Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë thotë: “Zoti që më krijoi, Ai më udhëzon mua. Dhe Ai që më ushqen dhe më jep të pijë. Dhe kur të sëmurem Ai më shëron.” (Esh-Shu'ara', 78-80)
Ebu Musa el-Esh'ariu transmeton se Muhamedi s.a.v.s, ka thënë: “Vizitojeni të sëmurin, ushqejeni të uriturin dhe lirojeni robin.” (Buhariu, Nr. 902)
Shëndeti është një nga dhuntitë që Allahu i Madhërishëm u ka dhënë njerëzve. Njeriu është i detyruar të kujdeset për shëndetin e tij, higjienën personale dhe pastërtinë, të marrë ushqimin dhe pijen e lejuar në mënyrë të moderuar. Por pa marrë parasysh se sa kujdesemi për shëndetin tonë, secili prej nesh mund të tundohet nga sëmundja.
Qëndrimi i mjedisit ndaj pacientit është shumë i rëndësishëm dhe varet se si ai person do të përballet me vështirësinë e sëmundjes. Kërkimet shkencore moderne kanë treguar se vizita e një personi të sëmurë ka efekt pozitiv në gjendjen e tij mendore dhe shërimin më të shpejtë të tij. Mjekët këshillojnë që gjatë shërimit të një personi të sëmurë, duhet të ketë gjithmonë dikë me të, përndryshe, mendimet e një pacienti të vetmuar përqendrohen në sëmundjen, gjë që e bën më të vështirë shërimin dhe trajtimin e tij.
Vizita e të sëmurit, qoftë edhe biseda telefonike (posaçërisht në raste pandemije) është një nga detyrat e një myslimani ndaj myslimanit tjetër. Aliu r.a., transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ka thënë: "Ekzistojnë gjashtë obligime të një myslimani ndaj myslimanit tjetër: Ta përshëndet me selam kur ta takojë, t'i përgjigjet kur e thërret, të thotë: Jerhamukellah (Allahu ju mëshiroftë) dhe El-hamdulillah (Falënderimi i qoftë Allahut) kur të teshtin, ta viziton kur të sëmuret, t’i falë xhenazen kur të vdes dhe t’i dëshiron atë që dëshiron për veten e tij.” (Muslimi, Nr. 5702)
Ebu Hurejre r.a., transmeton një Hadith-Kudsijj, në të cilin i Dërguari i Allahut s.a.v.s., thotë: “Zoti i botëve do të thotë Ditën e Gjykimit: "O njeri, Unë jam sëmurë, por ti nuk më ke vizituar". Njeriu do të pyesë: "Si mund të të vizitoj, o Zot, kur ti je Zoti i botëve?" Ai do të thotë: "A nuk e dije se ky dhe ai rob i Imi u sëmur dhe ti nuk e vizitove atë? "A nuk e dinë se do të më kishe gjetur tek ai po ta kishe vizituar atë?” (Buhariu, Edebu'l-mufred, 517)
Imam Neveviu r.h., komentuesi i njohur i hadithit, duke interpretuar këtë hadith, pra pjesën që flet se një njeri do ta kishte gjetur Zotin e Gjithësisë tek një i sëmurë, beson se ai, në fakt, do të gjente shpërblimin dhe nderimet e Zotit nëse ai do ta kishte vizituar të sëmurin. (Komentim i Sahihut të Muslimit, 8/371)
Një shpërblim i madh i pret ata që vizitojnë të sëmurët. Thevbani r.a., transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ka thënë: “Kur një mysliman shkon në një vizitë te vëllai i tij mysliman, ai është në hurfën e Xhenetit derisa të kthehet! Dikush e pyeti Pejgamberin s.a.v.s.: E çka është hurfa e Xhenetit? Ai u përgjigj: "Është fryt i Xhenetit". (Ahmedi, Musned, 5/276)
Në një rast tjetër, i Dërguari i Allahut s.a.v.s., tha: “Nuk ka asnjë mysliman që viziton një mysliman të sëmurë në mëngjes, e që shtatëdhjetë mijë engjëj sjellin salavate për të deri në mbrëmje. Nëse e viziton atë në mbrëmje, shtatëdhjetë mijë engjëj sjellin salavate deri në mëngjes për të dhe ai do të ketë një harif-kopshtin në Xhenet. " (Tirmidhiu, nr. 969)
Gjatë vizitës, të sëmurit duhet t'i bëhet lutje për shërimin e tij. Aisha r.a., transmeton se Pejgamberi s.a.v.s., me dorën e tij të djathtë, do të fërkonte personin e sëmurë të cilin do ta vizitonte dhe më pas do të thoshte: Allahumme Rabbe-n-nasi, edhhibi-l-be's, veshfi, Ente-sh-shafi la shifae il-la shifauke, shifaen la jugadiru sekamen! (Allahu, Zoti i njerëzve, largoje mundimin dhe shërojeni, sepse Ti je Shërues. Nuk ka shërim përveç Tuajin. Shërojeni me shërim pas të cilit nuk ka dhimbje!) (Ky hadith është regjistruar nga Imam Ahmedi në Musned, 3/267)
Ebu Se'id el-Hudriu tregon se engjëlli Xhibril erdhi te Pejgamberi s.a.v.s., pasi ai u ankua për sëmundjen e tij, kështu që i lexoi: “Bismillahi erkike, min kul-li shej'in ju'dhike, min sherri kul-li nefsin ev 'ajnin hasidin. Allahu jeshfike, bismillahi erkike! (Me emër të Allahut të shëroj nga gjithçka që të shqetëson, nga e keqja e çdo personi apo syri që ka zili. Allahu është Shëruesi i Yt. Ju shëroj në emër të Allahut.) (Ahmed, Musned, 5/323.)
Ibn Abasi r.a., transmeton se Muhamedi s.a.v.s., ka thënë: "Kush viziton një person të sëmurë para çastit së vdekjes i vjen dhe i lexon shtatë herë: “Es’elullahel-’adhime, Rabbel-’arshil-’adhimi en jeshfijeke.” (Lus Allahun e Madhërishëm, Zotin e Arshit të Lartësuar që të të shërojë). Allahu do ta shërojë nga kjo sëmundje!” (Ahmed, Musned, 1/239.)
Të dashur besimtarë, kur vizitoni një person të sëmurë, duhet të keni parasysh si vijon: të japim selam dhe të kërkojmë nga Allahu i Madhërishëm për shërimin e atij të sëmuri; mos të përmendim vdekjen, pasi që kjo mund të trondiste të sëmurin dhe të ndikojë negativisht tek ai; të mos flasim me ton të ngritur që të mos e shqetësojmë; të sjellim ndonjë dhuratë, e cila do të jetë një shenjë e qartë e vëmendjes sonë ndaj tij dhe ta lusim të sëmurin që të bëjë dua për neve, sepse lutja e tij nuk refuzohet.
Të dashur besimtarë, le të jemi besimtarë të sinqertë, të dëgjojmë këshillat dhe rekomandimet e Pejgamberit s.a.v.s., dhe të institucioneve përgjegjëse, të kujdesemi për të sëmurët dhe të kujdesemi për kulturën e sjelljes derisa jemi me persona të sëmurë.
Zoti ynë, na forco në dinin e Islamit, na shpëto nga sëmundja, na dhuro sabër në ditët e sëmundjes, shëro të sëmurët tanë dhe na dhuro Xhenetin dhe të mirat e tij. Amin!