Islami dhe bashkëqeverisja te shqiptarët në periudhën e osmanlinjve (3)

Shqiptarët ishin bashkëqeverisjes në kalifatin osman

Kryeministrat shqiptarë gjatë kalifatit osman

21. Xhixha n Mehmet Pasha

Me origjinë shqiptare nga i ati, ndërsa nga e ëma nga familja e sulltanit. Ai u rrit dhe u edukua në oborrin e sulltanit. Si kryeministër qeverisi në vitet 1644-1645.

22. Kara Mustafa Pasha

Me origjinë shqiptare, i lindur në Shqipëri. Ai shkoi në Stamboll si jeniçer dhe arriti të bëhej komandant i ushtrisë së jeniçerëve. Ka qenë dy herë kryeministër në vitet 1649-1650 dhe 1655. Gjatë detyrës si ministër i marinës mundi flotën venedikase.

23. Tarhanxhu Mustafa Pasha

Ishte me origjinë nga Mati dhe qeverisi vendin në vitet 1652-1653. Karrierën e nisi si qeveritar i Egjiptit dhe më vonë i Selanikut. Ishte kryeministër i parë që në kushtet e ndalimit të fushatave dhe plaçkitjeve arriti të bëjë buxhetin e shtetit për të menaxhuar më mirë të ardhurat dhe shpenzimet.

24. Qypyrli Mehmet Pasha

Ishte shqiptar nga Berati, i lindur në një familje të varfër dhe kishte punuar si kuzhinier i sulltanit. Ai nuk kishte arsim, madje ishte analfabet dhe nuk dinte të shkruante dhe të lexonte. Ai e mori pushtetin duke i vendosur disa kushte sulltanit, si p.sh që të zgjidhte vetë ndihmësit e bashkëpunëtorët në qeverisje, gjë që s' e kishte bërë asnjë kryeministër deri në atë kohë.

25. Fazlli Ahmet Pasha Qypyrliu

Pas vdekjes së Mehmetit, vendin e tij e zuri i biri Fazlliu. Si kryeministër qeverisi vendin për një kohë prej 15 vjetësh nga viti 1661 deri më 1676. U edukua në Stamboll dhe ishte më pak i ashpër se i ati.

26. Fazlli Mustafa Pashë Qypyrliu

Ishte djali i dytë i Mehmet Qypyrliut dhe ngjiti shkallët e karrierës shumë shpejt me ndihmën e të afërmve, por dhe me meritat e veta. Në vitin 1690 - 1691 u emërua si kryeministër.

27. Ali Pashë Arabxhiu

Lindi në Ohër. Hyri në ushtri si jeniçer dhe përfundoi si komandant i jeniçerëve. Më vonë u bë komandant i rojeve në oborrin e sulltanit. Në vitin 1691 u bë kryeministër deri në vitin 1692.

28. Hysen Qypyrliu

Me origjinë nga familja e madhe e Qypyrlinjëve, kushëri i parë me bijtë e Mehmet Qypyrliut. Në fillim qe ministër i marinës, dhe pas mbrojtjes së Beogradit kundër austriakëve u bë kryeministër në vitet 1697-1702.

29. Dalltaban Mustafa Pasha

Ishte shqiptar i lindur në Manastir, i cili ngjiti shkallët e karrierës në saje të aftësive të tij politiko-ushtarake. Nga jeniçer kaloi në komandant të jeniçerëve. Ai qeverisi në disa vilajete si në Bagdad, Bosnjë dhe Anadoll. Qeverisi vendin si kryeministër në vitet 1702-1703.

30. Numan Pashë Qypyrliu

Me origjinë nga familja e qypyrlinjëve ishte nipi i Mehmet Qypyrliut dhe qeveris i shtetin në vitin 1710. Para se të bëhej kryeministër në vitin 1708 u martua me të bijën e sulltanit.

31. Haxhi Halil Pashë Shqiptari

Ishte nga Elbasani. Ai ngjiti shkallët e karrierës me mundin dhe punën e vet, duke kryer disa detyra si komandant ushtarak e qeveritar, derisa në vitin 1716 u bë kryeministër.

32. lvaz Zade Halil Pasha u bë kryeministër në v. 1770.

33. Almadar Bajraktar Mustafa Pasha

Ishte shqiptar dhe mori e kryeministrinë, pasi hipi në fron sulltan Mahmut Hani II. Ka qenë ushtarak dhe tregtar i zoti. Ka marrë pjesë në ekspeditën ushtarake kundër Rusisë.

34. Memish Pasha i zgjuar ishte kryeministër në vitet 1808-1809.

35. Gjirtili Mustafa Nail Pasha

Ishte me origjinë nga Kosturi, që sot grekët e quajnë Kastoria, dhe u bë kryeministër tri herë me ndërprerje në 1853, 1854, 1857.

36. Mehmet Ferit Pashë Vlora

Ishte kryeministër në vitet 1902-1908 dhe ka lindur në Janinë, pasi la postin e kryeministrit u bë kryetar senati dhe ministër i brendshëm.

37. Mirsili Said Halim Pasha

Ishte nipi i Mehmetit të Kavallës. Ai u bë senator dhe më pas kryetar i Senatit më 1912, ndërsa ministër i brendshëm dhe kryeministër në vitet 1913-1917.

38. Ahmet Izet Pasha

Me origjinë nga Manastiri, qe kryeministër në vitin 1918.

39. Demat Ferit Pasha ishte kryeministri i fundit në kalifatin osman në vitet 1919-1920.(1)

Kjo listë me emrat e kryevezirëve dhe të vezirëve (kryeministrave dhe ministrave) shqiptarë janë argumenti më i fuqishëm se shqiptarët kanë qenë bashkëqeverisës në kali fatin osman, dhe pjesë e pandarë e shtetit osman, gjë që nuk e kanë arritur dhe nuk po e arrijnë edhe sot e kësaj dite, të vendosen në hierarkinë e Evropës së qytetëruar, edhe pse jemi popull evropian. Duhet theksuar se trojet shqiptare nën sovranitetin e shtetit osman përfshinin një sipërfaqe prej 92.000 km katrore, dhe ato i llogariste si pjesë të pandarë nga shteti.
Studiuesi gjerman, prof. dr. Herman Gros në librin "Ekonomia Ballkanike" shkruan se "Shqiptarët gjatë pesë shekujve që kanë bashkëjetuar me turqit osmanlinj, në saje të aftësisë së adaptimit dhe të talenteve të tyre si nëpunës, kishin zënë shkallët më të larta në Qeverinë e Stambollit dhe kishin role të rëndësishme për perandorinë. Mirëpo nga ana tjetër, fiset shqiptare jetonin të lira e të pavarura në male të Shqipërisë.”(2)
Shqiptarët në kalifatin osman krahas personaliteteve qeveritare dhe ushtarake, kanë bërë emër edhe në administratë, drejtësi, arsim, kulturë, arkitekturë, art etj. Abdyl Frashri ishte 10 vjet deputet në parlamentin e parë osmanli, 1877-1878, Hasan Tahsini ishte rektor i universitetit të Stambollit. Edhe Sami Frashri hartoi "Fjalorin Frëngjisht - Turqisht", "Fjalorin Turqisht", "Enciklopedi historike - gjeografike" në 6 vëllime etj., duke i shërbyer arsimit, edukimit dhe kulturës turkeosmane shumë më tepër sesa një intelektual turk.
Abedin Dino ishte një nga valinjtë e shquar, Ismail Qemaili ishte sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, deputet në parlamentin osman në vitet 1908- 1912, Vaso Pash Shkodrani ishte vali i Libanit. Himnin kombëtar të Turqisë së sotme e shkroi autori shqiptar Mehmet Akif. Presidenti i Turqisë, Ataturku më 1 mars 1921 në Asamblenë Kombëtare të Turqisë sqaroi se "Me popullin shqiptar kemi bashkëjetuar si vëllezër disa shekuj. Prandaj këtë shtet e komb vëlla do ta ndihmojmë sa të mundim dhe sa të ketë nevojë."
Edhe Turqia e ditëve të sotme është mike e shqiptarëve. Turqia ishte shteti i dytë me radhë që ka njohur pavarësinë e Kosovës, (gjë që nuk e bënë deri më sot dy qendrat e tjera të feve monoteiste). Madje, turqit shqiptarët po i quajnë vëllezër, që duhet përkrahur dhe ndihmuar në çdo fushë për ndërtimin e shtetit dhe mirëqenien e tyre, madje duke shprehur gatishmërinë edhe për t'i mbrojtur në çdo mënyrë në rast nevoje sikundër edhe SHBA-ja. Prandaj planifikimi afatgjatë dhe pranimi i Turqisë në BE është i rëndësishëm për të dy palët. Në rast të kundërt, Turqia detyrohet të përpiqet të ngrejë një bosht të ri me vendet myslimane të rajonit, me marrëveshje afatmesme dhe afatgjata. Kjo është një perspektivë me të vërtetë, ndoshta më e rrezikshme për të gjithë. Prandaj pranimi i Turqisë në BE është një domosdoshmëri.
Për fund duhet të vëmë në spikamë se "Islami në kulturën shqiptare" nuk ka mundësi, as teorike as shkencore, të konsiderohet si "incident kalimtar" kur kemi parasysh fenë, kulturën dhe traditën islame shumë shekullore ndër shqiptarët.(3)


_______________
(1) http:www.albeu.com/biografia kush është/kush ishin 39 kryeministrat shqiptarë të perandorisë osmane/ 07/05/2013, http:telegrafi.com/39 kryeministrat shqiptarë në perandorinë osmane/20.07.2014.
(2) Marrë nga faqja: http://www.gazetametropol.com/tekst.php?idt=57433.
(3) Shih. "Feja, kultura dhe tradita Islame ndër shqiptarët", Simpozium ndërkombëtar, Botues BIK, Prishtinë 1995, fq. 574.



Prof. dr. Qazim Qazimi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Ismail Mziu ?