Ulemaja shqiptare, e vetëdijshme për peshën që kishte mbi vete, dhe duke parë rrethanat e reja që tash e tutje nuk i lejonin që të vazhdonin të ishin të lidhur me qendrën në Tiranë, me qëllim që të ruante mëvetësinë, filloi të riorganizohej institucionalisht.
Përveç konsolidimit dhe strukturimit të BI-së në Kosovë, prijësit myslimanë shqiptarë, një rëndësi të veçantë i kushtuan edhe themelimit të institucioneve arsimore e kulturore në kuadër të BI-së, si nevojë e domosdoshme për funksionimin normal dhe ngritjen e saj në nivel të përgjegjësisë dhe misionit. Kështu, më 1951, në Prishtinë hapin Medresenë, që asokohe ishte institucioni i vetëm arsimor fetar islam në gjuhën shqipe, ndërsa në fillim të viteve të 70-ta, të shekullit të kaluar, po në Prishtinë, nis botimi i periodikut të Bashkësisë Islame në gjuhën shqipe "Takvimi" (1970) dhe "Edukata Islame"(1971).
Revista "Edukata Islame", që nga numri i parë i saj, rreth vetës mblodhi, si të thuash, elitën e ulemave të Kosovës e me gjerë, të cilët gjetën hapësirën e duhur për të shprehur, avancuar e krijuar vlerat e njohuritë e marra, qoftë nga ulemaja e njohur, qoftë në medresetë e institucionet e tjera arsimore. Tek "Edukata Islame", gjejmë pothuajse në çdo numër ajete, e shpeshherë edhe sure, të përkthyera e të komentuara në gjuhën shqipe. Kjo sikur u dha krah ulemave të Kosovës (ndërsa në këtë drejtim u printe H. Sherif ef. Ahmeti, i cili ishte edhe drejtues i revistës), që të mendonin më seriozisht për t' i hyrë përkthimit të Kuranit.
Sa për ilustrim, po përmendim disa nga suret që ishin përkthyer komplet në gjuhën shqipe në revistën "Edukata Islame" të shoqëruara me një tefsir tematik: Surja "Vel Asri”(1), surja "Fatiha"(2), surja "Ihlas"(3), surja "Kevther"(4), surja "Felek"(5), surja "El-Kadër"(6), surja "Zilzal"(7)etj., ndërsa nga ajetet do të përmendim: "Inned-dine indall-llahil islam", përkatësisht ajeti i 19 i sures "Ali Imran"(8), ajetet 56-58 të sures "Edh-Dharijat"(9), ajeti i 183-të i sures "El-Bekare" (obligimi Ramazanit)(10)etj.
Për më tepër, kjo revistë në vitet e 80-ta, nisi të botonte të përkthyera suret e para të Kuranit. Kjo u bë, për ta përgatitur e njoftuar opinion e gjerë se puna për përkthimin e Kuranit tashmë kishte marrë rrugë, formë e trajtë.(11) Kështu nga numri i 35-36/1981, në revistë nisi të botohej e përkthyer në gjuhën shqipe surja "El Bekare". Botimi i përkthimit të sures "EI-Bekare"(12) u realizua në pesë vazhdime(13). Përveç sures "El-Bekare", në "Edukata islame" është dhënë e përkthyer edhe surja "Ali Imran"(14) në katër vazhdime.(15)
Në këto rrethana, qarku i ulemave të Kosovës, të përqendruar në Prishtinë, - e cila në vitet 70, përveçse ishte qendër e rëndësishme administrative, qe shndërruar edhe në një qendër të rëndësishme kulturore, arsimore, e universitare, - i dhanë këtij qyteti edhe karakterin e një qendre të rëndësishme për kulturën islame. Kështu, më 1985, Kryesia e BI të Kosovës pati fatin e mirë dhe privilegjin e madh që arriti ta përmbushte një mision sa të rëndësishëm aq edhe sfidues. Ajo botoi Kuranin e përkthyer nga Feti Mehdiu,(16) me çka e bëri shqipen gjuhë që e njeh Kuranin dhe ua ofroi besimtarëve e opinionit shqipfolës Kuranin në gjuhën e tyre.
Mirëpo, jo vetëm kaq, ngase vetëm tri vjet më vonë, po në Prishtinë, botohen edhe dy përkthime të Kuranit, përkthimi i H. Sherif Ahmetit(17) dhe ai i Hasan ef. Nahit.(18)
Kështu, në harkun kohor prej 3 vjetëve (1985-1988), qarku i ulemave të Kosovës arriti të botonte tri versione të përkthimit të Kuranit, duke bërë kështu realitet idenë dhe projektin e kamotshëm të ulemave shqiptarë për ta pasur Kuranin në gjuhën e tyre.
Me një fjalë, atë që e nisën dhe e projektuan Qafëzezi, Korça, Dalliu, po edhe shumë të tjerë para dhe pas tyre, e bëri realitet brezi i ulemave të Kosovës, përkatësisht profesor F. Mehdiu, haxhi Sh. Ahmeti e myderriz H. Nahi.
Duhet thënë edhe këtë, që në këtë rrafsh një rol të rëndësishëm ka dhënë Medreseja "Alaudin", sepse përkthyesit e Kuranit, që të tre, kanë qenë pjesë e Medresesë: h. Sherif ef. Ahmeti e Hasan ef. Nahi myderriz të shquar në medrese, ndërsa profesor Feti Mehdiu, nxënës i tyre dhe i diplomuar në gjeneratën e parë të kësaj medreseje.
Gjithashtu, edhe bashkëpunëtorët e tjerë në realizimin dhe finalizimin e këtyre përkthimeve, si redaktorët profesionalë, recensentët, redaktorët gjuhësorë etj., i përkasin qarkut kulturor të Kosovës.
IV.
Si përfundim, nisma dhe realizimi i finalizimit të përkthimit të Kuranit me botim, po që se vështrohet me kujdes, ka të njëjtin fat si të popullit dhe trojeve shqiptare. Kur shqiptarët arritën të krijojnë rrethana për shtet, krijuan institucione, krijuan kuadrot përkatëse, treguan afinitet, dëshirë e potencë për të realizuar edhe projekte të mëdha kombëtare e fetare. I kësaj rëndësie është edhe për kthimi dhe botimi i Kuranit në gjuhën shqipe. Zaten, këtë e vë në dukje edhe rilindësi, Ilo Mitko Qafëzezi, në parathënien e përkthimit të tij, për ta ripërsëritur e fuqizuar edhe myderriz Hasan Nahi, i cili në parathënin e përkthimit, thotë: "Është detyrë e çdo dijetari për ta përkthyer Kuranin në gjuhën e vet".
Literatura:
1. Filip Hiti, Istoria arapa, Sarajevo 1973;
2. Dr. Hasan Kaleshi, Kurani kryevepër e letërsisë arabe, "Edukata Islame", nr 31-32/1981, Prishtinë 1981;
3. Kurani (këndimi) përkthyer shqip prej I.M.Q. Edicieje e parë, shtypur Ploeshti-Rumani 1921;
4. Kuran i, përktheu Feti Mehdiu, Prishtinë 1985;
5. Kurani përkthim me komentim, përktheu dhe komentoi H. Sherif Ahmeti, botoi: Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës për RSS, Prishtinë 1988;
6. Kurani i Madhërur, përktheu: prof Hasan I. Nahi, Prishtinë 1988;
7. Sadik Bega, Hafëz Ali Korça, pasqyrë atdhetarizmi për brezin e ri; "Kultura Islame", nr. 3-4 Tiranë 1941;
8. Ali Musa Basha, Përkthime t e hershme të Kuranit dhe kritikat për to, "Drita Islame", nr. 23-24, Tiranë 1996;
9. Ramadan Shkodra, Nga Historiku i përkthimeve të Kuranit në gjuhën shqipe, "Edukata Islame", nr. 61-62 Prishtinë 1997.
(1) "Edukata Islame", nr. 2/1971, f. 3-9.
(2) "Edukata Islame", nr. 3/ 1971, f. 8-16.
(3) "Edukata Islame", nr. 5/1972, f. 3-9.
(4) "Edukata Islame", nr. 15-16/1976, f. 3-5.
(5) "Edukata Islame", nr 22/1978, f. 3-7.
(6) "Edukata Islame", nr. 27/1980, f. 3-9.
(7) "Edukata Islame", nr. 41-42/1985, f. 3-11.
(8) "Edukata Islame", nr. 4/1972, f. 3-8.
(9) "Edukata Islame", nr. 9-10/1974, f. 3-8.
(10) "Edukata Islame", nr. 14/1975, f. 7-10.
(11) Shih: "Edukata Islame" nr 31-32/1981, fq. 10-18 , ku është dhënë e përkthyer në gjuhën shqipe, Kaptina e XXVI, [Suratu ash-Shuara (Poetët)]. (12) Shih: "Edukata Islame" nr. 35-36/1982, f. 57-70.
(13) "Edukata Islame" nr. 41-42/1985, f. 60-78.
(14) Shih"Edukata Islame", nr. 43/1985, f. 10-21.
(15) Shih: "Edukata Islame", nr. 48-49/1987, f. 13-22.
(16) Shih: Kurani, përktheu: Feti Mehdiu, botoi: Kryesia a Bashkësisë Islame për RSS, Prishtinë 1985.
(17) Shih: Kurani - përkthim me komentim, përktheu dhe komentoi H. Sherif Ahmeti, botoi: Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës për RSS, Prishtinë 1988.
(18) Shih: Kurani i Madhëruar, përktheu: prof. Hasan I.Nahi, Prishtinë 1988.
Ramadan Shkodra