"Komentimi i sures El-Kehf" është një libër që, përveç tjerash, na e rikujton edhe vargun e madh të haditheve që porosisin leximin e sures El-Kehf, sidomos ditën e premte, me qëllimin që shembujt nga sureja të jenë mësim dhe kalitje për t'i tejkaluar sprovat e llojllojshme me të cilat mund të ballafaqohemi në jetën tonë.
"Komentimi i sures El-Kehf" është një vepër që myslimanëve dhe jo vetëm ua shpjegon vlerën dhe rëndësinë e sures El-Kehf, pastaj ua lehtëson kuptimin e saj, respektivisht se është sureja që, siç thotë edhe autori i librit, ndër qëllimet parësore ka kujdesin për formimin e një shpirti të pastër njerëzor.
Tashmë dihet se çdo tekst ka një strukturë. Prandaj, duhet pasur parasysh se struktura e tekstit mund të flasë po aq sa edhe përmbajtja e tij.
Libri i Zotit, Kurani, në një pjesë të madhe të tij, herë drejtpërdrejt e herë tërthorazi, flet për krijimin e njeriut dhe ruajtjen e natyrshmërisë së tij. Semantika /kuptimi dhe poetika/ stili dhe struktura e Kuranit janë hulli të prezantimit sa më komplet të fjalës së Zotit para njeriut. Në Kuran flasin përmbajtja, struktura, por edhe të dyja bashkë. Kjo më së miri mund të vërehet në suret që kanë histori-ngjarje, apo siç njihet në fushën e narratologjisë, narracion.
Si shembull tipik mund ta përmendim suren El-Kehf, që është një nga suret më të përfolura pikërisht për shkak të historive që ka brenda vetes. E në shqip, për fat të keq, të përfolura po, por jo edhe më të studiuara. Së fundmi, botimi i librit "Komentimi i sures El-Kehf" i studiuesit dhe komentuesit shqiptar të Kuranit, Sabri ef. Bajgora, ndryshon realitetin e gjertanishëm. "Komentimi i sure s El-Kehf" është libri i parë shqip që komenton komplet këtë kaptinë të Kuranit e i shkruar nga një shqiptar.
Përanash kësaj, mund të themi se, përveç përmbajtjes, është edhe struktura e kësaj sureje ajo që ka tërhequr autorin e këtij libri që të merret më seriozisht me këtë sure kuranore. Kemi katër histori të ndryshme, e që renditen në mënyrë jo të rastësishme: besim, pasuri, dituri dhe pushtet. Pastaj, ndikimi i strukturës së sures El-Kehf vërehet edhe në strukturën e librit. Pra, edhe në libër secila histori rrëfehet sipas renditjes që ka në Kuran, e që përfundimisht bën të vijmë në përfundim se libri "Komentimi i sures El-Kehf" ka një strukturë të determinuar nga vetë sureja, që, pa dyshim e bën të ketë vlerë edhe më të madhe.
Disa veçori të përgjithshme të librit
"Komentimi i sure s El-Kehf" është një vepër që myslimanëve dhe jo vetëm ua shpjegon vlerën dhe rëndësinë e sures El-Kehf, pastaj ua lehtëson kuptimin e saj, respektivisht se është sureja që, siç thotë edhe autori i librit, ndër qëllimet parësore ka kujdesin për formimin e një shpirti të pastër njerëzor. (1)
Në këtë libër autori ka shpjeguar /komentuar fshehtësitë/ gajbet (mrekullitë) nga ngjarja e djelmoshave të strehuar në shpellë për 300 e ca vite, pastaj nga ngjarja e Hidrit dhe Musait a.s., ajo e sprovës në pasuri dhe ngjarja e Dhulkarnejnit a.s.
Në këtë libër autori ka shpjeguar /komentuar fshehtësitë/ gajbet (mrekullitë) nga ngjarja e djelmoshave të strehuar në shpellë për 300 e ca vite, pastaj nga ngjarja e Hidrit dhe Muasit a.s., ajo e sprovës në pasuri dhe ngjarja e Dhulkarnejnit a.s.
Siç thotë edhe autori i librit, këto rrëfime në fakt janë sprova me të cilat Allahu i sprovon robërit e Vet në këtë dynja. Së pari kemi sprovën në fe-besim, rreth së cilës flasin ajetet mbi djemtë që u strehuan në shpellë, për të shpëtuar dinjitetin e tyre fetar; pastaj vjen sprova në pasuri, që pasqyrohet me ngjarjen e pronarit të dy kopshteve; pas saj vjen sprova në dituri, që reflektohet përmes rrëfimit të Musait a.s. me Hidrin, dhe; krejt në fund, sprova e pushtetit, që na vjen në rrëfimin mbi Dhulkarneinin.(2)
Mënyra e shtjellimit të ngjarjeve nga autori Sabri Bajgora është akademike. Duke pasur tavolinën plot me libra të hapur, Bajgora citon vazhdimisht nga komentuesit e Kuranit dhe historianët si: Ibën Kethiri, Sujutiu, Sharavi, Muhamed Husejn Dhehebiu, Fahrudin Rraziu Ahmet Behxhet etj., merr dhe përpunon mendimet e disa komentuesve duke i renditur sipas mënyrës së tij, respektivisht duke e trajtuar çështjen përkatëse në çdo aspekt: fetar, shkencor, social, mjekësor, politik, etj. Pra, Bajgora ec në hapa të sigurt, dhe nuk hedh në letër përveç asaj që është me rëndësi. Kjo edhe është arsye e mjaftueshme që libri i tij të vlerësohet si i veçantë dhe i rëndësishëm, pasi ka mbledhur dhe shpjeguar ajkën e asaj që kanë thënë komentuesit më të njohur të Kuranit.
Ky libër brenda vetes ka mendimet më të rëndësishme të komentuesve më
të njohur të Kuranit, dhe këto janë të renditura sipas temës dhe strukturës që ka vetë objekti i studimit, - sureja El-Kehf. Për këtë arsye edhe krijimi i marrëdhënies së këtij libri me librat tjerë që kanë temë të njëjtë është shumë i natyrshëm.
Nëse jo në problematikën që trajton, ky libër është unik në formën që trajton problematikën përkatëse.
Fakti se bazohet shumë në veprat kapitale të studimeve kuranore nuk e bën t' i mungojë informacioni i ri. Përkundrazi, trajtimi në mënyrë origjinale i disa çështjeve edhe në fushat tjera si mjekësi, ekologji etj., bën që ky libër të ketë shumë informata të reja. Por, edhe vetë forma e trajtimit të temave këtë libër e bën edhe më të veçantë.
Në 322 faqet e këtij libri mund ta gjejë vetes secila kategori e lexuesve. Megjithatë, kategoria që më së shumti tërhiqet nga ky libër është ajo studentore/ akademike. Herë-herë vërehet një tendencë e autorit që gjërat t'i shpjegojë edhe për nivelin e përgjithshëm të shoqërisë mbarëshqiptare, mirëpo hëpërhë kemi kthesë të plotë në nivelin e përgjithshëm e të natyrshëm të librit/ autorit.
Ndoshta një shpjegim pak më i gjerë i shembujve të sure s në librat ose format tjera të shprehjes artistike, qoftë me përmbajtje fetare ose tjetër, për shembull letrare, këtë libër do ta pasuronte edhe më.
Me këtë rast kujtojmë kohën kur historia e djelmoshave të shpellës nisi të letrarizohet, përkatësisht në shekullin e XVI, nga poeti John Donne. Më vonë, po kjo histori dramatizohet nga John Heywood, ndërsa gjatë iluminizmit nuk është përfolur shumë. Kjo histori rihapet në romantizëm, madje edhe nga gjenitë e letërsisë mbarëbotërore si Johan Volfgang Gëte, që e përflet historinë në një poemë të tij, e pastaj edhe nga Herbert George Wells në veprën e tij "Të fjeturit e zgjuar". Madje, këtë histori e ka shfrytëzuar edhe shkrimtari anglez Mark Twain. Ai ka një imitues të historisë së shtatë djelmoshave të shpellës në kapitullin e trembëdhjetë të vëllimit të dytë nga vepra "Të pafajshmit jashtë vendit".
Sa i përket shkrimtarëve modernë dhe bashkëkohorë, po këtë histori mund ta gjejmë te shkrimtarët si: Danilo Kish, - te vepra "Enciklopedia e të vdekurve", pastaj te Andrea Camilleri, Susan Cooper, Will Stanton, Gilbert Morris, John Buchan. E veçantë e trajtimit të kësaj historie nga letrarët është forma e shkrimtarit perso-gjerman, Kader Abdolah, që historinë e shtatë djelmoshave të shpellës e tregon sipas versionit islam.
Edhe autori bashkëkohor turk, nobelisti Orhan Pamuk aludon në historinë e djelmoshave të shpellës, më saktësisht me elementin e qenit, në kapitullin "Unë jam një qen", në romanin e tij të vitit 2001, "Unë jam e kuqja".
Sidoqoftë, kjo qasje nuk qe e mundur për shkak të profilizimit të autorit Bajgora si studiues i Tefsirit por jo edhe i letërsisë. Në fund të fundit, kjo nuk e ul aspak vlerën e veprës apo autorit, që në aspektin e komentimit teologjik - islam, librin e ka shtjelluar për lëvdatë.
Struktura e një vepre narrative
Për ta kuptuar sa më mirë suren El Kehf, dhe me këtë rast për ta komentuar sa më :mirë edhe strukturën e librit "Komentimi i sure s El-Kehf" të autorit Sabri Bajgora, duhet njohur edhe strukturën e veprës narrative.
Struktura e një vepre narrative është e përbërë nga një sistem i shenjave që Seymour Chatman e sheh si strukturë semiotike, e cila përbëhet nga shumë shenja narrative.(3)
Narracioni është një strukturim i një ngjarjeje. Ndërsa, çdo rrëfim i nënshtrohet dy strukturave narrative: bazike dhe unike. Në strukturën unike secili rrëfim dallon për ndonjë veçori unike që ka, ose klasifikohet në një nga formacionet (për risitë që sjell). Nëse rrëfimi është një strukturë semiotike dhe një strukturim i një ngjarjeje; e kjo është narracioni, ai është i ndërtuar në nivele narrative dhe ka narrator (ai që rrëfen), vokalizator (ai që dëgjon), fokalizator (ai që sheh), narrater (atij të cilit i flet narratori), si dhe disa veçori tjera që janë me interes për fushën e narratologjisë. Prandaj, duke pasur narraterin, rrëfimi si i tillë dëshmon se universi narrativ ekziston dhe funksionon edhe nëse vdesin autori dhe lexuesi. Sado utopike të tingëllojë kjo, është lehtë e vërtetueshme, derisa pranojmë ekzistencën e botëve paralele (reale dhe narrative)(4), të botës që e jetojmë dhe asaj për të cilën tregojmë/rrëfejmë.
Mbi këtë koncept kemi edhe strukturën e gjithë sureve kuranore që brenda vetes kanë histori/ngjarje, e veçanërisht strukturën e sures El-Kehf, që brenda vetes ka katër histori/ ngjarje. Po sipas strukturës së sures, edhe libri "Komentimi i sures El-Kehf" para lexuesit shqiptar vjen në formën e njëjtë, dhe kështu sendërton strukturën e tij origjinale, duke u bërë kështu një libër shkencor por i pandarë nga narrativja; sa shpjegon aq edhe rrëfen.
Struktura e librit "Komentimi i sures El-Kehf"
"Komentimi i sures El-Kehf" ka 12 kapituj themelorë, dhe secilin të shoqëruar me ndonjë nënkapitull specifik. Derisa pas hyrjes autori sjell disa karakteristika të sures El-Kehf; emërtimin e kësaj sureje; vlerën e saj, shkakun e zbritjes dhe lidhshmërinë e saj me suren paraprake "El-Isra'ë" etj., kapitullin e parë të librit e fillon me obligimin që ka çdo mysliman dhe vlerën që ka Kurani, pra: "Lartësimin e Allahut me falënderim dhe madhështinë e Kuranit". Pas kësaj vjen kapitulli që tregon ngjarjen e parë, atë të djelmoshave të shpellës, që në Kuran është nga ajeti 9 deri te ajeti 26. Ky kapitull përbëhet nga nëntë nënkapituj, duke e trajtuar këtë ngjarje në çdo aspekt të mundshëm.
Kapitulli me titull "Këshilla hyjnore për të Dërguarin a.s." shpjegon kuptimin e ajeteve nga 27 deri 31, dhe shoqërohet nga një nënkapitull që shembullit të djelmoshave të shpellës dhe kuptimit të ajeteve pas kësaj historie u rri si kurorë, pra nga nënkapitulli me titull "Mbrojtja nga sprova në fe-besim".
Në vazhdim vjen kapitulli "Sprova në pasuri", - komentimi i ajeteve 32-44, për të vazhduar me komentimin e një ajeti që shpreh mbrojtjen nga sprova e pasurisë, e më pas me ajetet që tregojnë çaste trishtuese të Kiametit, Ringjalljes dhe Llogarisë.
Një kapitull në vete shpjegon tre ajetet në vazhdim që flasin për fitnen e djallit të mallkuar - Iblisit.
Njësoj si në Kuran, para se të vazhdohet me tregimin edhe të dy historive që flasin për shembuj të udhëzimit, edhe në libër autori ka formuluar një kapitull me titullin "Sjellja e shembuj ve në Kuran, për hir të udhëzimit
të njeriut", e që komentojnë ajetet 54 deri 59 të sures El-Kehf. Ndërsa, siç mund të nënkuptohet, në vazhdim vijnë dy kapitujt që shpjegojnë histori: ngjarja e Muhasit a.s. me Hidrin a.s. -sprova në dituri, dhe; ngjarja e Dhulkarnejnit a.s., - sprova në pushtet.
Një kapitulli veçantë flet për Ditën e Gjykimit dhe ndëshkimin e kriminelëve, - ajetet 99-106. Ndërkaq, kapitulli i fundit i librit flet për shpërblimin e të devotshmëve dhe madhështinë e Allahut Fuqiplotë. Ky kapitull ka katër nënkapituj, të cilët flasin për sprovën më të madhe që njeriu do ta ketë në këtë botë, Dexhalin.
Siç shihet edhe nga kjo pasqyrë, struktura e këtij libri determinohet jo vetëm nga historitë e sure s El-Kehf, por edhe nga mënyra tradicionale e komentimit; gjithmonë para komentimit prin ajeti që komentohet.
Për fund, mund të themi se "Komentimi i sure s El-Kehf" është një libër që, përveç tjerash, na e rikujton edhe vargun e madh të hadi theve që porosisin leximin e sures El-Kehf, sidomos ditën e premte, me qëllimin që shembujt nga sureja të jenë mësim dhe kalitje për t'i tejkaluar sprovat e llojllojshme me të cilat mund të ballafaqohemi në jetën tonë.
Duke rikujtuar thënien e poetit anglez Aleksandër Pope, përfaqësuesit të klasicizmit anglez: ata që nuk e dinë le të mësojnë, kurse ata që e dinë le të kënaqen duke e rikujtuar(5), shpresojmë se ky shkrim për librin "Komentimi i sures El-Kehf", të komentuesit të shquar shqiptar të Kuranit, Sabri Bajgora, do të jetë (ri)kujtesë për ta shfletuar librin dhe suren El-Kehf, të paktën ditëve të premte.
______________
(1) Sabri Bajgora, "Komentimi i sures El-Kehf", Dituria Islame, Prishtinë, 2016, f. 7.
(2) Sabri Bajgora, "Komentimi i sures El-Kehf", Dituria Islame, Prishtinë, 2016, f. 8.
(3) Ag Apolloni, Paradigma e Proteut, OM, Prishtinë, 2012, f. 99.
(4) Ag Apolloni, Paradigma e Proteut, OM, Prishtinë, 2012, f. 117.
(5) Ekrem Murtezai, Leksikon i sentencave, citateve, sintagmave dhe proverbave latine, ASHAK, 2008, Prishtinë, f. 265.