Kaptina Jusuf - Familja dhe rëndësia e saj në ndërtimin psikologjik të individit


Kaptina Jusuf, e përbërë nga 111 versete, është një prej kaptinave të zbritura në Meke, të cilat parashtrojnë fragmente nga ngjarjet e pejgamberëve. Kjo kaptinë, sikur që mban emrin e Jusufit a.s., edhe i tërë tregimi në të i është kushtuar jetës së tij, vështirësive që përjetoi ai dhe babai i tij, mundimeve nga vëllezërit, jeta në shtëpinë e zotërisë së Egjiptit, aventurat e grave, sprova me burgim etj., derisa e shpëtoi Zoti xh.sh.. Andaj ky është njëri nga tregimet më të shkëlqyera, sepse ka të bëjë me faza të ndryshme të jetës së profetit Jusuf a.s., siç janë sprovat e mundimet, prej sprovave të ndarjes deri te bashkimi, prej mërzisë dhe brengës deri te gëzimi, prej asgjësë deri te pasurimi, prej nënçmimit deri te lartësimi, prej robërisë deri te mbretëria, prej vështirësive deri te lehtësimet, prej demantimeve deri te vërtetimet. Kaptina përmban një trajtim të posaçëm të shprehjeve dhe të domethënieve të saj, sepse rrëfimi i ngjarjes në një mënyrë të butë e të dhimbshme depërton thellë në ndjenjat shpirtërore. Edhe pse është nga kaptinat mekase, të cilat në të shumtën e rasteve kanë natyrë kërcënimi e tërheqjeje të vërejtjes, kjo është e dalluar sepse ka një atmosferë mëshire, butësie e përkëdheljeje.

Lidhmëria e kësaj kaptine me kaptinën paraprake dhe atë pas saj

Kaptina Jusuf përmban një lidhmëri të ngushtë me kaptinat para dhe pas saj në renditjen kuranore. Lidhmëria e saj me kaptinën paraprake, kaptinën Hud, kuptohet nga fakti se në përmbajtjen e kaptinës paraprake si tematikë e përgjithshme është sqarimi mbi jetën dhe veprimtarinë e disa pejgamberëve, si të Nuhut, Hudit, Salihut, Lutit, Shuajbit e Musait. Aty parashtrohen tregime për jetën dhe veprimtarinë e pejgamberëve, për vuajtjet dhe vështirësitë që përjetuan ata gjatë kryerjes së detyrës së tyre.
Kaptina përfundon me qëllimin e rrëfimit të jetës së vëllezërve pejgamberë, që ishin para Muhamedit a.s., e duke u drejtuar me urdhra, udhëzime e këshillime Muhamedit a.s. dhe ymetit të tij. Në kaptinën Hud, pas sqarimit mbi tregimin e Nuhut a.s. thuhet: “Këto janë disa nga rrëfimet e panjohura (për ty), që po t’i shpallim ty, e që para këtij (Kuranit) nuk i ke ditur, as ti, as populli yt. Pra, të jesh i durueshëm, se përfundimi (i lavdishëm) është për të devotshmit.”(1) Ndërsa në kaptinën Jusuf, në këtë kontekst si plotësim i saj thuhet: “Këto janë nga ato lajme të panjohura, e Ne po t’i shpallim ty (Muhamed), se ti nuk ke qenë pranë tyre kur ata vendosën çështjen e tyre (hedhjen e Jusufit në bunar etj.) dhe kur bënin dredhi.”(2)
Lidhmëria e kaptinës Jusuf me kaptinën Rad është evidente në faktin se të dy kaptinat përmbajnë argumente mbi Njëshmërinë e Zotit, që është parim themelor i besimit. Përderisa në kaptinën Jusuf rrëfehet për thirrjen në Njëshmërinë e Zotit nga Jusufi përgjatë qëndrimit të tij në burg përpara se të interpretonte ëndrrat e dy shokëve të burgut, në kaptinën Rad, sjell argumente mbi njësinë e Zotit, për shpalljen, për ringjalljen dhe për shpërblimin dhe dënimin. Për argument të besimit në fuqinë e Zotit përmend qiejt, tokën, hënën, natën, ditën, bimët, pemët dhe krijesat e tjera.

Relacioni familjar në kaptinën Jusuf

Një nga metodat dhe mekanizmat kryesorë që ka përdorur Kurani famëlartë për realizimin e objektivave të tij është edhe metoda e tregimeve. Stili kuranor i tregimeve është metodë mjaft atraktive në shprehjen e asaj që përfshin, që nga ngjarjet e ndryshme, faktet, personalitetet, si dhe shembujt nga krijesat e tjera, duke kontribuar kështu në plasimin e vlerave si dhe konsolidimin e tyre. Tregimet arrijnë të zgjojnë vëmendjen e lexuesit-dëgjuesit, sidomos për faktin se natyrshmëria njerëzore karakterizohet nga veçoria e tendencës së pasimit të pozicioneve dhe ngjarjeve në tregime, duke synuar të arrijë njohjen e epilogut përfundimtar të tyre. Stili i përdorur gjatë rrëfimit të historisë së Jusufit në kaptinën Jusuf, mënyra se si paraqitet ngjarja, gjuha e përdorur në pyetjet dhe përgjigjet, janë mjaftë atraktive në paraqitjen dhe shtjellimin e gjendjes psikologjike të personazheve dhe epilogun e tyre.
Rrëfimi në detaje i ngjarjes së Jusufit, babait dhe vëllezërve të tij në këtë kaptinë fillon me ëndrrën e parë nga Jusufi se sikur dielli, hëna dhe njëmbëdhjetë yje i bënin sexhde, i përuleshin atij. Për këtë i tregoi babait të vet, Jakubit a.s., por ai e këshilloi që ëndrrën të mos ia tregojë vëllezërve, sepse do të mund t’i bënin ndonjë të keqe. Jusufi u habit, si mund t’i bënin keq vëllezërit? Por Jakubi i sprovuar i tha se duhet ta dijë që shejtani është armik i përbetuar i njeriut, e mund t’i mashtrojë edhe vëllezërit e tij. Gjatë përshkrimit të ëndrrës së tij, ai fillon me një pasthirrmë që shpreh dashurinë duke thënë: “O babai im, unë pashë (në ëndërr) njëmbëdhjetë yje dhe diellin e hënën, i pashë duke më bërë mua sexhde!”(3) Kjo, tregon për marrëdhënien e ndërsjellë të familjes së Jakubit a.s., dashurinë dhe respektin e fëmijëve të tij, kushtimisht të Jusufit për babanë e tij. Përgjigja e dhënë nga Jakubi a.s. pas rrëfimit të ëndrrës nga i biri tregon se e njëjta dashuri ekziston në familje në mënyrë të ndërsjellë: “O biri im, mos ia trego ëndrrën tënde vëllezërve të tu.”(4) Stili i përdorur gjatë rrëfimit të ëndrrës ashtu siç paraqet dashurinë midis Jusufit dhe babait të tij po ashtu shpreh marrëdhëniet midis Jusufit dhe vëllezërve të tij. Duke qenë se Jakubi a.s. e donte Jusufin dhe vëllain e tij Bunjaminin – që e kishte vëlla edhe prej nëne – djalli ua mbushi mendjen vëllezërve të tjerë që ta likuidojnë Jusufin a.s., e pastaj të pendohen e të bëhen njerëz të mirë.(5) Rrëfimi ashtu siç sjell një peizazh të përgjithshëm të psikologjisë familjare për të gjithë njerëzit, thekson se ngjarje të ngjashme mund të jenë të zakonshme sikur te njerëzit e rëndomtë edhe në familje të një pejgamberi siç ishte Jakubi a.s.. Edhe pse ata iu betuan babait të tyre se e duan dhe do të kenë kujdes për Jusufin a.s., nga zilia e hodhën atë në pus, por ndihma e Zotit ishte aty, e dërgoi Xhibrilin t’ia qetësojë shpirtin, t’ia largojë frikën e vetmisë dhe e lajmëroi se do të jetë i shpëtuar prej kësaj fatkeqësie.(6)
Sado që Jakubi a.s. u shprehi shqetësimin se nuk mund ta linte Jusufin me ta dhe se frikësohej për të nga ujku, ata iu betuan se do të kenë kujdes ashtu që ai ua lejoi ta marrin atë. Këtu haptas vërehet një shqetësim psikologjik për Jakubin a.s., ngase përderisa Jusufi, i cili u rrit në të njëjtën edukatë me vëllezërit e tij shprehte respekt dhe dashuri ndaj babait, vëllezërit e tij nuk vepronin me të njëjtën ndjeshmëri. Pasi morën Jusufin me vete dhe e hodhën në pus, ata duke vazhduar në zili dhe për ta fshehur sado kudo gabimin e tyre, pasi ra muzgu erdhën kinse duke qarë dhe me këmishë të përgjakur, por Jakubi e kuptoi çështjen dhe iu mbështet Zotit për ndihmë. Megjithatë, toni i zërit, mënyra e të shprehurit dhe devijimi i fjalëve nga drejtimi i përgjithshëm nxori në pah josinqeritetin e tyre në atë që thanë. Ata duke iu bindur intrigave të djallit u shndërruan në njerëz labilë, ziliqarë, të kompleksuar, pa ndjenja, gënjeshtarë dhe të përgatitur për dredhi të llojit më të rëndë. Po ashtu tablo sjellë një pasqyrim mbi ndjenjën e mosbesimit brenda familjes të shkaktuar nga ndjenjat negative psikologjike dhe kulmin e gjithë kësaj me përgjigjen profetike të Jakubit a.s.: “Ai tha: “Jo (nuk e ka ngrënë ujku), por epshet tuaja ua hijeshuan punën. Halli im është: durim i mirë. Allahu është nga i cili kërkohet ndihmë për këtë që përshkruani ju.”97) Dhe kështu Jusufi i hedhur në pus nga vëllezërit e tij u gjet nga një grup tregtarësh të cilët kaluan atypari, e zotëruan atë sikurse të ishte rob i tyre dhe e shitën me të shpejtë, duke u frikësuar se po lajmërohet zotëria i tij. Jusufin e mori ministri i ekonomisë së Egjiptit, i cili i tha gruas së vet të kujdesej mirë për të ngase mund të kenë dobi prej tij, ose meqë nuk kishin fëmijë, ta birësonin si djalë të vetin. Në të vërtetë ka një urtësi të madhe në këtë çështje, ngase po të kishin përcaktuar një çmim të lartë për të dhe po të kishin kuptuar se ai ishte një personalitet i zgjedhur, një profet, ata do të dëshironin ta dëmtonin atë. Ngjashëm, jobesimtarët e tjerë të cilët do të dëgjonin për këtë gjithashtu do të dëshironin t’i shkaktonin ndonjë të keqe atij. Fakti se ata e nënvlerësuan atë dhe e shitën si rob duke shpresuar një përfitim material shkoi në favor të tij, pra ndihma e Zotit dhe mbrojtja e Tij nuk i mungoi në asnjë rast.
Rrëfimi në kaptinë vazhdon me pasqyrimin e mëshirës, e cila është ndër cilësitë e Allahut të Lartësuar, me dimensione të tjera, e reflektuar te të dërguarit e tij, kushtimisht te Jakubi a.s. dhe i biri i tij Jusufi a.s.. Edhe pse Jakubi a.s. ishte një baba i zhgënjyer nga bijtë, si dhe Jusufi një vëlla i përndjekur nga vëllezërit e tij, ata me qëndrimet e tyre vënë në pah ndjenjën e tolerancës, mëshirës dhe dhembshurisë familjare. Thuhet se vendin e Jakubit e kishte kapluar një thatësirë e madhe e skamje, prandaj bijtë e tij shkuan në Egjipt për të blerë ushqim. Me t’u takuar, edhe pse Jusufi a.s. i njihte shumë mirë, ata nuk e kishin idenë më të vogël se kush ishte ai.(8) Jusufi i priti mirë e iu dha drithë për kokë të çdonjërit, por i porositi t’ia sillnin edhe vëllain e vogël, që t’u japë drithë edhe për të. Jusufi a.s. nuk u hakmor ndaj vëllezërve të tij, përkundër asaj që i kishin shkaktuar. Pa e vërejtur ata, ai ua ktheu edhe mallin që kishin sjellë si kompensim për drithin, e bëri këtë me qëllim që të kthehen përsëri, sepse Jakubi nuk do të hante drithin që nuk ishte paguar, e kështu do t’ia sillnin edhe vëllain. Duke tërhequr vëmendjen me inteligjencën e tij, Jusufi a.s. fitoi zemrat e vëllezërve të tij dhe i bindi që të ia sillnin Bunjaminin me pëlqimin e tyre pa e dëmtuar atë. Pasi vëllezërit i treguan Jakubit a.s. për kërkesën e përgjegjësit të depove dhe iu betuan atij në Allahun, se nuk do të i bëjnë ndonjë dredhi, Jakubi a.s. i lejoi ta merrnin edhe Bunjaminin duke i këshilluar: “O bijtë e mi, mos hyni (në Egjipt) për një derë, po hyni nëpër dyer të ndryshme.”(9) Pavarësisht çdo gjëje, Jakubi, si baba, tregoi dashurinë dhe dhembshurinë për fëmijët e tij duke i këshilluar ata që të mos hyjnë të gjithë nga një derë, sepse mund t’i shihte ndonjë qëllimkeq.(10) Kjo mëshirë dhe dashuri e shprehur nga Jakubi nuk ishte e cekët sa të përfshinte vetëm jetën e kësaj bote. Aq sa i këshilloi bijtë e tij të jenë të kujdesshëm dhe të marrin masa paraprake përballë fatit të kësaj bote. Ai menjëherë shprehi dorëzimin te Zoti, Krijuesi i çdo gjëje, se nuk mund t’u ndodhte asnjë send pa caktimin e Tij, duke u thënë: “Unë nuk mund të largoj prej jush asnjë send nga caktimi i Allahut, vendimi nuk është i tjetërkujt vetëm i Allahut, vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm Atij le t’i mbështeten ata që besuan.”(11) Pos të tjerash, në këtë verset jepet mesazhi që dhembshuria prindërore nuk duhet të kufizohet vetëm me këtë botë, por prindi duhet të këshillojë fëmijët e tij dhe për ahiretin. Verseti aq sa thekson rëndësinë e lumturisë dhe bashkimit familjar, po aq potencon dëmet e ngecjes në ngjarje të kaluara dhe afrimit me mëri dhe urrejtje ndaj pjesëtarëve të familjes. Njashtu shpreh faktin se besimi dhe bindja në caktimin e Zotit të Lartësuar janë nga çështjet fundamentale për ruajtjen dhe lumturinë e familjes si në këtë botë ashtu edhe në botën e pastajme.
Bindja dhe dëgjueshmëria që kësaj radhe treguan vëllezërit e Jusufit ndaj babait të tyre, shprehet në këtë mënyrë: “Dhe ata hynë ashtu si i porositi babai i tyre.”(12) Kur hynë te Jusufi a.s., ai i vendosi nga dy veta në një dhomë si mysafirë, e pasi Bunjamini mbeti vetëm, ai e mori me vete në dhomën e tij. Aty i tregoi se ishte Jusufi, i tregoi për planin e vet dhe i tha të mos tronditet për rrjedhën e ngjarjeve. Dashuria dhe dhembshuria të cilën Jakubi a.s. mbolli te bijtë e tij, reflektoi në çastin kur Jusufi vendosi të mbante vëllain e vogël për të cilin i urdhëroi shërbëtorët që kupën e vet të stolisur me diamante ta vënë në barrën e tij pa i hetuar kush. Pasi publikuan se dikush e ka marrë kupën e sunduesit, kërkuan mendim prej tyre për masën ndëshkuese që duhet të merrnin tek ai që gjendet. Jusufi e bëri këtë me qëllim, sepse sipas ligjit të mbretit, të cilin Jusufi e kishte parasysh, vjedhësi mbetej rob i të zotit të sendit të vjedhur, e Jusufi këtë kishte për qëllim.(13) Ata duke shprehur sinqeritetin dhe dhembshurinë ndaj babait plak, Jakubit a.s. thanë: “O zotëri, ai ka një baba shumë të vjetër, pra, në vend të tij merr njërin prej nesh. Bëje këtë të mirë, se ti je prej atyre që bëjnë mirë!”(14)Kjo është arritja e Jakubit si baba dhe si njeri, i cili pavarësisht gabimeve të djemve të tij me mëshirë dhe dhembshuri vendosi rendin në familje. Edhe Jusufi a.s. si një i përzgjedhur i Zotit, sikurse babai i tij karshi vëllezërve, shpreh të njëjtën dhembshuri duke qenë dorëlirë ndaj tyre. Pasi Jakubi a.s. u tha djemve të shkojnë sërish në Egjipt dhe të hulumtojnë edhe për Jusufin, vajtën dhe hynë te Jusufi, e lutën të u japë drithë për një mall të dobët që kishin sjellë. Ata po ashtu kërkuan që t’ua lirojë edhe vëllain, me që ai, duke mos ndjerë asnjë dëshirë hakmarrjeje apo armiqësie ndaj tyre(15) prezantoi vetën e tij. Vëllezërit u shokuan, kishte kaluar kohë e gjatë dhe nuk paramendonin që ta gjenin atë diku fare, e le më në ndonjë pozitë si ajo që kishte Jusufi a.s., prandaj i thanë: “Vërtet, ti je Jusufi?” Kurse ai megjithëse ua përmendi gjestin e tyre të shëmtuar, nuk i qortoi, përkundrazi u lut që të i falë Zoti: “Ata thanë: “Për Allahun, është e vërtetë, se Allahu të ka lartësuar mbi ne, kurse ne vërtet ishim fajtorë!” Ai tha: “Sot nuk ka qortim kundër jush, Allahu ju faltë juve; Ai është më i Mëshirshmi ndër mëshiruesit!”(16)
Rrëfimi në detaje i ngjarjes së Jusufit, babait dhe vëllezërve të tij, aq sa tregon gjendjen psikologjike të personazheve, po aq është edhe një argument se Jakubi a.s. ishte një prind i mirë dhe se Jusufi a.s. ishte shembull dhe model i suksesshëm, fjalët dhe veprat e të cilit ishin të shkrira në njëra-tjetrën. Jusufi ishte ai që njihej për bukurinë, moralin si dhe me aftësitë e tij. Rrëfimi i tij nisi nga prehri i babait gjer në pus, nga pusi në saraj, nga saraji në burg e më në fund pasi vërtetohet drejtësia dhe maturia e tij arriti të bëhet përgjegjës i depove të mbretërisë. Kjo ishte mëshirë e Zotit të Madhëruar, që ia dhuron atij që do, e dhurata më e madhe e Tij është ndihma ndaj njeriut që ai ta besojë, t’i respektojë urdhrat e Tij, e më në fund ta përjetojë shpërblimin e madh në jetën tjetër.


______________________
1. Hud, 11/49.
2. Jusuf, 12/102; Es Sekafi, Tenasubi’s-Suveri’l-Kur’an, fq. 115.
3. Jusuf, 12/4.
4. Jusuf, 12/5.
5. Semerkandi, Bahru’l- Ulum, II/178.
6. Taberi, Xhamiu’l-Bejan, XIII/13.
7. Jusuf, 12/18.
8. Mevdudi, Tefhimu’l-Kur’an, II/445.
9. Jusuf 12/67.
10. Taberi, Xhamiu’l-Bejan, II/244.
11. Jusuf, 12/67.
12. Jusuf, 12/68.
13. Mevdudi, Tefhimu’l-Kur’an, II/477.
14. Jusuf, 12/78.
15. Kurtubi,el-Xhamiu li Ahkami’l-Kur’an, III/17.
16. Jusuf, 12/91-92.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi