Islami ndalon konsumimin e alkoolit, që do të thotë se afërsisht një e katërta e planetit nuk e njeh shijen e uiskit. Megjithatë, një kompani amerikane mendon se të gjithë duhet të njohin shijen e uiskit, edhe nëse kjo do të thotë se nga përbërja e tij duhet të hiqet i tërë alkooli.
ArKay është uiski i pari pa alkool në botë, apo më mirë të themi pije me shije të uiskit që ka marrë certifikimin Hallall, e që do të thotë se nuk ka asnjë gjurmë të alkoolit dhe se muslimanëve u lejohet ta përdorin.
Kompanisë amerikane ‘Arkay Beverages’ i janë nevojitur pesë vite të vijnë deri te shija dhe aroma e pasur që i përgjigjet uiskit, e që edhe më tej të mbetet lëng i pastër. Kjo pije do të gjendet në dy paketime: në shishe qelqi një litërdhe dhe në kanaçe, ndërsa për dizajnimin e tyre i është kushtuar vëmendje ngjyrave që i përgjigjen botës arabe: e gjelbër dhe ngjyrë ari.
Projektuesit e kësaj pije pretendojnë se uiski i tillë është për personat të cilët nuk e konsumojnë alkoolin për shkak të besimeve fetare, për arsye shëndetësore dhe të tjera.
"Arkay është këtu që të gjithë të kënaqen me te", thonë zyrtarët e kompanisë, edhe pse nuk është e qartë pse dikush që nuk e pinë apo nuk e do alkoolin do ta përdor Arkayn.
Me seli në Florida, kompania Arkay Beverages momentalisht është në kërkim të distributorëve për Shtete të Bashkuara, por edhe për pjesët tjera të botës. Produkti i tyre është vetëm një nga shumë produkte që u dedikohen muslimanëve në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë të cilët blejnë produkte të miratuara me certifikata hallall. Në Amerikë, vend ku jetonte mes gjashtë dhe tetë milionë muslimanë, ky treg paraqet një mundësi reale për ide të mira dhe zhvillim të shpejtë, prandaj edhe kompania Arkay përpiqet të hyjë në këtë treg.