Islami i kushtoi rëndësi të veçantë jetës bashkëshortore, e cila bazohet në zgjedhje të mirë dhe të përshtatshme në mes bashkëshortëve. Fejesa është procedurë që i paraprinë kontratës së martesës. Ajo është një marrëveshje fillestare dhe një premtim për martesë, pra ajo llogaritet si hapi i parë drejt martesës

Pavarësisht rëndësisë, ajo ngelet si një fazë, qëllimi i së cilës është vetëm dhënia e mundësisë për mashkullin dhe femrën që të njihen me njëri-tjetrin.
Fejesa nënkupton propozimin e mashkullit drejtuar femrës dhe pranimin e këtij propozimi nga femra ose nga përfaqësuesi i saj. Nëse një i ri vendos që të fejojë ndonjë vajzë, ai duhet të kërkojë ndihmë prej Zotit që Ai ta drejtojë në atë e cila është më e mirë për të. Urtësia e këtij veprimi qëndron në faktin se fejesa është formë dhe mënyrë, përmes së cilës të fejuarit kanë mundësi ta njohin edukatën, moralin, animet, dëshirat dhe besimin e njëri-tjetrit, gjithnjë përbrenda kufijve të dispozitave islame.
Prandaj, nëse ka përputhshmëri dhe përshtatshmëri në mes tyre, atëherë hapet rruga për hapin e ardhshëm, martesën e cila konsiderohet lidhje e përhershme jetese. Martesa është njëra prej çështjeve me rëndësi në jetën e myslimanit dhe të myslimanes. Që martesa të jetë e suksesshme, paraprakisht duhet shikuar se kë e përzgjedhim. Feja, besnikëria dhe sjellja e mirë paraqesin kriterin e vërtetë të bashkëshortëve të ardhshëm, ngase njeriu vlerësohet sipas veprave dhe sjelljeve që posedon.
Çelësi i dashurisë është shikimi. Për këtë arsye, Pejgamberi a.s., ka nxitur që i fejuari ta shikojë të fejuarën, me qëllimin e vetëm që në këtë rast të mbijë dashuria dhe afrimi i zemrave. Pejgamberi a.s., i tha njërit i cili kishte shprehur dëshirën për ta martuar një grua: ''A e ke parë atë?" Ai iu përgjigj: "Jo". Atëherë Pejgamberi a.s., i tha: "Shko, takoje dhe shihe atë, se shikimi është veprim që shkakton afrim dhe harmoni mes jush."
Arsyet pse kërkohet një grua për martesë janë: pasuria e saj, prejardhja e saj, bukuria dhe feja e saj. Por, porosi e Pejgamberit a.s., është që të martohet ajo që është fetare, në mënyrë që të jetosh i lumtur. Myslimani duhet ta zgjedhë atë që e dashuron, atë që buzëqesh dhe atë që lind fëmijë. Përmes kësaj zgjedhje arrihet harmonia dhe lurnturla bashkëshortore, madje ndikimi i fesë dhe i moralit të mirë nuk humb asnjëherë, por shtohet me kalimin e kohës, duke zbukuruar kështu jetën familjare. Andaj, qëllimi i të fejuarit duhet të jetë femra fetare dhe e denjë, ndërsa pas kësaj, nëse ajo i ka edhe vetitë tjera, si pasurinë, prejardhjen e pastër dhe bukurinë, me këto arrihet kulminacioni i së mirës. Të gjitha këto rrethana dhe veti nuk janë karakteristika që kërkohen vetëm te femra, por këto vlejnë edhe për mashkullin, madje janë karakteristika që duhet t'i përmbush ai.
Martesa është traditë profetike. Feja ka nxitur shumë për të, duke llogaritur vendprehje shpirtërore, qetësi dhe ruajtje të moralit. Për këtë shkak, Zoti e konsideron një prej shenjave të Tij. Zoti Fuqiplotë ka thënë: "Dhe nga faktet e madhërisë së Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën, gratë, ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argument për njerëzit që mendojnë." (Er Rrum, 21).
Muhamedi a.s., i ftoi të rinjtë që të martohen sepse martesa është veprimi më i mirë për ruajtjen e shikimit dhe të moralit. Ai a.s., ka thënë: "O ju të rinj! Kush i ka kushtet, le të martohet, sepse martesa të largon nga shikimi i ndaluar dhe ta ruan moralin." Muhamedi a.s., na ftoi që ta ndjekim rrugën jetësore të tij, ku bën pjesë edhe martesa. Ai ka thënë: "Kush e do natyrshmërinë time, le ta ndjek traditën time, vërtet nga tradita ime është edhe martesa."
Feja islame nuk e ka rekomanduar pa arsye martesën, ngase bashkëshortët janë shoqërues të jetës, në çdo kohë do t'i bëjnë shoqëri njëri-tjetrit, do t'ia lehtësojnë brengat dhe pikëllimin dhe do të kujdesen dhe t'i edukojnë fëmijët së bashku. Martesa është mënyra më e natyrshme e shtimit të llojit njerëzor dhe edukimit shoqëror. Besimtari - besimrarja si bashkëshorti e edukohen për rolin e tyre shoqërore, nga individë ata shndërrohen në një familje për të cilën kanë përgjegjësi, zgjerohen horizontet familjare dhe krijohen raporte të solidaritetit shoqëror. Me martesë arrihet edhe objektiva islame e njohjes ndërmjet familjeve e fiseve të ndryshme. Pra martesa është një kontratë e çmuar dhe e bekuar. Zoti atë e ka ligjësuar për interesin, mirësinë dhe begatinë e robërve të Tij.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi