Transmetohet nga Nu man Bin Beshir r.a. se e ka dëgjuar të Dërguarin s.a.v.s. të ketë thënë: “Hallalli është i qartë edhe harami është i qartë. Ndërmjet tyre ka (ekzistojnë) gjëra të dyshimta që nuk i njohin shumica e njerëzve. Ai që largohet prej gjërave të dyshimta, ka pastruar fenë dhe moralin e vet. Po kush është futur në dyshime (është futur në haram) ngjashëm sikur bariu që ruan kopenë rreth një kopshti (vend i caktuar nga mbreti për t i ruajtur vetëm kafshët e tij), duke dyshuar se mos po i futen në të. Dijeni se çdo mbret e ka të siguruar zonën e vet dhe dijeni se zonë (e siguruar ) e Allahut xh.sh. në Tokë janë haramet (ndalimet) e Tij. Në trupin e njeriut është një copë mishi, e cila, nëse përmirësohet, përmirësohet i tërë trupi dhe, nëse prishet, prishet tërë trupi, e kjo është zemra”.
Të dhëna për transmetuesin
Ky është Nu'man bin Beshiri (pseudonimi i tij është Ebu Abdullah el Ensari), i njohur si princ, dijetar dhe poet. Ishte shok i të Dërguarit a.s, dhe i biri i shokut të të Dërguarit s.a.v.s.. Ishte djali i motrës së Abdullah bin Revahas. Ka ndjekur rrugën e Abdullahut në poezi, e cila përputhet me stilin e ajeteve të Kur’anit. Ishte i pari që lindi pas emigrimit. Ky dijetar lindi vetëm katërmbëdhjetë muaj pas mërgimit. U emërua mëkëmbës i Kufes, derisa e shkarkoi Muaviu r.a.. Pastaj u vendos në Sham. Atje kishte udhëhequr dhe organizoi njerëzit që ta përkrahnin Abdullah bin Zubejrin për emir të muslimanëve. E kundërshtoi popullata e Himsit, dhe e vrau në vitin 64 pas hixhrit, në kohën e kalifit Mervan bin el Hakem. I ati, Beshir bin Tha lebe, e çoi tek i Dërguari a.s., që t'i shërbente dhe t'i ndihmonte në punët e tij jetësore. Nu’mani, edhe pse ishte i vogël, vazhdimisht përcillte fjalët e të Dërguarit a.s., ulej tek ai dhe i mësonte hadithet. Njëri prej tyre ishte edhe ky hadith. Ishte i njohur edhe për oratori në hytbe,- thotë Semaki bin Harbi: “Nuk kam dëgjuar më gojtar se Nu’mani. Historianët e llogaritin si ashab të ri”.(2)
Kuptimii hadithit
Të gjithë dijetarët islamë janë të një mendimi se ky është njëri nga hadithet në të cilat shtrihen dhe mbështeten dispozitat e Sheriatit. Disa të tjerë këtë hadith e quajtën një e treta e Islamit dhe se gati tërë Islami është i përqendruar në këtë hadith dhe në hadithin: “Veprat shpërblehen sipas qëllimit”, dhe në hadithin: “Nga Islami i mirë i njeriut, virtyt është largimi i tij nga ajo që nuk i intereson. Dhe në hadithin: “Nuk ka besuar asnjëri nga ju derisa të dojë për të vëllanë atë që e do për vete”(3)
Dispozita e hadithit ndahet në tri pjesë:
Hallalli: Është ai që ka ardhur me argument të palëkundshëm në tekst dhe domethënie, si: buka, pemët, djathi etj..
Harami: Është ai ndalimi i të cilit ka ardhur me argument të prerë të tekstit dhe me domethënie, si: alkooli, mishi i derrit, ngordhësirat, rrena, përgojimi etj..
Në mesin e dijetarëve nuk ka mendime të papajtueshme për sa u përket hallallit dhe haramit.
E dyshimta: Është ajo për se dijetarët islamë kanë kundërthënie të shumta ndërmjet tyre. Shkaku i mospajtimeve, mbase kthehet tek argumenti, që është i paqartë në tekst dhe me domethënie të pasaktësuar, ose janë përzier hallalli e harami, ose është i qartë në tekst, por jo edhe për domethënien.
Ajo që ka ardhur me argument jo të prerë në tekst dhe në domethënie, ose është jo e prerë në njërën prej tyre, në tekst ose në domethënie. E dyshimta është e paqartë dhe nuk dihet a është hallall apo haram. Nëse besimtarit një gjë i duket e dyshimtë, duhet të largohet dhe të heqë dorë sa më pare prej saj, sepse nëse diçka ishte ndaluar, me të ai do të ruajë fenë dhe moralin e tij, por nëse ishte e lejueshme do të ketë marrë shpërblim për braktisjen e saj.(4)
E lejuara (hallalli) nënkupton lejimin kur nuk ka shenja ndalimi dhe kur Ligjdhënësi (Allahu xh.sh.) e ka lejuar të bëhet.
E ndaluara (harami) nënkupton atë që Ligjdhënësi (Allahu xh.sh.) e ka ndaluar rreptësisht dhe, nëse vepron me të, njeriu ndëshkohet nga Allahu xh.sh. në Ahiret, e në këtë botë me dënim ligjor sipas dispozitave të Sheriatit.(5)
Neveviu thotë: “Sa u përket dyshimeve, ato e kanë këtë përkufizim: Nuk janë të qarta, as për lejimin as për ndalimin. Për këtë arsye shumëkush nuk i di ato dhe nuk e di as vendimin sipas tyre, kurse dijetarët i dinë vendimet e tyre në bazë të tekstit ose të analogjisë - El-Kijas.
Hatabi thotë: “ Ato janë të dyshimta për disa njerëz, jo sepse janë të dyshimta në thelbin a në vetveten e tyre, jo pse bazat e dispozitave nuk janë sqaruar, se Allahu xh.sh. nuk ka lënë gjë të pasqaruar në vendimin e Vet, mirëpo shumica e njerëzve nuk i dinë ato”.
Zakonisht hadithi nuk fillon me pjesëzën përforcuese “Inne” - Me të vërtetë”, ngase këtu hallalli dhe harami janë çështje teorike, për të cilat asnjë mendje e shëndoshë nuk do të dyshonte, madje në to nuk luhatet natyrshmëria e mirëtilltë.
Në disa transmetime gjejmë se hadithi fillon me pjesëzën përforcuese, që është përpjekje e disave që çështjet fetare i marrin më tepër rreptësisht, prerazi dhe me brutalitet.
Ekzistojnë dy lloje dyshimesh:
Dyshime për të cilat dijetarët kanë mospajtime (kundërthënie).
Në këtë rast lejohet të merret cilido mendim, qoftë mendimi i fikhut (jurisprudencës), që është i fortë, po nuk lejohet të merremi me mendime individuale - “shadh” që bien në kundërshtim me tekstet (argumentet) e vërteta, siç janë p.sh. mendimet me të cilat lejohet dëgjimi i muzikës. Ky mendim është në kundërshtim me hadithin e vërtetë: “Do të ketë në Ymetin tim të tillë që do të lejojnë arin, mëndafshin (për burrat), alkoolin dhe veglat muzikore”.(6)
Po ashtu ka edhe disa mendime, që në raste specifike - emergjente lejohen disa lloje fajdesh, kamatash, kurorëzimi i përkohshëm etj. Të gjitha këto janë dyshime për dijetarin, të cilat për vete duhet t'i marrë me seriozitet, kurse të tjerat duhet t'i marrë me rezervë.
Dyshime që janë rezultat i përzierjes së hallallit me haramin, ku është e pamundshme ose shumë e vështirë të bëhet dallimi i tyre.
Nëse sheqeri i vjedhur përzihet me sheqerin hallall, është e pamundshme të ndahen pjesët hallall prej atyre haram, saqë tërë sheqeri bëhet i dyshimtë. Ose kur orizi i bardhë përzihet me një lloj tjetër orizi të vjedhur. Ndarja e kokrrave të orizit është e mundshme, por me shumë vështirësi. Tërë orizi bëhet i dyshimtë, mirëpo nëse përzihen valutat (euro me dollarin), mund të ndahen shumë lehtë, prandaj ky mall nuk konsiderohet i dyshimtë.
Në këtë lloj dyshimi janë edhe dy raste:
Rasti i parë: Ndodh që përzierja e pasurisë të bëhet te tregtari që e blen (merr) pasurinë, kur edhe ai është blerës. Ky është përgjegjës për atë pasuri. Në rast se heton se është përzier pasuria, atëherë është i detyruar ta ndajë nga pasuria e tij pjesën që është përzier (haram), dhe t'ia kthejë pronarit të saj. Pjesa tjetër, që mbetet, është hallall (e lejuar).
Rasti i dytë: Ndodh që pasuria të përzihet te pronari i saj që e shet dhe bën tregti me të. Shtrohet pyetja: A lejohet bashkëpunimi, shitblerja me këtë njeri, ose a bën të merren dhurata prej tij, ose të hahet ushqim tek ai?
Disa dijetarë thonë se, nëse shumica e pasurisë së tij do të ishte përzier me mall haram, në këtë rast duhet të ndalohen bashkëpunimi, shitblerja, tregtia etj. me të.
Disa të tjerë thonë: Bashkëpunimi me të është i urryer (mekruh).
Nëse shumica e mallit është hallall, disa dijetarë thonë se bashkëpunimi me të është i urryer, ndërsa disa të tjerë thonë se është i lejuar plotësisht. Këtë e arsyetojnë me veprimin e të Dërguarit a.s., që kishte bashkëpunuar për shitblerje (kishte marrë borxh) madje edhe me një çifut.(7)
Pasuria e çifutëve është e përzier me haram. Veprimi i të Dërguarit s.a.v.s. tregon se lejohet bashkëpunimi, nëse shumica e mallit është hallall. Ky mendim ka përparësi kundrejt mendimit të mëparshëm.
Nëse pasuria e ndokujt është haram në tërësi, ndalohet rreptësisht shitblerja dhe tregtia e mallit etj. me këtë njeri.
Ky hadith nxit të zhduken dyshimet. Kjo është devotshmëri dhe jo detyrim - vaxhib.
Me të vërtetë zhdukja e dyshimeve është virtyt, për veprimin e të cilit ka edhe shpërblim, madje për veprimin e tij nuk ka dënim.
Ai që është mbrojtur nga dyshimet dhe ka qëndruar larg tyre, e ka mbrojtur fenë e vet dhe gjithnjë në punët e dyshimta ka pasur një rezervë për fenë e tij. Kjo është shkallë e lartë e devotshmërisë. Shembulli i tij është i ngjashëm me nxënësin që ka për qëllim të arrijë sukses të shkëlqyeshëm, por, nëse nuk e arrin këtë, arrin sukses shumë të mirë. D.m.th. ky nxënës ka lënë rezervë që i ndihmon atij të mos e përsërisë klasën. Ndërsa nxënësi që nuk ka lënë rezervë për sukses, pasi kishte qëllim vetëm ta kalonte klasën, mund të ndodhë ta përsëritë klasën, ngase nuk ka lënë aspak rezerva për sukses.
Kush është larguar dhe është mbrojtur nga dyshimet, do ta ketë mbrojtur edhe moralin e vet, e ka parandaluar përgojimin, që është shumë i mundshëm, ngase njerëzit, sapo të vërejnë se po bëhen gjëra të dyshimta, do të dyshojnë në moralin e tij fetar dhe kështu do t'i lihej vend përgojimit.
(vijon)
1) Sahihul Buhari ,v.l., f. 126, nr.52. Sahihu Muslim,v.3,f.1219,nr.1599.
2) Sijer ealami nubela , v.3, f. 411-412
3) Umdetu l kari, lil Ajni, v.1, f.177.
4) Avnul mabudi fi sherh suneni ebi Davudi,v.9, f.177.
5) El halalu vel haramu fil islami, f.20 .
6) Fet`hul Bari fi sherh sahihil Buhari, v. 10, f .15, nr. 5590.
7) Sahihul Buhari, kitabul istikrad, nr. 2386.