Haxhi dhe mesazhet e tij unifikuese për myslimanet

Haxhi dhe uniteti islam

Uniteti islam është një prej aspekteve të haxhit. Myslimanët nga e gjithë bota mblidhen në Mekën e bekuar dhe kryejnë së bashku ritualet e haxhit. Haxhi është një tubimi fetar i të gjithë myslimanëve me karakter global. Le t'i meditojmë së bashku këto ajete kuranore: "Dhe kur shtëpinë (Qabenë) e bëmë vend kthimi dhe vend sigurie për njerëzit.'(1); "Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo që u ngrit në Bekë (Meke), e dobishme udhërrëfyese për mbarë njerëzimin)."(2) "Allahu e bëri Qabenë, shtëpinë e shenjtë, vend jetësim (çështje të fesë e të jetës) për njerëzit."(3) "... pra bën që zemrat e disa njerëzve të mallëngjehen për ata."(4) "Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësor e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të larta."(5)

Historiku i haxhit

Historia e haxhit është e ndërlidhur me ietën e Ibrahimit dhe Ismailit a.s., të cilët i besojnë si pejgamberë jo vetëm myslimanët, përkundrazi, edhe ithtarët e feve të tjera qiellore i konsiderojnë ndër pejgamberët më të njohur, dhe pikërisht për këtë arsye rituali i haxhit gëzon një shenjtëri dhe madhështi historike, që nuk e gëzon asnjë ritual tjetër fetar në botë. Ibrahimi a.s. ka lindur në Irakun e lashtë, kurse Ismaili a.s. ishte biri i tij. Iraku në atë kohë ishte një vend i qytetëruar. Azeri, babai i Ibrahimit dhe gjyshi i Ismailit, ishte ndër zyrtarët e lartë në qeverinë irakiane të asaj kohe. Së këndejmi, mundësitë për përparim dhe avancim në Irak ishin të hapura për Ibrahimin dhe Ismailin a.s., mirëpo ata nuk mund të toleronin një sistem të bazuar në politeizëm. Për këtë arsye, ata e braktisën atë vend pjellor që ishte qendra e politeizmit për të adhuruar Zotin Një, të Vetëm. Ata shkuan në shkretëtirën shterpe arabe, dhe aty ndërtuan Shtëpinë e Zotit xh.sh. me qëllim që ajo të jetë një qendër botërore për adhurimin e Zotit të Vetëm. Kjo qendër botërore është edhe vendi i kryerjes së ritualeve të haxhit. Le të shohim tani disa aspekte të këtyre ritualeve. Fjala të cilën haxhiu e përsërit vazhdimisht gjatë haxhit është: "Allahu është më i madhi, Allahu është më i madhi, nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Allahu është më i madhi, Allahu është më i madhi, lavdërimi i qoftë Allahut!" Bërja e haxhiut t'i përsërisë këto fjalë pa pushim synon të gjenerojë një psikikë të caktuar tek ai, për të kuptuar se madhështia i përket vetëm Allahut. Të gjitha format e tjera të madhështisë duhet të përkulen përpara kësaj madhështie dhe ta pasojnë atë. Kjo ndjenjë është sekreti më i madh social, sepse jeta sociale dhe unike - e bashkuar nuk bëhet aty ku të gjithë mendojnë se ai është i madh. Përçarja është shenjë e luftës për autoritet, ndërsa uniteti islam përmes ritualit të haxhit është uniteti më autoritativ. Tavafi është një nga shtyllat më të rëndësishme të haxhit, dhe të gjithë ata që takohen në Mekë gjatë sezonit të haxhit fillojnë me tavafin e Qabesë, që është një konfirmim praktik se një person do të bëjë një pikë në fokus të të gjitha përpjekjeve të tij, dhe se ai do të lëvizë në një rreth unik. Pastaj haxhiu vrapon midis Safasë dhe Merves, duke filluar nga kodrina e Safasë dhe pastaj duke u kthyer prapë aty. Ky veprim na mëson në mënyrë praktike se përpjekja jonë në jetën praktike duhet të jetë brenda kufijve të caktuar, pra nëse nuk do të kishim kufij ose do t'i tejkalonim ata; atëherë disa prej nesh do të devijojnë nga njëra anë, ndërsa disa nga ne do të humbasin në anën tjetër. Por kur ne i vendosim disa kufij qëllimeve tona, ne gjithmonë do të kthehemi atje ku janë vëllezërit tanë. Kështu vërtiten ritualet e tjera të haxhit, të cilat na mësojnë, në një mënyrë apo tjetër, të bashkohemi dhe të punojmë së bashku. Këto rituale janë një demonstrim praktik i veprimit harmonik mes nesh.

Qabeja, qendër e besimit monoteist

Kur flasim për haxhin dhe unitetin islam, përmes ajeteve kuranore, duhet të dimë se qëllimi hyjnor pas ndërtimit të Qabesë nga Ibrahimi a.s. ishte përgatitja e një qendre për njerëzit e monoteizmit. Shtëpia e Zotit, Qabeja, është qendra e myslimanëve deri në Ditën e Kiametit dhe është selia e takimit vjetor global për të gjithë myslimanët anekënd botës. Thuhet se Zoti i Madhëruar e urdhëroi Ibrahimin që t'i thërriste njerëzit që të vinin në këtë shtëpi si vizitorë. Ai tha: "O Zot, si t'i informoj njerëzit kur zëri im nuk i arrin ata?!" Ai tha: "Ti thirri, ndërsa Ne ua përcjellim atyre ftesën.” Me këtë rast, Ibrahimi a.s. hipi mbi një gur dhe tha: "O njerëz, Zoti juaj ka bërë një shtëpi, prandaj bëni haxhin tek ajo.” Prandaj thuhet: "Malet u përulën derisa zëri arriti në cepat e tokës, atë zë e dëgjuan edhe ata që ishin në mitër, dhe këtij zëri iu përgjigjen të gjitha ata që do të bëjnë haxhin deri në Ditën e Kiametit.” Zëri i Ibrahimit a.s. ishte një thirrje simbolike dhe jo në mënyrë reale.

Haxhi, vendtubim për diskutim të çështjeve madhore

Haxhi është vendtubimi i natyrshëm për kumtimin e çështjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë edhe me jetën sociale. Prandaj, çështjet më të rëndësishme të Islamit dhe myslimanëve shpalleshin në kohën e haxhit. Një nga shembujt e tillë është deldarimi ose shfuqizimi i marrëveshjes me jobesimtarët dhe mushrikët, e cila ndodhi pas zbritjes së sures Et Teube. Meka u çlirua në muajin Ramazan të vitit 8 hixhri. Pas çlirimit u bënë tri haxhe gjatë jetës së të Dërguarit a.s. dhe i Dërguari i Zotit nuk e bëri haxhin gjatë dy viteve të para, por në vitin e dhjetë e kreu haxhin e tij, i njohur përgjithësisht si haxhi i lamtumirës, e më pastaj vdiq. I Dërguari i Zotit a.s. e kishte caktuar Ebu Bekër es Sidikun për udhëheqës të haxhilerëve në vitin e 9-të hixhri, kështu që Ebu Bekri shkoi në Mekë me një grup shokësh dhe pasi u largua nga Medina, zbriti pjesa e parë e sures Et Teube, në të cilën Zoti urdhëroi që i Dërguari a.s. të shpallte shfuqizimin e marrëveshjes mes Zotit xh.sh. dhe të Dërguarit të Tij dhe mes politeistëve, duke i dhënë një afat prej katër muajsh për ta vënë në praktikë këtë deldaratë. Dispozita e shfuqizimit të kësaj marrëveshje kishte zbritur në Medinë, mirëpo kumtimi i saj ishte bërë në Mekë gjatë sezonit të haxhit, dhe kjo është dëshmi e qartë se periudha e haxhit në Mekë është vendi i duhur për shpalljen e të gjitha vendimeve të rëndësishme islame. Haxhi është qendra unike për të gjithë myslimanët e botës, dhe këtu duhet të shpallin vendimet dhe planet e tyre madhështore për një të ardhme më të mirë të mbarë njerëzimit. Shembulli i dytë i qartë për këtë është hytbeja e lamtumirës, e cila është hytbeja më e rëndësishme në jetën e të Dërguarit a.s.. Me anë të saj, ai dëshiroi t'i informonte njerëzit për kërkesat themelore të fesë Islame në formën përfundimtare para vdekjes së tij, dhe këtë, i Dërguari a.s., nuk e shpalli askund tjetër përveçse në haxhin e fundit në vitin 10 hixhri. Ishte e mundur që i Dërguari i Zotit a.s. ftonte njerëzit në Medine për ta bërë këtë deklaratë para tyre, por ai nuk ndoqi këtë rrugë, mirëpo priti haxhin dhe kështu ai i kumtoi ato këshilla pas mbërritjes së tij në Mekë. Kështu, tradita e të Dërguarit të Zotit tregon se haxhi ështëvendi më i përshtatshëm për diskutimin e të gjitha çështjeve dhe vendimeve të rëndësishme për Islamin dhe myslimanët.

Aspekti social i haxhit

Haxhi është një prej adhurimeve më të rëndësishme islame, i cili kryhet çdo vit. Ky adhurim bie në muajin e fundit të kalendarit hënor, i njohur si dhulhixheh. Ritualet e haxhit kryhen në shtëpinë e Zotit në Mekë ( Qabe) dhe në disa vende përreth saj. Ky adhurim konsiderohet përmbledhës i të giitha adhurimeve të tjera, sepse përmban një sërë pikëpamjesh rreth adhurimit; prej tyre edhe aspektin social. Ky aspekt është shumë i spikatur në adhurimin e haxhit. Aty, për çdo vit, diku dy milionë njerëz kryejnë haxhin dhe ky adhurim luan rolin e një force bashkuese në Islam, e cila tërheq ndjekës nga kombësi të ndryshme, që të mblidhen së bashku në një ceremoni fetare, ndërsa në Kuran në kontekstin e urdhrit për kryerjen e haxhit Allahu xh.sh. thotë: "Dhe kur shtëpinë (Qabenë) e bëmë vendkthim dhe vend sigurie për njerëzit".(6) Fjala "vendkthim - methabeten" është sinonim i fjalës -qendër", d.m.th. vendi ku mblidhen njerëzit dhe është referencë ku kthehen dhe vendtubim që i mbledh dhe i mbron nga shpërndarja. Njerëzit vijnë për të kryer haxhin nga të gjitha anët e botës dhe nga të gjitha racat, kështu që ju mund të shihni fytyrat e njerëzve kudo në Mekë dhe rrethinat e sai gjatë ditëve të haxhit duke folur në gjuhë të ndryshme, mirëpo mendimi dhe qëllimi i tyre bashkohet pasi të vijnë në Mekë, sepse që të gjithë shkojnë drejt një qëllimi të përbashkët, sa që duket se ekziston një magnet hyjnor i cili tërheq të gjithë në një pikë të përbashkët. Kur këta njerëz i afrohen Qabesë, ata braktisin rrobat e tyre të rëndomta dhe veshin veshjen e haxhit të quajtur "ihram", e cila përbëhet nga dy rroba të bardha, njërën prej të cilave haxhiu e mbështjell trupin, dhe tjetrën e vendos mbi supe dhe shpinë, dhe kështu vëreni qindra mijëra njerëz në një pozicion dhe rroba të ngjashme. Këta njerëz më në fund tubohen në malin e gjerë të Arafatit pas kryerjes së ritualeve të tjera të haxhit sa pamje e mahnitshme është ajo! Duket se të gjitha dallimet midis njerëzve eliminohen dhe papritur të gjithë njerëzit tretën në përkushtimin ndaj Zotit xh.sh., duke harruar të gjitha dallimet mes tyre. Njerëzit janë unifikuar këtu siç është unik edhe Zotit i tyre. Nëse i shikon haxhitë nga lartësia e një mali, ndërsa ata janë mbledhur në sheshin e madh të Arafatit me rrobat e ihramit, do të shihni se qenia njeri, përkundër dallimit të gjuhës, ngjyrës, pozitës dhe racës, është bashkuar. E vërteta është se haxhi si adhurim është ngjarja më e madhe sociale e këtij lloji, dhe shembullin e tij nuk do ta gjeni askund tjetër në botë.
Qabeja është orientimi i myslimanëve. Myslimanët i drejtohen asaj pesë herë në ditë në namazet e tyre, kështu që orientimet gjatë adhurimit për të gjithë myslimanët janë të njëjta. Ky orientim është një realitet imagjinar në rrethana normale. Mirëpo ky realitet imagjinar bëhet realitet i dukshëm kur arrini në Mekë gjatë ditëve të haxhit dhe kur myslimanët nga e gjithë bota vijnë në të dhe falen duke u drejtuar drejt saj nga çdo drejtim, kështu që ju e shihni në mënyrë të prekshme se orientimi i të gjithë myslimanëve të botës është me të vërtetë një orientim i zakonshëm. Qabeja është një ndërtesë e lartë në formë kubi, dhe njerëzit ecin rreth saj në formë rrethi, ky veprim quhet tavaf, ku ata rreshtohen dhe falen rreth saj në një rreth, ndërsa Qabeja është qendra e të gjitha drejtimeve të tyre gjatë haxhit, prandaj rituali i haxhit është një adhurim që na jep mësime sociale me ndjenjat dhe ritualet e tij të ndryshme.

Meka, qendra e unitetit islam

Haxhi në realitet është një udhëtim drejt Zotit xh.sh.. Të gjithë njerëzit do të dalin para Zotit të tyre pas vdekjes, por besimtari paraqitet para Zotit të tij para se t'i vijë vdekja. Dalja e njerëzve në përgjithësi para Zotit bëhet në formë të detyrueshme, ndërsa dalja e besimtarit bëhet me përzgjedhjen e tij, dhe kjo është ajo pamja apo panorama të cilën e paraqet tubimi i haxhive nga e tërë bota në mejdanin e Arafatit, ndoshta kjo është arsyeja pse i Dërguari i Zotit a.s. ka thënë: "Haxhi është Arafat''.7 Haxhi është një adhurim gjithëpërfshirës, në të cilin Zoti ka vënë shumë dobi të tjera, të drejtpërdrejt ose tërthorazi. Ndër këto dobi është se ky ritual është një mjet i unitetit islam. Qabeja është pika qendrore rreth së cilës bëhet organizimi i adhurimit të besimtarëve në mbarë botën. Ky është namazi social përvitshëm që falet gjatë haxhit dhe në të marrin pjesë rreth dy milionë e gjysmë myslimanë nga e gjithë bota, është një ngjarje që mund të shihet dhe fotografohet. Mirëpo ata që drejtohen drejt Kibles në namazin e tyre nuk janë të gjithë ata që shohim në Qabe, ekziston edhe një numër i madh i myslimanëve jashtë Qabesë dhe në çdo vend në faqen e dheut që i drejtohen Qabesë pesë herë në ditë për të falur namazin e tyre dhe ky rreth - të cilin e shohim brenda Qabesë vazhdon të zgjerohet derisa të përfshijë të gjithë globin. Prandaj, nëse imagjinoni, do të shihni se ajo që ndodh në mënyrë të kufizuar në oborrin e Xhamisë së Shenjtë ndodh çdo ditë në një nivel gjithnjë e më të madh në të gjitha anët e botës. Ky është një aspekt i madh social që është i pashembullt në asnjë grup fetar apo jofetar në botë. Ky është sistemi madhështor që u krijua gjatë mijëra viteve të historisë, dhe sikur myslimanët të kishin një ndjenjë të vërtetë, ata do të merrnin nga haxhi mësimin që synon ky sistem i madh, ku si rezultat do të kishte ndodhur rilindja e vërtetë në jetën e myslimanëve, dhe secili prej tyre do t'i bashkoheshin këtij trupi shoqëror unik. E vërteta është se Qabeja është simbol i njëshmërisë së Zotit në tokë, dhe në të njëjtën kohë është simbol i unitetit dhe socialitetit të myslimanëve. Ndër aspektet e dukshme të këtij sistemi të madh që ushqen unitetin islam në haxh është se ai kërkon që të gjithë të braktisin rrobat e tyre të veçanta dhe të veshin një petk të thjeshtë, kështu që dallimi midis mbretit dhe qytetarit zhduket këtu, gjithashtu edhe dallimet e veshjeve perëndimore dhe atyre lindore zhduken këtu dhe njerëzit shfaqen me veshjet e përbashkëta të ihramit sikur secili prej tyre ka një pozitë, sepse të gjithë janë robër të Zotit dhe nuk kanë status tjetër përveç atij të robërisë ndaj Zotit xh.sh.. Ritualet e planifikuara të haxhit përfundojnë në Meke, por shumica e haxhive shkojnë në Medine pas përfundimit të haxhit ose edhe para tij nëse kanë kohë të mjaftueshme. Në qytetin e Medinës gjendet xhamia të cilën e ka ndërtuar i Dërguari i Zotit, Muhamedi a.s., dhe rreth saj janë përhapur gjurmët e jetës së tij. Shkuarja e haxhive në Medinë - edhe pse nuk është kusht - është një mësim për ta për më shumë unitet islam, sepse ata e kuptojnë në xhaminë e Profetit se prijësi i tyre është një dhe kthehen me ndjenjën se pavarësisht nga dallimet gjeografike dhe kombëtare midis tyre, ata duhet të ndjekin rrugën e të njëjtit Profet, Muhamedit a.s..


________________________________
Literatura e shfrytëzuar:

• Kurani, përkthim me komentim në gjuhën shqipe, H. Sherif Ahmeti
• Koleksionet e haditheve, versioni elektronik:
• Rruga për në Mekë, Muhamed Asad, Logos-A, 2011

• Edukata lslame, revistë
• Dituria lslame, revistë



Fusnotat:

1. El Bekare, 125.
2. Ali Imran, 96.
3. El Maide, 97.
4. Ibrahim, 37.
5. El Haxh, 27.
6. El Bekare, 125.
7. Transmeton Imam Nesaiu, nr. 3016 dhe 3044. Imam ibën Maxhe, nr. 3015. Tirmidhiu, nr. 889/890, dhe Imam Ahmedi, nr. 18774.


Artikulli i kaluar
Gruaja në haxh

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi