Objektivi final i agjërimit është devotshmëria, mirëqenia e njeriut dhe lumturia e tij në këtë dhe botën tjetër.
Muaji Ramazan është i dalluar nga muajt e tjerë. Allahu i Lartësuar e ka dalluar dhe e vlerësuar këtë muaj duke i dhënë disa veçori dhe specifika që nuk ua ka dhënë muajve tjerë. Për nga vlera dhe rëndësia, muaji Ramazan është i pazëvendësueshëm.
Mbi të gjitha, agjërimi i këtij muaji është obligim fetar; një nga pesë shtyllat e Islamit, dhe adhurim që bëhet vetëm për hir të Zotit, gjë që edhe nënkupton nënshtrimin ndaj Allahut dhe respektimin e ligjeve të Tij. Agjërimi është një institucion edukativo-moral, i cili synon edukimin fizik e shpirtëror të njeriut, ku e përgatit atë përballë sprovave me të cilat ballafaqohet në jetën e përditshme. Objektivi final i agjërimit është devotshmëria, mirëqenia e njeriut dhe lumturia e tij në këtë dhe botën tjetër.
Veçoritë dhe specifikat e muajit Ramazan janë të shumta dhe të llojllojshme. Ai, përveç tjerash, në vete ngërthen edhe ngjarjet dhe ndodhitë më madhështore në historinë e njerëzimit në përgjithësi, e në atë islame në veçanti. Sigurisht se nuk mjafton që nëpërmes një shkrimi simbolik të përmblidhen veçoritë e këtij muaji të bekuar, mirëpo do të mundohemi të përmendim disa nga ato, e prej tyre veçojmë:
Zbritja e Kuranit fisnik
S’ka dyshim se ajo që më së shumti e bën të veçohet muajin Ramazan është zbritja e Kuranit famëlartë, i cili do t’i ngjallë dhe ndriçojë zemrat pas një errësimi të thellë, dhe do t’i udhëzojë në rrugën e drejtë, duke i dhënë jetës kështu kuptimin e saj të vërtetë. Allahu i Lartësuar thotë: ”(Ato ditë të numëruara janë) Muaji Ramazan, që në të filloi të shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë, dhe Dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra).” (El Bekare, 185).
Leximi dhe studimi i Kuranit famëlartë në një shkallë më të theksuar dhe intenzitet më të lartë se zakonisht është një specifikë dhe karakteristikë tjetër e këtij muaji të bekuar, e që të gjithë myslimanët duhet ta kenë në konsideratë. Kjo në fakt është një praktikë, por edhe porosi që buron nga vetë Muhamedi a.s.
Xhibrili a.s. e takonte Pejgamberin a.s. çdo vit gjatë muajit Ramazan, kështu që çdo natë atij edhe ia mësonte Kuranin. Pejgamberi a.s lexonte, ndërsa Xhibrili a.s. dëgjonte dhe e mësonte. Ibni Abasi r.a. transmeton se: “Pejgamberi a.s. ishte njeriu më bujar, e bujaria e Tij shtohej edhe me shumë në Ramazan, kur takonte Xhibrilin a.s. Ai vinte për çdo natë Ramazani dhe ia mësonte Kuranin Pejgamberit a.s.”
Në një transmetin tjetër thuhet: “Kur e takonte Pejgamberi a.s. Xhibrilin a.s., ishte më bujari në vepra të hairit. Ai i ngjante erës që, sjell shiun” (Buhariu dhe Muslimi).(1)
Hapja e dyerve të Xhenetit, mbyllja e dyerve te xhehnemit dhe prangosja e djajve
Ebu Hurejra r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kur vjen Ramazani, hapen dyert e Xhenentit, mbyllen dyert e Zjarrit-Xhehenemit, dhe prangosen djajtë.” (Buhariu dhe Muslimi).
Në këtë muaj hapen dyert e Xhenetit, çelësat e të cilit janë veprat e mira dhe të sinqerta, e të cilat me anë të shumëfishimit të pakufishëm të tyre më lehtë se kurrë çojnë drejt dyerve të tij (Xhenetit). Në këtë muaj mbyllen dyert e Xhehnemit, gjë që nënkupton mundësinë e madhe të agjëruesit dhe lehtësimin e tij për t’u larguar nga mëkatet, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë shpirtëror e shoqëror. Largimi nga mëkatet rezulton me përfitimin e mëshirës dhe lirimin nga zjarri. Ai që lirohet nga zjarri, për të janë të mbyllura dyert e Xhehnemit.(2)
Në këtë muaj prangosen djajtë, sepse besimtarët janë të angazhuar me agjërim, lexim të Kuranit, përmendje të Allahut, pastaj veprojnë vetëm vepra të mira dhe flasin vetëm fjalë të mira. Dijetarët islamë thekso në: “Hapen dyert e Xhenetit për t’u shtuar shpresa dhe punët e mira, për t’u lidhur me të ambiciet, dhe për t’u mallëngjyer për të gjithë durimtarët. Mbyllen dyert e Xhehnemit për t’u nënçmuar djajtë, për t’u pakësuar mëkatet, për t’u ballafaquar veprat e këqija me veprat e mira, e të eleminohet rruga e zjarrit. Prangosen djajtë për t’u penguar nga dëmtimi dhe mashtrimi i besimtarëve.
Me prangosjen e djajve nuk do të thotë se e keqja nuk ekziston, dhe se njeriu nuk kryen mëkate. Sepse, përveç djajve ekzistojnë edhe faktorë tjerë që ndikojnë për të bërë vepra të këqija, si nefsi që urdhëron për të keq, mjedisi i keq dhe njerëzit e këqij. Është e vërtetë që djajtë e prangosur shkaktojnë dëme dhe nxisin për keq, por e keqja e tyre është shumë herë më e paktë dhe më e zvogëluar në krahasim me muajt e tjerë. Ai që agjëron me përkushtim të plotë duke u përmbajtur në kushtet dhe rregullat e agjërimit, ai e ka shmangur shejtanin nga vetja e tij.(3)
Pikërisht këto janë motivet kryesore që e nxisin mys limanin të jetë sa më pozitiv, dhe të përkushtohet sa më shumë në adhurim përgjatë këtij muaji të bekuar.
Beteja e Bedrit
Në muajin e bekuar Ramazan, përveç shumë ngjarjeve të rëndësishme ka ndodhur edhe Beteja e Bedrit, që është beteja e parë dhe më e rëndësishme në historinë islame. Në këtë muaj, me ndihmën e Allahut, myslimanët triumfuan në këtë betejë, e cila solli momentin vendimtar ndërmjet besimit dhe mohimit, lajthitjes dhe përudhjes, të keqes dhe të mirës, të vërtetës dhe gënjeshtrës, të drejtës dhe të padrejtës. Në këtë betejë myslimanët ishin me numër shumë më të vogël dhe me pregaditje shumë me të dobët sesa armiqtë e tyre. Aty, me lejen e Allahut, zbritën melekët për t’u dalë në ndihmë besimtarëve, dhe me ndihmën e Allahut myslimanët dolën fitimtarë ndaj mushrikëve të Mekës. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Allahu ju ndihmoi juve në Bedër, kur ju ishit pak në numër, e për të qenë mirënjohës kini frikë nga Zoti. Kur t’i u thoshe besimtarëve: “A nuk është mjaft për ju që Zoti juaj t’jua vazhdojë ndihmën me tre mijë engjëj të zbritur?” Po nëse jeni të qëndrueshëm e të matur, e ata (armiqtë) t’ju vijnë tash, në këtë moment, Zoti juaj jua vazhdon juve ndihmën me pesë mijë prej engjëjve të ushtruar (për luftë) ose të shënuar. E atë (ndihmë) Allahu nuk e bëri për tjetër por vetëm për t’ju gëzuar, dhe me të të qetësojë zemrat tuaja, përndryshe ndihma vjen vetëm prej Allahut, Ngadhënjyesit, të Urtit.” (Ali Imran, 123-126).
Çlirimi i Mekes
Në këtë muaj Allahu bëri të mundur edhe çlirimin e Mekes, me çka është siguruar fitorja e imanit dhe të vërtetës dhe me të cilën i Dërguari i Allahut e proklamoi politikën e dashurisë, paqes, tolerancës dhe pastërtisë. Kur Muhamedi a.s. dhe ushtarët e tij ngadhënjimtarë hynë në Mekë si çlirimtarë, në vendin ku ai dhe pasuesit e tij njëzet vjet me radhë pësuan tortura nga më të ndryshmet dhe u detyruan ta braktisin atë vend, ndonëse ai ishte i fuqishëm si një prijës, me butësinë dhe mirësinë e tij qëndroi pranë Qabesë, atëherë kur mijëra shpata të zhveshura pritnin hakmarrjen mbi kurejshitët-idhujtarët. Pikërisht atëherë Muhamedi a.s. i pyeti: “O kurejshë, ç’mendoni se do t’ju bëjmë juve sot?” Ata, duke e njohur shëmbëlltyren e Muhamedit a.s., panë mëshirën në sytë e tij dhe iu përgjigjën: “Ti je vëllai ynë i madh.” Atëherë, me një zë të ngrohtë dhe plot falje e mirësi, Muhamedi a.s., u tha: “Shkoni! Të gjithë jeni të lirë.”(4)
Më pas nga aty filloi ndriçimi i Islamit drejt Lindjes e Perëndimit. Allahu i Lartësuar e ndihmoi të Dërguarin e tij, dhe njerëzit filluan të hyjnë në Islam grupe-grupe. Më pas u thyen edhe idhujt. Pejgamberi a.s. arriti ta largojë shirkun dhe idhujt që gjendeshin në Mekë. Qabeja u shndërrua në shtëpi islame, dhe kështu vazhdoi përhapja e Islamit në çdo kënd të botës.(5)
Umreja në Ramazan ka shpërblimin e haxhit
Nga veçoritë e Ramazanit është se umreja në këtë muaj zë shpërblimin e haxhit. Vlera e umres është shumë e madhe në çdo kohë që ajo kryhet, mirëpo vlera e saj në Ramazan shumëfishohet dhe arrin shpërblimin e haxhit. Ibn Abasi r.a. tregon se Pejgamberi a.s. i tha një gruaje nga Ensarët: “Çfarë të ndaloi të bësh haxhin me ne? Tha: “Kishim një deve me të cilën bartnim ujë, mirëpo atë e mori filani dhe djali i tij, d.m.th. burri dhe djali i saj, e na la vetëm një deve me të cilën bartim ujë.” Pejgamberi a.s. i tha: “Kur të vjen muaji i Ramazanit, kryeje umren gjatë këtij muaji, sepse umreja në këtë muaj është sikurse haxhi.” Në një transmetim tjetër qëndron: “Umreja gjatë Ramazanit vlen sa haxhi me mua.” (Buhariu dhe Muslimi).
Këshilla e Pejgamberit a.s. drejtuar kësaj gruaje na e bën të ditur se umreja në Ramazan ka një vlerë të veçantë, pra ajo e ka shpërblimin pothuajse të njëjtë si shpërblimi i haxhit, porse nuk e zëvendëson farzin e haxhit, nuk e shlyen detyrimin e kryerjes së haxhit. Hadithi në fjalë tregon për vlerën e mëdha që ka ky muaj i bekuar, dhe si pasojë e vlerës së madhe të tij rritet vlera edhe e veprave dhe punëve të mira që kryhen në të. E s’ka dyshim se kjo është një nga begatitë e shumta të Allahut të Gjithëmëshirshëm për robërit e Tij.
Nata e Kadrit
Nga veçoritë e këtij muaji është edhe fakti se në të gjendet një natë e cila është më e vlefshme se një mijë muaj, e ajo është nata e begatshme e Kadrit. Në këtë natë Allahu i Lartësuar cakton të gjitha gjërat që do të ndodhin brenda një viti. Kush nuk e dallon këtë natë me adhurim, ka humbur begati të shumta. Thotë Pejgamberi a.s: “Në të (muajin Ramazan) është një natë më me vlerë se një mijë muaj, e ai që nuk e dallon (me lutje) atë veç ka humbur begatitë e saj.” (Ahmedi dhe Nesaiu).
S’ka dyshim se Nata e Kadrit është nata më e vlefshme dhe më e rëndësishme. Ajo konsiderohet njëra ndër dhuntitë më të mëdha për Ymetin mysliman. Vlera e kësaj nate është shumë e madhe, ndërsa begatia më e madhe e saj është se në të ka zbritur Kurani famëlartë. Në këtë natë zbresin engjëjt në qiellin e Dynjasë, në tokë, rreth njerëzve. Së bashku me ta zbret edhe Xhibrili a.s. Kjo natë është paqe, e sigurt dhe e qetë. Në këtë natë Allahu i Mëshirshëm i fal gabimet e mëparme të atyre që pendohen, qëndrojnë zgjuar, luten dhe falen gjatë natës, me besim dhe shpresë për ta fituar shpërblimin nga i Madhi Allah. Pejgamberi a.s. thotë: “Kush ngrihet (duke bërë adhurim) në Natën e Kadrit, me besim të plotë dhe vetllogari, i falen të gjitha mëkatet.” (Buhariu dhe Muslimi).(6)
Këto janë disa nga veçoritë e këtij muaji të bekaur. E s’ka dyshim se begatitë dhe mirësitë e këtij muaji të bekuar janë përtej asaj që mund të përshkruhen.
___________________
1. Dr. Sejjid bin Husejn El Afani, Nidau rr-rrejan fi fikhussevm ve fadl ramadan. Dar maxhid usejri-Xhideh pa vit botimi, f. 195.
2. Abdurrahman Hasen El-Mejdani, Es-sijam ve Ramadan fis-suneti vel-Kuran. Darul kalem-Dimeshk. Bot. 1. 1987. f. 149-150.
3. Po aty, f. 146-147.
4. Ebi Muhamed Abdul Melik Ibën Hisham, Es-siretu En-nebevijeh. Darul hadith, Bot. 1. 2004, Kairo, v. 4, f. 319.
5. Dr. Selman bin Fehd el Avde, Mexhalis Ramadanijetu. Darudh-dhehair, Bot. 1. 1427 h Rijad, f. 128-129.
6. Po aty, f. 201-202.