Islami është kujdesur t’u sigurojë njerëzve gjithçka që do t’i ndihmonte ata të arrijnë qëllimin për të cilin Zoti i Madhëruar i krijoi, e që është të adhurojnë vetëm Zotin. Për këtë, Islami paraqiti një program të kompletuar që ndihmon në arritjen e këtij qëllimi. Ai ligjësoi ibadete dhe transaksione që ndihmojnë në formimin e njeriut si individ dhe komunitetit si shoqëri, si dhe bëri thirrje për respektimin e moralit të mirë dhe idealeve fisnike.
Sistemi moral që buron nga Islami, konsiderohet si një nga aspektet e rëndësishme për të cilat Islami është kujdesur në forcimin e kësaj ndërtese, andaj ka bërë thirrje për ndershmëri, guxim, bujari dhe vlera të tjera morale. Një ndër këto vlera morale është edhe mikpritja e mysafirit dhe nderimi i tij. Mikpritja konsiderohet një nga këto aspekte të rëndësishme të sistemit moral islam, të cilin ai dëshiroi ta rrënjoste dhe ta thellonte në jetën e myslimanit, për shkak të ndikimit të madh në thellimin e kuptimeve të vëllazërisë, mbjelljen e vlerave në shoqëri, si dhe vendosjen e kuptimeve të dashurisë mes myslimanëve.
Në Islam, mikpritja e mysafirit dhe nderimi i tij, janë vepra të nderuara dhe të dashura për myslimanin e sinqertë dhe një dëshmi e qartë e fuqisë së besimit të tij, kuptime të cilat janë nxjerrë nga mësimet e Profetit a.s., i cili na nxiti ta nderojmë mysafirin. Një ndër këto hadithe, është hadithi, të cilin e transmeton Ebu Hurejra r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush beson në Zotin dhe në Ditën e Gjykimit, le ta nderojë mysafirin e tij.”(1)
Nderimi i mysafirit konsiderohet si një nga manifestimet më të larta të bujarisë dhe një nga cilësitë e bukura, me të cilat kanë qenë të stolisur pejgamberët a.s. dhe me të u karakterizuan njerëzit bujarë. Kush shquhej për mikpritje, shquhej edhe për statusin e tij të lartë në mesin e popullit të tij.
Juristët islam kanë përmendur rregulla të mirësjelljes për mikpritjen e mysafirëve që duhen mësuar dhe zbatuar, sepse ato rrjedhin nga Kurani, Suneti dhe zakonet fisnike që u trashëguan brez pas brezi. Prandaj, në vijim do t’i përmendim disa rregulla etike-morale më të rëndësishme të mysafirit dhe të nikoqirit.
Etika e mysafirit
Ndër rregullat e mirësjelljes që duhet të respektojë mysafiri, në mënyrë që të jetë një mysafir i lehtë, janë:(2)
1. Është mirësjellje që mysafiri të mos vonohet e t’i lë duke e pritur dhe as të mos nxitoj e t’i befasoj, para se të jetë plotësisht i përgatitur. Gjithashtu ai nuk merr askënd me veti, përveç se me lejen e nikoqirit.
2. Ai nuk zë vendin më të mirë për t’u ulur, por duhet të jetë i përulur dhe i thjeshtë. Ai nuk ia ngushton vendin të pranishmëve, por nëse i zoti i shtëpisë i sinjalizon që të ulet në ndonjë vend, ai nuk e kundërshton atë, sepse i zoti i shtëpisë e njeh shtëpinë e tij më mirë se mysafiri. Por, nëse disa nga të ftuarit i referohen atij të ngrihet nga ai vend, ai ngritët në shenjë respekti.
3. Prej etikës së mysafirit është që mos sugjeroj asgjë, pasi i zoti i shtëpisë mund ta ketë të vështirë ta sjellë atë. Kjo është kështu nëse mysafiri mendon se kjo nuk është e mundur për nikoqirin ose se ai e urren këtë gjë. Mirëpo, nëse ai e di se ai kënaqet dhe gëzohet me sugjerimin e tij dhe kjo është e lehtë për të që ta bëjë, atëherë kjo nuk është e qortuar që t’i sugjerojë.
4. Mysafiri nuk duhet të nënçmoj e as ta përbuzë ushqimin e të zotit të shtëpisë, por çfarëdo që atij i servohet, ha dhe falënderon.
5. Gjithashtu, ai nuk ka pse të pyesë pronarin e ushqimit se ushqimi është i lejuar apo i ndaluar?!
6. Ai nuk e fillon ushqimin, nëse me të është dikush që meriton të paraprijë me
këtë, siç është ndonjë i moshuar. Krejt kjo bëhet si shenjë respekti ndaj atyre që janë në moshë.
7. Pavarësisht se sa i uritur të jetë mysafiri, ai gjithmonë duhet të hajë në formën më të mirë, të hajë ngadalë dhe të mos nxitojë. Ai ha njësoj siç ha në shtëpinë e tij, sepse kjo është drejtësi, ose më shumë se që ha në shtëpinë e tij, sepse është preferencë. Ai nuk lë asgjë që e lakmon shkaku se të tjerët e shikojnë, sepse ajo është shtirje, por vazhdon dhe ha si zakonisht dhe nuk e heq zakonin e tij, por ai e mëson
vetveten me sjellje të mira në vetmi, në mënyrë që mos të ketë nevojë të shtiret në bashkësi.
8. Ai kur ha e bënë kafshatën e vogël dhe e përtypë mirë dhe nuk e hapë gojën shumë. Nuk e ngre kafshatën tjetër para përpirjes se kafshatës së parë.
9. Ai nuk i shikon shokët e tij dhe as nuk e shikon ngrënien e tyre, por e ulë shikimin dhe preokupohet me veten e vet. Gjithashtu, nuk duhet të shikojë shumë kah vendi nga i cili del ushqimi, ngase kjo është dëshmi e lakmisë.
10. Ai nuk prekë asgjë nga trupi dhe rrobat, për shkak të mundësisë që kjo të mos i pëlqejë shokëve të tjerë. Nëse kollitet ose teshtin e kthen kokën anash, ose e vë dorën në gojë, sepse mund të dalë diçka nga goja dhe të bjer në ushqim ose në rroba të dikujt tjetër, veprim që urrehet nga të tjerët.
11. Nuk bën diçka që neveritën të tjerët, nuk shkund duart në enë, nuk e ngreh kokën mbi enë kur e futë kafshatën në gojë. Nëse nxjerr diçka nga goja, si bërthamë, kockë etj., e kthen fytyrën anash nga ushqimi dhe e heq me dorën e majtë.
12. Mysafiri mund të ushqejë kotelen, qoftë ajo e të zotit të shtëpisë apo jo, por atij nuk i lejohet ta ushqejë qenin - edhe nëse qeni është i të zotit të shtëpisë. Ai nuk ka të drejtë t’i japë lypësit dhe askujt që vjen për ndonjë nevojë. Gjithashtu, atij nuk i takon marrja e pjesës së mbetur të ushqimit me veti, përveç nëse pronari i ushqimit jep leje për të.
13. Ai lutet për pronarin e ushqimit që Zoti t’ia shtojë bereqetin, ta mëshirojë dhe ta falë. Ai thotë: “O Zot, bekoje atë me atë që i ke dhënë, lehtësoja ta bëjë më mirë se kjo, bëjë të kënaqur me atë që i ke dhënë, fale, mëshiroje dhe na bëjë ne dhe atë ndër falënderuesit!” Mandej, mysafiri kërkon leje prej të zotit të shtëpisë që të largohet dhe nuk largohet veçse me pëlqimin e të zotit të shtëpisë dhe me lejen e tij dhe kujdeset për ruajtjen e ndjenjave të tij gjatë këtij qëndrimi.
Etika e nikoqirit
Ndër rregullat e mirësjelljes që nikoqiri duhet t’i respektojë ndaj mysafirit, janë:(3)
1. Përshpejtimi i sjelljes së ushqimit është një nga nderimet e mysafirit. Kështu që nëse mysafirët vinë dhe një ose dy vonohen nga koha e premtuar, u sillet ushqimi atyre që kanë ardhur, sepse nderimi i të pranishmëve është më parësor. Nga kjo bën përjashtim nëse personi i vonuar është i varfër, ose është prej atyre që i thyhet zemra në rast se nuk pritet, në këtë rast nuk ka asgjë të keqe vonimi i ushqimit.
2. Gjithashtu nga etika është edhe sjellja e ushqimit në sasi të mjaftueshme, sepse nëse sillet më pak se sa mjafton ka mungesë respekti, ndërsa në tepricë ka shtirje, përveç në qoftë se ai jep shumë dhe me këtë ai synon që Zoti t’i sjell bereqet shkaku i bujarisë së tij në ushqimin e tyre.
3. Mikpritësi nuk e lë ngrënien derisa të tjerët të ngopen edhe po që se ai është ngopur, ngase mund të ndodhë që të tjerët të ngushtohen të hanë pas tij. Kështu që ai e zgjatë dorën dhe ha pak nga pak, derisa ata të ngopen. Transmeton Xhafer ibën Muhamedi nga babai i tij, i cili thotë: “I Dërguari i Allahut kur hante me njerëz, ai ishte i fundit prej tyre në ngrënie.”(4)
Nëse është prej atyre që hanë pak, ai ndalet në fillim dhe ha nga pak, kështu që kur mysafirët arrijnë ka gjysma e ushqimit, ai ha me ta dhe mbetet i fundit, ashtu siç ka vepruar Pejgamberi a.s. dhe shumë nga sahabët r.a.. Por, nëse ai abstenon për ndonjë arsye, ai të pranishmëve u kërkon falje, në mënyrë që atyre t’u largohet turpi. Transmetohet nga Ibën Umeri r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kur të shtrohet tryeza, askush mos të ngrihet derisa të ngrihet tryeza, as mos ta ngre dorën edhe nëse është ngopur, derisa njerëzit të ngopen dhe le të kërkojë falje,(5) ngase njeriu e bën shokun e tij të turpërohet e të abstenoj (nga ngrënia), ngase ndoshta ka nevojë për ushqim.”(6)
4. Është e preferuar që nikoqiri t’i thotë mysafirit: Hani, pa insistuar dhe nuk i thotë me shumë se tri herë. Sa i përket betimit për të ngrënë, siç bëjnë disa, kjo është e ndaluar, sepse kjo është e tepruar.
5. Prej nderimit të plotë të mysafirit është që fytyra e nikoqirit të jetë e buzëqeshur dhe të flet mirë. Në tryezë nuk flet diçka nga e cila neveritet njeriu apo që frikësohet, siç është përmendja e vdekjes, sëmundjes, etj. Nikoqiri i shërben vetë mysafirit dhe me ftesën e tij nuk synon të mburret, por synon ta kryejë një sunet.
6. Mysafirin nuk e ulë me mysafirë të cilët janë të rëndë, sepse mysafiri i rëndi e bënë atë të mos ha lirshëm në sofër me ta.
7. Gjithashtu, ai nuk zemërohet me shërbëtorin e tij para mysafirëve dhe nuk ia ngushton familjes furnizimin shkaku i mysafirit.
8. Ai nuk nxiton në ngritjen e llojeve të ushqimit para se të sigurohet se mysafiri të jetë mjaftuar me to, pra derisa ata të ndalën së ngrëni. Gjithashtu, i zoti i tryezës nuk e lë ngrënien para se të tjerët ta lënë atë, por mbetet i fundit prej tyre qe e lë ngrënien.
9. Nëse kanë mbaruar ushqimin dhe kërkojnë leje, ai nuk duhet t’i pengojë, sepse kjo mund të jetë një barrë për ta. Ai del me mysafirin deri në derën e shtëpisë dhe kjo është sunet dhe është nga nderimet e mysafirit.
_____________________
1. Buhariu në Sahih, nr. i hadithit: 6018, v.8, f.11; Muslimi në Sahih, nr: 47, v.1, f.68.
2. Sagdi, En-Netefu fi el-Fetava, fq.244; Mefatihu el-Xhinan, fq.293-307; El- Hedijetu el-Alaijeh, fq.257-260; Ed-Durrer el-Mubaha, fq.47-50.
3. Mefatihu el-Xhinan, fq. 298-300; El-Hedijetu el-Alaijeh, fq.257; Ed- Durrer el-Mubaha, fq.47-50.
4. Shuab el-Iman, nr: 5636, 8/161. Ali el-Karij, Mirkatu el-Mefatih, V. 7, f.2740, dhe thotë se hadithi: “Është mursel (i tejkaluar).”
5. Le të kërkojë falje dhe le ta tregojë justifikimin e tij nëse ngritët.
6. Ibën Maxheh në Sunen, nr: 3295, 2/1096; Shuab el-Iman, nr: 5477, 8/47. El-Busiri, në Misbahu ez-Zuxhaxhe, 4/14, dhe thotë: “Ky sened është i dobët.”