Muhamedi a.s., me gjithë pozitën e lartë që e ka tek Allahu xh.sh dhe te besimtarët, ai mbi të gjitha ishte njeri dhe roli i tij ishte si i shumë të dërguarve para tij. Ai kishte për detyrë që njerëzve t’ua kumtojë shpalljen dhe atë që ia mësonte Allahu xh.sh., ashtu siç kishin bërë edhe profetët e tjerë.
Njeriu si një qenie shoqërore mundohet që çdoherë të jetë dominues dhe të jetë
autoritar ndaj të tjerëve, andaj ai mundohet që qëllimet, idetë, mendimet, bindjet dhe çdo gjë tjetër çdoherë t’ua imponojë edhe të tjerëve.
Arsyeja e tërë kësaj është se njeriu duke qenë i bindur në këto gjëra dhe duke i menduar si gjërat më të mira që ekzistojnë rrëmbehet nga epshet dhe egoja e tij duke tejkaluar kufijtë e tij dhe kështu shndërrohet në një tiran të dhunshëm, i cili mundohet që me çdo kusht të imponojë idetë dhe qëndrimet e tij te të tjerët. Një gjë e tillë mund të vërehet që nga niveli më i ulët e deri tek instancat më të larta shtetërore dhe shoqërore.
Brenda tërë kësaj tendence përfshihet edhe ideologjia fetare apo edhe kauzat e ndryshme fetare të cilat përgjatë historisë kanë dëshmuar se jo rrallëherë kanë ditë të përdorin autoritetin shtetërorë dhe të shtrijnë ndikimin e tyre nën presionin dhe masat më të mundshme të dhunës. E tërë kjo bëhet për shkak të mungesës së argumentit apo dëshmive dhe fakteve që ta bind mendjen njerëzore për të pasuar atë ideologji.
Kur një mendimi të caktuar i kundërvihesh me forcë apo me ndonjë mënyrë tjetër përveç mendimit, atëherë kjo do të thotë se ti ke ushtruar dhunë dhe ke bërë padrejtësi karshi palës që ke përballë. Kjo ngase debatit i përgjigjet debati, mendimit-mendimi, ndjenjës-ndjenja, emocionit-emocioni, dhe forcës-forca, e kështu me radhë. Islami si një religjion i ngritur mbi gjuhën e argumentit, nuk e ka pas asnjëherë këtë problem dhe asnjëherë nuk ka tentuar që të imponojë mendimin e tij, por mos zotërimi i argumenteve dhe moskuptimi i duhur i parimeve islame ka bërë që disa predikues dhe besimtarë myslimanë të tejkalojnë kompetencat e tyre.
Kjo është edhe arsyeja se përse sot po sulmohet Islami dhe myslimanët. Me apo pa qëllim disa prej predikuesve islamë kanë tejkaluar suazat e rolit të tyre në shoqëri, duke tentuar të marrin rolin e gjykatësit dhe kjo u ka dhënë shkas të tjerëve që të ngrenë paragjykime dhe teori të paqëndrueshme ndaj Islamit, duke e etiketuar me etiketime nga më të ndryshmet. Lirisht mund të themi se një gjë e tillë bëhet shumë padrejtësisht, ngase askush nuk bartë përgjegjësinë e askujt tjetër. E aq më pak një doktrinë fetare apo ideologjike të bartë përgjegjësinë e veprimeve të pasuesve të tyre, të cilët ndoshta nuk janë mirë të informuar apo kanë keqkuptuar këto mësime. Një padrejtësi e tillë shfaqet në dy pika kryesore:
Të gjykuarit e një besimi, ideologjie apo një doktrine, duke u bazuar në veprimet e pasueseve të saj është padrejtësi, e kjo ngase pasuesit apo besimtarët e caktuar të asaj feje mund të kenë keqkuptuar apo keqinterpretuar doktrinat dhe parimet e asaj feje. Prandaj për të bërë një vlerësim real duhet studiuar dhe duhet referuar burimeve të asaj feje dhe jo veprimeve të pasuesve të caktuar të saj.
Është e padrejtë të gjykosh apo të akuzosh një besim apo ideologji duke u bazuar vetëm në shpifjet dhe akuzat që janë ngritur ndaj saj, pa u përpjekur t’i njohësh parimet dhe bazat mbi të cilat është ngrit ai besim apo ajo ideologji.
Nëse ndokush dëshiron të gjykojë apo kritikojë Islamin sa i përket asaj se ai thërret në ushtrim dhune dhe tenton të përhapet me forcë, atëherë duhet që medoemos t’i referohet burimeve autentike të Islamit dhe shëmbëlltyrës më të lartë të proklamimit dhe praktikimit të tij. Pra, ata duhet që t’i referohen vetë jetës së Muhamedit a.s., ngase ai ishte shëmbëlltyra e vetë Islamit apo ishte vetë praktikimi i Kuranit.
Prandaj, nëse ne ndalemi dhe shikojmë se si e përshkruan Kurani rolin e Muhamedit a.s., të cilit edhe i është shpallur Islami, do të shohim se atij nuk i jepet asnjë e drejtë të ushtrojë dhunë për të bindur njerëzit të pranojnë fenë islame. E kjo ngase Allahu xh.sh. shumë mirë e sqaron se ndërmjet Krijuesit dhe krijesës nuk mund të ketë ndërmjetësues dhe se një gjë e tillë është një e drejtë fondamentale e çdo njeriut dhe se çdo shfaqje e besimit nën presionin apo dhunën e ushtruar është e papranuar. Këtë gjë shumë qartë na e thotë Kurani në citatin ku Allahu xh.sh. thotë: “Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota.” (2:256).
Ndërsa tani, le t’i kthehemi edhe një herë rolit që kishte Muhamedi a.s. në shpalljen e fundit dhe e drejta që i ishte dhënë nga ana e Allahut xh.sh. në predikimin e tij dhe thirrjen e njerëzve për të përqafuar dhe për të pranuar Islamin.
Kur është fjala për rolin e Muhamedit a.s. karshi predikimit, Allahu xh.sh. thotë: “Nëse ata (idhujtarët) refuzojnë, Ne nuk të kemi dërguar ty rojë të tyre, ti ke për obligim vetëm kumtimin ”(42:48), po ashtu në një citat tjetër, Allahu xh.sh. thotë: “Thuaj: “Respektojeni Allahun dhe respektojeni të dërguarin!” Nëse ata refuzojnë, atëherë atij i takon përgjegjësia me çka është i ngarkuar ndërsa juve përgjegjësia me çka jeni të ngarkuar, nëse i bindeni atij, atëherë keni gjetur të vërtetën. I dërguari ka obligim vetëm komunikimin e qartë.” (24:54), po ashtu Allahu xh.sh. thotë ‘’Është e vërtetë se ti nuk mund ta udhëzosh atë që do ti, por Allahu udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit.” (28:56).
Nga këto citate, si dhe citate të tjera, por edhe nga vetë jeta e Muhamedit a.s. shohim se roli i tij ka qenë kumtimi i shpalljes Hyjnore dhe nuk ka qenë imponimi i saj te njerëzit. Këtë më së miri mund ta kuptojmë nga vetë fjala e Allahut xh.sh. ku thotë: “Muhamedi nuk është tjetër vetëm se i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar (që vdiqën ose u vranë). E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa (nga feja ose lufta)? E kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën dëm Allahut aspak, kurse Allahu do t’i shpërblejë mirënjohësit.” (3:144).
Pra, Muhamedi a.s., me gjithë pozitën e lartë që e ka tek Allahu xh.sh dhe te besimtarët, ai mbi të gjitha ishte njeri dhe roli i tij ishte si i shumë të dërguarve para tij. Ai kishte për detyrë që njerëzve t’ua kumtojë shpalljen dhe atë që ia mësonte Allahu xh.sh., ashtu siç kishin bërë edhe profetët e tjerë.
Një gjë e tillë ka qenë e njohur edhe te brezat e parë dhe gjeneratat e para të historikut të shtetit islam, prandaj edhe gjejmë shembuj të përkryer të tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare. E ndërsa nëse dikush mundohet të dëshmojë të kundërtën, duke u bazuar në luftërat dhe betejat që janë zhvilluar përgjatë historisë islame, atëherë u themi se betejat dhe luftërat që janë bërë nuk janë bërë me qëllim të imponimit të besimit, por me qëllim të largimit të pengesave që i kishte në rrugë kumtimi i kësaj feje për te popujt anembanë botës. E tërë kjo është bërë me arsyetimin se është e drejtë esenciale e çdokujt, që nga vetë myslimanët ta njoh Islamin dhe jo ta njoh atë nga interpretimet e jashtme, propagandat, dhe tentativat për ta paraqitur atë në çfarëdo forme jo reale.
Sot, fatkeqësisht, shumë prej besimtarëve, predikuesve dhe udhëheqësve fetarë e kanë keqkuptuar rolin e tyre karshi fesë dhe besimit që ata ndjekin, andaj edhe mundohen ta marrin rolin e gjykatësve dhe të tejkalojnë të drejtat dhe autoritetin e tyre karshi këtij besimi dhe njerëzve në përgjithësi. Ne, duhet t’i rikthehemi rolit tonë esencial dhe ta kryejmë detyrën tonë karshi thirrjes dhe predikimit të Islamit duke pasur parasysh se predikimi më i mirë dhe më i suksesshëm është predikimi i shëmbëlltyrës dhe zbatimit të mësimeve fetare. Pra, roli ynë është predikues dhe jo gjykues ndaj njerëzve, e ndërsa këtë na e dëshmon edhe vetë Allahu xh.sh. kur thotë: “Është e vërtetë se ti nuk mund ta udhëzosh atë që do ti, por Allahu udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit.” (28:56).


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi