Përkushtimi ndaj Allahut eviton rrezikun në shpellën Rrekim
Ngjarja e shërbëtorit
Ja, kështu i pari në këtë tregim është tregimi për djersën e punëtorit, të cilin e kishte marrë për punë dhe shërbim. Me të vërtetë është një ndodhi e çuditshme dhe e veçantë, rrëfen për njeriun në të cilin ka edhe të mira edhe të këqija. Punëtori a shërbëtori në këtë tregim paraqitet si njeri lakmues dhe ziliqar. Ua kishte zili njerëzve për atë që u kishte dhuruar Allahu. Kur e pa se personi tjetër për gjysmë dite po merrte sa ai për tërë ditën, nga zilia dhe hidhërimi largohet pa marrë fitimin e tij të ditës. Ky hidhërim dhe kjo zili e bëri atë të mos kthehej për të punuar tek pronari i tij.
Sikur të mendonte pak më mirë, ai nuk do të kishte arsye për të xhelozuar pse pronari po i jepte punëtorit më të mirë, më ekspert dhe më të shkathët vlerë më të madhe. Kështu shërbëtori, pas një kohe të gjatë, pasi kishin kaluar shumë vite, e pronari i tij me paratë e atij punëtori kishte blerë lope dhe ruajtës të tyre, deve dhe ruajtës të tyre, dele dhe ruajtës të tyre, e krejt kjo nuk ishte bërë për pak vite, por për një kohë shumë të gjatë, ai po kthehej tek pronari i tij i hidhëruar duke protestuar dhe i kërkonte hakun e punës që kishte bërë për një ditë. Meqenëse ishte kohë e gjatë, dhe tek pronari kishin kaluar shumë shërbëtorë dhe punëtorë, ai kishte mundësi ta injoronte dhe ta refuzonte ish-shërbëtorin.
Po ashtu, sikur pronari t’i jepte vetëm vlerën e punës që kishte bërë, do të ishte një gjë e bukur dhe kjo ishte shenjë e besnikërisë dhe korrektësisë së tij karshi shërbëtorit. Mirëpo në këtë rast Allahu i kishte vënë në sprovë devotshmërinë e tij në zemër. Ai pronari e dinte se, përmes vlerës së mbetur të shërbëtorit, kishte rritur pasurinë dhe kishte blerë lopë, deve, dele dhe ruajtës të tyre. Këtu është një sprovë e madhe për egoizmin dhe koprracinë në pasuri. Edhe shërbëtori ishte i kënaqur të merrte vetëm vlerën e punës njëditore, për të cilën shpresonte pak që do ta merrte pas një kohe aq të gjatë.
Kjo shihet edhe nga gjuha e tij kur e kërkoi duke thënë: “O rob i Allahut, më jep hakun që më takon (të drejtën time)”. Në një version tjetër tha: “Ki frikë Allahun, mos më bëj padrejtësi, më jep të drejtën time”.
Ajo që më së shumti mendonte ishte që pronari t’i jepte vlerën e ditës që kishte punuar... Por, shërbëtori u shtang dhe mbeti i befasuar kur i tha: “Shko te ato lope dhe ruajtësit e tyre merri se tuat janë”. Ky i tha: “A me mua po tallesh?” Në një version tjetër thuhet:“Krejt çka po sheh prej deveve, lopëve, deleve dhe shërbëtorëve janë nga vlera (pasuria) jote. Ky i tha: “O Abdullah, mos u tall me mua!”
Të gjitha këto transmetime tregojnë për habitjen, befasinë, çudinë e shërbëtorit, kur këto fjalë i dëgjoi nga ish-pronari i tij, përderisa ky mendonte vazhdimisht se ishte duke u tallur me të, se nuk do t’i jepte të paktën as vlerën e punës. Krejt kjo ishte një habi e madhe për shërbëtorin, andaj nuk është për t’u çuditur kur iu drejtua pronarit me fjalët “a po tallesh ti me mua”?!
Dyshimi ishte i pranishëm, sepse si mund t’i merrte krejt ato lopë, deve, dele vetëm nga ajo vlerë e pakët e punës njëditore. Po pronari ishte njeri fisnik, i drejtë, besnik, kishte frikë Allahun dhe iu drejtua me fjalët: “Unë nuk po tallem me ty, por kjo është jotja”. Unë nuk dua nga njerëzit shpërblim e as falënderim, këtë shpërblim e pres në një ditë të vështirë e tmerruese vetëm nga Krijuesi Fuqiplotë. E pres në Ditën kur nga fytyrat disa zbardhen e disa nxihen, në Ditën kur nëna e hedh nga gjiri fëmijën e saj, kur çdo grua e lind barrën para kohe... Pronari nuk pranon t’i thuhej ti je njeriu i mire për këtë që më dhurove... po thotë se këtë pasuri e kam pasur emanet, e kam mbrojtur, e kam ruajtur, e kam rritur dhe e kam kthyer tek pronari i saj dhe për mua mjafton kaq. Ky është emaneti i vërtetë dhe i sinqertë, emanet për të cilin jemi të thirrur, por kjo është një mirësi që kujt të dojë, ia jep Allahu, e kjo është mirësi e madhe.
Ngjarja e bamirësit ndaj prindërve
Personi i dytë në shpellë ishte respektuesi i prindërve, një nga tre protagonistët shembull që, për pretekst për t’u hapur porta e shpellës, përdorën lutjen për veprën më të mirë që kishin bërë në jetën e tyre, vetëm për të përfituar kënaqësinë e vërtetë të Allahut Fuqiplotë.
Lutjen e tij po e bënte me fjalët: “O Allah! Ti e di se kisha prindër të moshuar, të cilëve unë u jepja gjithnjë qumësht nga delet e mia çdo natë. Një natë unë u vonova dhe, kur erdha, ata kishin rënë në gjumë, ndërsa gruaja dhe fëmijët po qanin nga uria, unë nuk i lashë ata (familjen time) të pinin derisa të kishin pirë më pare prindërit e mi. Unë vazhdova të prisja (që të zgjoheshin nga gjumi) derisa zbardhi mëngjesi. O Allah! Nëse Ti e di se unë e bëra këtë vepër nga frika prej Teje, atëherë, të lutem, largoje shkëmbin”. Kështu shkëmbi u tërhoq aq sa ata mund të shihnin qiellin”.
Ky tregim është mjaft rrëqethës dhe me ndikim në shpirt, e personi që lë mbresa, është një çoban – bari delesh. Ky shumicën e kohës, nga mëngjesi deri në mbrëmje, e kalonte duke bredhur me kopenë e vet here në një kodër e herë në një tjetër për të gjetur kullosa të mira për tufën e deleve. Ai ishte përgjegjës i tufës së tij, atë duhej ta ruante me vëmendjen më të plotë të mundshme, ai i ruante dhe i drejtonte. Krejt bagëtia shkonin pas tij njëra pas tjetër, ai i mjekonte nga sëmundjet, u largonte dëmet dhe të këqijat. Ai i kërkonte dhe i dërgonte atje ku kishte me bollëk kullosa dhe ujë, pavarësisht se mund të ishin larg.
Bariu një ditë prej ditësh, në një mëngjes herët kishte dalë me kopenë e tij, kur papritmas pa se kullosat i kishin kullotur bagëtitë e barinjve të tjerë, dhe u detyra të merrte kopenë dhe ta dërgonte më larg, që ta ushqente kopenë e tij mirë.
Këtë e tregon versioni i hadithit: “Vërtet një ditë kullosa ime ishte larg dhe nuk arrita të kthehesha derisa më zuri nata”.(1)
Për këtë arsye u vonua për në shtëpi. Në tregim ai është një hero i vërtetë, me plot përgjegjësi, i ruajti delet, kopenë e tij, duke dhënë në maksimum kontributin e tij. Prej parimeve të tij ishte edhe zotimi për t’u kujdesur për prindërit e tij të moshuar me plot respect dhe dinjitet karshi tyre. I jepte rëndësi kujdesit të prindërve më tepër se kujdesit familjar, fëmijëve dhe gruas. Këtë e bënte duke pranuar rolin dhe meritat që kanë prindërit ndaj anëtarëve të tjerë të familjes.
Për çdo natë, kur kthehej nga bagëtia, shpejtonte t’u jepte qumështin e deleve së pari prindërve e pastaj, aq sa mbetej, fëmijëve dhe gruas. Një natë ishte kthyer në shtëpi vonë, dhe prindërit kishin fjetur pa e pirë qumështin që ishte traditë dhe parim i tij. Pikërisht në atë vonesë fillon konflikti në disa drejtime, në brendësinë e bariut dhe në anën e jashtme të tij. Në brendësi po e preokuponte pse nuk arriti t’u jepte qumësht prindërve, ndërsa në anën e jashtme fëmijët dhe gruaja shiheshin duke qarë nga dhimbja e urisë.
Vërtet një luftë pa kompromis për të dy anët. Nga ana prindërore dhe nga ana e fëmijëve. Njeriu në veten e tij ka ndjenjën, instinktin, epshin, animin, dëshirën si dhe atë që Allahu xh.sh. i ka dhënë nga besimi, mendja, natyranjerëzore dhe hyjnore. Krejt këto bëjnë qëlufta e brendshme të jetë edhe më e rreptë dhe më e vështirë se lufta e jashtme. Këtë luftë me fjalë precise dhe të sakta na e ka ilustruar hadithi, ku përshkruan kundërthënien e ndjenjës prindërore me ndjenjën e fëmijëve. Kjo luftë u bë edhe më e rreptë në mes përgjigjes detyruese ndaj prindërve, ku shfaqet kujdesi për shkak të moshës së shtyrë, bamirësia me të mirë në fjalë dhe qëndrime, dhe në mes anshmërisë natyrore nga fëmijët që qanin tek këmbët e tij, sikur të ishin zogj të vegjël pa përkujdesje, e në mes gruas, e cila i shihte fëmijët me sy dhe i dëgjonte me veshë tek bërtisnin nga dhimbjet e urisë, vrasëse për shpirtin. Krejt kjo bën që lufta të jetë e tmerrshme dhe e çuditshme. Kjo ngjarje na ilustrohet me shprehje dhe fjalë, që në të vërtetë janë të mangëta, të pamjaftueshme për të përshkuar atë gjendje të vështirë të bariut në mes kujdesit prindëror, dashurisë së fëmijëve dhe përkujdesjes ndaj gruas.
Kështu, me fjalë dhe shkronja është e pamundshme të përshkruhet gjendja e shpirtit dhe zemrës në ato caste të mbrëmjes. Për ta përshkruar krejt këtë situatë, duhej formuar një ekip i gjerë artistësh, piktorësh, fotografësh e regjisorësh për t’i dhënë hakun ndodhisë së bariut në familje. Po, njeriu i do prindërit, i respekton dhe kujdeset më tepër sesa ka mundësi, por ai këtë e bën sepse e ndien detyrim dhe është i ngarkuar për t’u kujdesur, e
jo sepse ka vullnet, joshje apo dëshirë të flaktë. Ndërsa për kujdesin e fëmijëve ka vullnet, dashuri dhe gëzim.
Disa njerëz thonë që unë kujdesem ndaj prindërve, sepse ata janë kujdesur kur isha fëmijë. Po, por ti këtë e bën duke menduar se një ditë do të vdes e të jem unë i kujdesshëm. Në mendimin tënd vazhdimisht sillet vdekja, ndërsa kujdesin ndaj fëmijëve prindi e ka bërë për t’u rritur, zhvilluar, arsimuar dhe për të përparuar sa më shumë.
Disa njerëz thonë që ne i duam më shumë fëmijët tanë sesa ata na duan ne. Përgjigjja është se fëmijët janë pjesë e mishit tonë e ne nuk jemi pjesë e mishit të tyre.
Mu për këtë arsye, Allahu xh.sh. i ka porositur fëmijët për kujdes ndaj prindërve në shumë vargje të Kuranit, e në veçanti kur prindërit të jenë në moshë të shtyrë, e nuk i ka porositur prindërit të kujdesen për fëmijët, duke u bazuar në faktin se dashuria ndaj fëmijëveështë ndjenjë natyrore, instiktive, që nuk ka nevojë për përkujtim, inkurajim dhe frikësim.
Nga kjo mund ta kuptojmë atë luftë të tmerrshme që zhvilloi bariu në mes anës prindërore dhe ndjenjës natyrore ndaj fëmijëve. Dhe, në fund, heroi arrin të mposhtë ndjenjën natyrore ndaj fëmijëve për një vepër më kulmore, që është bamirësia ndaj prindërve. Këtë vepër bariu e kishte bërë vetëm për hir të Allahut, prandaj edhe erdhi momenti të shpërblehej në shpellë, që kjo vepër kulmore të lëvizte gurin për të hyrë drita dhe për t’u parë Hëna, Dielli, yjet dhe qielli. Njëherësh kjo vepër i afroj te shpëtimi, pas shfaqjes së dritës.
Ngjarja e të dashuruarit pa kurorë
Ky është protagonisti i tretë në hadith, njëherësh vula e veprës së mirë si pretekst për t’u hapur porta e shpellës, duke e gjetur përfundimisht shpëtimin. Allahu xh.sh. është i Gjithëfuqishëm dhe mund ta hapte përnjëherë portën e shpellës, mirëpo deshi që zemrat e të treve të drejtoheshin nga Krijuesi i tyre me lutjet e tyre, duke i mundësuar secilit prej tyre nga një pjesë të kerameteve dhe për t’u treguar njerëzve se si i respekton Allahu ata që I përkushtohen Atij.
Edhe ky person, duke Iu drejtuar Allahut xh.sh., shprehet: “O Allah! Ti e di se unë kisha një vajzë (pa kurorë), e cila ishte më e dashura për mua, dhe unë u mundova të kandisja, por ajo nuk pranoi, përderisa unë t’i paguaja asaj njëqind dinarë... Por, kur u ndodha mes këmbëve të saj, ajo më tha: “Ki frikë Allahun dhe mos më prish vajzërinë, veçse me të drejtë (me kurorë). Unë u ngrita dhe ia lashë asaj njëqind dinarët. O Allah! Nëse Ti e di se unë e bëra këtë nga frika prej Teje, atëherë, të lutem, largoje shkëmbin. Kështu Allahu i liroi ata (e largoi shkëmbin) dhe ata dolën nga shpella”.
Meqë vajza, në shkëmbim të moralit, kishte kërkuar njëqind dinarë, ky person kishte bredhur në vende të ndryshme për t’i mbledhur ato të holla dhe, pastaj, për ta bërë për vete. Në atë rast vajza përfaqësonte viktimën, kurse personi gjahtarin. Mirëpo, frika nga Allahu dhe vëzhgimi i tij, nuk kishte munguar nga zemra e vajzës.
Nuk ka dyshim se femrat janë më të ndjeshme në shumë çështje, po ashtu dhe në dashuri. Meqenëse dashuria është një çështje më shumë e ndjenjave sesa e dëshirës, mjafton vetëm një fjalë në vesh të vajzës që ajo të jetë magji që zemrën t’ia mbushë me shpresa, kurse mendjen me iluzione. Në dashuri, ashtu sikurse në luftë, e drejta është në anën e të fortit, e jo të të merituarit. Sa më e fshehtë të jetë, aq më emocionale është, dhe sa më shumë të mbulohet, aq më shumë shfaqet. Dashuria është në lloj historie që përfundon rrallëherë ashtu siç parashihet. Dashuria e vërtetë është dashuria bashkëshortore, e cila e shumoi dhe zhvilloi njerëzimin, ndërsa dashuria e shfrenuar e prish dhe e shkatërron njerëzimin. Në dashuri, ashtu si dhe në urrejtje, mund të përjetohen ndjenjat nga më të ndryshmet, vuajtje, kënaqësi, gëzime, frikë, hidhërim etj..
Dashuria është një lloj pijeje që të deh pa e pirë. Dikush e ka cilësuar dashurinë si një lloj hithre, që më së shumti i djeg ata që janë lakuriq.Dashuria është një det i emocioneve që është i rrethuar nga të gjitha anët me shpenzime materiale dhe të kohës. Kur njeriu e kupton
përse dashuron, më nuk dashuron.
I cekëm këto të dhëna për dashurinë vetëm e vetëm për të kuptuar gjendjen e personit në hadith, i cili kishte përdorur të gjitha mënyrat dhe mjetet për ta përfituar atë vajzë. Edhe shprehjet në hadith e ilustrojnë mjaft qartë pozicionin e të dyve, si të vajzës ashtu edhe të djalit, derisa u takuan në orët e vona, në orët e trishtimit që ndoshta lapsi është i paaftë për t’i përshkruar. Çfarë frike tek vajza! Ai po i thoshte eja se askush nuk na sheh përveç yjeve. Ajo iu përgjigj, po ku është Krijuesi i yjeve. Ajo qante, dëneste, po i thoshte se Krijuesi i yjeve i shihte, i dëgjonte, atëherë të kishte frikë Allahun dhe të mos ia merrte vajzërinë. Në atë çast personi e shijoi kënaqësinë e besimit, iu përkushtua devotshmërisë, e ndjeu vëzhgimin e Allahut.
Personi po i thoshe vetes, si është e mundshme, që, ajo po i frikësohej Allahut në vështirësi, e pse unë të mos ifrikësohem në kënaqësi. Ai u betua se as ajo vajza nuk kishte frikë e devotshmëri më shumë se ai vetë tek Allahu. Kështu Allahu e përkrahu atë dhe e ndihmoi që të ngrihej sa më parë dhe të largohej e ta linte vajzën. Nga ky veprim ata mbetën të pastër të dy, pa mëkate dhe të çiltër, mbetën në këtë jetë si dy të rinj të mrekullueshëm dhe të mëdhenj. Nuk ka bukuri më të madhe sesa largimi nga harami, kur e ke fuqinë për ta bërë. Për këtë Allahu xh.sh. ka premtuar parajsën si shpërblim të drejtpërdrejtë për atë që e ndalon unin, pasionin dhe epshin nga harami: “Por, sa për atë i cili iu frikësua qëndrimit para Zotit të tij dhe e ndaloi veten nga dëshirat e liga dhe nefsi i njollosur. Vërtet që Xheneti do të jetë vendbanimi i tij”. (En-Naziat, 40-41)
Personi në fjalë mbeti i lavdëruar në histori e jo i nënçmuar, pasi dëshmoi devotshmëri dhe përcjellje nga Allahu xh.sh.: “Vërtet, ata që janë të devotshëm, kur u vjen ndonjë mendim i lig prej shejtanit, ata kujtojnë (Allahun) dhe vërtet që pas kësaj ata shohin (të vërtetën)”. (El-E’araf, 201).
Kështu, ky person triumfoi në dy beteja të mëdha, në betejën kundër epshit dhe në betejën me pasurinë dhe kujdesin ndaj saj. Këtë fitore e arriti në saje të besimit, devotshmërisë që kishte në zemër. E, kur ti ke frikë Zotin, atëherë shejtani para teje është i dobët, ngase është e njohur që djalli nuk ka force mbi robërit e Allahut të sinqertë. Kjo vepër e mirë iu shpërblye personit në shpellë duke u bërë si shkaktar përfundimtar për ta larguar shkëmbin dhe për të dale që të tre personat nga shpella e Rrekimit.
Për çfarë na udhëzon hadithi
1. Preteksti për t’u afruar tek Allahu bëhet me vepra të mira e jo me ndërmjetësim nëpërmjet të vdekurve, nëpërmjet varreve të Pejgamberëve, evliave dhe njerëzve të mirë.
2. Hadithi konfirmon se Allahu xh.sh. i nderon miqtë e Tij, evliatë, me gjëra të jashtëzakonshme që nuk janë normale apo të natyrshme.
3. Në çdo vepër duhet të jetë sinqeriteti i Allahu xh.sh..
4. Është obligim që t’i jepet përparësi përkushtimit dhe përkujdesjes së prindërve ndaj gruas dhe fëmijëve.
5. Njeriut i mjafton ajo që është e drejtë e tij dhe nuk duhet ta lëshojë veten në ndalesa për pasuri, famë apo autoritet.
6. Të falësh kur je i fuqishëm për tu hakmarrë. Apo mos e bëj atë që të vjen për dore ta bësh.
7. T’i jepet haku punëtorit para se t’i thahen djersët.
8. Ruajtja e pasurisë së tjetrit dhe përdorimi i saj aty ku Allahu dhe i Dërguari i Tij janë të kënaqur.
9. Lejohet shfrytëzimi i pasurisë së tjetrit pa lejen e tij, nëse në të është interesi i përgjithshëm, duke pasur parasysh sigurimin e saj nga shpërdorimi apo shkatërrimi. Të këtij mendimi janë edhe hanefitë, duke u mbështetur nga informimi i hadithit.
10. Konfirmimi dhe pëlqimi i Resulullahut a.s. për një çështje që ka bazë në legjislacionin para nesh, e që mund të futet në legjislacionin tonë.
11. Nga ky hadith mund të dalë edhe një propozim për artin dhe kulturën islame, që njerëzit profesionistë të nxjerrin këtë ngjarje në një film, që do të ishte edhe më atraktiv për shikuesit.
1) “Sahihul Buhari”, v. 1. f. 288, nr. 4926.
Prof. Ass. Dr. Musa Vila