Tema të cilën do ta shtjellojmë meriton t'i kushtohet një vëmendje dhe rëndësi e veçantë, ngase në të janë përshkruar cilësitë të cilat besimtari duhet t'i kërkoj që të zbukurohet me to, e posaçërisht pasi është ajeti i parë në librin e Allahut, ku sqarohet gjendja e të devotshmëve. Radhitja e tij në fillim të Kuranit është një argument për rëndësinë e tij dhe rrezikun e madh (nëse nuk jemi prej tyre). Rëndësi tjetër është edhe përshkrimi i atyre të cilët përfituan nga Kurani fisnik, dhe u udhëzuan me të, sepse ishin ata që e lexuan dhe e medituan atë.
Allahu në Kuran thotë: "Ky është libri që nuk ka dyshim në të (sepse është prej Allahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm. Të cilët besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen (namazin) dhe prej asaj që Ne u kemi dhënë, ata japin (zekat, sadakë etj). Dhe ata, të cilët besojnë në atë që t'u shpall ty, dhe në atë që është shpallur para teje, dhe që janë të bindur plotësisht për (jetën e ardhshme) në botën tjetër (ahiretin). Të tillët janë të udhëzuar
nga Zoti i tyre dhe vetëm ata janë të shpëtuarit." (El Bekare, 1-5)
Devotshmëria ndaj Allahut është përmbledhëse e mirësive dhe ruajtëse e begative.(1) Cilësi e lavdëruar që më së shumti përmendet në Kuran dhe nuk ka mirësi të dynjasë dhe të ahiretit dhe as të jashtme e të brendshme, veçse devotshmëria është fortifikatë dhe mbrojtëse e tyre. Ajo është porosia e Allahut për të hershmit dhe ata të vonshmit: "Ne i kemi porositur ata që u është shpallur libri para jush dhe juve: Frikësojuni Allahut!" (En Nisa, 131)
Definicionet e devotshmërisë
Devotshmëria është shkalla më e lartë, që duhet besimtari të ngritët tek ajo, sado që të përjetoi mundime dhe vuajtje për hir të saj. Dijetarët islam kanë dhënë shumë definicione për devotshmërinë dhe janë shtuar fjalët rreth saj, do t' i përmendin disa prej tyre, që të jenë si një pishtar që na udhëzon me dritën e tij.
Është thënë: "Devotshmëria është t'i nënshtrohesh Allahut e të mos mëkatosh, ta rikujtosh e mos ta harrosh, dhe ta falënderosh e mos ta mohosh (për mirësitë që t'i ka dhënë)."
Po ashtu është thënë: "Devotshmëri është që mos ta zgjedhësh ndaj Allahut askënd pos Tij, dhe ta dish se çdo gjë është në dorën e Tij."
Gjithashtu është thënë: "Devotshmëri është që të mos të gjejnë njerëzit në gjuhën tënde dhe në veprën tënde ndonjë gabim, e as melaqet mos të të gjejnë ndonjë gabim në fshehtësinë tënde."(2)
"Devotshmëri është që mos të të shoh Krijuesi yt aty ku Ai ta ndaloi ty"
"I devotshëm është ai i cili ecën rrugës së të dërguarit të tij (paqja e Allahut qoftë mbi të), dhe e hedh dynjanë prapa shpinës së tij, dhe ia obligon vetes sinqeritetin dhe mbajtjen e premtimit, dhe e largon veten nga haramet dhe mashtrimet."(3)
Si i vlerëson Kurani të devotshmit
Në Kuran të devotshmit përshkruhen me cilësi shumë të larta e të veçanta dhe përmendja e cilësive të tyre të mahnitë.(4) Të devotshmit në librin e Allahut përshkruhen: "Të cilët besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen (namazin) dhe prej asaj që Ne u kemi dhënë, ata japin (zekat, sadakë etj). Dhe ata, të cilët besojnë në atë që t'u shpall ty, dhe në atë që është shpallur para teje, dhe që janë të bindur plotësisht për (jetën e ardhshme) në botën tjetër (ahiretin)." (El Bekare, 3-4)
Të devotshmit në Kuran përshkruhen se janë: "Të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit. Edhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë vetes së tyre zullum, e përmendin Allahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre, e kush i fal mëkatet përveç Allahut?, dhe që duke ditur nuk vazhdojnë në atë që kanë punuar (në të keqen)." (Ali Imran, 134-135)
Devotshmëria i hap dyert e zemrave të mbyllura: "Prandaj ruajuni Allahut! Allahu ju mëson ju." (El Bekare, 282)
Udhëzimi i Kuranit nuk vjen përveçse në ato zemra të pastra dhe të shëndosha, të cilat i largohen rrugëve të devijimit dhe të shkatërrimit. Të devotshmit e kanë të garantuar vendin e parë për ndershmëri, siç thotë Allahu në Kuran: "Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë." (El Huxhurat, 13)
Po ashtu Allahu i pranon veprat vetëm nga të devotshmit: "Allahu pranon vetëm prej të devotshmit." (El Maide, 28)
Sinqeriteti i devotshmërisë del në shesh dhe qartësohet vetëm atëherë kur devotshmëria e robit është e njëjtë si në publik, ashtu edhe në fshehtësi. I dërguari i Allahut i tha Muadhit r.a.: "Frikësoj u Allahut kudo që të jesh."(5) E në të njëjtin kuptim aludon edhe fjala e Allahut: "Dhe keni frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se Allahu është mbikëqyrës mbi ju." (En Nisa, 1)
Frytet e devotshmërisë
Nëpërmjet devotshmërisë njeriu arrin dobi të shumta, si në jetën e kësaj bote ashtu edhe në botën tjetër. Prej fryteve të devotshmërisë po përmendim:
1. Udhëzimi. Në lidhje me këtë Allahu i Madhëruar thotë: "Ky është libri që nuk ka dyshim në të (sepse është prej Allahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm." (El Bekare, 2)
2. Ndihmesa e Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: "S'ka dyshim se Allahu është me ata që janë të devotshëm (që ruhen prej të këqijave) dhe me ata që janë bamirës." (En Nahl, 128)
3. Allahu i miqëson (i përkrah dhe i ndihmon) të devotshmit. Allahu i Madhëruar thotë: "Allahu është mbrojtës i besimtarëve të devotshëm." (El Xhathije, 19)
4. Largimi i brengosjes në botën tjetër. Allahu i Madhëruar thotë: "S'ka dyshim se të dashurit e Allahut (evliatë) nuk kanë frikë (në botën tjetër) e as kurrfarë brengosje. (Ata janë) Të cilët besuan dhe ishin të ruajtur. Atyre u jepet myzhde në jetën e dynjasë (në çastin e vdekjes) dhe në jetën tjetër (për shpëtim dhe xhenet). Premtimet e Allahut nuk mund të pësojnë ndryshim. E ai është sukses i madh." (Junus, 62-64)
5. Largimi i vështirësive dhe brengave.(6) Allahu i Madhëruar thotë: "E kush i frikësohet Allahut (i ruan dispozitat e Tij), atij Ai i gjen rrugëdalje." (Et Talak, 2)
6. Furnizimi i mirë (rësku). Allahu i Madhëruar thotë: "E kush i frikësohet Allahut (i ruan dispozitat e Tij), atij Ai i gjen rrugëdalje, dhe e furnizon atë prej nga nuk ia merr mendja." (Et Talak, 2-3)
7. Allahu i do të devotshmit. Për këtë Allahu i Madhëruar thotë: "Allahu i do ata që janë të devotshëm." (Et Teube, 7)
8. Mendjemprehtësia dhe falja e gjynaheve arrihet nëpërmjet devotshmërisë.(7) Allahu i Madhëruar thotë: "O ju që besuat, nëse keni frikë Allahun, Ai do të vërë udhëzimin (në zemrat tuaja) për ju, do t'ua mbulojë
të këqijat e do t'ua fal mëkatet. Allahu është dhurues i madh." (El Enfal, 29)
9. Lehtësimi i çështjeve. Allahu i Madhëruar thotë: "E kush i frikësohet Allahut, Ai atij ia lehtëson çështjen." (Et Talak, 4)
10. Shtimi i shpërblimit dhe shlyerja e gjynaheve.(8)Allahu i Madhëruar thotë: "E kush e ka frikë Allahun, Ai atij ia shlyen të këqijat dhe ia shton shpërblimin." (Et Talak, 5)
11. Pranimi i veprave. Allahu i Madhëruar thotë: "Allahu pranon vetëm prej të devotshmëve." (El Maide, 27)
12. Shpëtimi, Allahu i Madhëruar thotë: "O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgatitur dhe që të shpëtoni ruajuni dënimit të Allahut." (Ali Imran, 200)
13. Përgëzimi, Allahu i Madhëruar thotë: "(Ata janë) Të cilët besuan dhe ishin të ruajtur. Atyre u jepet myzhde (përgëzim) në jetën e dynjasë (në çastin e vdekjes) dhe në jetën tjetër (për shpëtim dhe xhenet). Premtimet e Allahut nuk mund të pësojnë ndryshim. E ajo është fitorja e madhe." (Junus, 63-64)
14. Hyrja në Xhenet, Allahu i Madhëruar thotë: "Është e sigurt se për të devotshmit do të ketë te Zoti i tyre kopshte të begatshme." (El Kalem, 34)
15. Shpëtimi nga zjarri i xhehenemit. Allahu i Madhëruar thotë: "Dhe nuk ka asnjë prej jush që nuk do t'i afrohet atij. Ky (konstatim i xhehenemit) është vendim i kryer i Zotit tënd. Pastaj, (pas kalimit pranë tij) do t'i shpëtojnë ata që ishin ruajtur (mëkateve), e zullumqarët do t'i lëmë aty të gjunjëzuar." (Merjem. 71-72)
Për fund
Këtë temë dua ta mbyll me fjalët e Aliut r.a., i cili kur i përshkroi të devotshmit tha: "Ata janë të ndershmit, kur flasin, flasin drejtë, veshja e tyre është ekonomike, të ecurit e tyre është modest, sytë e tyre i mbrojnë nga harami, e dëgjojnë vetëm atë që iu bën dobi, Krijuesin në zemrat e tyre e madhështojnë, çdo gjë tjetër jashtë Tij në sytë e tyre është e vogël, zemrat i kanë të përmalluara, askujt nuk i bëjnë dëm, kërkesat e tyre në dynja janë të vogla, nderin e kanë të mbrojtur, e dinë se bërja durim disa ditë të shkurta, pas saj do të vijnë ditë të rehatshme e të gjata, natën falen dhe lexojnë Kuran, kërkojnë shpëtim dhe mëshirë, nuk kënaqen me pak nga veprat e mira, Allahut i frikësohen, bëjnë durim në vështirësi, falënderojnë për begatitë, gabimet e tyre janë të pakta dhe nga ta shpresohet e mira dhe nga sherri i tyre njerëzit janë të mbrojtur."
_________________________
(1) Naim Tërnava "Morali Islam 2", Prishtinë 1998, f. 79.
(2) Amër Halid "Përmirësimi i zemrave", fq. 109. Tiranë 2005.
(3) Shkëputur nga libri: " Khumasijat mukhtareh fi tehdhib en nefs el emareh"
(4) Imam Neveviu, "Rijadus salihin", Kapitulli për devotshmërinë, fq. 42, Prishtinë 1997.
(5) Dr. Abdurrahman Rafet el Basha, "Fragmente nga jeta e sahabëve" Prishtinë 2002, fq. 51-57.
(6) Aid el Karni "Mos u Trishto" fq. 326, Gostivar, 2005.
(7) Abdullah Nasih Ulvani "Formimi i personalitetit të njeriut në pikëpamje islame" fq.46, Gostivar, 2003.
(8) Imam Neveviu, "Rijadus salihin", Kapitulli për urdhërim të veprave të mira, fq.88, Prishtinë 1997.
Ma. sc. Burim Bibaj