Devotshmëria - rruga e besimtarit


Allahu shpeshherë e përmend devotshmërinë në Kuranin famëlartë. Devotshmëria është një fjalë përmbledhëse që përmban gjithë të mirat: Islamin, besimin, udhëzimin etj. Njeriu që është i devotshëm dhe i udhëzuar në këtë fe, patjetër që do të jetë i shpëtuar si në këtë botë ashtu dhe në botën tjetër.

Sa herë që i referohemi Kuranit do të gjejmë se fjala "takva" (devotshmëri) rrjedh nga fjala arabe "vikaje", që do të thotë "ndalesë apo pengesë", sepse njeriu që adhuron Zotin xh.sh. dhe i përkrah urdhrat e Tij, është i devotshëm. Njeriu duhet të jetë i përmbajtur nga ato gjëra që i ka ndaluar Allahu xh.sh., në mënyrë që të marrë shpërblimin sa më të madh, si në këtë botë ashtu dhe në botën tjetër. Devotshmëria është që t'i bindemi Allahut të Madhëruar, duke praktikuar çdo urdhër e duke u përmbajtur nga të ndaluarat, do të thotë duke qëndruar stoik brenda kufijve që ka caktuar Allahu.
Allahu xh. sh. në Kuran thotë: "O ju njerëz, bëhuni të devotshëm ndaj Allahut ... ". Në këtë verset Allahu xh. sh. na porosit që të jemi të devotshëm, sepse njeriu që është me besim të plotë tek Allahu, ai është i devotshëm. Gjithashtu Allahu xh. sh. thotë: "Përgatituni me furnizim e furnizimi më i mirë është devotshmëria." (El-Bekare: 197)
Në këtë ajet, Allahu xh. sh. na tregoi se përgatitja më e mirë është devotshmëria dhe se furnizimi më i mire është devotshmëria. Pra, devotshmëria është mënyra më e mirë për t'u çliruar nga vështirësitë e kësaj bote dhe të botës tjetër.
Devotshmëria është porosi e Allahut, e cila u drejtohet të gjithë njerëzve prej njeriut të parë e deri te i fundit, po ashtu është edhe porosi e Pejgamberit a.s. për ymetin e tij, ai madje i këshillonte shokët e vet që të jenë sa më të devotshëm. Në haxhin lamtumirës ditën e parë të Kurban-bajramit, shokët i këshilloi për devotshmëri dhe respekt ndaj të tjerëve e posaçërisht ndaj prijësve.
Në një ajet, Allahu i Madhëruar thotë: "E kush i frikësohet Allahut, atij Allahu i hap rrugë dhe e furnizon prej nga nuk e kupton." (El-Hud: 2,3)
Çfarë mbetet pas kësaj? "E kush i frikësohet Allahut, atij Allahu i hap rrugë ... " ky ajet përfshin të mirat e dynjasë dhe të ahiretit. Pra, devotshmëria është rruga më e mirë për t' u çlodhur nga vështirësitë, brengat, hallet e kësaj bote dhe njëherit për të fituar në botën tjetër.
Atë që i frikësohet Allahut, Allahu do ta shpëtojë nga vështirësitë dhe hallet e kësaj bote dhe do t' ia hapë rrugët e kësaj bote, duke ia lehtësuar brengat dhe mërzitë dhe në të njëjtën kohë do ta furnizojë me furnizimin e Tij prej nga nuk e pret. Dhe njeriu do të jetë në radhët e njerëzve të gëzuar e të shpëtuar, ngase do të jetë në vendin ideal, gjë që është synim i çdo besimtarit (Xheneti). Besimtari duhet të jetë çdoherë i përgatitur me devotshmëri në mënyrë që ta fitojë Xhenetin. Allahu xh.sh. ka përgatitur për besimtarët e devotshëm lloj-lloj të mirash dhe na ka treguar përmes Kuranit famë lartë se kjo devotshmëri është rruga më e mirë për t' i shpënë ata drejt vendit të krenarisë dhe dinjitetit e që është Xheneti. E pas gjithë këtyre të mirave, u thuhet "Hyni në to të shpëtuar dhe të siguruar." (EI- hixher: 46)
Do të thotë: të shpëtuar nga çdo lloj i së keqes siç është: sëmundja, vdekja, brengat e të këqijat e tjera, të cilat e lëndojnë (skajshëm) rëndë njeriun në këtë jetë.
Pra, banorët e Xhenetit do të jetojnë në kulmin e lumturisë, shpresës, jetesës, mirësisë, qetësisë, sigurisë .... Po ashtu në këtë ajet përmendet fjala" të siguruar", do të thotë të siguruar nga çdo e keqe që urren njeriu, i sigurt nga vdekja, sëmundja, pikëllimi, stresi .... Po ashtu i sigurt në vendin ku është, sepse nuk do të dëmtohet asnjëherë, nuk i bëhet e padrejtë, i siguruar nga lëndimet, siç janë: uria, etja, veshmbathja e pamjaftueshme, pagjumësia e shumë e shumë prej gjërave të tjera, për të cilat shqetësohet njeriu.
Allahu i Madhëruar në suren El-Tur, thotë: "Të devotshmit janë në kopshte e në begati" (El-Tur: 17),
... Pra, të devotshmit janë në xhenete dhe në begati. Po ashtu në suren Edh-Dharijat, Allahu i Madhëruar thotë: " ... Të kënaqur me atë që u ka dhuruar Zoti i tyre ... " (El-Tur: 18), do të thotë të kënaqur sepse shfrytëzojnë mirësitë e pafundme që Allahu xh. sh. i ka përgatitur për besimtarët.
Në një hadith të saktë, thuhet se një herë kur Pejgamberi a.s ishte me shokët e vet, aty pranë kaloi një njeri që ishte nga njerëzit e ndershëm dhe me autoritet. Pejgamberi a.s. në këtë çast iu drejtua atyre që ishin të pranishëm duke u thënë: Çfarë mendimi keni për këtë njeri? Ata thanë: Ky është nga njerëzit e ndershëm dhe me pozitë te ne, nëse kërkon të martohet, do ta martojmë, edhe kur ndërmjetëson, i pranohet ndërmjetësimi, dhe sa herë që flet, i dëgjohet fjala. Pejgamberi a.s kur i dëgjoi këto fjalë, mbeti i habitur dhe heshti. Aty pranë kaloi një njeri i devotshëm. Pejgamberi i pyeti të pranishmit: Çfarë mendoni për këtë njëri? Ata i thanë: Ky është njëri nga të varfrit në mesin tonë. Nëse kërkon të martohet, meriton të mos e martojnë, nëse ndërmjetëson, të mos i pranohet ndërmjetësimi dhe, kur të flasë, të mos i dëgjohen fjalët. Pas kësaj, Pejgamberi a.s tha: Ky që patë tani, është më i mirë se ai, edhe sikur toka të jetë e mbushur me njerëz të atillë.(1)
A thua pse i Dërguari Muhamed a.s i tha këto fjalë? Sepse ndryshimi është vetëm me devotshmëri. Pra, njeriu i parë ishte nga njerëzit e ndershëm, por që nuk ishte i devotshëm, ndërsa i dyti ishte nga të varfrit në mesin e myslimanëve, por ishte njëri i devotshëm. Prandaj dhe Pejgamberi a.s. tha për të: Është më i mirë se ai edhe sikur toka të jetë e mbushur me njerëz të atillë. Kjo ngjarje na tregon rëndësinë e devotshmërisë, e cila është e vetmja peshore matës e tek Allahu i Madhëruar.
Disa nga mirësitë e devotshmërisë:

1) Falja e namazit

Namazi në fenë islame ka rëndësi shumë të madhe; është shtylla e fesë; elementi më i madh përbërës i fesë; vepra e parë për të cilën do të japë llogari besimtari në Ditën e Kiametit; nëse namazi i pranohet, i pranohen tërë veprat e tij dhe nëse ai i refuzohet, tërë veprat e tij i refuzohen.
Allahu xh.sh thotë: "E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zeqatin, se ajo është feja e drejtë" (El-Bejjine: 5).
Namazi është shenjë e besimit, shpëtim nga dyfytyrësia, ai që e ruan namazin e ka ruajtur fenë e tij dhe ai që e ka humbur namazin, veprat e tjera edhe më lehtë mund t' i humbë(2)

2) Leximi i Kuranit

Pa dyshim se leximi i Kuranit është prej fryteve të devotshmërisë. Allahu xh.sh. thotë: "Ky është libri, në të cilin nuk ka dyshim (sepse është prej Allahut), është udhëzues për ata që janë të devotshëm." (El-bekare: 2)
Më shumë se thjesht një tekst, Kurani është shok udhëtimi që duhet të lartësohet, të lexohet, të dëgjohet dhe të praktikohet në jetë. Në gjithë botën, nëpër xhami, shtëpi dhe nëpër rrugë, mund të dëgjosh zëra të mrekullueshëm të myslimanëve që lexojnë fjalët hyjnore.

3) Duaja - Lutja

Jemi urdhëruar të bëjmë dua dhe Allahu është zotuar se do ta plotësojë. Allahu xh.sh thotë: "Zoti juaj ka thënë: Lutmuni Mua, Unë ju përgjigjem ...." (Gafir: 60)
Duaja është shkas për plotësimin e lutjes nëse plotësohen kushtet e saj dhe u largohemi pengesave për plotësimin e saj. Nganjëherë plotësimi i lutjes mungon për shkak të mospërmbushjes së disa prej konditave të saj, ose për shkak të ekzistimit të pengesave të saj.
Është konfirmuar që i Dërguari a.s në duatë e tij është lutur:" O Allah, unë nga Ti kërkojë udhëzim, devotshmëri, nder, pavarësi."(3)

4) Dhikri - Përmendja e Zotit

Allahu i Madhëruar i ka urdhëruar besimtarët ta përmendin shumë dhe i ka lavdëruar ata (besimtarë) që e bëjnë këtë. Allahu xh.sh. thotë: "O ju që besuat, kujtojeni Allahun sa më shpesh. Dhe madhërojeni Atë mëngjes e mbrëmje". (Ahzab: 41,42)
Dhikri - Përmendja e Allahut ndriçon zemrën, largon njeriun nga brengosja, nga ankthi dhe nga mërzia. Në sytë e atij që përmend Allahun, dynjaja zvogëlohet dhe Ahireti bëhet më i rëndësishëm për të. Drejtohet në rrugë të drejtë dhe afrohet më shumë me Allahun. Pra, dhikri, përmendja e Allahut është lidhja midis krijesës dhe Krijuesit. Ai që përmend Allahun, është i pari në shpërblim Ditën e Gjykimit. I Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: Të parët janë El-Muferidunët. Shokët e pyetën: Kush janë El-Muferidunët, o i Dërguari i Allahut? Ai u përgjigj: Ata dhe ato që e përmendin Allahun shumë."(4)
Pra, dhikri është rruga për në Xhenet dhe është e hapur për cilindo që do që të kalojë në këtë rrugë. Dhikri është dhe prej shenjave që zgjojnë zemrën nga gjumi i mëkateve, që njeriu të ndriçohet me dritën e diturisë derisa të fitojë ndjesinë se Allahu është më të. Siç thotë dhe Allahu në ajetin e Kuranit: "Me të vërtetë Allahu është me ata të cilët janë të devotshëm". (Nahel: 128)



(1) Abdul selam Mukbil el- Mexhidi "Kitabul Umeti" Sanaa 2003, f. 63.
(2) IbnRexheb el- Hanbeli el- Bagdadi "Xhamiu el-Ulumvel- Hakem", Bejrut 2000, f. 165-166.
(3) Muslirni: 2721.
(4) Muslirni: 2627


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi