, f. 390-394.
(23) Thën Maxheh në Sunen, nr.850. Albani thotë se hadithi është i pranuar (hasen). Edhe Shuajb El Arnaut thotë se hadithi është i pranuar në bazë të rrugëve të transmetimit. Në vargun e transmetuesve është edhe Xhabir El Xhu'fij, për të cilin ulemaja kanë vlerësime të kundërta, megjithatë Albani dhe disa tjerë hadithin e shohin si të mirë dhe të pranueshëm. Mirëpo hadithi në fjalë ka rrugë tjera transmetimi që në të nuk është Xhabir El Xhufij.
(24) Tahaviu në Sherh Meani-l Athar, nr.1294.
(25) Shih: Darekutni në Sunen, nr. 1233.
(26) Bedrudin el-Ajni, Nuhabu-l Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ahbar, v. V, f. 391-392.
(27) Thën Ebi Shej beh në Musanef, nr. 3802. Megjithëse disa janë munduar të gjejnë ndonjë dobësi te hadithi në fjalë, dhe thanë se hadithi ka shkëputje, ngase Xhabir El Xhufij është në mes të dy transmetuesve, Husejnit dhe Ebu-z Zubejrit. Hadithologu dhe juristi i madh Ajniu i kundërpërgjigjet në këtë mënyrë: "Ebu-z Zubejri ka vdekur në vitin 128, sipas Tirmidhiut dhe të tjerëve, ndërsa Hasen bin Salih ka lindur në vitin 100 dhe ka vdekur në vitin 169, dhe është shumë e mundur që të ketë dëgjuar nga Ebu-z Zubejri (por edhe të jetë takuar me të), së paku një herë pa ndonjë ndërmjetës (sepse ia mundëson edhe mosha), e herën tjetër nga ndërmjetësi Xhabir El Xhufij. Prandaj, kuptoje këtë!" Bedrudin El Ajni, Nuhabu-l Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ahbar, v. V, f. 392-393.
(28) Darekutni në Sunen, nr.1238 dhe thotë se Muhamed el-Fadl-it i refuzohen transmetimet e tij.
(29) Darekutni në Sunen, nr.1503.
(30) Muvetta Malik rivajeh Muhamed bin El Hasen Esh Shej bani, nr.116.
Mr. Ejup Haziri