Ardhja e osmanlinjëve në Ballkan do të shkaktonte ndryshime të thella dhe të vazhdueshme për të gjithë popujt e Ballkanit, veçanërisht tek populli shqiptar. Kjo para së gjithash kishte të bënte me kulturën islame të shqiptarëve, ndonëse kontakti i parë i shqiptarëve me Islamin ishte regjistruar shumë kohë para ardhjes së osmanlinjëve në këto hapësira.(1)
Sipas mbishkrimit arab në pllakën e xhamisë në fshatin Mlike - Dragash, duket se xhamia është ndërtuar në vitin 1238, ose 150 vjet para luftës së Kosovës, pra në mënyrë të dukshme para ardhjes së osmanlinjëve në këto hapësira.(2)
Procesi i përhapjes masive të Islamit në Ballkan ka filluar gjatë shekujve 15-të dhe 16-të. Në të gjitha vendet që kanë hyrë në përbërjen e shtetit osman u formuan institucione islame juridiko-gjyqësore, edukativo-arsimore, kulturoro-sociale dhe me karakter humanitar.(3)
Nuk është e saktë se Islami dhe muslimanët në Ballkan për herë të parë u shfaqën menjëherë me pushtimet e para të turqve osmanë, që do të thotë nga fillimi i shekullit të 14-të. Në fakt, popujt e Ballkanit ranë në kontakt me Islamin disa shekuj më herët, në kohën kur ata filluan të pranonin krishterizmin. Kjo do të thotë se shfaqja e krishterizmit, te popujt ballkanikë, apo te një pjesë e mirë e tij, nuk është më e hershme se shfaqja e Islamit.(4)
Me zgjerimin e Islamit, në mënyrë të veçantë me formimin e administratës shtetërore osmane në rajonin tonë, gjatë një periudhe të gjatë kohore, mes shekujve 9-15-të sipas Hixhretit, gjegjësisht 14-20-të të erës sonë, populli ynë do të binte në kontakt të drejtpërdrejtë me të drejtën e Sheriatit, e cila ishte baza e sistemit shoqëror dhe juridik të shtetit osman. Kjo e drejtë, si bazë e sistemit shtetëroro-juridik të shtetit osman, ka rregulluar jo vetëm jetën private dhe shoqërore të muslimanëve, por gjithashtu ka pasur një ndikim të konsiderueshëm në shprehjet dhe zakonet e popullsisë myslimane dhe jo-myslimane.
Traditat islame, institucionet fisnore dhe e drejta zakonore te shqiptarët, ishin shumë të pranishme gjatë një periudhë të gjatë të administratës osmane, kurse në disa zona qëndruan krejtësisht të paprekura.(5)
Me sistemin osman të autonomisë fetare, grupeve fetare të pranuara iu mundësua të formonin komunitetin e tyre të pavarur, të quajtur milet, në të cilin ata kanë ruajtur ligjet e tyre fetare, traditat dhe gjuhën nën mbrojtjen e Sulltanit.
Edhe pse Islami ishte fe shtetërore, brenda të njëjtit shtet jetonin së bashku komunitete të krishtera, hebrenj dhe myslimanë. Ato ishin shoqëri multikonfesionale. Në bazë të sistemit të miletit, banorët jomyslimanë në shtetin mysliman gëzonin autonominë juridike, gjyqësore dhe kulturore. Prandaj, shoqëria multinacionale osmane merret si shembull i tolerancës së dallimeve nacionalo-religjioze, kurse sistemi i miletit si shembull i hershëm i pluralizmit fetar.(6)
Me largimin e osmanlinjëve dhe copëtimin e tokave tona u imponua nevoja e përfshirjes në sistemet shtetërore dhe ligjore të popujve që i përkisnin një mjedisi tjetër kulturoro-civilizues. Kështu, popullata myslimane në Ballkan kaloi në sferën kulturore të Evropës Qendrore dhe Juglindore.
Njohja e muslimanëve tanë me kulturën, ligjet dhe të kuptuarit evropian u krye pas tërheqjes së otomanëve në vitin 1912 dhe 1913. Kjo njohje pati një ndikim të thellë në të menduarit dhe sjelljen e muslimanëve. Ajo çoi në lëvizje të ndryshme shpirtërore, të cilat lanë vulë në mendimin juridik islam dhe në praktikën e muslimanëve. Si pasojë e dobësimit të fuqisë myslimane dhe e humbjes së territoreve, teoria postklasike juridike për pakicat muslimane kërkoi të paktën autonomi fetare dhe vlefshmërinë e të drejtës së Sheriatit në çështjet personale.(7)
Sovrani osman, si halif i botës muslimane, ka patur të drejtën e mbrojtjes së myslimanëve që jetonin nën sovranitetin e vendeve jo-islamike. Sipas mendimit të atëhershëm të pranuar në përgjithësi, zbatimi i ligjit të Sheriatit në çështjet e statusit personal të myslimanëve ishte një shenjë e lirisë së besimit islam. Prandaj, nga mesi i shekullit të 19-të, mes dispozitave dhe kushteve kontraktuale që rregullonin situatën juridike të popullsisë myslimane në Evropën Juglindore u shfaqën klauzola në zbatimin e të drejtës së Sheriatit.(8)
Pas luftërave ballkanike (1912-1913) Serbia e zgjeroi territorin e saj edhe në territorin e sotëm të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Sanxhakut, gjë që çoi në rritjen e popullsisë muslimane nën sundimin serb. Obligimin e saj nga Kongresi i Berlinit, që të nxirrte dispozita me të cilat do të mbroheshin të drejtat e lirisë fetare për të gjithë banorët në territorin e saj, duke përfshirë edhe qytetarët e besimit mysliman, Serbia e kreu me Ligjin për mbrojtjen e lirisë fetare në vitin 1878.(9)
Mirëpo, qeveria serbe, me praktikën e saj politike në Kosovë dhe Maqedoni, pas luftërave ballkanike, ka bërë që shqiptarët jo vetëm të mos njiheshin kombëtarisht, por që të mos mund të shfrytëzonin as të drejta politike dhe as të drejta të tjera civile. Tashmë dihet mirëfilli se historia fatkeqe e popullit shqiptar në shtetin jugosllav, dhe para atij shteti në mbretërinë serbe, ka filluar me Luftën e Parë Ballkanike (1912), kur forcat ushtarake serbe pushtuan luginën e Kosovës dhe Prizrenin, ndërsa ushtria malazeze pushtoi Pejën dhe Gjakovën.(10)
Sheriati një trashëgimi e rëndësishme për botën
Një nga trashëgimitë më të rëndësishme që ia ka lënë Islami botës së civilizuar është e drejta e tij fetare - Sheriati. (Joseph Schacht)(11)
Vetëm përmendja e konceptit të ligjit të Sheriatit në vendin tonë shkakton konotacion negativ. Kjo temë është devalvuar përmes konsumit ditor politik dhe është bërë objekt i gazetave të shumta dhe i të folurit ideologjik. Islami ofron rrugëdalje nga çdo situatë dhe jep përgjigje për pyetjet para të cilave shkenca moderne mbetet e pafuqishme. Arsyeja për dobësinë aktuale të muslimanëve qëndron në largimin e tyre nga Islami dhe mosnjohja e parimeve të tij, që janë shpëtim për njerëzimin në çdo kohë.(12)
Esencën e Islamit nuk e përbën vetëm besimi dhe kryerja e obligimeve fetare, kjo ngase Islami është një sistem që i rregullon të gjitha aspektet e jetës, duke përfshirë edhe të drejtën. Për këtë arsye, popujt që e kanë pranuar Islamin e kanë pranuar edhe të drejtën islame si pjesë përbërëse të këtij sistemi. Ky realitet fetar dhe ligjor ka të bëjë edhe me periudhën osmane.(13)
Të gjithë dijetarët muslimanë pajtohen se Sheriati është i përshtatshëm për zbatim praktik në çdo kohë dhe vend. Ky është një fakt historik që e konfirmon shpallja hyjnore, historia dhe realiteti. Këtë e vërteton gjithsecili që ka njohur thesaret e Sheriatit, duke përfshirë juristët dhe dijetarët muslimanë, si dhe dijetarët objektivë jomyslimanë.(14)
Sheriati është në lidhje të ngushtë me Shpalljen. Sheriati gjendet në Shpalljen Hyjnore (d.m.th. në Kuran dhe Sunetpraktikën e Muhamedit a.s.). Thelbin e Sheriatit e përbëjnë urdhëresat e qarta të përfshira në Kur'an dhe Sunet. Rregullat konkrete të Kur'anit dhe Sunetit, të njohura me emrin e përbashkët nusus-e, që janë relativisht pak, përbëjnë thelbin e Sheriatit. Sheriati i përmban të gjitha udhëzimet që Allahu ia ka shpallur Muhamedit a.s. në lidhje me fenë, vlerat morale dhe dispozitat praktike ligjore. Sheriati në esencë paraqet një fakt mbihistorik.
Sheriati njihet përmes asaj që është dhënë autoritativisht (Kur'ani) dhe shënjimit të rrugës me shembullin e duhur (Suneti). Aftësia për t’i kuptuar këto burime dhe nxjerrja e konkluzioneve të mëtutjeshme nga ato quhet fikh (të kuptuarit e thellë). Imami Ebu Hanife fikhun e ka përkufizuar si: “Njohje e gjërave që janë në favor dhe disfavor të përsonit”.(15)
Ky kuptim, që në fillim ka qenë subjektiv (të kuptuarit personal të dijetarit), më vonë u strukturua në sistem, në një disiplinë që mësohet (fikh). Disiplina shkencore që merret me studimin, shpjegimin dhe përpunimin e Ligjit të pandryshueshëm islam është shkenca juridike e Islamit që quhet fikh.(16)
Sheriati përmban të drejtën, por edhe elemente morale dhe fetare, dhe kështu e tejkalon kuptimin e konceptit të shkencës së të drejtës (jurisprudencës), siç theksohet shpesh. Pra, nga Kur'ani dhe Sunneti rrjedh Sheriati - Sistemi moral dhe ligjor islam.(17)
Ai përmban jo vetëm të drejtën por edhe teologjinë dhe mësimin moral. Sheriati përmban dispozita të qarta mbi themelet e Islamit - për vlerat themelore dhe obligimet praktike, të tilla si namazi, agjërimi, zeqati, haxhi dhe aktivitete të tjera fetare.(18)
Begovi? sikure edhe dhe disa ulema të tjerë nuk bën dallimin mes sheriatit dhe fikhut. Sipas tij, me të drejtën e Sheriatit ne nënkuptojmë një sërë normash që rrjedhin nga Kur'ani e Suneti me metodën e të kuptuarit individual (ixhtihad), të objektivizuara dhe të ndërtuara në sistem, vëllimi i të cilit është i kufizuar në sferat që janë të rregulluara zakonisht me ligj.(19)
Leksikisht, Sheriat (a. shari’a, gjithashtu edhe shar', paskajorja fillestare) do të thotë: mënyrë, rrugë e drejtë deri te uji; shere'a - jeshre'u do të thotë: të shkohet rrugës; të njihen shtigjet; të ligjësohet. Sheriati në të vërtetë do të thotë shteg apo rrugë deri te uji, që është rruga drejt vetë burimit të jetës. Folja shere'a fjalë për fjalë do të thotë të shënuarit e kredos, të shënjohet qartë rruga për tek uji. Në përdorimin e saj fetar, duke filluar nga periudha më të hershme, kjo fjalë do të thotë rrugë e jetës së mirë, do të thotë vlera religjioze të shprehura në mënyrë funksionale dhe në terma konkretë, për të përmirësuar jetën e njeriut. Kryefjala shere'a tregon ose përcakton rrugën. Prandaj, ai që përcakton rrugën s’është askush tjetër përveç vetë Zotit që është burim i vlerave religjioze.(20)
Sheriati do të thotë në përgjithësi "rrugë e qartë që duhet të ndiqet", "rrugë në të cilën duhet të shkojnë besimtarët", do të thotë vetë "feja islame", kurse si një term teknik do të thotë "ligj fetar i Islamit", tërësi e urdhrave të Allahut.
Gjithashtu, si një shenjë treguese e dispozitës së veçantë hukm, shumësi i saj shara'i-ahkam mund të jetë sinonim i shari'a-s. Shari' mund të tregojë, si një term teknik, të Dërguarin a.s. si lajmëtar të Sheriatit, por më shpesh tregon Allahun si Ligjvënës.(21)
Dijetarët islamë konsiderojnë se Sheriati si ligj paraqet për jetën shpirtërore të njeriut po atë që paraqet uji për jetën fizike të trupit të tij. Në këtë mënyrë, Sheriati, në kuptimin e burimit të ujit, përshtatet plotësisht në semiotikën e këtij termi.(22)
Njeriu duhet t’i përmbahet Sheriatit, rrugës që ka caktuar Zoti, duke drejtuar jetën e tij sipas saj, në mënyrë që të realizojë vullnetin hyjnor.(23) Në këtë kuptim, ky term është përdorur në Kur'an në pesë vende.: “Pastaj Ne të vumë ty në një rrugë të drejtë të fesë, prandaj ti ndiqe atë e mos ndiq dëshirat e atyre që nuk dinë.” (El Xhathije, 18);
“…për secilin prej jush Ne caktuam ligj (shir’aten) e program (minhaxha )” (El Maide, 48). Definicionin e Sheriatit fakihët zakonisht e nxjerrin nga ajeti 18 i sures El Xhathije. Fjala Sheriat siç është thënë, mund të thotë edhe "burim i ujit", edhe pse në këtë kuptim përdoret shumë rrallë.(24)
Lidhja semantike ndërmjet Sheriatit, si një grup rregullash të vendosura për njerëzit nëpërmjet Kuranit dhe Sunetit të Muhamedit a.s. dhe rrugës përmes së cilës shkohet në burim, thekson bazën më të gjerë shpirtërore, fetare të këtij termi. Sikurse udhëtari që kënaq etjen dhe ndihet i lumtur kur pi ujë të pijshëm në burim, në të njëjtën mënyrë njeriu që i kryen dispozitat sheriatike e kënaq shpirtin e tij dhe ndihet i lumtur sepse ka bërë një punë me të cilën është i kënaqur edhe Krijuesi edhe ndërgjegjja e tij. Sikurse burimi që është shpëtim për jetën e njeriut, ashtu edhe Sheriati është shpëtim për mendjen dhe shpirtin e tij.(25)
Në aspektin terminologjik Sheriat do të thotë: atë që Allahu ka caktuar për robërit e Tij prej besimit, ritualeve, moralit dhe aktiviteteve sociale që rregullojnë aspekte të ndryshme të jetës me qëllim të realizimit të lumturisë njerëzore në këtë dhe në botën tjetër.(26)
Përdorimi terminologjik vjen nga disa ajete të Kur'anit: “Ai ju përcaktoi juve për fe atë që ia pat përcaktuar Nuhut dhe atë qe Ne ta shpallëm ty dhe atë me çka e patëm porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain. (I porositëm) ta praktikoni fenë e drejtë e mos të përçaheni në të…” (Esh Shura, 13).
Disa besojnë se Sheriati shënon thirrjen islame (davet) që kujdeset për moralin dhe për rregullimin e marrëdhënies mes njeriut dhe Krijuesit të tij, dhe se përtej kësaj nuk merret me çështje të tjera të jetës.(27) Në fakt, Sheriati është kodeks që rregullon jetën në tërësinë e saj.(28)
Sheriati është ligji i shpallur i Allahut, që definon marrëdhënien e njeriut me Zotin e Plotfuqishëm, marrëdhëniet midis njerëzve, si dhe marrëdhëniet e njeriut me natyrën. Zbatimi i Sheriatit është, në fakt, kthim i njeriut në burimin e tij. Sheriati është baza e besimit tonë. Është e pamundur që ai të anashkalohet. Islami pa Sheriat nuk do të ishte më Islam, sepse Sheriati është thelbi dhe esenca e Islamit.(29) Ai nuk është një sistem i thjeshtë ligjor, përkundrazi është një sistem i tërësishëm i ligjit dhe i moralit.(30)
E drejta islame ka për qëllim të rregullojë të gjitha aspektet e veprimtarisë njerëzore dhe jo vetëm ato që mund të shkaktojnë pasoja juridike. Në këtë mënyrë, të gjitha veprat dhe marrëdhëniet vlerësohen në përputhje me një shkallë prej pesë standardeve morale. Sipas Sheriatit, një vepër mund të klasifikohet si e detyrueshme (vaxhib), e rekomandueshme (mendub), e lejuar (mubah), e papëlqyeshme (mekruh) apo e ndaluar (haram).(31)
Një nga karakteristikat e Sheriatit është gjithëpërfshirja dhe universaliteti. Nuk ka asnjë çështje, as situatë në jetë, për të cilat e drejta islame nuk ka qëndrimin dhe zgjidhjen e vet. Sheriati përmban në të njëjtën mënyrë rregulla në lidhje me adhurimin, ritualet, politikën dhe (në kuptimin e ngushtë) normat ligjore, detajet e veshjes, mënyrat e përshëndetjes, sjelljen e të ngrënit dhe të folurit në dhomën e spitalit.(32)
Sheriati përfshin të gjitha format e sjelljes: shpirtërore, mendore dhe fizike. Ai përfshin besimin dhe praktikën: pranimi i një Zoti të vetëm dhe besimi tek Ai është pjesë integrale e Sheriatit, sikurse janë pjesë përbërëse obligimet fetare: namazi, agjërimi, etj. Për më tepër, të gjitha çështjet juridike dhe sociale, si dhe sjellja e përgjithshme personale, përfshihen nën Sheriat si një parim gjithëpërfshirës i mënyrës totale të jetës.(33)
Prandaj, në tekstet e Sheriatit gjenden dispozitat për adhurimin (ibadet), moralin dhe besimin, për veprat në kuptimin e tyre më të gjerë, duke përfshirë edhe rregullimin e marrëdhënieve në mes të njerëzve, qoftshin individë apo grupe.(34)
Kurani e konfirmon këtë: “Asgjë nuk kemi lënë pas dore nga Evidenca. Më në fund te Zoti i tyre do të tubohen.“ (El En’am, 38)
Sheriati, sipas Mevlana Islahit, e ka fillimin e tij me Hazreti Ademin, kurse me Muhamedin a.s. ka marrë formën e tij gjithtëpërfshirëse dhe përfundimtare. Në kohën mes këtyre dy pejgamberëve të Zotit, ka pasur disa ndryshime në këtë të drejtë, por parimet dhe vlerat themelore kanë mbetur të pandryshuara.(35)
Dispozitat e Sheriatit zbatohen për të gjithë muslimanët, edhe nëse ata jetojnë në tërësi të ndryshme shtetërore. E drejta islame zbatohet vetëm për muslimanët (parimi personal), kurse për jomuslimanët vetëm në rast se ata vetë kërkojnë një gjë të tillë. Rrjedha e kohës, teorikisht, nuk ndikon në qëndrimin e muslimanëve ndaj ligjit të Zotit.
Ligji i Zotit mbetet një burim i vazhdueshëm frymëzimi, një masë e sjelljes së besimtarit. Parimet e së drejtës islame dhe dispozitat e veçanta të procedurave gjyqësore, ofrojnë një bazë të gjerë për përdorim në kushtet moderne dhe garantojnë mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut edhe në veprimet penale (respektimin e të drejtave të të akuzuarit, të gjykuarit, të lënduarit, si dhe të drejtat e shoqërisë në tërësi).(36)
Zbatimi i së drejtës së Sheriatit, që nga fillimi i shtetit islam, ishte në duart e gjyqtarëve (kudat), të cilët rregullat e së drejtës materiale i kuptonin nga Kur'ani dhe Sunneti - burime të së drejtës sheriatike.(37)
E drejta e Sheriatit ështe aplikuar në botën islame nga fillimi i Islamit deri në shekullin e 13-të Hixhri, dhe në disa vende islamike vazhdon të zbatohet edhe sot. Orientalisti Santiljana ka mohuar zërat se e drejta arabe “si një e drejtë fetare” nuk është e aftë të zhvillohet.
Në bazë të faktit se juristët e “medhehbit maliki dhe shafi respektojnë rregullat të bazuara në zakone” ai ka nxjerr përfundimin se e drejta sheriatike është në gjendje për të ndjekur zhvillimin e shoqërisë.(38)
Duke u marrë me çështjen e Sheriatit, me aplikimin dhe ndikimin e tij tek ne, ne myslimanët duhet të marrin në konsideratë traditën tonë që të gjejmë zgjidhje që do të mundësojnë ruajtjen e identitetit tonë fetar.
Sqarimi i rregullave islame për kërkesat e muslimanëve është një temë e rëndësishme, por edhe e ndjeshme, sepse, si rezultat i interpretimit të gabuar dhe jo të saktë, shtrembërohet e vërteta e Sheriatit.
Bashkësia islame ka provuar të jetë shumë e përgjegjshme ndaj detyrave dhe misionit të saj. Institucioni i Bashkësisë Islame, myftinjtë, juristët dhe ulemaja islame kanë operuar në kushte shumë të vështira, por megjithatë ia kanë dalë të jenë në mbrojtjen e të drejtave të subjekteve të tyre.
_____________
1. Duka, Ferit, Historia e Shqipërisë, Kreu III, “Ndryshimet në strukturën fetare të popullit shqiptar, Përhapja e fesë islame (shek. XV-XIX)“, Tiranë 1983.
2. Rexhepagiqi, Jashar, Dervishët dhe teqetë në Kosovë, në Sanxhak dhe në rajonet tjera përreth, Dukagjini, Pejë, 2003, str. 91.
3. Bamja, Menduh, Pozita kushtetuese-juridike dhe faktike e bashkesive fetare në ish-Jugoslavi me vështrim të posaçëm të Bashkësisë islame, Prizren, 2009, str. 61.
4. Islam i Muslimani u Bosni i Hercegovini, Izdava?: Starješinstvo Islamske zajednice u SR Bosni i Hercegovini-Sarajevo, 1977, str. 19.
5. Shih: Popovci, Surja, Gra?anskopravni odnosi u zakoniku Leke Duka?ina, Priština, 1968.
6. Vejnshtejn, Zhil, Istorija Osmanskog carstva, redak. Rober Mantran, “Clio“, Beograd, 2002, str. 838.
7. Durmiševi?, Enes, Pravni položaj reisu-l-uleme od 1918-1930, Glasnik Rijaseta Islamske zajednice u Bosni i Hercegovini, broj 7-8, Juli-avgust, 1997, Sarajevo, str. 621.
8. Kar?i?, Fikret, Šerijatski sudovi u Jugoslaviji 1918-1941, Sarajevo, 1986, fq.49.
9. Salki?, Muhamed, Jugoslavenska politika prema Islamskoj zajednici, vidi: http://www.iitb.ba/upload/attachments/zbornik_radova_sa_simpozijuma_rJU.pdf
10. Hiti, Filip, Istorija Arapa, Sarajevo, 1988, fq. 643.
11. Schacht, Joseph, Islamsko vjersko pravo, Islamska misao, godina IV, broj 39, mart 1982, Džumadel-ula - Džumadel-uhra 1402, Sarajevo, 1982, fq.39.
12. El Kardavi, Jusuf, Šerijat i život, Zenica 2003, fq. 9.
13. Historija Osmanske države i civilizacije I, përgatiti: Ihsanoglu, E., Orijentalni institut u Sarajevu, Sarajevo, 2004, fq. 515.
14. El Kardavi, Jusuf, Islamsko pravo, Sarajevo, 1989, fq. 11.
15. Karaman, Hayreddin, Historia e të drejtës islame nga fillimi deri në kohën tonë, Logos A, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2014, fq. 24.
16. Karciq, Fikret, Studime për të drejtën e Sheriatit dhe institucionet, Logos A, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2015, fq. 114.
17. Hamid, Abdul Wahid, Islamizmi rruga e natyrshme, Istanbul, 1992, fq. 44.
18. Kamali, Mohammad Hashim, Zakon i društvo, Uporedna religijska prava, priredio: Kar?i?, Fikret, Sarajevo, 2005, fq. 74.
19. Begovi?, Mehmed, Šerijatsko bra?no pravo, Geca Kon, Beograd, 1936, str. 4, Sipas: Milan Andri?, Osnovi šerijatkog prava (s posebnim osvrtom na odnose izme?u polova prema bra?nim pravilima šerijatskog prava), Shih: http://www.ceir.co.rs/images/stories/rit_06/rit_6_osnovi_serijatskog_prava. pdf
20. Rahman, Fazlur, Duh islama, Izdava?ki zavod “Jugoslavija”-Izdava?ka organizacija “Prosveta”, Beograd, 1983, fq. 149.
21. Smailagi?, Nerkez, Leksikon islama, Svjetlost, Sarajevo, 1990, fq. 580.
22. Džananovi?, Ibrahim, Idžtihad u prva ?etiri stolje?a islama, Sarajevo, 1986, fq. 9.
23. Tarihut tešri’, përgatiti Ibrahim, Muhammed Jusri, Džida, 1425/2005, fq. 11.
24. Džananovi?, Ibrahim, Idžtihad u prva ?etiri stolje?a islama, op. cit., fq. 9.
25. Lati?, Džemalutin i Seid Smajki?, Šerijat i njegov današnji zna?aj za Bošnjake, Glasnik Rijaseta Islamske zajednice u Bosni i Hercegovini, broj 1-2, Januar-februar, 1997, Sarajevo, fq. 49.
26. El Katan, Mena Halil, Vudžub tahkim Eššerijatil islamijeh, Kairo, (pa vit botimi), fq. 9.
27. Zejdani, Abdul Kerim, Individi dhe shteti në Sheriatin islam, Prizren, 1421/2000, fq. 13.
28. Huršid, Ahmed, Porodi?ni život u islamu, Sarajevo, 1987, fq. 15.
29. Shih: Haredy, Mohsen, Abeceda islamskog prava (1. dio): http://www.islambosna.ba/forum/islambosna-vijesti-i-tekstovi-81/abecedaislamskog-prava-%281 dio%29/?wap2
30. Shih: Buljina, Halid, Islamska država, shih: Glasnik Rijaseta Islamske zajednice u Bosni i Hercegovini, broj 3-4, Mart-april, 1997, Sarajevo, fq. 204.
31. Safi, Louay M., Islamsko pravo i društvo, vidi: Religija i pravo, përgatiti: Kar?i?, Fikret, Fakultet islamskih nauka u Sarajevu, Sarajevo, 2004, fq. 114.
32. Schacht, Joseph, Islamsko vjersko pravo, Islamska misao, godina IV, broj 39, mart 1982, Džumadel-ula – Džumadel-uhra 1402, Sarajevo, fq. 38.
33. Rahman, Fazlur, Duh islama, op. cit., 1983, fq. 150.
34. Zejdani, Abdul Kerim, Individi dhe shteti në Sheriatin islam, op. cit., fq. 13.
35. Islahi, Amin Ahsan, shih: Šerijat, bilješke uz jedno novo djelo o islamskom pravu, Kar?i?, Fikret, Islamska misao, Godina IV, broj 44, Avgust, 1982, Sarajevo, fq. 49.
36. Bassiouni, M. Sherif, The Sources of Islamic Law, and the Protection of Human Rights in the Islamic Criminal Justice System, vidi: Kar?i?, Fikret, Univerzalnost islama, Islamska misao, godina V, broj 49, Januar 1983, Rebiul-evvel – Rebiul-ahir, 1403, Sarajevo, fq. 46.
37. Kazanovi?, Husein, Dvije kodifikacije šerijatskog porodi?nog prava, op. cit., fq. 9.
38. Muhammed, Muhammed Abdul Dževad, Razvoj zakonodavstva u islamskom svijetu s posebnim osvrtom na posljednji period osmanljiskog hilaheta, Islamska misao, godina VI, broj 61, januar 1984, Rebiul-evvel – Rebiulahir, 1404, fq. 26, shih fusnoten 24
Takvimi 2017