Të jesh human do të thotë të mbash qëndrim njerëzor e fisnik, dhe të tregosh dashuri të thellë ndaj të gjithë njerëzve. Zemra jote duhet të jetë e madhe dhe të ketë vend për të gjithë njerëzit, pa dallim.
Nuk ka gjë më të bukur sesa të kesh zemër të gjerë dhe të madhe, e cila ka vend për të gjithë. Një zemër e tillë, kudo që ndodhet, mendon se si t' u falë gëzim dhe lumturi të tjerëve. Ajo mendon për një nënë me jetimë, për një nevojtar, për një të moshuar e të braktisur, për jetimët në jetimore, për dikë që nuk e njeh Zotin, për njerëzit, pra se si t'u ndihmojë dhe t'u falë gëzim etj. Nuk mund të ndihesh i lumtur vetëm se duke i dashur njerëzit, dhe duke ua (dh)uruar lumturinë ashtu siç e (dh)uron për veten tënde. Kjo edhe me armiqtë dhe kundërshtarët e tu, duke u (dh) uruar udhëzimin dhe mirësinë, e jo shkatërrimin dhe dënimin me Xhehenem.
Muhamedi a.s., ua ka tërhequr vërejtjen të gjithë besimtarëve islamë duke thënë: "Askush prej jush nuk e ka besimin e plotë përderisa të mos e dojë për vëllanë e tij atë që do për vete."(1)
Lidhur me interpretimin e këtij hadithi shumë dijetarë mendojnë se fjala" vëlla" përfshin vëllazërinë e myslimanëve. Pejgamberi a.s., e la të papërcaktuar termin "vëlla", me qëllim që të përfshijë të gjithë njerëzit myslimanë.
Sot, në shumë vende lindin fëmijë nga bashkëjetesa mes dy personave, fëmijë që shpeshherë u dorëzohen qendrave sociale. Fëmijët e tillë rriten pa përkujdesjen prindërore, dhe neve si mëkëmbës të Allahut(2) duhet të na vijë keq për ta, dhe atyre duhet t'ua dëshirojmë vetëm të mirën. T’ua duash të gjithë njerëzve të mirën nuk do të thotë të heqësh dorë nga e drejta jote, të lejosh të të shkelin me gjithë forcën, të lejosh të shtypet populli yt dhe të humbasësh dinjitetin tënd. Përkundrazi me dashuri me respekt e humanizëm arrin vetëm më lart në zemrat e të tjerëve. Thotë Muhamedi a.s.:
"Nuk mund t'i përfitoni njerëzit me pasuritë tuaja, por i përfitoni me fytyra të gëzuara dhe me moral të mirë.”(3)
Humanizmi është një vlerë që ishte e mbjellë në zemrat e sahabëve në formën më të mirë të mundshme, e për këtë sjellim një shembull nga jeta e tyre:
Tregon Umer bin Hatabi, prijësi i myslimanëve: "Çdo ditë pas namazit të sabahut Ebu Bekri zhdukej në një nga lagjet e largëta të Medinës. Unë nuk e dija se çfarë bënte ai atje. Një ditë e ndoqa, dhe pashë që hyri në një shtëpi të vjetër. Pas njëfarë kohe ai doli që andej, dhe u largua. Menjëherë unë hyra brenda dhe gjeta një grua të moshuar, të verbër dhe dy fëmijë të vegjël. Unë e pyeta: "Kush je ti?" Ajo u përgjigj: "Babai i këtyre fëmijëve ka vdekur, kurse unë jam e verbër dhe e lodhur, e nuk kemi asnjë njeri që kujdeset për ne." Unë e pyeta sërish: "Po ai burri që sapo doli, kush është?" Gruaja u përgjigj: "Nuk e dimë. Ai vjen çdo ditë, pastron shtëpinë, përgatit mëngjesin dhe mjel delet." Umerit i rrodhën lotët dhe tha: "Po i lodh kalifët që do të vijnë pas teje, o Ebu Bekër."
A ka humanizëm më të madh se kaq?!
Mëso të bëhesh human duke u jetësuar me shembujt nga jeta e Pejgamberit a.s. dhe jeta e sahabëve të lavdëruar!
Mëso të sillesh si njeri me të gjithë! Mëso të jesh humanist!
Sa më shumë që hap zemrën me njerëzit e tjerë, aq më shumë të zvogëlohen hallet dhe dertet.
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: "O ju njerëz, me të vërtetë Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, dhe ju bëmë fise e popuj, ashtu që të njiheni." (El Huxhuratë, 13) Pastaj ajeti tjetër: "O Njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, I Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra." (En Nisaë, 1)
Prandaj, ne si ithtarë të fesë më të pastër dhe më të përsosur, duhet të kemi vlerat dhe cilësitë më të pastra dhe më të përsosura krahas të tjerëve. Në shfaqjen e humanizmit duhet të jemi superiorë ndaj të tjerëve, sepse posedojmë diçka që të tjerët nuk e kanë, pra posedojmë porositë dhe mesazhet hyjnore.
Të mos themi se nevojtarët dhe hallexhinjtë janë të shumtë, dhe se ne nuk e dimë se kënd ta ndihmojmë më parë. Kjo të nxjerrë prej kontekstit të krijimit, dhe të bën pesimist, si dhe të dërgon drejt humnerës së mendjemadhësisë. Prandaj, nëse për një moment na pamundësohet të shfaqim humanizëm me të tjerët, së paku të solidarizohemi me ta, në çfarëdo mënyre qoftë, edhe në formë duaje apo me çfarëdo mundësie që kemi para vetes. Kjo nga fakti se ekzistojnë shumë e shumë njerëz përreth botës që kanë mbetur në "mëshirën e kohës", e që për një pjesë të shoqërisë është e pamundur t'iu dalin në ndihmë atyre. Atëherë, ajo që kërkohet nga ne si besimtarë të drejtë, dashamirë të shoqërisë, pra është të ngremë duart tona lart dhe të lutemi tek Allahu i Gjithëmëshirshëm, ashtu siç lutemi për veten tonë, madje edhe më fort dhe edhe më bindshëm, sepse kjo na lartëson edhe ne si besimtarë. Thotë Ibën Kajim El Xheuvzi: "Madhësia e solidarizimit është kundruall madhësisë dhe fuqisë së imanit. Sa më i fortë të jetë imani, edhe solidarizimi është më i madh.” Prej të gjithë njerëzve, i Dërguari i Allahut (a.s.), ka treguar më shumë solidaritet dhe humanizëm ndaj sahabëve besimtarë, madje edhe ndaj atyre që nuk besuan dhe tentuan ta mbysnin. Por, ishte pikërisht humanizmi që i pushtoi zemrat e shumicës prej tyre, dhe bëri që të jenë të shpëtuar në botën tjetër. Ngjashëm me këtë kemi shembullin e Pejgamberit tonë të dashur: "Një ditë Pejgamberi a.s. ishte ulur bashkë me shokët e tij. Në një çast aty pranë kalon një xhenaze me njerëzit që e përcillnin për në varreza. Menjëherë Pejgamberi a.s. u ngrit në këmbë, si shenjë respekti. Disa nga sahabët, duke menduar se Pejgamberi a.s. nuk ishte në dijeni se për kë bëhej fjalë, i thanë: "O i Dërguari i Allahut! Ajo është xhenazja e një çifuti." Pejgamberi a.s. u përgjigj: "Po, a nuk ishte njeri?"
Interpretimi im lidhur me këtë është se çdo qenie humane meriton të respektohet. Arsyeja e kësaj gjithnjë duhet të jetë:
- Myslimani duhet të jetë mbi të tjerët me çdo vlerë pozitive;
- Kështu na mëson Shëmbëlltyra e gjithë njerëzimit, Pejgamberi a.s.
Prandaj, le ta marrim shembull Pejgamberin, të Dërguarin e Allahut Fuqiplotë, dhe të tentojmë të jemi sa më humanë.
Një i urtë thoshte: "Nëse dëshiron të korrësh dashuri, duhet ta mbjellësh atë!
__________________
(1) Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
(2) Ashtu siç na quan Allahu në Kuran (Sure Bekare: 30).
(3) ”Bulugul Meram" nr. 1996 - Haxher El Askalani - Transmeton Ebu Hurejre.
Bunjamin Emini