Hyrje
Në një nga temat paraprake kam shtjelluar tematikën e leximit të mjaftueshëm të Kuranit pas kaptinës El Fatiha, praktikisht kam trajtuar minimumin, mesataren dhe maksimumin e leximit të Kuranit, gjegjësisht kemi folur për atë që namazi edhe me një ajet është i vlefshëm, sikurse edhe për preferencën e leximit të Kuranit në secilin namaz. Tema në vazhdim prapë ka të bëjë me leximin e Kuranit në namaz, mirëpo shtjellimi do të bëhet nga një këndvështrim tjetër, nga konteksti i falësve të namazit, dhe se leximi i imamit në namaz është i ndërlidhur me gjendjen e atyre që falen pas tij.
Imami lexon varësisht nga gjendja e atyre që falen pas tij
Imami që i prin xhematit në namaz duhet të lexojë varësisht nga xhemati i tij. Nëse namazfalësit janë të rinj, atëherë leximi i shumë ajeteve apo një sureje pak më të gjatë do të ishte i preferuar. Por nëse në mesin e namazfalësve ka njerëz të sëmurë, të shtyrë në moshë, dhe që nuk mund të qëndrojnë gjatë në këmbë, atëherë do të ishte e preferuar që leximi të jetë sa më i shkurtër, pa i lodhur dhe rënduar namazfalësit. Argument është hadithi i transmetuar nga Uthman bin Ebi-l Asi, i cili është në koleksionin e Taberanit, që thotë: "Na ka treguar Muhamed bin Asim El Asbehani, na ka treguar Ali bin Harb El Mevsilij, na ka treguar Amër bin AbdulXhebar, nga Ubejdeh bin Hasan, e ky nga Haseni, e ky nga Uthman bin Ebi-l Asi, i cili thotë: "Gjëja e fundit për të cilën më porositi (këshilloi) i Dërguari i Allahut ishte: "Nëse falesh me kolektivin tënd, atëherë fal namazin e më të dobëtit prej tyre, sepse në mesin e tyre ka të dobët dhe të sëmurë!"
Në lidhje me këtë tematikë kemi hadithin e radhës, i cili është në koleksionin e Buhariut dhe të të tjerëve, e që transmetohet nga Xhabir bin Abdullahi: "Na ka treguar Muhamed bin Abadeh, na ka informuar Jezidi, na ka informuar Selimi, na ka treguar Amër bin Dinari, na ka treguar Xhabir bin Abdullahu, se Muadh bin Xhebeli falej me të Dërguarin e Allahut, e pastaj shkonte te populli i tij dhe ua falte namazin. Në një rast, derisa po u printe në namaz, ai lexoi kaptinën "El Bekare". Thotë transmetuesi: "Një njeri që po falej e shkurtoi namazin e tij. Lajmi për këtë i shkoi Muadhit, dhe ky
i fundit tha: "Ai është hipokrit!" Kur ky njeri kuptoi se çfarë kishte thënë Muadhi për të, shkoi tek i Dërguari i Allahut dhe tha: "O i Dërguar i Allahut, ne jemi njerëz që punojmë (punë të rënda) dhe i japim ujë e ushqim deveve tona. Muadhi mbrëmë u fal me ne, dhe lexoi kaptinën "El Bekare", por unë e shkurtova namazin, e ai po pretendon se unë jam hipokrit." Atëherë i Dërguari i Allahut tha: "O Muadh, a përçarës (i njerëzve) je?" - këtë e tha tri herë - (më pas tha:) Lexo: "Kaptinën "Esh Shems", "El Ala", e të ngjashme me këto!"
Në transmetimin tjetër, po ashtu në koleksionin e Buhariut, qëndron edhe shtesa në fund: "E përse nuk u fale duke lexuar "El Ala", "Esh Shems" dhe "El Lejl", sepse pas teje falet i shtyri në moshë, i dobëti, dhe ai që ka ndonjë nevojë."
Sipas versionit të Muslimit, ngjarjes i përshkruhen disa veçori që e zbërthejnë edhe më tepër. Përshkruhet se bëhet fjalë për namazin e jacisë, dhe se namazfalësi nuk ka mundur ta përballojë leximin e gjatë të Muadhit, prandaj ka dhënë selam dhe është falur i vetëm, e në fund ka dalë nga xhamia para se namazi me imam të përfundojë.
"Na ka treguar Muhamed bin Abade, na ka treguar Sufjani, nga Amri, e ky nga Xhabiri, i cili citohet të ketë thënë: "Muadhi falej me të Dërguarin e Allahut, dhe pastaj shkonte te populli i tij dhe iu printe në namaz. Një natë prej netëve fali namazin e jacisë me të Dërguarin e Allahut, e më pas shkoi te populli i tij dhe iu priu atyre në namaz. Ai në namaz lexoi kaptinën "El Bekare", e njëri nga namzfalësit dha selam dhe u largua (nga xhemati), e pastaj u fal i vetëm dhe doli. Atij i thanë: "A bëre hipokrizi, o njeri?" Ai ua ktheu: "Jo, assesi. Për Zotin do të shkoj tek i Dërguari i Allahut, dhe gjithsesi do ta informoj atë." Ai në fakt shkoi tek i Dërguari i Allahut dhe i tha: "O i Dërguar i Allahut, ne kemi deve dhe punojmë (punë të rënda) gjatë ditës. Muadhi kishte falur namazin e jacisë me ty, e më pas erdhi te ne dhe, pasi e hapi namazin, filloi leximin e kaptinës "El Bekare". I Dërguari i Allahut i tha Muadhit: "O Muadh, a përçarës (i njerëzve) je? Lexo këtë e këtë." Thotë Sufjani: "I thashë Amrit: "Ebu Zubejri ka treguar nga Xhabiri, se ai ka thënë: "Lexo (ndonjërën nga kaptinat) "Esh Shems", "Ed Duha", "El Lejl" apo "El Ala". Kështu diçka tha edhe Amri.
Muadh bin Xhebeli ishte njëri prej sahabëve më fekih, dhe më i dituri në sferën e hallallit dhe haramit. Ishte prej njerëzve të dashur të Pejgamberit a.s., dhe ishte shumë mendjemprehtë dhe i mençur. Nga hadithet, me gjithë transmetimet e tyre, na bëhet e qartë se ai falej me të Dërguarin e Allahut në Medine, dhe më pas shkonte në ndonjë vendfaljeje në periferi të Medinës, që t'ua falte të njëjtin namaz edhe atyre. Namazi i tij ishte i gjatë, dhe ai lexonte shumë Kuran. Këtë e bënte nga adhurimi i tij. Në njërën prej netëve, pasi që fali namazin me të Dërguarin e Allahut, shkoi, sikurse e kishte zakon, në vendin ku shkonte zakonisht, dhe priu si imam në namaz. Kur ia filloi namazit, lexoi kaptinën më të gjatë të Kuranit, "El Bekare". Më mesin e namazfalësve ishte një njeri nga shtresa e mesme, i cili punonte thuajse gjatë tërë ditës, dhe faktikisht namazi i gjatë nga leximi i shumtë i Muadhit për të ishte i rëndë dhe thuajse i papërballueshëm. Prandaj, sigurisht se njeriu u lodh nga qëndrimi i gjatë në këmbë, dhe ndoshta kishte edhe punë për të kryer në shtëpi, dhe kështu u largua nga namazi me xhemat dhe e fali namazin i vetëm. Pas faljes së namazit shkoi në shtëpi. Lajmi se njëri nga namazfalësit pas tij kishte lënë namazin dhe ishte falur i vetëm i shkoi Muadh bin Xhebelit, veprim të cilin ai e urreu, sepse kjo nënkuptonte një përçarje të brendshme mes myslimanëve. Tentativa përçarëse në Medine ishin të shumta, që zakonisht bëheshin nga hipokritët që tentonin thyerjen e unitetit të myslimanëve, ndaj edhe Muadhi dhe kolektivi i tij nuk hezituan fare nga rasti, dhe kështu personin e tillë e quajtën hipokrit. I ndodhur para një situate delikate, ai person mundohej ta qetësonte veten dhe ta mbronte veprimin e tij. Megjithatë ai vendosi të shkonte tek i Dërguari i Allahut dhe ta informonte për atë që i kishte ndodhur, dhe në një farë forme të kërkonte falje para të Dërguarit të Allahut për ndërprerjen e namazit me imam dhe për faljen vetëm, si pasojë e punëve të tij të shumta. Kur shkoi tek i Dërguari i Allahut dhe e informoi për veprimin e tij dhe për akuzën e Muadhit ndaj tij, i Dërguari i Allahut u hidhërua pa masë dhe e qortoi ashpër Muadhin, duke i thënë tri herë radhazi: "O Muadh, a përçarës je?" Kjo pyetje tregonte për një qortim të ashpër nga ana e të Dërguarit a.s., ndërsa përsëritja e vazhdueshme nga ana e Pejgamberit a.s. nënkupton rëndësinë e kësaj çështjeje, sepse ai gjërat e rëndësishme i përsëriste gjithmonë. Prandaj, pasi qortoi Muadhin, e porosit që t'i lexonte kaptinat e shkurtra të Kuranit, si: "Esh Shems", "Ed Duha", "El Lejl" "El Ala", e të ngjashme me këto, sepse leximi i kaptinave të shkurtra të Kuranit në namaz do të ishte i përshtatshëm për të moshuarit, të sëmurët dhe ata që kanë ndonjë nevojë.
Prijësi në namaz duhet ta falë namazin konform gjendjes së kolektivit. Ai duhet të dijë se kush falet pas tij, dhe a mund të qëndrojnë gjatë në namaz. Njerëzit nuk janë gjithë njësoj. Dikush mund të qëndrojë më gjatë në namaz, e dikush nuk mund ta përballojë një qëndrim të gjatë. Nganjëherë rrethanat ekzistuese imponojnë shumë gjëra. Ndoshta xhamia mund të jetë pranë tregut, afër ndonjë fabrike, apo mund të jetë krejtësisht pranë vendeve bujqësore. Në rrethana të tilla namazi duhet të jetë sa më i shkurtër, për shkak të prezencës së atyre. Gjithashtu xhamia mund të jetë pranë shkollave e fakulteteve, ku studentët për shkak të ligjëratave apo provimeve nuk mund të qëndrojnë gjatë në namaz. Prandaj, në rrethana të tilla është obligim për prijësit e namazit që atë ta shkurtojnë, e jo ta zgjasin, përndryshe do të jetë barrë e rëndë për namazfalësit.
Ibën AbdulBerri në librin e tij madhështor "El Istidhkar", në lidhje me këtë sjell një transmetim se Omeri disa imamëve që e zgjatnin shumë namazin u thoshte: "Mos e bëni që Allahu të urrehet nga robërit e Tij!" Më pas Ibën AbdulBerri thotë: "Nëse në atë kohë njerëzit urdhëroheshin të mos e zgjatnin namazin, atëherë çfarë të themi për kohën tonë?"
Në vijim kemi një rast që transmetohet nga disa shokë të Pejgamberit a.s., dhe po me përmbajtje të njëjtë: "Na ka treguar Kutejbeh, dhe ka thënë: "Na ka treguar Mervan bin Muavijeh El Fezarij, nga Humejdi, e ky nga Enes bin Maliku, se i Dërguari i Allahut kishte thënë: "Për Zotin, unë e dëgjoj të vajtuarit e fëmijës përderisa jam në namaz, dhe e shkurtoj (leximin e Kuranit) nga frika se mos po shqetësohet nëna e tij."
I Dërguari i Allahut ishte jashtëzakonisht i mëshirshëm. Ai e shkurtonte leximin e Kuranit në namaz gjersa dëgjonte të vajtuarit e fëmijës, në mënyrë që të mos shqetësohet nëna e tij. Po të mos e shkurtonte leximin e Kuranit në raste të tilla, atëherë nëna e fëmijës nuk do të ishte e koncentruar në namaz, dhe praktikisht vetëm trupi i saj do të ishte në namaz se mendja dhe përqendrimi do të ishin me djalin e saj.
Përfundim
Nga ky shtjellim vijmë në përfundim se imami duhet të jetë vigjilent për gjendjen e atyre që falen pas tij, si dhe të mos i rëndojë ata me lexim të gjatë të Kuranit, ngase në mesin e namazfalësve ka të shtyrë në moshë, të sëmurë, njerëz që kanë ndonjë nevojë, dhe praktikisht leximi i gjatë i Kuranit në namaz do të ishte një barrë e rëndë dhe ngarkesë e madhe për ta. Ka njerëz që janë në punë dhe mundohen që farzin ta falin me imam, e zgjatja e namazit do t' i vendoste në një pozicion të palakmueshëm dhe do t' ua komplikonte punët edhe më. Prandaj, është e logjikshme dhe e arsyeshme që imami të jetë i kujdesshëm me xhematin e tij, dhe të mos jetë shkaktar që njerëzit të mungojnë në namazet kolektive për shkak të leximit të tij të gjatë.
Mr. Ejup Haziri