Llojet e nijetit (qëllimit)
Kur adhurimi të jetë vetëm për Allahun xh.sh., shpërblimi për të është i madh. Kjo është shkalla më e lartë e sinqeritetit (el-ihlasu).
Kur adhurimi ndërlidhet me njerëzit, ky formalitet është vetëm sa për sy e faqe. Veprat e tilla janë të thata dhe pa shpërblim. Kur një njeri të lutet vetëm sa për ta parë të tjerët, dhe kur mbetet në vetmi largohet nga lutjet, lutja e tij është për hir të njerëzve, prandaj lutja e tij tek Allahu është e papranueshme dhe e humbur. Ai që fal namazin kur është vetëm dhe lutjen e bën si zakonisht, pa zgjatje, ndërsa kur është në prani të njerëzve e zgjat lutjen ose namazin, namazi i tij në thelb është për Allahun dhe ai do të shpërblehet si rëndom për namazin, ndërsa për zgjatjen e tij në prani të njerëzve nuk do të ketë shpërblim.
Që tërë kjo të kuptohet më qartë, do ta theksoja shkakun përse Muhammedi s.a.v.s. e theksoi këtë hadith.
Ky hadith ka të bëjë me një njeri (muhaxhir Ummi Kajs) që ishte shpërngulur në Medine për t’u martuar me një vajzë e cila quhej Ummi Kajs,(1) dhe prandaj i Dërguari s.a.v.s. e tha këtë hadith. Po të nisemi nga fakti se veprat vlerësohen sipas qëllimit, ky njeri nuk do të shpërblehej pse u shpërngul, që ishte detyrë e çdo besimtari, sepse shpërngulja e tij kishte motive dhe qëllime personale, pra martesën me Ummi Kajsin.
Të shoqëruarit në nijet, ose bashkimi i dy nijeteve, do të thotë në njërën anë të kesh parasysh shpërblimin e Allahut, kurse në anën tjetër të kesh ndër mend diçka të kësaj jete, p.sh.: Ai që niset për në haxh, por niset edhe për tregti të lejuar, ose ai që niset në luftë (xhihad), por ka për qëllim prenë e luftës; ose ai që agjëron për Allahun, por ka për qëllim dietën. Në mbështetje të kësaj që u përmend me lart, mund të them se vepra e këtij pranohet, por shpërblim mund të marrë vetëm për nijetin që e ka pasur për Allahun. Nëse nijeti i tij për haxh ka qenë vetëm 70%, ndërsa për tregti 30%, ai do të marrë vetëm 70% të shpërblimit të haxhit.
Studenti mëson dhe studion, sepse dëshiron të marrë diplomë. Por, përse e do diplomën? Në këtë drejtim studentët ndahen në disa grupe:
Një grup dëshiron të marrë diplomë që me të të lavdërohet dhe të mbizotërojë mbi bashkëkohanikët e tij. Ky nijet është i pabazë, dhe një student i tillë nuk do të ketë shpërblim për mësimin e tij. Një grup tjetër diplomën e dëshiron që në të ardhmen të gjejë punë, t`i shërbejë fesë, popullit dhe atdheut të tij dhe nëpërmjet saj të fitojë jetesën. Ky nijet është me bazë, dhe personi do të shpërblehet vetëm për atë që i kushtohet Allahut xh.sh. Një grup tjetër dëshiron që falë diplomës t`i shërbejë vetëm zhvillimit të fesë së Allahut xh.sh. Kjo është shkallë e lartë devotshmërie, dhe për këtë qëllim të lartë do të shpërblehet me shumëfishim në këtë botë dhe në botën tjetër. Prandaj, veprat tona le të mbeten të sinqerta dhe vetëm për Allahun xh.sh., e po ashtu edhe mësimi, lodhja, pritja e vështirësitë e ndryshme në mot të nxehtë dhe në mot të ftohtë, me borë e me shi, mundimet tona me net të tëra pa gjumë, pra të gjitha këto dhe shumë të tjera le të mbeten në vargun e të mirave tona për në Ditën e Gjykimit. Pra, mos ta lëshojmë këtë rast me vlerë shumë të madhe, por ta shfrytëzojmë e ta marrim.
Vërejtje: Et-Tejmiu thotë: Nijeti është më i madh se vepra. Nijeti pranohet edhe pa vepër. Nëse ndokush ka për qëllim ta bëjë një të mirë, por nuk mund ta bëjë, do të shpërblehet për qëllimin e tij. Por, nëse do ta bënte një të mirë pa nijet, nuk do të kishte shpërblim për atë vepër.
Transmetohet nga i Dërguari s.a.v.s. të ketë thënë: "Kush e bën nijet që ta bëjë një të mirë, por nuk arrin ta bëjë, i shënohet një shpërblim, mirëpo kush e bën atë vepër do t'i shënohen dhjetë shpërblime." Gjithashtu, transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: "Nijeti i besimtarit është më i mirë se vepra e tij.”(8)
Sipas hadithit të parë nijeti s’është si vepra, ndërsa sipas hadithit të dytë nijeti është më shumë se vepra, sepse në nijet nuk ka gabime, ndërsa në veprim ka gabime. Nijeti mbetet i pastër, e veprimi mund të njolloset.
Sa i përket hipokrizisë në vepra, ajo nuk i shton aspak të mirat dhe as kënaqësitë e kësaj bote, përveçse është nënçmim dhe përbuzje për njerëzit në këtë jetë, e njëherit shton edhe hidhërimin e Allahut xh.sh., prandaj këta njerëz në botën tjetër nuk do të kenë shpërblim. Edhe pse secili njeri i lavdëronte dhe i falënderonte ata, lavdet dhe falënderimet e tyre nuk do të vlejnë në Ditën e Gjykimit. Këtë më së miri e sqaron hadithi i të Dërguarit s.a.v.s., transmetuar nga Ebu Hurejra: "Prej njerëzve të parë që do të gjykohen në Ditën e Kiametit është një njeri që ka rënë dëshmor. Do të vijë para Gjykatës dhe do të njoftohet për veprën (begatinë e tij) dhe do ta njohë atë. Do t`i thuhet: "Si e ke bërë atë (me çfarë qëllimi)?" Do të thotë (dëshmori): "Kam luftuar për Ty derisa rashë dëshmor!' Vepra e tij i thotë: "Po gënjen, ti ke luftuar që të të thonë trim dhe të kanë thënë". Pastaj urdhërohet e kapet për fytyre dhe (do të) hidhet në zjarr. Pastaj vjen një njeri që ka nxënë dituri dhe i ka mësuar të tjerët, dhe që ka lexuar Kuran. Do të njoftohet për veprën e tij dhe do ta njohë atë. Do t`i thuhet "Si e ke bërë atë (me çfarë qëllimi)?” Thotë: "Kam nxënë dituri dhe i kam mësuar të tjerët për Ty.” I thotë vepra e tij: ”Gënjen, ti e ke nxënë diturinë që të të thonë dijetar. Kuranin e ke lexuar të të thonë lexues, dhe është thënë (filani është lexues, filani është dijetar)." Pastaj urdhërohet dhe kapet për fytyre dhe hidhet në zjarr.”(9)
Ky hadith na nxit t`i përmirësojmë synimet tona në të vepruar, dhe në çdo vepër qëllimi t`i dedikohet Vetëm Allahut xh.sh., se aty është efekti i veprës në këtë botë, dhe se edhe në botën tjetër vepra do të dëshmojë për ne dhe
jo kundër nesh. Nëse qëllimi nuk është i pastër dhe i sinqertë, as flijimi i jetës, as sakrificat e shumta nuk do të vlejnë në Ditën e Kiametit, atëherë kur më së tepërmi do të kemi nevojë për dëshminë e veprave tona. "Dhe çdonjërit i takon vetëm ajo që ka për qëllim". Disa dijetarë e konsiderojnë këtë thënie të njëjtë me thënien e parë. Kështu që, në këtë kontekst kjo thënie mbetet vetëm përforcuese e thënies së parë. Në të vërtetë kjo thënie ka kuptim të veçantë dhe të ri. Thënia e parë tregon domosdoshmërinë e të ekzistuarit të nijetit të mirëfilltë:
"Daruretu vuxhudi ennijjetil halisati”, ndërsa thënia e dytë pasqyron domosdoshmërinë për ta caktuar - emërtuar nijetin "daruretu teajini el-menvij”.
Shembull konkret: Ai që dëshiron ta falë namazin, patjetër duhet ta ketë bërë nijetin për Allahun xh.sh., siç sqarohet në thënien e parë.
"Innemel eamalu binnijjat” - "Veprat shpërblehen vetëm sipas qëllimit”. Por, patjetër duhet të dallohet lloji i atij namazi, pra a është farz, sunet, apo lutje vullnetare (nafile). Nëse do të ishte farz duhet të përcaktohet a është farz i drekës apo i ikindisë, a është në kohën e vet (edau), apo është namaz kompensimi (kadau). Pra kuptimi i thënies: “Ve innema li kul-limri'in ma neva”
- "Dhe çdonjërit i takon vetëm ajo që ka për nijet." Çdo besimtar, kur ka qëllim ta falë drekën, ajo është dreka, por nëse e ka nijetin për nafile, ajo është nafile, apo, nëse nijetin e ka për sunet, ajo është sunet etj. Kjo nuk nënkupton se nijeti në ibadet duhet të thuhet me fjalë, pasi këtë s'e bënte as i Dërguari s.a.v.s., sepse vendi i nijetit është zemra. Mirëpo, nëse qëllimi shqiptohet edhe me fjalë, nuk është i ndaluar, megjithëse shqiptimi i tij nuk është sunet. (vazhdon)
_______________
(7)Fet`hul Bari, vëll. 1. f. 10.
(8) Menarus-sebili fi sherhi delili, f. 287, vëll: 1.
(9) Sahihu Muslim, kitabul Imare, nr. h. 8905.