Idhujtarët kurejshë donin që ta zinin ngushtë Muhamedin a.s., me pyetje që kishin të bënin me ndodhi të padëgjuara në Hixhaz (Mekë e Medinë), për të parë dhe për të provuar nëse Pejgamberi a.s. zotëronte ndonjë burim diturie mbi gjërat e fshehta e të papara.
Kurejshët mekas dërguan El-Nadr bin el-Harith dhe Ukbah bin Ebi Muajt, te rabinët hebrenj në Medine dhe u thanë atyre: “Pyeteni mbi Muhamedin, duke u përshkruar atyre cilësitë e tij dhe tregojuni për atë çfarë thotë ai, sepse ata janë ithtarë të librit. Ata kanë njohuri që ne nuk i kemi nga dija e profetëve.” Kështu Nadiri dhe Ukbeh shkuan deri në Medine dhe pyetën rabinët hebrenj për Muhamedin a.s., duke ia përshkruar atyre çështjen e tij dhe disa nga thëniet e tij dhe u thanë atyre: “Ju jeni populli i Tevratit dhe ne erdhëm te ju për të na treguar për këtë mikun tonë.” Rabinët çifutë thanë: “Pyeteni atë për tri gjëra që ne ju urdhërojmë dhe nëse ai ju tregon për to, atëherë ai është një pejgamber i dërguar. Dhe nëse ai nuk e bën, atëherë ai është një njeri trillues, prandaj ikni prej tij. Pyeteni për disa të rinj që lanë popullin e tyre se ç’u bë me ta, sepse ngjarja e tyre është e habitshme; pyeteni për një udhëtar të largët që mbërriti në skajet e Tokës në Lindje e Perëndim; dhe pyeteni për shpirtin, ç’është ai. Nëse ju dëfton këto të tria ndiqeni se është vërtet Pejgamber, nëse nuk e bën këtë, atëherë ai është pretendues i rrejshëm.”(1)
Kështu Nadiri dhe Ukbeh u kthyen në Mekë te kurejshët dhe thanë: O popull kurejsh, ne kemi ardhur të ndajmë atë që është mes jush dhe Muhamedit. Rabinët hebrenj na kanë urdhëruar që ta pyesim atë për disa gjëra. Nëse ju tregon për ato, atëherë ai është profet, e nëse nuk e bën, atëherë ai është njeri i thashethemeve.
Më pas idhujtarët kurejshë shkuan tek i Dërguari i Zotit dhe i thanë: “O Muhamed, na trego për djelmoshat e rinj që ishin më herët, ngjarja e tyre ishte e çuditshme, na trego për një njeri që kishte arritur në Lindje dhe Perëndim të Tokës dhe na trego për shpirtin, çfarë është ai?!”
Muhamedi a.s. u tha atyre: “Unë do t’ju njoftoj për këto nesër”. Ata u larguan prej tij. Por, Pejgamberi a.s. nuk tha ‘në dashtë Zoti’, dhe kur erdhën idhujtarët për të marrë përgjigjet, atij iu deshtë t’i kthente pas, dhe kështu vazhdoi ditë pas dite, gjersa kishin kaluar 15 net dhe ai nuk kishte marrë asnjë shpallje, e as Xhibrili nuk i kishte ardhur që kur i ishin bërë këto pyetje. Njerëzit e Mekës u tronditën dhe filluan të thonë: ‘Muhamedi na premtoi dhe tha nesër, kurse sot është e pesëmbëdhjeta natë dhe ai nuk po na tregon asgjë nga ajo që e pyetëm. Ky vonim i shpalljes ishte i vështirë për të Dërguarin a.s.. Idhujtarët nisën të tallen me Muhamedin a.s. dhe fjalët e tyre e mërzitën dhe e trishtuan shumë, pasi ndihma nuk erdhi ashtu siç kishte shpresuar.(2)
Pastaj atij i erdhi Xhibrili me suren El-Kehf (Kaptina e shpellës) dhe i tregoi për atë që e kishin pyetur idhujtarët.
Në këtë sure përshkruhen dy çështjet për të cilat e kishin pyetur idhujtarët:
1. Çështja e atyre të strehuarve në shpellë ishte një nga mrekullitë e Zotit. Banorët e shpellës, ishin disa djelmosha të rinj besimtarë, të cilët u larguan prej vendlindjes së tyre, me qëllim që ta ruanin besimin dhe u strehuan në një shpellë, ku ndenjën treqind e nëntë vjet, e pastaj Allahu i zgjoi prej atij gjumi aq të gjatë:
“A mos mendove ti, se ata të vendosurit e shpellës dhe Rekimit ishin nga mrekullitë Tona më të çuditshme? Kur djelmoshat u strehuan në shpellë e thanë: “O Zoti ynë, na dhuro nga ana Jote mëshirë dhe na përgatit udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë!” (El-Kehf, 9-10).
2. Sundimi i Dhulkarnejnit, një sundimtari të drejtë e të devotshëm, të cilit Zoti i kishte dhënë pushtet të gjerë në Lindje e Perëndim, dhe i cili ndërtoi një pendë të madhe: “Të pyesin ty për Dhulkarnejnin, thuaju: “Do t’ju rrëfej për punën e tij me Kuran (me shpallje)”. Ne i mundësuam atij forcë në tokë dhe i dhamë mundësi për çdo send që të mund ta arrijë.” (El-Kehf, 83-84).
3. Kurse për shpirtin ka zbritur në suren El-Isra: “Të pyesin ty për shpirtin; Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve ju është dhënë fort pak dije.” (El-Isra, 85).
Me këtë ajet kuranor tregohet se rreth shpirtit nuk di askush pos Zotit, çështja e shpirtit është çështje sekrete, prandaj çdo përpjekje për shpjegimin e tij është vetëm hamendje. Komentuesit e Kuranit thonë: Kur njerëzit e pyetën Pejgamberin a. s. për tri çështjet, Muhamedi a. s. u tha: “Unë do t’ju përgjigjem për to nesër.” Ai nuk tha: ‘Në dashtë Allahu’, kështu që shpallja u mbajt pesëmbëdhjetë ditë. Me këtë vonës të Shpalljes, Pejgamberi a.s. ishte ngushtuar shumë. Më pas zbriti ajeti i madhërishëm:
“Dhe mos thuaj kurrsesi për ndonjë çështje: ‘Unë do ta bëj këtë nesër’, vetëm (nëse i shton): ‘Në dashtë Allahu!’ E kur të harrosh, përmende Zotin tënd dhe thuaj: “Shpresohet se Zoti im do të më japë udhëzim edhe më të afërt prej këtij (të as-habi kehfit).” (El-Kehf, 23-24).
Përmes vonesës së Shpalljes, Muhamedit a.s. i bëhet me dije se çdo punë që ka ndërmend ta kryejë në të ardhmen duhet ta lidhë me vullnetin e Allahut dhe të mos thotë: ‘Do ta bëj’, pa thënë: ‘Insha Allah’, e nëse harron në atë moment, ta thotë më vonë. Ky ajet tregon se si duhet të thoshte Pejgamberi a.s. dhe si duhet të thonë edhe besimtarët në rastet e këtilla.
Pastaj Muhamedit a.s. i tërhiqet vërejtja se përse e hidhëronte veten aq shumë për kurejshitët që nuk e besonin Kuranin:(3) “A thua ti do ta shkatërrosh veten nga hidhërimi pas tyre, nëse ata nuk i besojnë këtij ligjërimi (Kuranit)?” (El-Kehf, 6).
Atyre që thonë se Muhamedi s.a.v.s. e shkroi vetë Kuranin, u themi: Përse Muhamedi a.s. duhej të shkruante një libër i cili e detyronte t’i thoshte popullit se ai ishte i pafuqishëm dhe nuk dinte asgjë mbi forcat e mistershme?!: “Thuaj: “Unë nuk ju them juve se i kam në kompetencë depot e Allahut (e t’ju sjell mrekulli), as nuk pretendoj se i di fshehtësitë (e t’ju tregoj, se kur do t’ju vijë dënimi), as nuk ju them se unë jam engjëll. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet mua. Thuaj: “A janë baras i verbri dhe ai që sheh?” A nuk mendoni?“ (El-Enam, 50).
Pejgamberi a.s. pyetej për disa çështje dhe ai nuk u përgjigjej pyetjeve aty për aty. Ndodhte që të kalonte kohë e gjatë në heshtje, derisa zbriste ndonjë ajet nga Kurani fisnik në lidhje me ato pyetje. Ai e kërkonte pyetësin dhe ia lexonte atij atë që kishte zbritur nga Kurani në lidhje me pyetjen e tij.(4)
Washington Irving e pranon faktin se “Profeti, gjatë përhapjes së Islamit, pësoi shumë tortura dhe sakrifikoi shumë. Madje, shumë dyshuan në vërtetësinë e thirrjes së tij. Kaluan disa vjet, duke mos pasur sukses të madh.”(5)
Prof. Bevan bën të qartë se: “Të flasësh për Muhamedin a.s. si mashtrues dhe përdorues të forcës, më shumë shkakton probleme sesa i zgjidh ato.”(6)
Karlajl pohon se: “Muhamedi a.s. nuk është dëfryer sikurse mashtruesit e tjerë me forma të rreme dhe nuk ka shkuar pas ideve të dëmshme; ai nuk ia ka lejuar vetes të stoliset me gënjeshtra dhe ligësi.”(7)
Prandaj, sikurse shkruan edhe Martin Lings: “Vonesa e përgjigjes hyjnore, ndonëse e dhimbshme për të Dërguarin e Zotit dhe pasuesit e tij, ishte me të vërtetë një forcë e madhe për të. Armiqtë e tij e mohuan domethënien e kësaj vonese, por për ata kurejshë që ishin akoma të pavendosur, ky fakt ishte një pohim i qartë i asaj se Fjala e Shenjtë i vinte Muhamedit a.s. nga Qielli dhe se ai nuk kishte gisht, e as nuk mund ta kontrollonte atë. Është e kuptueshme se po të ishte se Muhamedi a.s. do t’i kishte trilluar të gjitha ato çfarë kishte thënë më parë, ai nuk do të ishte vonuar kaq gjatë për këtë ‘trillim të ri’, veçanërisht në një çast të tillë kur rreziku qe mjaft i madh.”(8)
_________________________
1. Kujershun temtahin Resul Allah, Muhamed Rida, Kitab Muhamed salaAllahu alejhi ve selem, shih: https://shamela.ws/book/12935/120.
2. Ibid.
3. Kurani përkthim me komentim në gjuhën shqipe, përktheu dhe komentoi H. Sherif Ahmeti, shih komentin 224 në f. 323.
4. Dr. Muhamed Seid Ramadan El uti, Fikhu Sire, studime metodologjike-shkencore për biografinë e Muhamedit alejhi selam, Shkup, 2018, f. 86.
5. Washington Irving, Biografia e Muhamedit, f. 72, shih: Ajni Sinani, “Të tjerët për Islamin”, Prishtinë, 2015., fq. 126.
6. Pamfleti: Ishte shpata që përhapi fenë islame apo e vërteta e saj, Drita Islame, Tiranë, 1996, nr. 11 (94), f. 4, shih: Mr. Ajni Sinani, “Të tjerët për Islamin”, op. cit., f. 142.
7. Tomas Karlajl, shih: Dituria Islame, revistë mujore fetare, shkencore e kulturore, nr. 358, viti 34, Prishtinë, shtator 2020/ safer 1442, f. 43- 44.
8. Martin Lings, Muhamedi: jeta e tij sipas burimeve më të hershme, Logos A, Shkup Prishtinë Tiranë, 2011, f. 93; Hamza Mustafa Njazi, op. cit., f. 16, shih: Mr. Ajni Sinani, “Të tjerët për Islamin”, op. cit., f. 114.