Tahaviu në "Sherh Meani-l Athar" përcjell transmetimin e Ebu Derdasë në lidhje me mjaftueshmërinë e leximit të Kuranit nga ana e imamit për ata që falen pas tij:
"Na ka treguar Ahmed bin Davud, i cili ka thënë: "Na ka treguar Muhamed bin El Muthenna, na ka treguar Abdurrahman bin Mehdij, dhe ka thënë: "Na ka treguar Muavijeh bin Salih nga Ebu Ez Zahirijeh, ky nga Kethir bin Murreh, e ky nga Ebu Derdaja, se një person e pyeti të Dërguarin e Allahut: "O i Dërguar, a në çdo namaz duhet të lexohet Kuran?" "Po", - ia ktheu i Dërguari i Allahut. Njëri nga ensarët tha: "U bë obligim."
Ebu Derdaja thotë: "Unë mendoj se nëse imami iu prin njerëzve (në namaz), (leximi i tij) u mjafton atyre."(1)
Tahaviu në lidhje me këtë thotë: "Ebu Derdaja e kishte dëgjuar të Dërguarin e Allahut se në çdo namaz ka lexim të Kuranit, e njëri nga ensarët pohoi se është obligim leximi i tij, dhe se për këtë i Dërguari i Allahut nuk e mohoi fjalën e ensarit, e më pas Ebu Derdaja e tha mendimin e tij se leximi i imamit mjafton për ata që falen pas tij..."(2) Ndërsa Bedrudin El Ajni për këtë ngjarje thotë: "Ky hadith është një argument për ata që u mbështetën në transmetimet e Ebu Hurejres dhe Aishes rreth obligueshmërisë së leximit të "Fatihasë" në namazet me imam, se në transmetimet e tyre (Ebu Hurejres dhe Aishes) nuk ka argument që hadithi sinjalizon namazin me imam, prandaj ka gjasë që ato transmetime të kenë për qëllim namazin pa imam, për arsye se transmetimi i Xhabirit specifikon namazin me imam: "Ai që e pason imamin (në namaz), leximi i imamit llogaritet lexim për të."(3) Më tej Ajniu shton: "Ebu Derdaja kur pohoi se "...nëse imami iu prin njerëzve (në namaz), (leximi i tij) u mjafton atyre", e kishte thënë këtë nga dija e tij nga i Dërguari i Allahut(4): "Ai që e pason imamin (në namaz), leximi i imamit llogaritet lexim për të." (Ibën Maxheh në Sunen, Nr.850.)
Hadithi i Ebu Derdasë është autentik dhe ka dy rrugë tjera transmetimi, dhe që të dyja janë autentike.(5) Rruga e parë, që transmeton Darekutni në Sunenin e tij, ka këtë varg: "Na ka treguar Muhamed bin Mahled, na ka treguar Shuajb bin Ejub dhe të tjerët, të cilët kanë thënë: "Na ka treguar Zejd bin El Hubabi, na ka treguar Muavijeh bin Salih, na ka treguar Ez Zahirijeh nga Kethir bin Murreh, e ky nga Ebu Derdaja, i cili thotë: "U pyet
i Dërguari i Allahut se a ka lexim (të Kuranit) në çdo namaz, e ai u përgjigj: "Po". Atëherë njëri nga ensarët tha: "U bë obligim ky (leximi i Kuranit)!" Atëherë i Dërguari i Allahut më tha mua që isha më së afërmi me të: "Nëse imami iu prin njerëzve (në namaz), atyre iu mjafton leximi i tij." Kështu kanë thënë ata që transmetojnë prej Zejd bin El Hubab, ndërsa e vërteta është:
"Ka thënë Ebu Derdaja: "Nëse imami iu prin njerëzve (në namaz), atyre iu mjafton (leximi i tij)." (Darekutni në Sunen, Nr.1262.)
Me këtë rrugë transmetimi hadithin në fjalë e transmeton edhe Nesaiu: "Më informoi Harun bin Abdullah, i cili tha: "Na tregoi Zejd bin El Hubab dhe tha: "Na ka treguar Muavijeh bin Salih dhe tha: "Më tregoi Ebu Ez Zahirijeh dhe tha: "Më tregoi Kethir bin Murreh El Hadremij, i cili e kishte dëgjuar Ebu Dardanë duke thënë: "U pyet i Dërguari i Allahut se a ka lexim (të Kuranit) në çdo namaz, e ai iu përgjigj: "Po". Atëherë njëri nga ensarët tha: "U bë obligim ky (leximi i Kuranit)!" Atëherë i Dërguari i Allahut më tha mua që isha më së afërmi me të: "Nëse imami iu prin njerëzve (në namaz), atyre iu mjafton leximi i tij." Ebu Abdurrahmani tha: "Këto fjalë (kinse i ka thënë) i Dërguari i Allahut janë gabim, ngase janë fjalë të Ebu Dardasë ... "(6)
Se fjalët e fundit në hadith janë të Ebu Dardasë e jo të Pejgamberit a.s. e tregon edhe transmetimi i radhës, që është në koleksionin e Darekutniut, që njëherit është edhe rruga e dytë e transmetimit të hadithit të Ebu Dardasë: "Na ka treguar AbdulMelik bin Ahmed Ed Dekkak, na ka treguar Bahr bin Nasr, na ka treguar Ibën Vehbi, më ka treguar Muavijeh, i cili tha: "Ka thënë Ebu Derdaja: "O Kethir, unë mendoj se (leximi nga) imami u mjafton atyre (në namaz)." (Darekutni në Sunen, Nr.1263.)
Hadithi i radhës është ai që transmetohet nga Ebu Hurejre, i cili është në koleksionin e Ebu Davudit dhe Thën Maxhes dhe që në të dyja koleksionet është autentik: "Na ka treguar Muhamed bin Adem El Missisij, na ka treguar Ebu Halidi nga Ibën Axhlan, ky nga Zejd bin Eslem, ky nga Ebu Salih e ky nga Ebu Hurejre, se i Dërguari i Allahut ka thënë: "Imami është caktuar që të faleni pas tij." Dhe shtoi: "E kur të lexojë (recitojë) ai, ju heshtni."(7)
Hadith me përmbajtje të afërt me atë paraprak transmetohet edhe nga Ebu Musa El Eshariu në koleksionin e Ibën Maxhes: "Na ka treguar Jusuf bin Musa El Kattan, na ka treguar Xheriri nga Sulejman Et Tejmij, ky nga Katadeh, nga Ebu Galab, nga Hitan Abdullah Err Rrekashij, e ky nga Ebu Musa El Eshariu, i cili thotë: "I Dërguari i Allahut
tha: “Kur të lexon imami, ju heshtni ....!”(8)
Nga Ebu Hurejre përcillet edhe hadithi tjetër, i cili është në koleksionin e Ibën Maxhes: "Na ka treguar Ebu Bekr bin Ebi Shejbeh dhe Hisham bin Amari, të cilët kanë thënë: "Na ka treguar Sufjan bin Ujejne nga Zuhrij, ky nga Ibën Ukejmeh, i cili thotë: "E kam dëgjuar Ebu Hurejren duke thënë: "I Dërguari i Allahut e fali një namaz me shokët e tij, - mendojmë se ishte namazi i sabahut - dhe tha: "A lexoi dikush prej jush?" Njëri prej tyre tha: "Unë (lexova)!" Atëherë i Dërguari i Allahut tha: "Thash, kush po më përzihet (shqetëson) mua në lexim."(9)
Diçka ngjashëm me të transmeton Imran bin Husajni, dhe hadithi është në koleksionin e Muslimit dhe në koleksionet tjera, si dhe tekstualisht përmendet se namazi ishte i drekës (sipas transmetimeve më të sakta), ndonëse mund të jenë dy ngjarje të ndryshme në kontekstin kohor, e që transmetohet nga dy transmetues të ndryshëm: "Na ka treguar Seid bin Mensuri dhe Kutejbeh bin Seidi, që të dytë nga Ebu Avaneh, se Seidi ka thënë: "Na ka treguar Ebu Avaneh nga Katadeh, ky nga Zurareh bin Evfa, e ky nga Imran bin Husajni, i cili ka thënë: "I Dërguari i Allahut e fali namazin e drekës - apo ikindisë, - me ne, dhe (pas namazit) tha: "Cili prej jush lexoi "Sebbihisme rabbike-l A'la"? "Njëri prej tyre tha: "Unë, dhe me këtë nuk dëshirova diç tjetër pos mirësi." Atëherë i Dërguari i Allahut tha: "E kuptova se dikush prej jush po më përzihet (shqetëson) në lexim.”(10)
Këto ishin vetëm disa nga hadithet që flasin për këtë tematikë, përndryshe duhet përmendur se kam lënë shumë hadithe pa i përmendur fare, për shkak të stërzgjatjes së kësaj teme. Ndonëse edhe në këto hadithe që i kam paraqitur këtu dhe disa që i kam lënë, disa dijetarë kanë potencuar se transmetuesit janë të dobët, dhe se hadithet janë mevkufe, mirëpo realiteti është se një numër i madh i tyre janë të vërteta dhe arrijnë shkallën e autencitetit, ashtu siç kemi përmendur vlerësimet e dijetarëve të mëdhenj. Në këtë kontekst, Ajniu në komentimin që i bën Sahihut të Buhariut, rreth akuzave të kundërshtarëve të hanefinjve në lidhje me këtë çështje, shprehet: "Shtesa në hadith nga transmetuesi besnik është e pranuar. Hadithet mursel (që të tjerët na kanë akuzuar) te ne janë të pranuara. Atyre që thonë se në transmetimet e tilla ka transmetues të dobët u përgjigjem se i dobëti përforcohet me transmetuesin autentik, madje kur ka shumë transmetime të ndryshme, ato njëri-tjetrin e përforcojnë. E, sa i përket akuzave të tyre se ato (hadithe) janë mevkufe, s'ka dyshim se hadithet mevkufe te ne janë të pranuar, ngase sahabët ishin të drejtë e besnikë.”(11)
Argumentet nga sahabët dhe tabiinjtë
Shumica e sahabëve, madje sahabëve të njohur e të zgjedhur, nuk parashihnin të lexonin Kuran pas imamit. Këtë do ta ilustrojmë edhe me thëniet autentike të tyre sa i përket kësaj tematike, e që në fakt janë thënie të shumta, dhe numri i tyre nuk është i vogël. Madje, ajo që është e rëndësishme në këtë aspekt është fakti se në mesin e tyre janë sahabët e njohur për nga devotshmëria dhe dija. Në mesin e tyre janë sahabët që i Dërguari i Allahut i përgëzoi me Xhenet. Transmetohet se dhjetë prej sahabëve mendonin se nuk duhet të lexohet pas imamit, e në mesin e tyre ishin katër kalifët e drejtë, dhe se nuk raportohet që dikush t'i ketë kundërshtuar ata në këtë çështje. Shabiu kishte thënë: "I kam arritur shtatëdhjetë prej atyre që morën pjesë në betejën e Bedrit, dhe që të gjithë e ndalonin leximin e Kuranit pas imamit."(12)
Ajniu në komentimin që i bën Sahihut të Buhariut, në lidhje me këtë çështje thotë: "Është transmetuar se tetëdhjetë (80) sahabë të mëdhenj janë të mendimit se nuk duhet lexuar pas imamit. Praktikisht bashkimi i tyre në këtë çështje është në rolin e konsensusit (ixhmait). E, në këtë kontekst e ka thënë edhe autori i "Hidajes": "Për lënien e leximit pas imamit është konsensusi i sahabëve", e quajti konsensus në bazë të dakordimit të shumicës së sahabëve..."(13)
Abdurrezaki në Musannefin e tij transmeton se Ebu Bekri, Omeri dhe Othmani, që të gjithë, ndalonin të lexohet pas imamit. (Abdurrezaki në Musannef, Nr.2810.)
Aliu ka thënë: "Nuk është prej natyrshmërisë (fitrah) të lexohet pas imamit."(14)
Abdullah bin Mesudi thoshte: "Unë nuk di nga Suneti që të lexohet pas imamit."
Gjithashtu Abdullah bin Mesudi ka thënë: "Do të dëshiroja që ai që lexon pas imamit ta mbush gojën me dhe."(15)
Ibën Omeri thoshte: "Leximi i tij (imamit) të mjafton ty."(16)
Nga Ibën Omeri gjithashtu transmetohet se ai ndalonte leximin pas imamit(17)
Kolosi maliki, Ibën AbdulBerr, në "Temhid", thotë: "Është transmetuar nga Aliu, Sad (bin Ebi Vekasi) dhe Zejd bin Thabiti(18), se nuk ka lexim me imamin as në namazet pa zë, e as në ato me zë."(19)
Nga katër sahabë të mëdhenj transmetohet se ata kishin pohuar se më mirë është ta mbushësh gojën me dhe apo gurë, sasa të lexosh pa imamit. E, ata ishin sahabët e dalluar dhe të përgëzuar me Xhenet: Omeri, Aliu, Sad bin Ebi Vekasi dhe Abdullah bin Mesudi.
Ngjashëm me ta transmetojnë edhe fekihët e mëdhenj nga gjenerata e tabiinjve, si Ibrahim Nehaiu, Alkame bin Kajsi, Esvedi dhe të tjerët.(20) Madje Esvedi ishte shprehur: "Më e dashur për mua është ta kafshoj një gacë sesa të lexoj pas imamit.”(21)
Këto transmetime që përcillen nga sahabë e tabiinj të mëdhenj, madje nga më të njohurit e sahabëve dhe tabiinjve, siç janë sahabët e përgëzuar me Xhenet, dhe ata që ishin të shquar në dije, janë indikacion i qartë dhe provë e fuqishme se leximi pas imamit nuk ishte praktikë e sahabëve, e kjo lehtë mund të dëshmohet edhe përmes thënieve të tyre që i kam paraqitur sipër, ku shprehet haptazi mospajtimi i madh me praktikën e leximit pas imamit, siç ishte fjala e Abdullah bin Mesudit, që më mirë do të ishte ta mbush gojën me dhe sesa të lexojë pas imamit. Të këtij karakteri janë edhe thëniet tjera nga sahabët e mëdhenj e deri te tabiinjtë e njohur, të cilët leximin pas imamit e shihnin si risi dhe si një gjë që s'përputhej me sunetin pejgamberik. Së këndejmi, fekihu i madh nga gjenerata e tabiinjve, Ibrahim Nehaiu, qartazi pati deklaruar: "Risia e parë që njerëzit e futën në fe është leximi pas imamit - sahabët nuk kanë lexuar pas imamit." Kjo është dëshmia e atij që u takua me sahabët dhe fali namazet pas tyre. Rrjedhimisht ishte dëshmitar i namazit të tyre, andaj edhe qartë u shpreh se çështja e leximit pas imamit nuk ishte traditë e sahabëve. Pohimin e tij e përforcon edhe më shumë thënia e Muhamed bin Sirinit, i cili tha: "Konsideroj se leximi pas imamit nuk është praktikë profetike." Pohimet e fukahave përforcohen edhe me pohimet e dy hadithologëve më të njohur, të cilët po patën mendim të njëjtë rreth një gjëje atëherë nuk shikohet fare mendim tjetër, e ata janë: Sufjan bin Ujejne dhe Sufjan Thevriu, të cilët parashihnin që ai që falet pas imamit të mos lexojë, ngase leximi i imamit konsiderohet lexim edhe për të.
Përfundim
Në bazë të argumenteve dhe fakteve lehtë mund të përfundojmë se opinioni i hanefinjve për moslejimin e atyre që falen pas imamit është shumë i fuqishëm, ngase ajetet kuranore dhe hadithet profetike sinjalizojnë se ai që falet pas imamit duhet të dëgjojë me vëmendje, gjegjësisht të heshtë nga leximi. Janë sahabët më të mëdhenj, si katër kalifët e drejtë, pastaj dhjetë të përgëzuarit me Xhenet dhe një numër jashtëzakonisht i madh i tyre që ndalonin nga leximi në namaz pas imamit. Madje, numri i tyre është aq i madh saqë disa dijetarë kanë thënë se nga dakordimi i tyre në masë të madhe thuajse është arritur edhe konsensusi (ixhmai) për këtë çështje. Sidoqoftë, pa mohuar palën tjetër dhe argumentet e tyre, argumentimi i kolosëve hanefinj dhe analiza e tyre në lidhje me mosleximin e atij që falet pas imamit është jashtëzakonisht i fuqishme me fakte dhe argumente të qarta.
_____________________
(1) Tahaviu në Sherh Meani-l Athar, nr.1289.
(2) Tahaviu në Sherh Meani-l Athar, nr.1289, v.I, f. 216.
(3) Ibën Maxheh në Sunen, nr.850. Albani thotë se hadithi është i pranuar (hasen). Edhe Shuajb el-Arnauti thotë se hadithi është i pranuar në bazë të rrugëve të transmetimit. Në vargun e transmetuesve është edhe Xhabir el-Xhu'fij, për të cilin ulemaja kanë vlerësime të kundërta, megjithatë Albani dhe disa tjerë hadithin e shohin si të mirë dhe të pranueshëm. Mirëpo hadithi në fjalë ka rrugë tjera transmetimi që në të nuk është Xhabir el-Xhu'fij.
(4) Bedrudin el-Ajni, Nuhabu-l Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ahbar, v.V, f. 372-373.
(5) Kështu mendojnë dy kolosët e mëdhenj të shkollës hanefite: Tahaviu dhe Ajniu (por edhe të tjerët): Bedrudin el Ajni, Nuhabu-l Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ahbar, v.V, f. 376.
(6) Nesaiu në Sunen, nr.923. Albani në vlerësimin e tij thotë se senedi i hadithit është autentik (sahih).
(7) Ebu Davudi në Sunen, nr.604. Ndonëse janë munduar disa ta paraqesin hadithin në fjalë si jo të saktë për shkak të shtesës: "E kur të lexoj ai, ju heshtni", megjithatë e vërteta është se hadithi është autentik dhe këtë do ta dëshmojmë me vlerësimin e dijetarëve të njohur të hadithit: Shuajb el-Arnauti që verifikon hadithet e Sunenit të Ebu Davudit për këtë hadith thotë: "Hadithi është autentik (sahih) dhe se ky sened është i fuqishëm ... " Më pas ai thotë: "Shtesa në fjalë ka dëshmi shtesë nga hadithi i transmetuar nga Ebu Musa el-Esh' ariu (nr.973). Po ashtu këtë shtesë e ka vlerësuar autentike (sahih) Muslimi në Sahihun e tij, ndonëse hadithin në fjalë nuk e transmeton në Sahihun e tij pas transmetimit të hadithit nga Ebu Musa. E kur Ebu Bekr ibën Uht Ebu-n Nadr e pyeti Muslimin për hadithin e Ebu Hurejres, Muslimi iu përgjigj: "Ai (hadith) sipas meje është autentik (huve indi sahih) " E kur e pyeti se përse nuk e ke sjellë në Sahihun tënd, Muslimi iu përgjigj: "Unë nuk vendosa këtu (në Sahih) çdo gjë që ishte sahih (autentike), mirëpo vendosa këtu ato hadithe që për to kishte pajtim (konsensus)." Muslimi në Sahih, nr. 404. Hadithin në fjalë e ka vlerësuar si autentik Taberiu në tefsirin e tij (v.IX, f. 166), Mundhiriu në "Tehdhibu-s Sunen (v.I, f. 313), ibën Haxheri në "Fet'hu-l Bari" (v.I, f. 242), ibën Hazmi në "el-Muhal-la" (v.III, f. 210. Gjithashtu Ibën AbdulBerri në "Temhid" (v.Xl, f. 34) e përmend me sened deri tek Ahmed ibën Hanbeli se ai i vlerësoi autentike hadithin e Ebu Musa el-Esh'ariut dhe Ebu Hurejres." Shih Sunenin e Ebu Davudit me recenzurë nga Shuajb el-Arnaut-it, bot.l-rë, Daru-rr Rrisaleh el-Alemijeh, 1430-2009, v.I, f. 453 (fusnotë). Këtë hadith e transmeton edhe ibën Maxheh në Sunen me përmbajtje gati të njëjtë me atë që transmetohet në Sunenin e Ebu Davudit: Na ka treguar Ebu Bekr ibën ebi Shejbeh i cili tha: "Na ka treguar Ebu Halid el-Ahmer nga ibën Axhlan, ky nga Zejd ibën Eslem, ky nga Ebu Salih e ky nga Ebu Hurejre se i Dërguari i Allahut ka thënë: "Imami u është caktuar që t'iu prijë juve, e kur ai shqipton tekbirin, shqiptoj eni edhe ju atë, e kur ai lexon, ju heshtni..." Ibën Maxheh në Sunen, nr.846. Albani thotë se hadithi është i mirë-autentik (hasen sahih) Sindij (shpjeguesi i Sunenit të Ibën Maxhes) thotë: "Këtë hadith e ka vlerësuar autentik Muslimi dhe nuk merret në konsideratë ai që e vlerëson si të dobët." Shih: Sunen ibën Maxheh, me recenzurë nga Muhamed Fuad AbdulBaki dhe me koment nga Sindij, dar ihjai-l kutub el-arebijeh, v.I, f. 276.
(8) Ibën Maxheh në Sunen, nr.847. Verifikuesi i haditheve të Sunenit të Ibën Maxhes, Shuajb el-Arnauti dhe të tjerët për këtë hadith thonë: "Senedi i hadithit është autentik!" Shih: Sunen Ebi Maxheh, me verifikim nga Shuajb el-Arnauti, bot.I-rë, Daru-r Rrisaleh el-Alemijeh, bot.I-rë, 1430-2009. v.II, f. 32. Edhe verifikuesi tjetër i këtij Suneni, Albani thotë se hadithi është autentik (sahih). Shtesa "Kur të lexon imami, ju heshtni" në këtë hadith dhe në atë paraprak, ka bërë që një pjesë e dijetarëve të mos e pranojnë, megjithatë sipas shumicës së dijetarëve ajo është e pranuar, madje nga shumica e dijetarëve që nuk i përkasin fare shkollës hanefite. Shumica e hanbelitëve dhe malikitëve e pranojnë këtë shtesë dhe hadithin e vlerësojnë se është autentik. Ata që nuk e pranojnë shtesën janë kryesisht ata që janë të mendimit se duhet të lexohet pas imamit. Kështu mendon Kashmiri që i bën koment Sahihut të Buhariut. Ai përveçse cek arsyen e mospranimit të atyre që e obligojnë leximin e Kuranit pas imamit, shton edhe këtë: "Ata fikhun e tyre e ndërtuan në hadith, e jo hadithin bazuar në fikhun e tyre." Shih: Muhamed Enver Shah Kashmiri, Fejdu-l Bari ala Sahihi-l Buhari, bot.l-rë, daru-l kutub el-ilmijeh, Bejrut-Liban, 1426-2005, v.II, f. 273.
(9) Ibën Maxheh në Sunen, nr.848. Hadithi është autentik.
(10) Muslimi në Sahih, nr. 398 (47,48,49). Ebu Davudi në Sunen, nr.829. Albani dhe Shuajb el-Arnauti që verifikojnë hadithet e Sunenit të Ebu Davudit, hadithin në fjalë e vlerësojnë me shkallën më të lartë të autenticitetit (sahih). Nesaiu në Sunen, nr.917; Darekutni në Sunen, nr.1510; Ibën ebi Shejbeh në Musannef, nr.3582; Tahaviu në Sherh Meani-l Athar, nr.1230. Buhariu në el-Kiraetu halfe-l imam, nr. 56, 61, 63, 64, 65. Ky hadith transmetohet edhe nga sahabiu Xhabir ibën Abdullah: Darekutni në Sunen, nr.1235.
(11) Bedrudin el-Ajni, Umdetu-l Kari Sherh Sahihi-l Buhari, v.VI, f. 13.
(12) Ibën Kasim Hashijetu-rr Rrevdi-l-murbi' sherh zadi-l mustakni', v.II, f. 278.
(13) Bedrudin el-Ajni, Umdetu-l Kari Sherh Sahihi-l Buhari, v.VI, f. 13.
(14) Darekutni në Sunen, nr.1243. Sipas një versioni tjetër qëndron: "Kushdo që lexon pas imamit, e ka gabuar natyrshmërinë." Darekutni në Sunen, nr.1241; Ibën ebi Shejbeh në Musannef, nr.3781.
(15) Abdurrezaki në Musannef, nr.2806. Nga Abdullah ibën Mes'udi transmetohen transmetime të ndryshme, ku padyshim që shumica e tyre janë autentike. Ajniu shprehet se transmetimet e Abdullah ibën Mes'udit vijnë kryesisht nga katër rrugë transmetimi, ku tri prej tyre janë autentike, ndërsa e katërta jo. Pa dashur të zgjerohem, po i përmend vetëm burimet e thënies së ibën Mes'udit: Abdurrezaki në Musannef, nr. 2803; Bejhekiu në Sunen, nr.2900; Thën ebi Shejbeh në Musannef, nr.3780. Shih më tepër për këtë çështje: Bedrudin el-Ajni, Nuhabu-I Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ahbar, v.V, f. 414-417.
(16) Burhanudin ibën Muflih, el-Mubdi' fi sherhi-l mukni', bot.I-rë, daru-l kutub el-ilmijeh, Bejrut-Liban, 1418- 1997, v.II, f. 60; Mensur ibën Iunus ibën Idris el-Buhuti, Keshshafu-l Kana' an metni-l Ikna', daru-l kutub el-ilmijeh, bej rut-Liban, pa vit botimi, v.I, f. 463.
(17) Abdurrezaki në Musannef, nr.2814.
(18) Ibën ebi Shejbeh në Musannef dhe Abdurrezaki në Musannef përcjellin se Zejd ibën Thabiti kishte thënë: "Nuk bën të lexohet pas imamit, as në namazet me zë e as në ato pa zë."
(19) Ibën AbdulBerr, et-Temhidu lema fi-l Muvetta mine-l meani ve-l esanid, v.XI, f. 47.
(20) Bedrudin el-Ajni, Nuhabu-l Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ahbar, v.V, f. 415-416.
(21) Ibën ebi Shejbeh në Musannef, nr. 3785. Sipas një transmetimi tjetër, ai kishte thënë: "Do të dëshiroja që ai që lexon pas imamit, ta mbushte gojën me dhe." Ibën ebi Shejbeh në Musannef, nr. 3789.
Mr. Ejup Haziri