Mësimi mbi prejardhjen e njeriut


Njohuritë teorike rreth këtyre temave, mjaft të rëndësishme, datojnë që nga shekujt 18 dhe 19, në kohën kur shkenca ishte nën ende ethet e injorancës kishtare të mesjetës, në kohën kur, si kundërpërgjigje ndaj ndikimit të kishës mesjetare, filozofitë ateiste-materialiste kishin marrë hov zhvillimi dhe ato teori pseudoshkencore mbështeteshin në ateizëm, gjithnjë duke theksuar vetëm rastësinë dhe jo qëllimin. Fakti i ikjes nga realiteti bëri që këto teori të ishin jo të kapshme për mendjen e shëndoshë dhe të binin në kundërshtim me vetveten.

Më poshtë do të bëjmë një qasje të asaj që mësohet dhe që do të duhej mësuar për origjinën e njeriut. Me problemin e krijimit të jetës mbi Tokë merret një disiplinë e veçantë shkencore – biogjenetika. Përveç të tjerash, kjo shkencë studion vjetërsinë e gjithësisë dhe të Tokës, rrjedhën e krijimit të kushteve për jetë në Tokë, si dhe fillimin dhe zhvillimin e formave të ndryshme të jetës prej më primitives nga më e avancuara. Biogjenetika tenton që formimin e kushteve për jetë, fillimin dhe zhvillimin e jetës në Tokë, t’i shpjegojë përmes teorisë së evolucionit kimik dhe teorisë së evolucionit biologjik. Sipas teorisë evolutive, të gjitha qeniet e gjalla kanë prejardhje të përbashkët – monofiletike, ndërsa rruga deri në krijimin e formave të sotme të jetës është shumë e gjatë dhe kryesisht bazohet mbi adaptimin/përshtatjen.
Pra, një teori kjo antishkencore dhe e falsifikuar për arritjen e qëllimeve të caktuara ideologjike dhe në shërbim të lëvizjeve të caktuara raciste; një teori pa bazë, e cila, duke mohuar faktin e krijimit, ushtroi ndikim të konsiderueshëm negativ tek njerëzit labilë, i zhveshi ata nga ndjenja e vetme që i jep kuptim të vërtetë jetës – besimi në Krijuesin Një.
Ndërkaq, tek njerëzit me mendje të kthjellët dhe me besim të pastër, kjo teori ka përforcuar edhe më shumë bindjen e tyre tek Krijuesi. Për sa i përket prejardhjes së njeriut, fëmijët tanë e mësojnë teorinë e natyralistit amator anglez Çarls Darvin, i cili, në librin “Origjina e llojeve” thotë se njeriu së bashku me majmunët dhe me gjysmëmajmunët e kanë origjinën prej një grupi të vjetër gjitarësh.
Pranimi i teorisë së evolucionit ka hasur në vështirësi dhe kundërshtime të shumta të argumentuara:p.sh. njeriu jeton mesatarisht 70 vjet, ndërkaq, për t’u realizuar ndryshimet e dukshme dhe të përhershme si pasojë e procesit të evolucionit, nevojitet një periudhë e gjatë kohore prej 70 000 deri mbi 700 000 vjet ndikimi të faktorëve të jashtëm evolutivë!!!
E keqja më e madhe është se shumica e profesorëve tanë, për shkak të injorancës së tyre, teorinë e Darvinit nuk e shpjegojnë si një teori të zakonshme por më tepër si një “fakt të argumentuar shkencërisht”
Nga kjo injorancë, e cila po demantohet dita më ditë nga vetë shkenca dhe zbulimet arkeologjike, më së tepërmi pësojnë fëmijët tanë.
Pikë lidhjet ndërmjet teorisë evolutive dhe filozofisë ateiste-materialiste janë mohimi i ekzistimit të Krijuesit,theksimi i seleksionimit natyral (përzgjedhjes), lufta e gjallesave për mbijetesë në natyrë - ku gjithnjë fitojnë vetëm më të fortët. Sipas kësaj logjike sataniste dhe raciste, të dobëtit do të zhdukeshin vazhdimisht dhe, herët a vonë, në planetin tonë do të mbetej vetëm një lloj i të përzgjedhurve, të cilët gjithsesi do t’i nënshtroheshin përzgjedhjes së vazhdueshme deri në zhdukje.
Një racizëm ky i pastër!!!

Darvini po të ishte gjallë do të zhgënjehej

Ndikim të fortë mbi përkrahësit e teorisë së evolucionit, mbi filozofët ateistë materialistë dhe mbi pasuesit e racizmit në përgjithësi, pati Malthusizmi. Nën ndikimin e ideve të Malthusit rreth problemeve të “tryezës së njerëzimit”, Darvini në shkrimet e veta propagandoi edhe esencën e teorisë evolutive – ndarjen e njerëzimit në lloje sipas ngjyrës (racës). Në bazë të kësaj ndarjeje, lloji i avancuar i njerëzve (raca e bardhë), me kohë, duhet të eliminojë llojin më të prapambetur të njerëzve gjatë ndryshimeve evolutive (racën e zezë)!!!
Çfarë mahnitjeje do të përjetonte Darvini po të shihte përparimet teknologjike që ka arritur njeriu i sotëm, po sigurisht zhgënjimi i tij do të ishte edhe më i madh, kur të shihte se në ato përparime marrin pjesë të gjithë njerëzit pa dallim ngjyre. Një teori e tillë nga autorët e librave të biologjisë, nga të cilët mësojnë fëmijët tanë,vlerësohet se është mënyra më e drejtë e zgjidhjes së problematikës rreth origjinës së njeriut, duke mos u marrë me zbulimet e reja shkencore. Shkencat që merren drejtpërdrejt me origjinën e njeriut janë: paleon tologjia, paleoantropologjia, arkeologjia, biologjia dhe antropogjeografia. Këto shkenca trumbetojnë me të madhe se origjina e njeriut nuk rrjedh nga ndonjë lloj majmuni por prej ndonjë pararendësi të tyre (antropoidi), që paraqet një trung të përbashkët të njeriut me majmunin.
Faktet për farefisninë e përbashkët ndërmjet njeriut dhe kurrizorëve të tjerë, dhe sidomos grupit të gjitarëve, i mbështesin në disa ngjashmëri ndërmjet tyre, kurse dallimet ndërmjet tyre i shohin si pasojë të një evolucioni shumë të gjatë dhe të kushteve të ndryshme ekologjike, në të cilat jetojnë. Ngjashmëritë midis njeriut dhe kurrizorëve të tjerë, dhe sidomos gjitarëve, përveç të tjerash, i shohin edhe:
Në formën e embrionit në fazat e para të zhvillimit;
Në renditjen dhe ndërtimin e skeletit dhe të muskujve;
Në ngjashmërinë e ndërtimit të syrit, veshit dhe organeve të nuhatjes;
Në përbërjen e gjakut.
Ndërkaq, me dukurinë e atavizmit (dukuria e përsëritjes së disa cilësive që kanë pasur të parët e njeriut, p.sh. fëmija me bisht, njeriu me fytyrë dhe trup të mbuluar me qime, njeriu me shumë palë gjinj në rajonin e kraharorit dhe barkut) e shohin si të kryer punën e origjinës së njeriut. Pikërisht rreth problematikës së origjinës së njeriut kanë filluar “të evoluojnë” mendimet e studiuesve dhe, si rezultat, përçarja ndërmjet tyre sa vjen e rritet.
Sipas një grupi studiuesish, në shpjegimin e shndërrimit të antropoidit në njeri dhe të zhvillimit të tij të mëtutjeshëm, ka ndikuar fakti i ekzistimit të unitetit në natyrë, unitetit të jetës dhe unitetit të gjinisë njerëzore. Këta studiues hedhin poshtë teorinë e origjinës poligjene (paraqitja e njeriut në kohë dhe vende të ndryshme të sipërfaqes së tokës) – një teori kjo raciste. Sa kohë që favorizojnë teorinë shkencore në bazë të së cilës gjinia njerëzore ka origjinë monogjene, është e një lloji dhe është paraqitur në të njëjtën mënyrë e në të njëjtën kohë në fund të epokës së pliocenit dhe në fillim të epokës së pleistocenit. Sipas tyre njeriu ka origjinë nga pjesët periferike të tri kontinenteve: kontinentit të vjetër (Evropës), Azisë dhe Afrikës, dhe në fillim forma e antropoidit ka ecur me katër gjymtyrët e veta, , duke punuar vazhdimisht, kishte filluar të drejtonte qëndrimin e trupit dhe ecjen e vet ta bënte më tepër me gjymtyrët e prapme (këmbët), kurse të përparmet (duart) t’i përdorte për të punuar (mbledhja e fryteve, mbrojtja, sulmi dhe punë të tjera të nevojshme për të ekzistuar).
Si duket, edhe ky grup i studiuesve për bazë merr teorinë e paargumentuar të evolucionit të Çarls Darvinit (Charles Darwin), i cili në librin “Origjina e llojit” thotë: “Njeriu asnjëherë s’do të mbërrinte pozitën dominuese në botë pa përdorimin e duarve, si vegël pune që i nënshtrohet dëshirës së tij”.

S’ka rastësi

Përkrahësit e këtyre teorive e mendimeve, duhet të kuptojnë se asgjë nuk ekziston rastësisht dhe askush nuk e krijon vetveten. Rastësisht nuk mund të krijohen gjithë ata trupa qiellorë me gjithë përmbajtjen e tyre. Rastësisht nuk mund të krijohet një rregull dhe ligj aq i përpiktë, siç është rregulli dhe ligji i gjithësisë,ku çdo gjë lëviz me shpejtësinë, drejtimin, saktësinë dhe qëllimin e caktuar, qysh prej miliona vjetësh - pandryshuar asgjë. Më lart përmendën fjalët: “krijimi i formave të reja”. Posa të përmendet fjala krijim, vetvetiu nënkuptohet ekzistimi i Krijuesit. Shkencëtarët dhe veprimtarët e tjerë mund të zbulojnë gjëra të ndryshme, por kurrsesi nuk mund të krijojnë, sa kohë që ata vetë janë të krijuar, e krijimi është kompetencë e vetëm Një Krijuesi. Të shqyrtojmë tani ngjashmëritë e cekura më lart ndërmjet njeriut dhe kurrizorëve (gjitarëve) të tjerë: Për sa i përket formës së embrionit, në një fazë të zhvillimit embrioni ka formën e shushunjës moçalike. A thua edhe kjo mund të përdoret si argument i laikëve për origjinën e njeriut? Para 14 shekujsh, Krijuesi ynë,përmes Fjalës së Vet, na mësoi për formën dhe fazat e zhvillimit të embrionit të njeriut, të cilat shkencërisht u zbuluan nga fundi i shekullit 20 - pas ditës së 42 embrioni merr formën e njeriut.
Për sa u përket ngjashmërive ndërmjet njeriut dhe kurrizorëve, respektivisht gjitarëve, në ndërtimin e skeletit, muskujve dhe disa organeve, kjo nuk është diçka e jashtëzakonshme, meqenëse Krijuesi i të gjithave është i njëjti, ndërkaq kushtet e jetës në Tokë për të gjitha krijesat (gjitarët) janë të ngjashme. Ngjashmëria e gjakut ndërmjet njeriut dhe gjitarëve të tjerë mund të jetë vetëm për faktin se të dy llojet, si trupa të nxehtë, kanë në organizëm këtë lëngë qarkullues, po përbërja mikroskopike e gjakut dëshmon për dallime të mëdha ndërmjet tyre. Sot zbulimet gjenetike hedhin poshtë mundësinë që gjenetikisht njeriu të ketë origjinën e përbashkët me gjitarët e tjerë. Po qe se dukuria e atavizmit merret si dëshmi e fortë për farefisninë e përbashkët të njeriut dhe gjitarëve të tjerë, atëherë çfarë të themi për lindjet e foshnjave të ashtuquajtura me kokë bretkose (pa pjesën frontale të kokës), për lindjet e binjakëve me trup të ngjitur, lindjet e fëmijëve pa ndonjë gjymtyrë, me hidrocefalus, apo lindje të hermafroditëve!!! Padituria nuk është argument...
“... ndërsa nga Dija (juve, o njerëz) ju është dhënë vetëm fare pak”. (El Isra, 85)

Krijuesi absolut

Pavarësisht se përkrahësit e teorive dhe filozofive të marra, që i cekëm më lart, propagandojnë pandërprerë ateizmin dhe janë në funksion të ideologjive - lëvizjeve të caktuara raciste, si dhe në shërbim të vetë djallit të mallkuar, - jemi të vetëdijshëm se ndjenja e të besuarit në Një Allah është e mbjellë thellë në shpirtin e njeriut.
Të imagjinojmë sikur para një shekulli ta paralajmëronim njeriun se do të vinte koha e fluturimeve në gjithësi ose e avancimeve të sotme teknologjike, a thua do të besonte kush? E njëjta krijesë që nga krijimi i vet e gjer më sot, pavarësisht nga ndërrimet e qytetërimeve dhe të arriturave teknologjike, thellësisht beson në ekzistimin e Krijuesit të tij.
Nuk e sheh Atë, po i sheh argumentet e Tij;
Nuk e sheh Atë, po i beson të dërguarit e Tij;
Nuk e sheh Atë, po pason udhëzimet e Tij;
Nuk e sheh Atë, po ka frikë-respekt dhe dashuri
ndaj Tij;
Prandaj, është koha e fundit kur fëmijët tanë duhet t’i kursejmë nga idetë dhe teoritë e falsifikuara e të tejkaluara, të cilat në vendet e zhvilluara të botës tashmë i kanë hedhur poshtë si të pabaza dhe antishkencore. Fëmijët duhet të pajisen me njohuri të reja shkencore, të cilat nuk janë në disharmoni fare me mësimet që na i dha Krijuesi ynë përmes Librit dhe të dërguarit të Tij, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të.

Pse të mos fillohet me mësimbesimin për fëmijët tanë në shkollë?

Çfarë të keqe kanë vendet e tjera të botës që kanë futur në shkollë këtë lëndë tashmë shumë kohë? Përmes mësimbesimit do të njohim më mirë njëri-tjetrin,do të njohim Krijuesin tonë dhe nuk do të lejojmë varfërimin e shpirtit tonë. Të vetëdijesohemi një herë e përgjithmonë dhe t’i mësojmë fëmijët tanë se kjo ekzistencë, me të gjitha krijesat që jetojnë në të, është krijim i Allahut të Madhërishëm. “Ai (Allahu) është që për ju krijoi gjithçka ka në Tokë, pastaj vullnetin e Vet ia drejtoi qiellit dhe i përsosi ata shtatë qiej. Ai është i Gjithëdijshmi për çdo gjë”. (El Bekare, 29)



Agron M. Rexhepi, MD, PhD,