Durimi është një moral i veçantë dhe prej dobive të shumta të tij është edhe ajo se e shumëfishon shpërblimin derisa ta bëjë atë të pallogaritshëm, pasi që çdo pune përveç durimit i dihet shpërblimi.
Allahu xh.sh. në shumë vende në Kuranin fisnik, si në kaptinat mekase ashtu edhe në ato medinase, na flet dhe na porositë për durimin, duke i dhënë kështu një rëndësi dhe një kujdes të veçantë.
Dijetarët islamë janë të ndarë në mendime rreth numrit të përmendjes së durimit në Kuran. Sipas mendimit të Imam Gazaliut, i cituar në veprën “Ihja ulumu ed-din”, durimi në Kuran është përmendur në më shumë se shtatëdhjetë e disa herë.(1)
Në veprën “Mudearixhu es-sali-khin”, Ibën el-Kajjimi transmeton fjalët e Imam Ahmedit duke thënë se durimi në Kuran është përmendur në nëntëdhjetë vende.(2)
Ndërkaq, Jusuf Kardavi është i mendimit se nuk ka kundërshtime ndërmjet dijetarëve rreth përmendjes së durimit në Kuran.(3) Ai i sjellë si shembull ajetet kuranore 126-127 të sures En-Nahl, ku fjala durim përmendet në katër vende, që në një kontekst tjetër, dijetarët e kanë konsideruar si dy herë i përmendur: “Në qoftë se doni të merrni hak, atëherë ndëshkoni në atë masë sa jeni ndëshkuar ju; e nëse duroni, padyshim se ai është më i mirë për ata që durojnë. Pra, të jesh i durueshëm! Durimi yt është vetëm me ndihmën e Allahut. Ti mos u pikëllo për ata, as mos u brengos për dredhitë që bëjnë ata.”(4)
Fjala durim në aspektin gjuhësor do të thotë abstenim nga diçka dhe të detyruarit e vetes në diçka tjetër.(5)
Sa i përket kontekstit të fjalës durim nga aspekti gjuhësor, Allahu i Madhëruar na i sjellë argumentet e qarta përmes ajetit kuranor: “Përkufizoje veten tënde me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, e që kanë për qëllim kënaqësinë e Tij, dhe mos i hiq sytë e tu prej tyre e të kërkosh bukurinë e kësaj bote dhe mos iu bind atij që ia kemi shmangur zemrën e tij prej rikujtimit ndaj Nesh dhe i është dhënë epshit të vet, pse puna e tij ka mbaruar.”(6)
Ndërkaq, sa i përket fjalës durim, të përmendur në Kuran, ajo e ka domethënien e përballimit të fatkeqësive, duke kërkuar kështu kënaqësinë e Allahut.(7) Për këtë, Allahu në një ajet kuranor thotë: “Edhe ata që patën durim (ndaj të këqijave) për të fituar kënaqësinë e Zotit të tyre...”(8)
Durimi është një moral i veçantë dhe prej dobive të shumta të tij është edhe ajo se e shumëfishon shpërblimin derisa ta bëjë atë të pallogaritshëm, pasi që çdo pune përveç durimit i dihet shpërblimi. Allahu xh.sh. në një ajet kuranor ka thënë: “... ndërsa durimtarëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë.”(9)
Imam Gazaliu e ndan durimin në dy kategori(10):
E para, ka të bëjë me durimin në trupin e njeriut, siç është përballimi ndaj sëmundjeve të ndryshme apo edhe përballimi i mundimeve fizike, qoftë gjatë punës apo edhe gjatë kryerjes së ibadeteve të caktuara.
E dyta, ka të bëjë me llojin e durimit i cili është edhe më i lavdëruar. Në një rast, Pejgamberi a.s. është pyetur për imanin, e ai është përgjigjur: “Ai është durimi.” Të gjitha këto lloje të durimit, Allahu i përmend në ajetin kuranor të sures El-Bekare: “... dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit.”(11)
Njerëzit në këtë botë janë të sprovuar me sprova të ndryshme, varësisht nga besimi që ata kanë, andaj edhe për këtë thuhet se pas pejgamberëve më të sprovuarit janë besimtarët. Për këtë, të kuptuarit e asaj që Allahu i sprovon besimtarët ishte në mendjet dhe në shpirtrat e besimtarëve edhe gjatë periudhës mekase, kur ata po përjetonin dhunën dhe terrorin nga jobesimtarët, por edhe gjatë periudhës medinase.(12) Për këtë, Allahu zbriti ajetet: “Elif, Lam, Mim. A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë? Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që Allahu gjithqysh do t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën, e do t’i dallojë edhe gënjeshtarët.”(13)
Në këtë kontekst zbritën edhe shumë ajete në periudhën medinase, ndër to përmendim: “A mos menduat ju se do të hyni në xhenetet e Allahut pa e ditur (pa u vërtetuar në praktikë) se cilët prej jush kanë luftuar dhe pa e ditur cilët prej jush ishin të durueshëm.”(14)
Vështruar nga kuptimi i këtij ajeti, na del se xheneti ka kërkesat e tij që duhen plotësuar. Ai ka një çmim, e çmimi i tij është durimi në fatkeqësitë e ndryshme, durimi gjatë sëmundjeve të ndryshme, durimi në varfëri, durimi në shumë sprova që e godasin njeriun gjatë gjithë jetës së tij. Ky ajet zbriti pas betejës së Uhudit, kur myslimanët pësuan goditje të rënda dhe patën humbje të mëdha të njerëzve, e ndër ta ishte edhe axha i Pejgamberit a.s., Hamza.
Përmes Kuranit fisnik, Allahu i Madhëruar i urdhëron njerëzit që me çfarëdo që ata ballafaqohen, të forcohen dhe të kapen pas dy gjërave, e ato janë durimi dhe namazi. Në ajetin 153 të sures El-Bekare, Ai urdhëron e thotë: “O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me të falur, se vërtet Allahu është me durimtarët...”(15)
Në vazhdimin e këtij ajeti, Allahu i qetëson zemrat e besimtarëve kur ata humbasin të afërmit e tyre, por edhe ua tërheq vërejtjen për fatkeqësitë që do të pasojnë, e që në përmendjen e tyre në këtë ajet ato janë të formave dhe kategorive të ndryshme, siç janë goditja e zemrës me frikë, goditja e barkut me uri, pasurisë me pakësim, e deri te vdekja.(16)
Nga shumë emra të bukur të Allahut, njëri ndër ta është edhe emrin “Es-Sabur”, që do të thotë “Durimtari”. Është Ai që nuk shpejton me dënim, po shikon, pret dhe vonon, e megjithatë, ndëshkimit të Tij nuk mund t’i shmanget askush që e ka mohuar dritën dhe udhëzimin hyjnor të Tij.
Ibën el-Kajjimi është i mendimit se durimi është vaxhib, e për këtë janë pajtuar edhe dijetarët e tjerë. Në veprën e tij “Medarixhu el-Salikin”, ai sjellë argumentet për këtë, e që thotë se durimi është urdhër i Allahut në shumë ajete, që me këtë nënkuptohet obligimi, vaxhibi. Shembull për këtë kemi ajetin: “O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgatitur dhe, që të shpëtoni, ruajuni dënimit të Allahut.”(17)
Por, vaxhibi nënkupton edhe ndalesën për ta kryer të kundërtën. Për këtë, Allahu xh.sh. thotë: “E mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u dëshpëroni (shpirtërisht), derisa ju jeni më të lartit, po që se jeni besimtarë të sinqertë.”(18)
Nëpërmjet Kuranin fisnik arrihet e mira në këtë botë dhe në botën tjetër. Njeriu nuk mund të ketë sukses në atë që dëshiron dhe të largohet prej asaj që e urren përveç se me durim, për këtë arsye durimi bëhet vaxhib.(19)
Vlerat e lartësuara shpirtërore të Islamit dhe lidhja e tyre me durimin
Bindja, falënderimi, mbështetja, lartësimi, devotshmëria, mëshira etj., janë vetëm disa nga vlerat e lartësuara shpirtërore të fesë islame. Allahu i Madhëruar në Kuranin fisnik ka bërë ndërlidhjen e këtyre vlerave me ajetet e durimit, duke dhënë kështu shembuj për secilën prej tyre. Sa i përket bindjes, Ai thotë: “Dhe prej tyre Ne bëmë prijës, që me urdhrin Tonë udhëzojnë, pasi që ata (që i bëmë prijës) ishin të durueshëm dhe ndaj argumenteve Tona ishin të bindur.”(20)
Imam Gazaliu në lidhje me këtë ajet pohon dhe thotë se për qëllim është njohja e plotë e arritur përmes udhëzimit nga Allahu i Madhëruar.(21)
Vlerën e falënderimit dhe lidhjen me durimin, Allahu xh.sh. e përmend në katër vende, saktësisht në suret, Ibrahim, 5; Llukman, 31, Sebe, 19, Esh-Shura, 33,(22) e që këto kaptina i takojnë periudhës mekase.
Allahu xh.sh. thotë: “... se vërtet në ato (rikujtime) ka argumente për secilin që është shumë i durueshëm dhe shumë falënderues.”(23)
Në mbështetjen tek Allahu xh.sh.: “E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, atyre do t’u bëjmë vend të lartë në Xhenet, në të cilin rrjedhin lumenj, aty janë përgjithmonë; sa i mirë është shpërblimi për atë që vepruan. Të cilët bënë durim dhe vetëm Zotit të tyre iu mbështetën.”(24)
Në namaz (në durimin gjatë namazit): “O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me të falur, se vërtet Allahu është me durimtarët.”(25)
Të lartësuarit e Allahut dhe të kërkuarit falje Atij lidhet ngushtë me durimin, ashtu siç e përmend Allahu xh.sh. në suren Gafir: “Ti bën durim, se premtimi i Allahut është i vërtetë, kërko falje për mëkatin tënd, lartësoje me falënderim Zotin tënd mëngjes e mbrëmje.”(26)
Në luftën, ashtu siç thotë Allahu xh.sh. në Kuran: “Ne do t’u sprovojmë juve, derisa t’i njohim (të dihen konkretisht) luftëtarët dhe ata që ishin të qëndrueshëm nga mesi juaj, po edhe do t’i sprovojmë veprat tuaja.”(27)
Në kryerjen e veprave të mira: “Përveç atyre, të cilët kishin durim dhe bënin vepra të mira, të tillët kanë falje (të gabimeve) dhe shpërblim të madh.”(28)
Devotshmëria është njëra ndër vlera e larta të Islamit, e cila sipas Ebu Talib el-Mekkiut, është tejet e lidhur ngushtë me durimin, sa që asnjëra pa tjetrën nuk mund të realizohen.(29) “... po, në qoftë se ju bëheni të durueshëm dhe ruheni (mëkateve), dinakëria e tyre nuk do t’u dëmtojë aspak...”(30)
Në suren El Asr, Allahu i Madhëruar e bëri durimin një nga katër themelet, pa të cilat njeriu nuk do të ketë sukses as në këtë botë, e as në botën tjetër, e ato janë besimi, kryerja e veprave të mira, rekomandimi i së vërtetës dhe rekomandimi në durim.(31) Krahas rekomandimit për durim kemi edhe rekomandimin për deri tek e vërteta, ngase rruga për të arritur tek ajo ka vështirësitë e shumta, e pa durim nuk do të ketë sukses dhe as nuk do të fitojë e vërteta.
Në mëshirën: “E pastaj të bëhej prej atyre që besuan, që këshilluan njëri-tjetrin për durim dhe që këshilluan për mëshirë (për ndihmë).”(32)
_________________________
1. Ebu Hamid el Gazali, Ihja ulumu ed-din, 4/61.
2. Medarixhu es-salikin, 2.
3. Jusuf Kardavi, Durimi në Kuranin fisnik, 2002, fq.6.
4. En-Nahl, 126-127
5. Jusuf Kardavi, op. cit., fq.6.
6. El-Kehf, 28
7. Jusuf Kardavi, op. cit., fq.7.
8. Er-Rrad, 22
9. Ez-Zumer, 10
10. Ihja ulumu ed-din, 4/66-67.
11. El-Bekare, 177
12. Jusuf Kardavi, op. cit., fq.15.
13. El-Ankebut, 1-3
14. Ali Imran, 142
15. El-Bekare, 153
16. Jusuf Kardavi, op. cit., fq.17.
17. Ali Imran, 200
18. Ali Imran, 139
19. Ibën el-Kajjimi, Medarixhu es-Salikin.
20. Es-Sexhde, 24
21. Ihja ulumu ed-din, 4/66.
22. Jusuf Kardavi, op. cit., fq. 69
23. Ibrahim, 5
24. El-Ankebut, 58-59
25. El-Bekare, 153
26. Gafir, 55
27. Muhamed, 31
28. Hud, 11
29. Ebu Talib el-Mekki, Kutul-Kulub, 1/197
30. Ali Imran, 120
31. Jufus Kardavi, op. cit., fq. 73
32. El-Beled, 17