Përkushtimi ndaj Allahut eviton rrezikun në shpellën Rrekim
Tregon Ibn Omeri r.a. se Resulullahu a.s. ka treguar: “Njëherë tre persona (nga gjeneratat e mëparshme) po udhëtonin, kur papritmas i zuri shiu dhe ata u strehuan në një shpellë. Papritmas hyrja e shpellës u mbulua nga rrëzimi i një shkëmbi, derisa ata ishin në të. Ata i thanë njëri-tjetrin: O ju! Asgjë nuk mund t’ju shpëtojë përveçse e vërteta, prandaj secili prej jush t’i lutet Allahut për ndihmë duke përmendur një vepër të atillë që ai e mendon se e ka bërë me të vërtetë (për ta fituar kënaqësinë e Allahut). Kështu njëri prej tyre tha: “O Allah! Ti e di se unë pata një punëtor që punonte tek unë për një ferek (rreth gjysmë dërhem apo 10kg oriz), por ai u largua pa e marrë pagesën. Unë e mbolla atë 10kg oriz dhe me prodhimin që u bë, arrita të blija lopë. Më pastaj, kur ai erdhi të më kërkonte pagesën e tij, unë i thashë: ‘Shko tek ato lopë dhe merri (tërhiqi përpara) ’. Ai më tha: “Po ti ke për të më paguar vetëm 10kg oriz”. Unë i thashë atij, shko tek ato lopë dhe merri, pasi ato janë fryt i atij orizi. Kështu ai i mori ato. O Allah! Nëse Ti e di se unë e bëra këtë nga frika prej Teje, atëherë, të lutem, largoje shkëmbin. Shkëmbi u tërhoq pak nga dera e shpellës. I dyti tha: “O Allah! Ti e di se kisha prindër të moshuar, të cilëve gjithnjë u jepja qumësht nga delet e mia çdo natë. Një natë unë u vonova dhe, kur erdha, ata kishin rënë në gjumë, ndërsa gruaja dhe fëmijët po qanin nga uria, unë nuk i lashë ata (familjen time) të pinin derisa të kishin pirë më parë prindërit e mi. Kështu nuk më pëlqente t’i zgjoja ata dhe po kështu nuk më pëlqente që ata të flinin pa pirë qumështin. Unë vazhdova të pres (që të zgjoheshin nga gjumi) derisa zbardhi mëngjesi. O Allah! Nëse Ti e di se unë e bëra këtë vepër nga frika prej Teje, atëherë, të lutem, largoje shkëmbin. Kështu shkëmbi u tërhoq aq sa ata të mund të shihnin qiellin. I treti apo tjetri tha. “O Allah! Ti e di se unë kisha një vajzë (pa kurorë), e cila ishte më e dashura për mua dhe unë u mundova të kandisja atë, por ajo nuk pranoi, përderisa Unë t’i paguaja asaj njëqind dinarë. Kështu unë arrita t’i fitoja ata dinarë dhe ia çova e ajo më lejoi që t’i afrohesha. Por, kur u ndodha mes këmbëve të saj, ajo më tha: “Ki frikë Allahun dhe mos më prish vajzërinë time, veçse me të drejtë (me kurorë). Unë u ngrita dhe ia lashë njëqind dinarët. O Allah! Nëse Ti e di se Unë e bëra këtë nga frika prej Teje, atëherë, të lutem, largoje shkëmbin. Kështu Allahu i liroi ata (e largoi shkëmbin) dhe ata dolën nga shpella”.(1)
Transmetimet e tjera të hadithit
Ky hadith ka edhe disa rrugë a versione të tjera që mund të dallojnë nga njëri-tjetri për nga struktura e radhitjes së fjalëve në hadith. Ndër transmetimet kryesore numërohen versioni i Abdullah ibn Omerit në Sahihun e Buhariut dhe Muslimit, hadithi i Enes bin Malik në Musnedin e Ahmedit; hadithi i Ebu Hurejres në Sahihin e ibn Hibanit; hadithi i Ukbe
bin Amir dhe Nu’man bin Beshirit në Mu’xhemin e Taberaniut etj.. Të gjitha këto versione kanë të njëjtën përmbajtje për ngjarjen e tre personave që ishin vënë papritmas në sprovë, vështirësi, ngushtim, fatkeqësi dhe izolim total në shpellë.
Fjalët e panjohura në hadith
Fjala Fe eveu ka kuptimin janë fshehur, janë strehuar nga erërat dhe shiu i fortë, d.m.th. janë futur në shpellë. Fjala Garun, ka kuptimin e gdhendjes në kodër – Ennakbu fi xhebeli, që nënkupton shpellë me hapësirë të vogël, ndërsa terminologjia më adekuate për shpellën në gjuhën arabe, është el kehf. Andaj edhe Kurani ndodhinë e djelmoshave e emërton po me këtë emër el-kehf.
Fjala Intabeka ka kuptimin e mbylljes, mbulimit, bashkimit. Këtu nënkupton mbylljen e derës së shpellës. Në një version tjetër është:“... e mbylli gojën (portën) e shpellës së tyre me një shkëmb të shembur nga lartësia e kodrës.
Fjala “O Zoti im, nëse Ti e di”, kjo fjali është paksa problematike dhe diskutabile, ngase besimtari decidivisht e di se Allahu është i njoftuar dhe di çdo gjë. Mirëpo, të shprehurit në këtë formë vjen nga dyshimi i personit nëse kjo vepër e bërë merret apo jo në konsideratë dhe a është e pranueshme tek Allahu për t’iu përgjigjur kërkesës sonë(2) apo duhet të shikojë në ndonjë vepër tjetër që është gjithashtu me peshë dhe e pranuar tek Allahu xh.sh.. Më adekuate do të ishte sikur personi të thoshte: “O Allahu im, nëse Ti këtë vepër e quan apo e konsideron se unë e bëra nga frika prej Teje...”.
Fjala All-llahumme (O Allahu im!) tek arabët përdoret për tri qëllime: Për thirrje të drejtpërdrejtë. P.sh. O Allahu im, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët. Për informim në rast përjashtimi. P.sh. thua diçka, më pas bën përjashtim:O Zoti im, përveçse nëse ka bërë kështu...
Për të treguar bindje në përgjigjen e një kërkese “E reisul xhamiati mevxhudun? Allahumme neam” –“A është prezent rektori i Universitetit? Përgjigjja është: Po, o Zoti im (Ti je dëshmitar) ”. Apo kur dikush të pyet: Raejte Muhammeden, fe jekulu: Allahumme neam - E ke parë Muhamedin? Ti thua: Po, o Zoti im. Këtë qëllim të përdorimit të fjalës “O Zoti im” e ka për qëllim hadithi bazë.(3)
Fjala La tefud ka kuptimin mos e prish, mos e thyej – La teksir.
Fjala El-hatim ka kuptimin e unazës duke aluduar në organin gjenital të femrës.
Fjala Jetedagavneminelxhu’i ka kuptimin ‘ata – familja po qanin dhe bërtitnin duke kërkuar ndihmë nga dhimbjet e urisë’. Në një version tjetër thuhet: Fëmijët klithnin duke qarë tek këmbët e mia.
Fjala Ferekun ka kuptimin e enës me të cilën maten farërat. Thuhet një ferek ka masën 10-12 kg, vlera e të cilit ka qenë gjysmë dërhemi, e barabartë me dy gramë ari.
Fjala Ebevaje këtu është përdorur për dy prindërit, për babanë dhe nënën në kuptimin e përgjithshëm, ku nocioni Babë mbulon të dy prindërit në vend të nocionit Validejje (dy prindërit).
Shpjegimi i hadithit
Lidhshmëria e hadithit bazë që rrëfen për Banorët e shpellës Rrekim me As’habulKehfi – Banorët e shpellës të përmendur në Kur’an Hadithologu i të gjitha kohëve, Imam Buhariu, hadithin e shpellës e kishte radhitur në fund të tregimit kuranor – As’habul Kehfv mbi Banorët e Shpellës, me shtatë personat të cilësuar banorë të shpellës në Kuran në kaptinën El-Kehf. Ai thotë se me fjalën Rrekim në vargun:“A mos po pandeh se banorët e shpellës dhe Rrekimit ishin një nga mrekullitë Tona të çuditshme?” (El Kehf, 9) janë për qëllim tre personat që ishin duke udhëtuar e i kaploi shiu. Këtë e argumenton me konfirmimin e Taberaniut dhe Bezzarit me sened të mesëm, të transmetuar nga Nu’man bin Beshir, se e kishte dëgjuar Resulullahun a.s., duke përmendur Rrekimin me thënien: “Tre persona kishin dalë në udhëtim, ishin në një shpellë, kur papritmas kodra e mbuloi portën e shpellës duke i mbyllur ata brenda”.(4)
Po ashtu këta tre persona, sipas Taberaniut, ishin prej beni-Israilëve.
Besimtari për pretekst e ka veprën e jo ndërmjetësimin
Hadithi bazë konsiderohet prej shtyllave të fesë në çështjen e pretekstit, lidhjes, që të shpie në afërsi me Krijuesin Fuqiplotë pa ndërmjetësi, po përmes përkushtimit, sinqeritetit, korrektësisë dhe nënshtrimit ndaj Tij dhe Të Dërguarit të Tij. Në këtë kontekst Allahu xh.sh. thotë:“O ju që keni besuar! Plotësoni detyrat ndaj Allahut dhe kijeni frikë Atë. Kërkoni rrugët për t’iu afruar Atij..”. (El Maide, 5)
Ky varg kuranor tregon se besimtarët duhet t’i marrin veprat e mira për pretekst për t’i afruar tek Allahu xh.sh., duke ia bashkëngjitur veprës së mirë edhe lutjen e sinqertë, e me këtë veprim të largohet dhe evitohet çdo rrezik, katastrofë apo bela e kësaj bote. Nevojtarit vazhdimisht i është përgjigjur Allahu xh.sh. në nevojën e tij:“A është Ai që i përgjigjet nevojtarit (të mjerit) kur ai e thërret, duke ia larguar të keqen e ju ju bën mbizotërues të tokës. A ka zot tjetër pos Allahut? Jo, por ju shumë pak kujtoni”. (En Neml, 62)
Me këtë ajet dhe me veprat e mira konsiston edhe këshilla e Resulullahut a.s.,me lutjen që duhet të bëjë besimtari kur ai e ndien veten të pastër dhe të sinqertë me Zotin e tij: “Nuk ka lutës që I lutet Allahut e që nuk ka mëkat, e as shkëputje të lidhjes së gjakut, përveçse Allahu atij do t’i japë një prej tri të mirave: Ose menjëherë t’ia pranojë lutjen e tij, ose t’ia depozitojë atij nga të mirat sikurse ajo (lutja për Ahiret). Ata thanë: O i Dërguar i Allahut, atëherë të shpeshtojmë (të shumojmë lutjen), ai tha: Allahu jep edhe më shumë”.
Hadithi ilustron ngjarjen në mënyrë artistike
Hadithi bazë konsiderohet prej fjalëve të Resulullahut a.s., që ka një retorikë të shkëlqyeshme letrare, duke sjellë shembuj të pakrahasueshëm dhe ngjarje shumë interesante për lexuesin, dëgjuesin dhe për atë të cilit i komunikohet apo rrëfehet. Në këtë ngjarje kemi një dëfrim të mendjes dhe zemrës së bashku. Vetë metoda e rrëfimit të këtij tregimi të shpie që të mos ndalesh vetëm në anën e jashtme substantive, po të depërtosh thellë në brendësinë e shpirtit, ku emocionet ngrihen lart në kuptimin pozitiv dhe njeriut i servohet sikur të ishte i pranishëm dhe të shikonte ngjarjen me sytë e tij. Kjo tregon për gjallërinë e shpirtit dhe optimizmin e tij për vepra të suksesshme, humane dhe shpirtërore. Nuk ka më joshëse se kjo shfaqje apo hyrje mjeshtërore, e cila unifikon përnjëherë zemrat, veshët dhe sytë. Që të gjitha përqendrohen në një ngjarje që me aftësi të lartë e rrëfen Resulullahu
s.a.v.s.. Në një version të këtij hadithi ngjarja fillon kështu: “Njëherë tre veta kishin dalë për të ecur, kur papritmas i zuri shiu, e atëherë hynë në një shpellë të një kodre dhe kur ra papritmas një shkëmb (nga lart tek hyrja)...”. Këto shprehje të hadithit na rikthejnë në kohën e ndodhjes së ngjarjes, na transferojnë tek vendi i ngjarjes, na figurojnë një kohë dimensialisht të largët dhe përplot pësime e mësime. Ata të tre persona që
ecnin të lumtur, të gëzuar, përplot hare dhe emocione, i kishte bashkuar vëllazëria, shpirtgjerësia, dëlirësia dhe dashuria për hir të Zotit. Ata ishin një grup i mirë, i pastër, të cilët përputheshin si në natyrshmëri ashtu dhe në moral e etikë. Këto shprehje të fjalisë ne na kthejnë në një shfaqje të gjallë dhe joshëse, sikur t’i jetojmë dhe t’i përjetojmë ato orë të lumtura. Ky është ai shpirti i ngjarjes kur regjisori bart tek ne pamjen impozante të atyre personave që shëtisnin me plot kënaqësi dhe dashuri. Por, ç’ndodhi më tutje gjatë shëtitjes? Papritmas u hapën dyert e qiellit me ujë të rrëmbyeshëm, përroskat u shndërruan në lumenj të vegjël, bimëve të njoma e të thata po u shkulen rrënjët nga uji i rrëmbyeshëm, edhe shkëmbinjtë, gurët filluan të lëviznin... filluan të bërtisnin nga t’ia mbanin... ata ishin në një vend malor e kodrinor, nuk kishte banorë as shtëpi, as lëvizje të njerëzve... shiu vetëm sa shtonte fuqinë rrëmbyese, përroskat gurgullonin nga uji i tmerrshëm, gurët i bartte uji sikur topa fëmijësh, shikimet nuk kishin të ndalur rreth e rrotull për të gjetur vendin e strehimit... Ja, atje lart po shihej një vrimë e një shpelle, atje është strehimi, atje është mbrojtja nga shiu, atje është shpëtimi i jetës. Me shpejtësi vrapuan drejt shpellës, që në fillim, në ato çaste, ishte begati, mirësi dhe shpëtim, u futën të gëzuar se shpëtuan nga më e keqja. Por, hadithi nuk na jep shumë kohë të meditojmë dhe të thellohemi në kënaqësinë që ata përjetuan kur e gjetën strehimin, ai na befason në vazhdim me një të papritur të trishtueshme: sapo hynë në shpellë, përroskat shkulën një shkëmb të madh, i cili mbuloi portën e shpellës, e mbylli dritën, ua shoi atë gëzim të shpëtimit, ua humbi shpresat se mund të ktheheshin edhe një herë tek prindërit, gratë dhe fëmijët. Çdo gjë ishte errësirë brenda shpellës, humbi Dielli, humbi Hëna, humbën yjet. Ndaluni dhe meditoni shpejtësinë e ngjarjes dhe përfundimin e saj të çuditshëm: Tre veta kishin dalë për të ecur (shëtitur), kur papritmas i zuri shiu, atëherë hynë në një shpellë të një kodre, e mbi portën e shpellës ra një shkëmb dhe e mbylli atë... Përcilli foljet në strukturën e fjalisë, dolën... ecën... i zuri,.. hynë, ra.., i mbylli... – Sikur po e rrëfente me këtë stil sapo dolën duke ecur, i zuri shiu i tmerrshëm, hynë në shpellë, pa marrë frymë mirë ra shkëmbi dhe u mbyllën brenda në shpellë të kodrës me mbyllje hermetike. Shikoni sa çaste të shkurtra, të shpejta, sikur të ishte një vetëtimë e rrufeshme. Syri më nuk shihte dalje nga shpella, ajo ishte errësuar tërësisht në errësirën e trishtueshme të shpellës, veshi nuk dëgjonte as cikërrimën më të imët... Por, edhe pse trupi me gjymtyrët e tij ishte errësuar, shpirti, zemra, mendja zhvillonin biseda se si të dilnin nga ajo errësirë me plot mizori. Imagjinoni këtë gjendje tmerruese, të trishtueshme, me ankth të madh, me dridhje trupi se çfarë dhe si mund të bisedonin ata për zgjidhjen e problemit, larg çdo lëvizjeje, larg njerëzve, larg banorëve, larg syve të të tjerëve, askush nuk i shihte, askush nuk i dëgjonte, askush nuk dinte se ku gjendeshin, shiu kishte zhdukur çdo gjurmë, shkëmbi kishte izoluar çdo zë, ata kishin rënë në hall, kishin brengë, preokupim, vështirësi që askush nuk mund t’ua largonte, askush nuk mund t’i shpëtonte, askush nuk mund t’i nxirrte përveç Allahut, Krijuesit të shiut, kodrës dhe gurit. Nuk kishte shpresë tjetër përveçse: sytë, gjaku dhe zemra të drejtoheshin nga Ai Që i sheh, i dëgjon, i di se ku gjenden dhe është i Vetmi që mund t’i nxjerrë prej aty, nga shpella e errët. Atëherë secili prej tyre duhej të hulumtonte për veprën më të çiltër që kishin bërë vetëm për hir të Allahut, e t’i shërbente si pretekst për t’i evituar nga ajo fatkeqësi që i kishte kapluar. Këtë situatë po na e përshkruan, po na e figuron, po na i rrëfen ato momente hadithi, kur zemrat ishin të dridhura, duart të nënshtruara, e gjuha në ato momente thoshte: “Guri e zuri shpellën, gjurmët u zhdukën, askush nuk e di vendin tuaj përveç Allahut, atëherë luteni Allahun me veprën tuaj më të sinqertën”.(5)
Nuk ka shpëtim përveçse me vepër të mirë: “Allahu është i mirë dhe nuk pranon përveçse të mirën”.(6)
Kjo, pra, ishte biseda e tyre që në fillim me njëritjetrin. Të gjithë kishin frymëzim të njëjtë, kishin të njëjtin qëndrim, të njëjtat fjalë, thuajse ishin një trup. Një gjuhë fliste për të gjithë. Ata, edhe në këto çaste më kritike të jetës, mbetën të bashkuar, edhe pse në të tilla situata është vështirë që njerëzit të jenë të një mendimi. Por, të mos harrojmë se, edhe para hyrjes në shpellë, ishin unikë në bisedë, fjalë dhe qëndrime.
Çfarë po i thoshin ata njëri-tjetrit në brendi të shpellës? Ata thanë, sipas një versioni: “Shikoni, gjeni veprat e mira që keni bërë vetëm për hir të Allahut, dhe luteni Allahun e Lartësuar me to, se ndoshta e hap portën për ju”.
Edhe pse kemi shumë versione të hadithit të transmetuar, të gjitha kanë kuptim unik, secili transmetim përforcon kuptimin e tjetrit, kështu që nuk ka shpëtim përveçse me veprën më të mirë, më të ndershme, më të çiltër dhe më të sinqertë. Ata tre persona të zgjedhur, të mirë, të ndershëm E kishin njohur Allahun në paqe e qetësi, e Allahu i njohu ata në pikëllim e vështirësi. Ata E kishin dashur Allahun haptazi dhe fshehurazi, edhe Allahu i deshi dhe të dashurit e Tij kur i do, edhe i sprovon. Kjo sprovë u kishte ndodhur, sepse Allahu donte të dëgjonte lutjet e tyre të sinqerta, të shihte modestinë dhe t’i pastronte edhe më tepër, ashtu siç digjet ari në zjarr dhe në fund del i çiltër dhe i pastër.
Nga këtu, hadithi ekspozon shembullin më të sinqertë të adhurimit ndaj Allahut Fuqiplotë, ku secili prej tyre përpiqet që lutjen e tij ta formulojë në formën më të bukur artistike, më përmbajtësore, më dimensionale dhe më të pranueshme. (vijon)
1) Ibn Haxher, “Fet’hul Bari”, v. 6 f. 584, nr. 465, Kitab ehadithil Enbija.
2).Po aty, v. 6. f. 585.
3) El-Ajnij, “Umdetulkarij”, v. 22. f.24.
4) Fet’hul Bari”, v. 6. f. 585
5) Ibn Haxher, “Fet’hul Bari”, v. 6 f 585; “MusnedAhmed”, v. 5. f. 47, nr. 12001.
6) “Sahihu Muslim”, v. 5. f. 192, nr. 1686. (7) “Sahihul Buhari”,
v. 1. f. 288, nr. 4926.
Dr.Ass. Musa Vila