Gjuha e Kuranit është ndryshe nga çdo gjuhë tjetër. Ajo i drejtohet masës, së pari si strukturë e jashtëzakonshme, e pastaj edhe si një formë që përmbush zemrën, të cilën e ka zbritur Ai që krijoi gjuhën dhe që i di fshehtësitë e saj. Deri vonë, egzegjeza përdorte stilistikën, në mënyrë që të gjente bazë racionale për ta argumentuar mbinatyrshmërinë e Kuranit. Mirëpo, sot, shumë pak myslimanë (vetëm të specializuarit e fushës) mund ta krahasojnë objektivisht ndonjë ajet kuranor me vargje të rimuara, sidomos të rimuara sipas periudhës para islame.
Kështu që, studiuesit e rinj, duhet që këtë kriter ta tejkalojnë duke hulumtuar në thesaret e këtij libri hyjnor, për ta argumentuar origjinën mbinatyrore të tij.
Malik ibën Nebij, thotë se aspekti letrar i Kuranit, i cili në sytë e egzegjetëve tradicionalë ishte objekt kryesor për studim, gjithnjë e më tepër e ka humbur rëndësinë e vet në kohën tonë, sepse më tepër është orientuar në aspektin shkencor se sa në atë letrar.(2) Apriori njihet fakti se, në mënyrë që në gjuhën arabe të vendosë mendimin e vet religjioz dhe nocionet monoteiste, Kurani doemos e ka tejkaluar kornizën klasike të letërsisë para islame. Në realitet, ai në literaturën arabe realizoi përmbysje të vërtetë, duke ndërtuar instrumentin teknik të shprehjes së tij. Nga një anë, ai e ka zëvendësuar vargun metrik me prozën ritmike, e nga ana tjetër, ka sjellë mendim të ri, duke vendosur nocione dhe tema të reja në mënyrë që të ndërlidhë kulturën para islamike me rrymën monoteiste. Por, nocionet e kësaj rryme nuk janë përkthyer thjesht në Kuran. Ai këto i ka adaptuar dhe asimiluar në kulturën arabe.
Kurani i drejtohet natyrës së njeriut me të gjitha indikacionet dhe frymëzimet të cilat janë të strukturuara në qenien e tij dhe në ekzistencën rreth tij, ai është mrekulli për njerëzimin.(3) Veçoritë e tij janë të shumta, prej tyre do ta përmendi një, që ka të bëjë me aspektin gjuhësor, e cila luan rol të madh në ndërtimin e diskursit të tij me tipare të theksuara siç janë gjithëpërfshirja dhe koherenca.
Gjuha e Kuranit lë gjurmë të pashlyera si nga ana figurative poetike, ashtu edhe nga forma dhe përmbajtja (kuptimi). Kjo edhe është veçantia e tij.
Përemri lidhor
Shumë kohë para Muhamedit a.s., arabët e kishin përsosur artin e tyre letrar dhe kishin arritur shkëlqim të veçantë në të. Aftësia e tyre për të prodhuar vepra me vlera të mëdha letrare ishte e pakrahasueshme me secilën kulturë dhe vend tjetër. Historia nuk njeh popull tjetër tek i cili fjala dhe bukuria e saj të kishte po kaq rëndësi dhe po kaq zhvillim,(4) siç ishin arabët.
Në këto rrethana ku bukuria e fjalës kishte kaq vlerë "erdhi" Muhamedi a.s. dhe filloi shpallja. Siç dihet, citatet kuranore kanë zbritur për shkaqe dhe rrethana të caktuara, mirëpo kuptimi i tyre mbeti valid edhe për ne sot, dhe do të jetë i tillë edhe për gjeneratat e ardhshme. Ndonëse një pjesë e citateve u janë drejtuar njerëzve apo grupeve të caktuara, mësimi - mesazhi i tyre i tejkalon personazhet, ndërsa pjesa dërmuese e citateve kuranore janë gjithëpërfshirëse.
Kjo si deklaratë tingëllon mirë, por si mund ta argu mentojmë? Këtë më së miri e argumenton fakti i përdorimit të përemrit lidhor në Kuran. Ky përemër (me të gjitha trajtat e tij) në Kuran përmendet 1446 herë, mesatarisht Kurani ka 600 faqe (varion sipas botimit), që i bie se në çdo faqe të tij, ky përemër përmendet 2 ose 3 herë (1446 ÷ 600 = 2.41).
Përmes kësaj qasje, pra duke vënë në qendër trajtimin e dukurisë - problematikës, e jo personazhet dhe çështjet në vetvete, diskursi kuranor ka arritur të jetë mbi kohën dhe individët. Këtë pretendim do të mundohem ta elaboroj shkurtimisht me dy shembuj:
Siç e dimë, ballafaqimin kryesor Pejgamberi a.s. e kishte me fisin Kurejsh. Ata për 23 vjet e përgënjeshtruan, izoluan, përjashtuan, luftuan, lidhën aleanca kundër tij dhe pasuesve të tij. Emri Kurejsh përmendet një herë të vetme në tërë Kuranin, bile edhe atë në kontekst pozitiv. Tërë ajetet e zbritura për ta u janë drejtuar duke përdorur përemrin lidhor si: "ata të cilët mohuan...", "ata të cilët të nxorën...", "ata të cilët bënë shirk...".
Kështu, pas afër 23 vjetësh, kur shumica e kurejshitëve pranuan Islamin, pas çlirimit të Mekës, dhe u rreshtuan në safë me Muhamedin a.s. asnjëherë nuk u ndjen ngushtë nga leximi i ajeteve kuranore, ndonëse shumë prej tyre (ajeteve në kontekst negativ) ishin zbritur për ta. Kurejshitët asnjëherë nuk ishin në siklet, ngase Kurani fliste për njerëz me cilësi të caktuara (që tanimë ata nuk i kishin) dhe s'kishin pse të ndiheshin ngushtë.
Kjo u realizua në mënyrë të mrekullueshme falë përdorimit të përemrit lidhor që i jep kuptim konceptit që pasqyron ngjarja, problemi, zgjidhja e jo individët.(5) Ky ishte shembulli i parë, ndërsa në shembullin e dytë, Allahu xh.sh. thotë: "Cili është më i mirë, ai që themelet e ndërtesës së vet i vë në përkushtimin ndaj Allahut dhe në kënaqësinë e Tij, apo ai që themelet e ndërtesës së vet i vë në bregun e gërryer dhe që rrokulliset me të në zjarrin e Xhehenemit?! Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin keqbërës." (Et Tevbe, 109).
Në këtë ajet, i Madhi Allah flet për dy xhami, për xhaminë e ndritur të Pejgamberit a.s. dhe për atë që njihet si "mesxhidu dirar" xhamia e sherrit. Kjo e fundit ishte një faltore të cilën e kishin ndërtuar hipokritët me iniciativën e Ebu Amirit, i cili ishte edhe i ftuar në solemnitetin e hapjes së saj.
Kjo ndodhi pas disfatës së idhujtarëve në betejën e Hunejnit, ku Ebu Amiri iku në Sham dhe ishte i vendosur dhe u betua se do të luftonte kundër Pejgamberit a.s. dhe prej atje porositi bashkëmendimtarët të përgatisin armë e të forcohen, dhe të ndërtojnë një faltore si vend tubimi, ndërsa ai do të shkonte te sunduesi bizantin, ku prej atje do të sillte ushtri për ta luftuar të Dërguarin a.s..
Hipokritët pasi ndërtuan xhaminë, shkuan te Pejgamberi a.s. dhe i thanë atij: "E ndërtuam për të dobëtit, për të sëmurët, për ndonjë natë të vështirë me shi, e kemi dëshirë të vish ti, të falësh në të e të na e bekosh." Pejgamberi a.s. u vesh, u përgatit të shkojë, mirëpo zbriti Xhibrili a.s. me këtë ajet: "Cili është më i mirë, ai që themelet e ndërtesës së vet i vë në përkushtimin ndaj Allahut dhe në kënaqësinë e Tij, apo ai që themelet e ndërtesës së vet i vë në bregun e gërryer dhe që rrokulliset me të në zjarrin e Xhehenemit?!
Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin keqbërës" (Et Tevbe, 109).
Ne sot, pas gjithë këtyre shekujve, në këtë ajet njihemi me dy xhami, e para që ishte ndërtuar për adhurim e bashkim, kurse tjetra për rrënim e përçarje. Allahu nuk i përmendi me emra këto dy xhami, nuk na ngarkoi me detaje, por përmendi veçoritë e tyre. Kështu ky ajet (si shumica e ajeteve) është gjithëpërfshirës dhe valid kuptimisht për çdo xhami, në çdo kohë dhe në çdo cep të botës. Varësisht qëllimit të ndërtimit, ajo ose do të jetë xhami "në përkushtimin ndaj Allahut dhe në kënaqësinë e Tij" ose "në bregun e gërryer dhe që rrokulliset me të në zjarrin e Xhehenemit".
Shembuj të tillë në Kuran hasim shumë shpesh (siç u potencua më lartë), shkaku i prezencës së përemrit lidhor në këtë masë, madje secila fjalë, ajet, faqe, e sure kuranore, pos vlerës dhe rëndësisë që ka si libër i shenjtë, ka vlerën dhe domethënien artistike dhe strukturore të ndërtimit të tekstit.
Do të doja që në vend të përfundimit të këtij shkrimi modest, ta sjell kritikën që dr. Mustafa Mahmud, i bënë temës që shtjelluam, pra, ai e sheh se stilistika e ndërtimit të Kuranit vazhdon të jetë argument që dëshmon superioritetin e fjalëve të Kuranit karshi çfarëdo fjale tjetër.
Ai thotë: "Kurani nuk është poezi, e as prozë. Ai është i strukturuar me një strukturë e posaçme të fjalëve, të cilat janë të radhitura në një mënyrë që me të e zbulon atë muzikalitetin e brendshëm të tij. Ekziston dallimi i madh ndërmjet muzikës së brendshme dhe asaj të jashtme. Si shembull të marrim vargjet e bukura të poetëve të shquar, ti i dëgjon, mallën gjehesh dhe dridhesh, por kjo muzikë është e jashtme. Këtë e ka përpiluar poeti me rimë të bukur, muzika këtu arrin të dëgjohet nga jashtë, e jo nga brenda, nga bukuria e rimës, nga metrika poetike, e nga përzgjedhja e fjalëve. Por kur e shqipton: وَالضَّحَى ، وَاللَّيْلِ إِذَا سَجَى "Pasha mëngjesin dhe natën kur qetësohet!", ti gjendesh para një rimimi hyjnor, metrikës poetike dhe rimimi të dyfishtë të pjesëve. Por, edhe përkundër kësaj, muzika gufon prej çdo shkronje. Prej nga? Në ç'mënyrë? Kjo është muzikë e brendshme, është njëra nga fshehtësitë e strukturës kuranore, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me strukturën letrare. Çdo shprehje, vetë për veten e saj paraqet vepër melodike, prej së cilës shpërthen muzika nga brenda, nga vetë fjalët, ndërmjet fjalëve, pas fjalëve, në mënyrë të habitshme, kështu që fare nuk e di se si mbaroi kjo."(6)
________________________________
* Përemrat lidhorë janë përemrat me të cilët i referohemi një fjale a një fjalie të tërë. Ata zënë vendin e një grupi emëror ose të një përemri dhe shërbejnë për të lidhur dy pjesë të një fjalie të përbërë. P.sh. Në klasë dukeshin nxënsit që lexonin. Përemrat lidhorë në gjuhën shqipe janë: që, i cili, e cila, të cilët etj.
2. Malik ibën Nebij (1996), Fenomeni Kuranor, Agora, Mitrovicë, P. 127-131.
3. Sejjid Kutub, Shenja në rrugë, (Shkup P, 2002), f 24.
4. Ismail Faruku, Mrekullia gjuhësore e Kuranit, (Prishtinë, 2010).
5. Ebu Zejd el Idrisij. El-Ismu-l mevsul edatun litahlidi-l Kur'an. Shih online: (parë për herë të fundit më: 12.01.2022).
6. Mustafa Mahmud, Kurani, përpjekje për të kuptuarit bashkëkohor, (Mitrovicë, Agora, 1997) f. 6-7
Shkelzen Hoxha
Dituria Islame 386-387