“E kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut,.. “. (El-Bekare, 196)
Myslimani, përmes namazit pesë herë në ditë, drejtohet me fytyrën e tij në drejtim të Qabesë në Mekë. Dhe kështu ai tërë jetën është i lidhur me Kiblen, e cila është simbol i ibadetit dhe xhamia e parë e vendosur në fytyrën e tokës, të cilën Allahu i Madhëruar e ka bërë vend ku do t’i bëhet ibadet dhe ku do të madhërohet Njëshmëria e Tij. Haxhi është njëra nga pesë shtyllat mbi të cilat mbështetet feja islame, është obligim i prerë për secilin mysliman që ka mundësi ta kryejë, është vepër me vlerë të madhe dhe vepër në të cilën ka shumë këshilla dhe mësime.(1) Një kategori e njerëzve, fatkeqësisht, kur flitet për Haxhin, mendojnë se kryerja e këtij obligimi është vetëm për pleqtë dhe ata që kanë bërë vepra të këqija. Kjo nuk qëndron fare dhe nuk ka bazë në rregullat e Haxhit. Njeriu (myslimani) të cilit Allahu xh.sh. i ka dhënë pasuri, duhet ta kryejë patjetër këtë obligim islam dhe nuk duhet ta lërë pas dore këtë ibadet, sepse dobitë dhe dhuratat që i fiton ai nga ky ibadet, janë të shumta, si: arritja e kënaqësisë së Allahut, falja e mëkateve, shpërblimi i madh për faljen e namazit në Qabe, që llogaritet sa 100.000 namaze në vende-xhami të tjera, namazi në Xhaminë e Pejgamberit a.s. që llogaritet sa 1000 namaze në vende-xhami të tjera, pastaj shpërblimi për Tavafin, Sa’jin, qëndrimin në Arefat e Muzdelife e shumë të tjera, që nuk mund të arrihen përveçse në këto vende.
A ka shtëpi më të madhërueshme në botë se ajo që quhet “BEJTULLAHI-L-HARAM “ ose në gjuhën shqipe “Shtëpia e Zotit”? Jo nuk ka.(2) ”Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekë), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin. Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit, dhe kush hyn në të, ai është i sigurt. Për hir të Allahut, vizita e Shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi të shkojë tek ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); Allahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që bëjnë) njerëzit”. (Ali Imran, 96-97) Pra, Qabeja në Mekë është Shtëpi e Zotit, muret e së cilës Ibrahimi a.s., me të birin e tij Ismailin a.s., me Urdhrin e Allahut të Madhëruar, i ngritën me ndihmën e melekut Xhibril a.s., që të jetë vendi ku do të mblidhen myslimanët për të adhuruar Krijuesin e Gjithësisë. Allahu xh.sh. këtë Tempull e mbrojti dhe e ruajti, e pastroi dhe e fisnikëroi, i zmbrapsi sulmet e mizorëve dhe sulmuesve nga ai Tempull. Në të janë të barabartë banorët e Mekës dhe të vendeve të tjera. Në të zbriti sigurinë e qetësinë dhe mbi të gjithë njerëzit që gjenden në të.
Urtësitë e Haxhit
Haxhi është adhurim ( ibadet ), i cili në vete ngërthen urtësi dhe dobi të shumta, si sosh fetare, historike, shoqërore, morale etj., e sa për ilustrim do të përmendim vetëm disa prej tyre. Haxhi është shkak për të shlyer gabime dhe mëkatet. Nëse vizita e Qabesë bëhet me nijetin e sinqertë dhe me pasurinë e fituar nga hallalli, është shkak dhe shpresë e madhe për shlyerjen e mëkateve të vogla. Në lidhje me këtë, Muhamedi a.s. ka thënë: “Kush e bën haxhxhin për hir të Allahut dhe nuk bën marrëdhënie intime me gruan (në kohë të haxhit), e nuk bën mëkate, kthehet i pastër si atë ditë që e ka lindur e ëma “.(3)
Ebu Hurejre tregon se Pejgamberi a.s. u pyet: “Cila vepër është më e mira? Tha: Besimi në Allahun dhe në të dërguarin e Tij. Pastaj cila? Tha: Xhihadi në rrugën e Allahut. Pastaj, cila? Tha: Haxhi i pranuar”.(4) Si dhe :”Umreja deri në umren tjetër i shlyen mëkatet që janë bërë në mes tyre, kurse Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveçse Xhennetin”.(5) Haxhi është shkak që i pastron shpirtrat e njerëzve, është ibadet i veçantë që lë gjurmë të pashlyera dhe fisnike në zemrat e tyre dhe i bën që t’i pranojnë me vendosmëri Urdhrat e Allahut xh.sh., kështu që i kthen në gjenezën e tyre të pastër, duke u falur mëkatet. Haxhi i mundëson besimtarit të përkujtojë historinë e Pejgamberit tonë të nderuar, vuajtjet e tij, kontributin, angazhimet e tij për përhapjen e fesë islame etj.. Në të njëjtën kohë ia kujton edhe të kaluarën e pejgamberëve të mëparshëm, dhe sidomos e në veçanti historinë e Ibrahimit a.s. dhe birit të tij, Ismailit a.s.. Haxhi ia mëson besimtarit parimin e durimit, dhe kështu e aftëson atë që të jetë i durueshëm edhe përballë problemeve në jetën e tij të përditshme. Haxhi është adhurim, përmes të cilit besimtari E falënderon shumë Allahun xh.sh. për begatitë e dhuruara. Gjithashtu prej dobive të Haxhit është se haxhinjtë njihen me vëllezërit e tyre nga mbarë bota, pa dallim race, gjuhe, pozite dhe vendi ku jetojnë. Haxhi ia mëson njeriut parimet e edukatës, se si duhet të jetë i sjellshëm, i moralshëm dhe i edukuar. Gjatë kohës së Haxhit haxhiu e ka të ndaluar të shajë, të këputë lule, gjethe, të shkatërrojë gjelbërimin aty, të thyejë drunj etj.(6) Haxhi paraqet manifestimin më të madh dhe më masiv vjetor të myslimanëve. Ky manifestim tërheq vëmendjen e mbarë Botës Islame. Mendimet, idetë dhe ndjenjat e tyre drejtohen nga ky vend. Ata që kanë mundësi për ta vizituar (Mekën e shenjtë, Qabenë), mezi presin të shkelin në Tokën e shenjtë, përderisa ata që s’kanë mundësi financiare, mbeten me shpirt dhe ndjenja të lidhura për vendet e shenjta dhe me shpresë të fortë se një ditë edhe ata do të kenë një fat të tillë. Nisur nga karakteri i tillë i gjithanshëm i Haxhit, myslimanët duhet ta shfrytëzojnë atë për të bërë reformë individuale dhe shoqërore, ta shfrytëzojnë për t’u pasuruar intelektualisht dhe shpirtërisht.
Karakteri reformues i haxhit
Haxhi, sikur edhe të gjitha ibadetet e tjera në Islam, ka karakter reformues të qenies së njeriut. Haxhi, me tërë aktet e veta, pastron shpirtin e njeriut nga veset e këqija dhe vetitë negative, të cilat e shëmtojnë personalitetin e tij. Kështu, gjatë Haxhit besimtari ka rast të mënjanojë shumë veti negative, sikur janë: egoizmi, koprracia, arroganca, mosdurimi, fyerja, mendjemadhësia; kurse, në anën tjetër, të pajiset me cilësi dhe virtyte të larta, sikur janë: durimi, qëndrueshmëria, falja, solidariteti me të tjerët, respekti i ndërsjellë, modestia, maturia, zemërgjerësia, bujaria, toleranca etj.. Kur shkojmë dhe kryejmë Haxhin, nuk lejohet të kuptojmë se po bëjmë vetëm një shëtitje në Shtëpinë e shenjtë dhe misioni ynë të përfundojë me kaq. Ne shkojmë atje për t’u vetëdijesuar se në rrugën e Zotit do të flijojmë edhe veten po edhe familjen tonë, dhe do të bëjmë çmos që Allahu të jetë i kënaqur me ne. I japim mesazh shejtanit të mallkuar se ai nuk do të ketë vend për asnjë çast të jetës sonë, të na mashtrojë e të na e ndryshojë mendjen rreth realizimit të Urdhrave të Zotit me përpikëri. Të gjitha këto i arrin në saje të bindjes së fortë të tij se ai, përderisa është në haxh, është mysafir i Allahut dhe natyrisht, si mysafir, duhet të lërë përshtypje të mirë, ngase nikoqiri do t’ia paguajë këtë me shpërblime të shumëfishta në të dy botët.
Haxhi është ibadeti i vetëm që lë gjurmë më të thella në jetën shpirtërore dhe fizike të besimtarit, edhe pse ai është një udhëtim i gjatë e i mundimshëm, megjithatë tërë kjo sakrificë e rëndë haxhiun nuk e bën atë të demoralizuar e të luhatur në kryerjen e tij. Prandaj, të vizitosh Mekën, vendlindjen e më të dashurit të Allahut, Muhamedit a.s., dhe Shtëpinë e Allahut - Qabenë, është një kënaqësi dhe lumturi e papërshkrueshme. Të jesh në mesin e haxhinjve nga të gjitha anët e botës, në afërsi të vendeve të shenjta, vende ku kanë lënë gjurmë të përhershme të dashurit e Allahut xh.sh., si: Ibrahimi, Ismaili dhe Muhamedi a.s., - është një privilegj i veçantë. Këtë privilegj Allahu e ka rezervuar vetëm për myslimanët, e jo për të tjerët. E lusim Allahun që të na bëjë prej atyre që e kryejnë këtë obligim, kurse atyre që nuk kanë mundësi për këtë, t’ua mundësojë që ta kryejnë këtë ibadet madhështor. Amin!
__________________
1) Dr.Mustafa Abdul Vahid. Personaliteti Islamik në dritën e Kur’anit. Përkthyes nga boshnjakishtja: Nixhar Bajram Hoti, 1996. Mitrovicë.
2) Vehbi Sulejman Gavoçi. Shtyllat e Islamit, Tiranë 1999, f. 293.
3) Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe. Libri 4. Përktheu Feti Mehdiu, 1994, Prishtinë, f.148.
4). Buahriu 2/553, nr: 1447; Muslimi 1/88, nr: 83
5) Buhariu 2/629, nr:1683. dhe Muslimi 2/983, ne:1349.
6) Pesë shtyllat e Fesë Islame. Shkup 1998. f.570.