Koncepti dhe reflektimi edukativ i sinqeritetit


Sinqeriteti është dega e radhës e besimit. Në përmbledhjen e Ibën Hibanit është shpjeguar se në kuadër të kësaj dege përfshihet edhe braktisja e hipokrizisë. Por çfarë në të vërtetë nënkupton sinqeriteti, si manifestohet ai, çfarë vlere dhe rëndësie ka, dhe cili është ndikimi i tij edukativ në jetën e besimtarit?

Koncepti për sinqeritetin

Sinqeriteti ose ihlasi, siç njihet në fjalorin fetar, është më shumë se thjesht një shprehje që emërton një vlerë a virtyt, është koncept. Është tregues i një pjekurie të lartë fetare, një vetëdije e cila lidhjen me Zotin e shndërron në pasurinë dhe forcën më të madhe të besimtarit. Nëse do të kër-kohej përkufizimi i sinqeritetit me pak fjalë, do të thoshim se është vetë feja, ose kushti i saj, treguesi i saj,(1) ose e kundërta e shirkut (idhujtarisë) siç do të shprehej Imam Gazaliu.(2)
Kjo për faktin se, në esencë, siç kanë shpjeguar gjuhëtarët, ihlasi nënkupton braktisjen e hipokrizisë,(3) dhe fetarisht, siç kanë shpjeguar dijetarët, nënkupton afrimin tek Allahu xh.sh., me çdo vepër që e bëjmë.(4)
Pra, çdo gjë që bëjmë në jetë, e bëjmë për Allahun xh.sh., dhe arritjen e kënaqësisë së tij. Sinqeriteti, siç shpjegon Ebu Talib Mekkiu, është mesi i dy përshkrimeve apo tipareve të urryera: hipokrizisë dhe epshit.(5)
Së këndejmi sinqeriteti është shpjeguar si dorëzim absolut, si nënshtrim i plotë ndaj Allahut xh.sh., kuptim ky i synuar në disa prej ajeteve kuranore, si: “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.” (El En’amë, 162).(6)

Vlera dhe rëndësia e sinqeritetit

Sinqeriteti, siç pamë, është thelbi i fesë. Nga këtu rëndësia dhe vlera e tij është e pakrahasueshme. Në vazhdim do të përmendim diç nga rëndësia dhe vlerat e tij:

Sinqeritet është kusht për pranimin e veprës(7)

Që një vepër të jetë e pranuar, detyrimisht sinqeritetin duhet ta plotësojë si kusht. Fudaj bin Ijadi ka bërë një shpjegim të bukur. Duke iu referuar ajetit: “Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë...” (El Mulk, 2), ka konstatuar: “Vepra e mirë është ajo më e sinqerta dhe më e qëlluara. Kur e pyetën se çfarë nënkuptonte me “më të sinqertën dhe më të qëlluarën” tha: Nëse vepra është e sinqertë por jo edhe e qëlluar nuk pranohet. Nëse është e qëlluar por i mungon sinqeriteti prapë nuk pranohet. Shpëtimi është që vepra të jetë e sinqertë dhe sipas sunetit.(8)

Mënyrë e fitimit të shpërblimit të madh

Sinqeriteti ia mundëson besimtarit që për veprën e vogël të merr shpërblim të madh. Allahu xh.sh., thotë: “...Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë...” (El Bekare, 261)
Ibën Kethiri, duke shpjeguar këtë ajet, respektivisht shkakun e shumëfishimit të shpërblimit, ka thënë: Allahu ia shton shpërblimin sipas sinqeritetit në kryerjen e veprës.(9)
Mënyrë e përfitimit edhe kur të privohesh nga puna dhe vepraRëndësia e sinqeritetit është në vazhd-imësinë e shpërblimit edhe pas ndarjes nga puna për shkaqe të arsyeshme. Profeti a.s., ka thënë: “Kur njeriu të sëmuret ose të jetë në udhëtim, do t’i shkruhet vepra që ka vepruar sa ka qenë shëndoshë dhe në shtëpi të vet.”(10)
Mënyrë e ruajtjes së veprësSinqeriteti nuk është thjesht mënyrë për përfitim por edhe ruajtje të asaj që e përfiton. Fudajli ka thënë: “Vepra më e mirë është ajo më e fshehta, më e ruajtura nga djalli dhe më e largëta nga hipokrizia.”(11)

Reflektimi edukativ i sinqeritetit në jetën e besimtarit

Sinqeriteti, siç mësuam më lartë, është një nivel i lartë i pjekurisë fetare. Së këndejmi, ai detyrimisht se duhet të reflektojë pozitivisht te besimtari. Në vazhdim do të shpalosim disa pika ku sinqeriteti reflekton.Lidhja me Allahun xh.sh.Sinqeriteti mëton që relacioni ndërmjet robit dhe Zotit të jetë i pastër, pa njolla, pa ndërhyrje të jashtme, pa synime tjera përveç kënaqësisë së Allahut xh.sh. Nga ky prizëm, Aliu r.a., e ka definuar sinqeritetin, kur thotë se sinqeriteti është vepër e mirë, për të cilën besimtari nuk dëshiron ta lëvdojë askush tjetër pos Allahut xh.sh.(12)
Pra është një lidhje e fuqishme, e cila ka edhe efektet e veta. Në shpjegimet e degëve paraprake, kemi shpjeguar se kur besimtari arrin dashurinë e Allahut, ai në fakt e arrin edhe dashurinë e të tjerëve, edhe pse nuk e ka synuar atë. Është kjo forma se si shpërblen Allahu për sinqeritet. Muhamed bin Vasië ka thënë: “Kur njeriu të kthehet kah Allahu me zemër, Allahu do të kthehet kah ai me zemrat e besimtarëve.”(13)
Sinqeriteti në fakt është filtër i zemrës në të cilin nuk mund të depërtojë asgjë që ia njollosë pastërtinë. Profeti Muhamed a.s., ka thënë: “Tri gjëra e pastrojnë zemrën nga urrejtja: sinqeriti në kryerjen e veprave vetëm për Allahun, këshilla për myslimanët, dhe mbajtja e kolektivit të tyre.”(14)

Mënyrë e vetedukimit

Sinqeriteti është një nga mënyra se si besimtari vetedukohet. Me bindjen se Allahu e sheh, e di çfarë vepron, e merr në llogari, besimtari ndërgjegjësohet,(15) e kultivon një kulturë të lartë shpirtërore, atë që në hadithe e quajmë ihsan. Profeti a.s., ka thënë: “Ihsan është ta adhurosh Allahun sikur e sheh sepse, nëse ti nuk e sheh, Ai të sheh ty.”(16)

Mënyrë e dobësimit të epshit dhe vesveses

Nëpërmjet sinqeritetit, forca e epshit, vesveseve dhe cytjeve që duan lajthitjen e njeriut dobësohet.(17)
Ja një shembull. Ndonjëherë frika nga syfaqësia na bën qe t’i ikim disa veprave. Është vesvese e djallit që nuk duhet ta na lajthisë.
Ajo që na duhet, siç konstatuam edhe më parë, është dija, për ta dalluar çfarë është hipokrizi e çfarë sinqeritet. Për këtë shkak është thënë se kush nuk e njeh rijanë, nuk e njeh as sinqeritetin. Harith bin Kajsi ka thënë: “Nëse je në namaz dhe djalli të thotë: je duke e bërë për sy e faqe, shtoje namazin.”(18)

Vazhdimësia në vepra

Sinqeriteti në fakt është tregues i veprës së sinqertë dhe të pranuar e cila dëshmo-het me vazhdimësi. Pra nëse nuk i ndahesh veprave të mira është shenjë se je i sinqertë. Njëri nga gjeneratat e para e bënte umren çdo vit dhe thoshte: “Po të mos ishte për Allahun, do të zhdukej.”(19)

Modestia

Sinqeriteti parasheh që të mos mashtrohesh me vepra. Përderisa vepron për hir të Allahut, besimtari edhe shpërblimin e pret prej Tij. Kjo nënkupton që ai nuk i reklamon veprat e mira, nuk mburret me to. Ibën Hazimi ka thënë: “Fshihi të mirat siç i fsheh të këqijat!(20)
Kjo e bën besimtarin që të mos mashtrohet por sa më shumë që të bëjë vepra, aq më modest bëhet. Kjo etikë fetare ishte mishëruar me të parët. Ata donin që veprat e tyre të mbeteshin shumë të fshehura, madje (sikur të kishin mundësi) edhe nga engjëjt. Muhamed bin Eslemi ka thënë: “Po të kisha mundësi të bëj vepra vullnetare atje ku nuk më sheh askush, madje as dy engjëjt (që na shoqërojnë), do ta bëja, por nuk mundem.”(21)
Jo vetëm kaq, sinqeriteti ndikon që besimtari të përfitojë dhe virtyte tjera, si ndershmëria, çiltërsia, durimi, altruizmi, thënia e së vërtetës etj.(22)


_____________________
1. Shih: Ibën ebi Dunja, El-ihlasu ve en-nijjeh, ver. Ijad Halid Tabaë, (Dar el-beshair, ed. 1), f. 33.
2. Muhamed bin Muhamed el Gazali, Ihjau ulumiddin, (Bejrut: Dar el-ma’rifeh), 4/379. ; Sejjid Husejn Affani, Ta’tir el-enfas min hadithi el-ihlas, (Kajro: Mektebetu Muadh bin Xhebel, 2001), f. 88.
3. Shih: El-muhtar es-sihah, 72; El-muxhem el-vesit, 1/249.
4. Sejid Husejn Affani, në librin Ta’tir el-enfas min hadithi el-ihlas, i ka përmbledhur shumë definicione të dijetarëve rreth sinqeritetit. Shih: f. 83-86.
5. Po aty, f. 87.
6. Shih edhe: Bejjine, 5; Zumer,3; Kehf, 110.
7. Shih: Sa’d Salim Seid, Mefhum el-ihlas fi esh-sheriati el-islamije, temë masteri, Mekkë: Universiteti Ummu el-Kura, 1412 h.), f. 22.
8. AbduRrahman Sa’di, Tejsir el-Kerim err-Rrahman, vep. cit., f. 377.
9. Shih: Ibën Kethiri, Tefsir el-Kur’ani el-adhim, vep.cit., 1/ 440.
10. Hadithin e shënon Buhariu, nr. 2996.
11. Shih: Ibën ebi Dunja, El-ihlasu ve en-nijjeh, vep.cit, f. 56.
12. Shih: Ibën ebi Dunja, El-ihlasu ve en-nijjeh, vep.cit, f. 35.
13. Po aty., f. 45.
14. Hadithi është i saktë. Shih: Mishkatu el-mesabih, nr. 228; 229.
15. Shih: Sa’d Salim Seid, Mefhum el-ihlas fi esh-sheriati el-islamije, vep.cit., f. 28.
16. Hadithin e shënon Buhariu, nr. 50.
17. Shih: Sa’d Salim Seid, Mefhum el-ihlas fi esh-sheriati el-islamije, vep.cit., f. 25.
18. Ahmed bin Sakar Suvejdi, Munxhid el-hatib, vep.cit., 1/11.
19. Ahmed bin Sakar Suvejdi, Munxhid el-hatib, vep.cit., 1/13.
20. Po aty., 1/14.
21. Shih: Abdullah bin Sulejman el-Atik, El-Ihlas, (P.v.b.: Dar el-vatan li en-neshr, p.v.b.), f. 6.
22. Shih: Sa’d Salim Seid, Mefhum el-ihlas fi esh-sheriati el-islamije, vep.cit., f. 29.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi